Pyetje nga lexuesit
Pyetje nga lexuesit
Në cilat rrethana mund të shqyrtohet mundësia e ripagëzimit?
Në rrethana të caktuara, një person i pagëzuar mund të pyesë veten nëse pagëzimi i tij ishte i vlefshëm dhe nëse ka nevojë të pagëzohet përsëri. Për shembull, në kohën e pagëzimit një individ ndoshta fshehurazi jetonte në një situatë ose përfshihej në një praktikë që mund të kishte çuar në përjashtimin e tij, po të kishte qenë tashmë i pagëzuar. A mund t’i kushtohej Perëndisë në rrethana të tilla? Një individ i tillë do të mund t’i kushtohej në mënyrë të vlefshme Jehovait vetëm nëse do të kishte lënë sjelljen jobiblike. Prandaj, dikush që është pagëzuar ndërsa ekzistonte një pengesë e tillë serioze, me të drejtë mund të shqyrtojë nevojën e ripagëzimit.
Ç’mund të thuhet për dikë që nuk praktikonte një mëkat në kohën e pagëzimit, por që pas pagëzimit ka kryer diçka që kërkon formimin e një komiteti gjyqësor? Ta zëmë se ai pohon se nuk e kuptonte plotësisht se ç’po bënte në kohën e pagëzimit dhe thotë se pagëzimi i tij nuk është i vlefshëm. Meqë mund të lindin situata të tilla, kur takohen me një keqbërës, pleqtë nuk duhet të lënë të nënkuptohet se pagëzimi i tij nuk është i vlefshëm dhe as duhet ta pyesin nëse mendon që kushtimi dhe pagëzimi i tij janë të vlefshëm apo jo. Në fund të fundit, ai dëgjoi një fjalim biblik për domethënien e pagëzimit. Iu përgjigj në mënyrë pohuese pyetjeve për kushtimin dhe pagëzimin. Pastaj ndërroi rrobat dhe u zhyt në ujë. Pra, është e arsyeshme të mendojmë se ai e kuptoi plotësisht seriozitetin e asaj që po bënte. Kështu, pleqtë duhet ta trajtojnë si një person të pagëzuar.
Nëse personi ngre çështjen e vlefshmërisë së pagëzimit të tij, pleqtë mund t’i drejtojnë vëmendjen te Kulla e Rojës 1 mars 1960, faqet 159 dhe 160, dhe 15 shkurt 1964, faqet 123 deri 126, anglisht, ku trajtohet në hollësi çështja e ripagëzimit. Përfundimisht, vendimi për t’u ripagëzuar në rrethana të caktuara (si për shembull, mungesa e kuptueshmërisë së mjaftueshme biblike kur dikush u pagëzua) është një çështje personale.
Cilët faktorë duhet të kenë parasysh të krishterët kur bëhet fjalë për të jetuar me të tjerë në të njëjtën banesë?
Gjithkush ka nevojë për një vend ku të strehohet. Por, sot shumë nuk kanë shtëpi. Për shkak të rrethanave ekonomike, problemeve shëndetësore ose faktorëve të tjerë, mund të jetë e nevojshme që disa pjesëtarë të farefisit të banojnë bashkë. Në disa anë të botës, të afërmit mund të jetojnë bashkë në një dhomë të vetme pa pasur pothuajse fare mundësi për jetë private.
Nuk është përgjegjësia e organizatës së Jehovait të sigurojë për të gjithë pjesëtarët e kongregacionit në mbarë botën, një listë të gjatë me rregulla që përcaktojnë se cilat janë banesa të përshtatshme. Të krishterët inkurajohen të mendojnë në bazë të parimeve
biblike që të kuptojnë nëse jetesa me të tjerë është e pranueshme ose jo për Perëndinë. Cilat janë disa nga këto parime?Gjëja e parë që duhet marrë parasysh është ndikimi që do të ketë te ne dhe te gjendja jonë frymore jetesa me të tjerë. Ç’njerëz janë? A janë adhurues të Jehovait? A jetojnë në përputhje me normat biblike? Apostulli Pavël shkroi: «Mos u mashtroni! Shoqëritë e këqija prishin zakonet e dobishme.»—1 Kor. 15:33.
Shkrimet shpjegojnë se Jehovai e dënon kurvërinë dhe kurorëshkeljen. (Hebr. 13:4) Prandaj, çdo sistemim për të fjetur, ku persona të pamartuar të sekseve të kundërta rrezikojnë të gjenden në situata kompromentuese, sigurisht nuk do të ishte i pranueshëm për Perëndinë. Një i krishterë nuk do të donte të qëndronte në një vend ku tolerohet imoraliteti.
Për më tepër, Bibla i nxit të gjithë ata që duan miratimin e Perëndisë ‘të ikin nga kurvëria’. (1 Kor. 6:18) Prandaj, do të ishte e mençur që të krishterët të shmangin çfarëdolloj jetese që mund t’i tundojë të përfshihen në sjellje imorale. Për shembull, të marrim rastin kur disa të krishterë flenë në të njëjtën shtëpi. A mund të çojë kjo në situata kompromentuese? Po sikur dy veta, që nuk janë të martuar me njëri-tjetrin, të gjenden papritur vetëm, sepse të tjerët nuk ndodhen në atë moment? Po kështu, do të ishte e rrezikshme nga ana morale që individë të pamartuar që kanë interes romantik për njëri-tjetrin, të jetojnë në të njëjtën shtëpi. Është e mençur që të shmangen situata të tilla.
Gjithashtu, do të ishte e papërshtatshme që dy persona të divorcuar nga njëri-tjetri, të vazhdojnë të jetojnë në të njëjtën shtëpi. Fakti që ishin mësuar të kishin marrëdhënie intime mes tyre mund t’i çojë lehtë në sjellje imorale.—Prov. 22:3.
Një gjë e fundit, por jo më pak e rëndësishme për t’u shqyrtuar është edhe si i konsideron komuniteti zgjedhjet që bën dikush. Jetesa në kushte që një i krishterë i gjykon të pranueshme, por që u jep shkas të tjerëve të mos flasin mirë, do të ishte një arsye për t’u shqetësuar. Nuk duam kurrë që sjellja jonë të sjellë sharje mbi emrin e Jehovait. Pavli thotë: «Ruhuni të mos bëheni shkak pengese as për judenj, as për grekë dhe as për kongregacionin e Perëndisë, sikurse edhe unë u pëlqej të gjithëve në çdo gjë, duke mos kërkuar përfitimin tim, por atë të të shumtëve, që ata të shpëtojnë.»—1 Kor. 10:32, 33.
Gjetja e një strehimi të përshtatshëm dhe me personat e përshtatshëm, mund të jetë një sfidë e vërtetë për ata që duan të mbajnë normat e drejta të Jehovait. Megjithatë, të krishterët ‘duhet të sigurohen se çfarë është e pranueshme para Zotërisë’. Ata duhet të jenë të sigurt që në vendin ku banojnë të mos ndodhë asgjë e pahijshme. (Efes. 5:5, 10) Kjo kërkon që të krishterët të luten për udhëheqjen hyjnore dhe të bëjnë çmos për të ruajtur mirëqenien fizike e morale të njëri-tjetrit, si edhe emrin e mirë të Jehovait.