Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të përdorim me mjeshtëri «shpatën e frymës»

Të përdorim me mjeshtëri «shpatën e frymës»

Të përdorim me mjeshtëri «shpatën e frymës»

«Merrni . . . shpatën e frymës, që është fjala e Perëndisë.»​—EFES. 6:17.

1, 2. Si duhet të reagojmë ndaj nevojës për më shumë lajmëtarë të Mbretërisë?

KUR pa nevojën frymore të një turme me njerëz, Jezui u tha dishepujve: «Të korrat janë të mëdha, por punëtorët janë pak. Prandaj lutjuni Zotërisë të të korrave, që të dërgojë punëtorë në të korrat e tij.» Jezui nuk u mjaftua me kaq. Pasi tha ato fjalë, «ai i thirri dymbëdhjetë dishepujt» dhe i dërgoi të predikonin ose ‘të korrnin’. (Mat. 9:35-38; 10:1, 5) Më vonë, Jezui «caktoi shtatëdhjetë dishepuj të tjerë dhe i dërgoi përpara dy e nga dy» që të bënin të njëjtën vepër.—Luka 10:1, 2.

2 Edhe sot ka mjaft nevojë për më shumë lajmëtarë të Mbretërisë. Në Përkujtimin e vitit të shërbimit 2009, në mbarë botën ishin të pranishëm 18.168.323 veta, domethënë mbi 10 milionë më shumë se numri i përgjithshëm i Dëshmitarëve të Jehovait. Fushat janë vërtet gati për korrje! (Gjoni 4:34, 35) Prandaj, duhet të lutemi dhe të kërkojmë më shumë punëtorë. Por, si mund të veprojmë në përputhje me këto lutje? Mund ta bëjmë këtë duke qenë më të efektshëm teksa marrim pjesë me zell në veprën e predikimit për Mbretërinë dhe të bërjes së dishepujve.—Mat. 28:19, 20; Mar. 13:10.

3. Në ç’mënyrë fryma e Perëndisë luan një rol kyç që të bëhemi lajmëtarë më të efektshëm?

3 Në artikullin e mëparshëm shqyrtuam se si fryma e Perëndisë luan një rol kyç që ‘ta themi fjalën e Perëndisë me guxim’ kur drejtohemi prej saj. (Vep. 4:31) Kjo frymë na ndihmon edhe të jemi lajmëtarë të aftë. Një mënyrë për të qenë më të efektshëm në shërbim është të përdorim mirë mjetin e shkëlqyer që na ka siguruar Perëndia Jehova: Fjalën e tij të shkruar, Biblën. Ajo është produkt i frymës së shenjtë. (2 Tim. 3:16) Mesazhi i saj është i frymëzuar nga Perëndia. Prandaj, kur e shtjellojmë me mjeshtëri të vërtetën biblike në shërbim, po drejtohemi nga fryma e shenjtë. Para se të tregojmë si ta bëjmë këtë, le të shohim sa e fuqishme është Fjala e Perëndisë.

‘Fjala e Perëndisë ushtron fuqi’

4. Çfarë shndërrimi mund të shkaktojë te dikush mesazhi i Perëndisë që gjendet në Bibël?

4 Sa fuqi ka fjala ose mesazhi i Perëndisë! (Hebr. 4:12) Në kuptimin e figurshëm mesazhi që buron nga Bibla është më i mprehtë se çdo shpatë e bërë nga njeriu, sepse depërton aq sa ndan kockat dhe palcën e tyre. E vërteta biblike shkon deri në pjesën më të brendshme të një njeriu dhe depërton te mendimet e ndjenjat e tij, duke zbuluar se si është faktikisht përbrenda. Kjo e vërtetë mund të ushtrojë fuqinë e saj shndërruese dhe mund ta ndryshojë vërtet dikë. (Lexo Kolosianëve 3:10.) Po, Fjala e Perëndisë ta ndryshon jetën!

5. Në cilat mënyra na drejton Bibla dhe me ç’rezultat?

5 Për më tepër, Bibla është një libër me mençuri të pakrahasueshme. Ajo përmban informacione të dobishme që u tregojnë njerëzve se si të jetojnë në këtë botë të ndërlikuar. Fjala e Perëndisë na ndriçon jo vetëm hapat që po hedhim, por edhe shtegun që shtrihet para nesh. (Psal. 119:105) Ajo na ndihmon jashtëzakonisht kur kemi probleme ose do të marrim vendime në lidhje me zgjedhjen e miqve, zbavitjes, punës, veshjes, etj. (Psal. 37:25; Prov. 13:20; Gjoni 15:14; 1 Tim. 2:9) Zbatimi i parimeve që gjenden në Fjalën e Perëndisë na ndihmon të shkojmë mirë me të tjerët. (Mat. 7:12; Filip. 2:3, 4) Duke pasur rrugën tonë, si të thuash, të ndriçuar mirë, jemi në gjendje të marrim parasysh ndikimet afatgjata të vendimeve tona. (1 Tim. 6:9) Gjithashtu, Shkrimet parathonë qëllimin e Perëndisë për të ardhmen, duke na ndihmuar kështu të jetojmë në përputhje me këtë qëllim. (Mat. 6:33; 1 Gjon. 2:17, 18) Sa jetë kuptimplotë mund të bëjë një njeri nëse lejon që parimet hyjnore ta drejtojnë në jetë!

6. Çfarë arme e fuqishme është Bibla në luftën tonë frymore?

6 Të mendojmë edhe se ç’armë e fuqishme është Bibla në luftën tonë frymore. Pavli e quajti fjalën e Perëndisë ‘shpata e frymës’. (Lexo Efesianëve 6:12, 17.) Kur paraqitet me efektshmëri, mesazhi i Biblës mund t’i çlirojë njerëzit nga robëria frymore e Satanait. Është një shpatë që ua shpëton jetën njerëzve, në vend se t’ua marrë. A nuk duhet të përpiqemi ta përdorim me mjeshtëri?

Ta përdorim drejt fjalën e Perëndisë

7. Pse është e rëndësishme të mësojmë ta përdorim mirë «shpatën e frymës»?

7 Një ushtar mund t’i përdorë armët me efektshmëri në luftë, vetëm nëse është praktikuar dhe ka mësuar t’i përdorë mirë. E njëjta gjë vlen edhe kur përdorim «shpatën e frymës» në luftën tonë frymore. Pavli shkroi: «Bëj çmos të paraqitesh para Perëndisë i miratuar, si një punëtor që s’ka pse t’i vijë turp për asgjë, që e përdor drejt fjalën e së vërtetës.»—2 Tim. 2:15.

8, 9. Çfarë do të na ndihmojë të kuptojmë se ç’thotë Bibla? Jepni një shembull.

8 Çfarë do të na ndihmojë që ‘ta përdorim drejt fjalën e së vërtetës’ në shërbim? Para se t’ua themi qartë të tjerëve se çfarë thotë Bibla, duhet ta kuptojmë vetë atë. Kjo kërkon që t’i kushtojmë vëmendje kontekstit të një vargu ose fragmenti. Sipas një fjalori, «konteksti i një fjale, fjalie ose teksti janë fjalët ose fjalitë që ndodhen para dhe pas e që ndihmojnë të sqarojnë kuptimin e tyre».

9 Për të kuptuar drejt një fragment biblik kërkohet që të shqyrtojmë tekstin përreth. Pohimi i Pavlit te Galatasve 5:13 e ilustron këtë nevojë. Ai shkroi: «Ju, sigurisht, u thirrët në liri, vëllezër, vetëm mos e përdorni këtë liri si një shkas për mishin, por nëpërmjet dashurisë, shërbejini si skllevër njëri-tjetrit.» Për çfarë lirie po fliste Pavli këtu? A e kishte fjalën për lirinë nga mëkati dhe vdekja, nga robëria e bindjeve të rreme apo nga diçka tjetër? Konteksti tregon se Pavli po fliste për lirinë që vjen kur dikush ‘lirohet nga mallkimi i Ligjit’. (Gal. 3:13, 19-24; 4:1-5) Ai e kishte fjalën për lirinë e krishterë. Ata që e çmonin këtë liri, i shërbenin si skllevër njëri-tjetrit nga dashuria. Ata që nuk tregonin dashuri, i përgojonin të tjerët dhe grindeshin me ta.—Gal. 5:15.

10. (a) Ç’lloj informacionesh duhet të shqyrtojmë për të kuptuar saktë domethënien e Shkrimeve? (b) Si mund t’i gjejmë këto informacione?

10 Fjala «kontekst» ka edhe një kuptim tjetër. Sinonimet e fjalës «kontekst» janë «sfond, kushte, . . . rrethana». Për të kuptuar drejt domethënien e një shkrimi, duhet të shqyrtojmë informacione të tilla, si: kush e shkroi librin biblik, kur e shkroi dhe në cilat rrethana. Gjithashtu, është e dobishme të dimë qëllimin për të cilin u shkrua libri dhe, nëse është e mundur, zakonet, vlerat morale, sjelljen dhe praktikat fetare të asaj kohe. *

11. Për çfarë duhet të tregojmë kujdes kur shpjegojmë shkrimet?

11 ‘Ta përdorim drejt fjalën e së vërtetës’ përfshin më shumë sesa vetëm të shpjegojmë saktë të vërtetat biblike. Duhet të tregojmë kujdes që të mos e përdorim Biblën për t’i frikësuar njerëzit. Edhe pse mund ta përdorim Biblën për të mbrojtur të vërtetën siç bëri Jezui kur e tundoi Djalli, Bibla nuk është një kërbaç për të trembur të tjerët. (Ligj. 6:16; 8:3; 10:20; Mat. 4:4, 7, 10) Duhet t’i vëmë veshin këshillës së apostullit Pjetër: «Shenjtëroni Krishtin si Zotëri në zemrat tuaja, gjithnjë gati për t’u mbrojtur para kujtdo që ju kërkon arsye për shpresën tuaj, por bëjeni këtë me frymë butësie dhe me respekt të thellë.»—1 Pjet. 3:15.

12, 13. Cilat «gjëra të fortifikuara mirë» mund të përmbysë Fjala e Perëndisë? Jepni një shembull.

12 Çfarë mund të bëjë e vërteta e Fjalës së Perëndisë nëse përdoret drejt? (Lexo 2 Korintasve 10:4, 5.) E vërteta biblike mund të përmbysë «gjëra të fortifikuara mirë», domethënë, mund të nxjerrë në shesh doktrina të rreme, praktika të dëmshme dhe filozofi që pasqyrojnë mençurinë e papërsosur njerëzore. Mund ta përdorim Biblën për të eliminuar çdo ide që është «ngritur kundër njohurisë së Perëndisë». Mësimet e Biblës mund të përdoren për t’i ndihmuar të tjerët që t’i ndreqin mendimet e tyre në përputhje me të vërtetën.

13 Të marrim për shembull, rastin e një gruaje 93-vjeçare që jeton në Indi. Që në fëmijëri e kishin mësuar të besonte te rimishërimi. Kur filloi të studionte Biblën me letërkëmbim me të birin që jetonte jashtë shtetit, e pranoi menjëherë atë që po mësonte për Jehovain dhe premtimet e tij. Mirëpo, mësimi i rimishërimit ishte kaq i ngulitur në mendjen e saj, sa kundërshtoi kur i biri i shkroi për gjendjen e të vdekurve. Ajo tha: «Nuk e kuptoj dot të vërtetën e Shkrimeve tuaja. Të gjitha fetë mësojnë se kemi diçka të pavdekshme brenda nesh. Gjithmonë kam besuar se trupi vdes dhe se një pjesë e padukshme rimishërohet vazhdimisht në trupa të tjerë rreth 8.400.000 herë. Si mund të mos jetë e vërtetë kjo? Mos e kanë gabim shumica e feve?» A mund të përmbysë ‘shpata e frymës’ një bindje të tillë të fortifikuar mirë? Pas diskutimesh të tjera biblike për këtë temë, ajo shkroi disa javë më vonë: «Më në fund po filloj të kuptoj se si është e vërteta rreth vdekjes. Sa e lumtur ndihem ngaqë e di se kur të ndodhë ringjallja, do të takojmë njerëzit tanë që kanë vdekur. Shpresoj të vijë shpejt Mbretëria e Perëndisë.»

Ta përdorim Biblën në mënyrë bindëse

14. Çfarë do të thotë t’i bindim të tjerët?

14 Ta përdorim Biblën me efektshmëri në shërbim nuk do të thotë vetëm të citojmë shkrime. Pavli përdori «argumentime bindëse» e po kështu duhet të bëjmë edhe ne. (Lexo Veprat 19:8, 9; 28:23.) Të bindësh dikë me argumentime të tilla do të thotë «ta fitosh» atë. Kur dikush bindet në këtë mënyrë për diçka, është «kaq i sigurt saqë beson plotësisht tek ajo». Nëse bindim dikë të pranojë një mësim biblik, si të thuash po e fitojmë, duke e bërë të besojë tek ai mësim. Që ta bëjmë këtë duhet ta bindim dëgjuesin tonë për vërtetësinë e asaj që themi. Mund ta bëjmë këtë në mënyrat vijuese.

15. Si mund ta drejtosh vëmendjen te Bibla në një mënyrë që ngjall respekt për të?

15 Drejtoje vëmendjen te Fjala e Perëndisë në një mënyrë që ngjall respekt për të. Para se të lexosh një shkrim, thekso sa e rëndësishme është të dimë mendimin e Perëndisë për temën që po trajtohet. Pasi të bësh një pyetje dhe të dëgjosh përgjigjen e të zotit të shtëpisë, mund të thuash diçka të tillë, si: «Le të shohim se çfarë mendon Perëndia për këtë çështje.» Ose mund të thuash: «Çfarë thotë Perëndia për këtë gjë?» Kur e paraqit shkrimin në këtë mënyrë, po thekson se Bibla është nga Perëndia dhe po e ndihmon të zotin e shtëpisë të rritë vlerësimin për Fjalën e Tij. Kjo është sidomos e rëndësishme kur i dëshmojmë dikujt që beson te Perëndia, por nuk e di se çfarë mëson Bibla.—Psal. 19:7-10.

16. Çfarë do të të ndihmojë t’i shpjegosh siç duhet shkrimet?

16 Mos u mjafto duke lexuar shkrimet, por edhe shpjegoji ato. Pavli e kishte zakon ‘t’i shpjegonte e t’i provonte me pjesë nga shkrimet’ gjërat që mësonte. (Vep. 17:3) Një varg biblik shpesh përmban më shumë se një pikë dhe ndoshta duhet të veçosh shprehjet kyçe që lidhen me argumentin që po trajton. Mund ta bësh këtë duke përsëritur fjalët që përmbajnë pikat kryesore ose duke bërë pyetje që do ta ndihmojnë të zotin e shtëpisë t’i dallojë ato. Më pas, shpjego kuptimin e asaj pjese të shkrimit. Pas kësaj, ndihmoje dëgjuesin të kuptojë se si zbatohet shkrimi për të personalisht.

17. Si mund të arsyetosh nga Shkrimet në mënyrë bindëse?

17 Arsyeto nga Shkrimet në mënyrë bindëse. Me anë të përgjërimeve të përzemërta dhe logjikës së shëndoshë, Pavli ‘arsyetonte me të tjerët nga Shkrimet’ në mënyrë bindëse. (Vep. 17:2, 4) Ashtu si ai, përpiqu t’i prekësh zemrën dëgjuesit. ‘Nxirr në sipërfaqe’ se ç’ka brenda duke përdorur pyetje dashamirëse që pasqyrojnë interes personal për individin. (Prov. 20:5) Mos ji pa takt. Paraqiti argumentet në mënyrë të qartë e të logjikshme. Ato duhen mbështetur nga dëshmi të mjaftueshme. Pohimet e tua duhet të jenë fortësisht të bazuara te Fjala e Perëndisë. Është më mirë të përdorësh siç duhet vetëm një shkrim, duke e shpjeguar dhe duke e ilustruar pikën e duhur, sesa të lexosh shpejt e shpejt dy a tri shkrime radhazi. Gjithashtu, dëshmitë shtesë ‘mund t’u shtojnë forcë bindëse buzëve të tua’. (Prov. 16:23) Hera-herës mund të jetë e nevojshme të bësh kërkime dhe të sigurosh informacione të mëtejshme. Gruaja 93-vjeçare që përmendëm më sipër kishte nevojë të dinte pse mësimi për pavdekësinë e shpirtit është kaq i përhapur. Shpjegimi për origjinën e kësaj doktrine dhe si hyri te shumica e feve në botë, ishte thelbësor që të bindej për të pranuar çfarë mëson Bibla për këtë temë. *

Të vazhdojmë ta përdorim Biblën me mjeshtëri

18, 19. Pse duhet të vazhdojmë ta përdorim me mjeshtëri «shpatën e frymës»?

18 «Skena e kësaj bote po ndryshon»,—thotë Bibla. Njerëzit e ligj po shkojnë keq e më keq. (1 Kor. 7:31; 2 Tim. 3:13) Prandaj, është jetësore të vazhdojmë të përmbysim «gjëra të fortifikuara mirë» duke përdorur «shpatën e frymës, që është fjala e Perëndisë».

19 Sa të lumtur jemi që kemi Fjalën e Perëndisë, Biblën, dhe mund të përdorim mesazhin e saj të fuqishëm për të çrrënjosur mësimet e rreme e për t’u prekur zemrën njerëzve të sinqertë! Asnjë gjë e fortifikuar nuk është më e fortë se ky mesazh. Prandaj, le të përpiqemi me zell ta përdorim me mjeshtëri «shpatën e frymës» në veprën e shpalljes së Mbretërisë që na ka caktuar Perëndia.

[Shënimet]

^ par. 10 Mjete të shkëlqyera ndihmëse për të gjetur informacione rreth librave të Biblës janë botimet «I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm», Të fitojmë gjykim të thellë nga Shkrimet (anglisht) dhe artikuj të tillë nga Kulla e Rojës si «Fjala e Jehovait është e gjallë».

^ par. 17 Shih broshurën Çfarë ndodh me ne kur vdesim?, faqet 5-16.

Çfarë mësuat?

• Sa e fuqishme është Fjala e Perëndisë?

• Si ‘mund ta përdorni drejt fjalën e së vërtetës’?

• Çfarë mund të bëjë mesazhi i Biblës ndaj ‘gjërave të fortifikuara mirë’?

• Si mund t’i përmirësoni aftësitë bindëse në shërbim?

[Pyetjet]

[Kutia dhe figura në faqen 12]

Si ta përdorësh Fjalën e Perëndisë në mënyrë bindëse?

▪ Ngjall respekt për Biblën

▪ Shpjegoji Shkrimet

▪ Arsyeto në mënyrë bindëse që t’u prekësh zemrën njerëzve

[Figura në faqen 11]

Duhet të mësosh ta përdorësh me efektshmëri «shpatën e frymës»