Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

‘Ta themi fjalën e Perëndisë me guxim’

‘Ta themi fjalën e Perëndisë me guxim’

‘Ta themi fjalën e Perëndisë me guxim’

«Të gjithë u mbushën me frymën e shenjtë dhe e thoshin fjalën e Perëndisë me guxim.»—VEP. 4:31.

1, 2. Pse duhet të përpiqemi të jemi të efektshëm në shërbim?

TRI ditë para se të vdiste, Jezui u tha dishepujve: «Ky lajm i mirë për mbretërinë do të predikohet në gjithë tokën e banuar si dëshmi për të gjitha kombet, dhe atëherë do të vijë fundi.» Para se të ngjitej në qiell, Jezui i ringjallur u dha dishepujve caktimin që ‘të bënin dishepuj njerëz nga të gjitha kombet dhe t’u mësonin të zbatonin të gjitha gjërat që u kishte urdhëruar’. Ai u premtoi se do të ishte me ta «gjithë ditët, deri në përfundimin e sistemit».—Mat. 24:14; 26:1, 2; 28:19, 20.

2 Si Dëshmitarë të Jehovait, marrim pjesë aktivisht në një vepër që nisi në shekullin e parë. Asnjë vepër nuk është aq e rëndësishme sa vepra jetëshpëtuese e predikimit për Mbretërinë dhe e bërjes së dishepujve. Prandaj, sa jetësore është që të jemi të efektshëm në shërbim! Në këtë artikull, do të shohim se si fryma e shenjtë na ndihmon të flasim me guxim në shërbim kur drejtohemi prej saj. Dy artikujt e tjerë do të tregojnë se si fryma e Jehovait mund të na drejtojë që të mësojmë me mjeshtëri dhe të predikojmë me rregullsi.

Kemi nevojë për guxim

3. Pse pjesëmarrja në veprën e predikimit për Mbretërinë kërkon guxim?

3 Vepra që na ka dhënë Perëndia për të shpallur Mbretërinë, është një privilegj i pakrahasueshëm. Megjithatë, ajo ka edhe sfida. Ndërkohë që disa e pranojnë menjëherë lajmin e mirë për Mbretërinë e Perëndisë, shumë janë si njerëzit në kohën e Noesë. Jezui tha se ata «nuk kushtuan vëmendje derisa erdhi përmbytja dhe i fshiu të gjithë». (Mat. 24:38, 39) Pastaj ka dhe nga ata që tallen me ne ose na kundërshtojnë. (2 Pjet. 3:3) Kundërshtimi mund të vijë nga autoritetet, nga shokët e shkollës, kolegët e punës ose edhe nga familjarët. Përveç kësaj kemi dobësitë tona, si ndrojtja dhe frika se mos na refuzojnë. Shumë faktorë mund të na e bëjnë të vështirë të kemi «lirshmëri në të folur» dhe ta themi fjalën e Perëndisë me «guxim». (Efes. 6:19, 20) Megjithatë, që të vazhdojmë të themi me vendosmëri fjalën e Perëndisë, kemi nevojë për guxim. Çfarë mund të na ndihmojë të marrim guxim?

4. (a) Çfarë është guximi? (b) Si mori guxim apostulli Pavël që t’u fliste selanikasve?

4 Fjala greke e përkthyer «guxim» do të thotë «çiltërsi ose të folurit hapur». Kjo fjalë përcjell idenë e «sigurisë, . . . të qenët i patrembur». Guxim nuk do të thotë vrazhdësi në të folur. (Kolos. 4:6) Ndërsa jemi të guximshëm, duam të jemi edhe paqësorë me të gjithë. (Rom. 12:18) Për më tepër, teksa predikojmë lajmin e mirë për Mbretërinë e Perëndisë, kemi nevojë për guxim, por edhe për takt, që të mos fyejmë pa dashje dikë. Po, për të pasur guxim, duhet të zhvillojmë cilësi të tjera që kërkojnë shumë përpjekje. Sidoqoftë, që të zhvillojmë këtë lloj guximi nuk mund të mbështetemi vetëm te forcat tona. Si ‘morën guxim’ apostulli Pavël dhe shokët e tij që t’u flitnin atyre në Selanik, pasi ‘u trajtuan në mënyrë fyese në Filipi’? «Nga Perëndia»,—shkroi Pavli. (Lexo 1 Selanikasve 2:2.) Perëndia Jehova mund të na e heqë frikën dhe të na japë një guxim të tillë.

5. Si u dha guxim Jehovai Pjetrit, Gjonit dhe dishepujve të tjerë?

5 Kur «krerët e judenjve, pleqtë dhe skribët» i kërkuan apostujve Pjetër dhe Gjon që të ndalnin veprën e predikimit, këta u thanë: «Gjykojeni vetë në është e drejtë në sytë e Perëndisë t’ju dëgjojmë ju dhe jo Perëndinë. Sepse ne nuk pushojmë dot së foluri për ato që kemi parë e dëgjuar.» Në vend që t’i luteshin Perëndisë të ndalte përndjekjen, ata dhe bashkëbesimtarët iu përgjëruan: «O Jehova, kushtoju vëmendje kërcënimeve të tyre, dhe bëj që skllevërit e tu ta thonë fjalën tënde plot guxim.» (Vep. 4:5, 19, 20, 29) Si iu përgjigj Jehovai kërkesës së tyre? (Lexo Veprat 4:31.) Jehovai i ndihmoi të merrnin guxim me anë të frymës së tij. Fryma e Perëndisë mund të bëjë të njëjtën gjë edhe me ne. Atëherë, si mund të marrim frymën e Perëndisë dhe të drejtohemi prej saj në shërbim?

Si të marrim guxim?

6, 7. Cila është mënyra më e drejtpërdrejtë për të marrë frymën e shenjtë të Perëndisë? Jepni shembuj.

6 Mënyra më e drejtpërdrejtë për të marrë frymën e shenjtë të Perëndisë është t’ia kërkojmë atij. Jezui u tha atyre që po e dëgjonin: «Nëse ju, edhe pse të ligj, dini t’u jepni dhurata të mira fëmijëve tuaj, aq më shumë Ati në qiell do t’u japë frymë të shenjtë atyre që ia kërkojnë!» (Luka 11:13) Po, duhet të lutemi pareshtur për frymën e shenjtë. Nëse disa aspekte të predikimit të tilla, si dëshmia rrugore, predikimi joformal ose në territorin tregtar, na frikësojnë, mund t’i lutemi Jehovait për frymën e tij e t’i kërkojmë që të marrim guximin e duhur.—1 Sel. 5:17.

7 Pikërisht këtë bëri një grua e krishterë e quajtur Roza. * Një ditë kur Roza ishte në punë, një mësuese me të cilën punon po lexonte një raport nga një shkollë tjetër në lidhje me keqtrajtimin e fëmijëve. Mësuesja u trazua kaq shumë nga ajo që lexoi, saqë thirri: «Ku po shkon kjo botë?» Roza mendoi që ky ishte një rast i volitshëm për të dhënë dëshmi. Çfarë bëri që të merrte guximin për të folur? «Iu luta Jehovait dhe i kërkova frymën e tij që të më ndihmonte»,—thotë Roza. Ajo arriti të jepte një dëshmi të shkëlqyer dhe të linte një takim për të folur më tej. Të shohim edhe rastin e një vajze pesëvjeçare, Milanisë, e cila jeton në qytetin e Nju-Jorkut. Milania thotë: «Para se të shkoj në shkollë, mami dhe unë i lutemi gjithmonë Jehovait.» Për çfarë luten? Për guxim, që Milania të qëndrojë besnike dhe të flasë për Perëndinë. Mamaja e saj thotë: «Kjo e ka ndihmuar Milaninë të shpjegojë qëndrimin e saj për ditëlindjet e festat dhe të mos marrë pjesë në këto raste.» A nuk tregojnë këta shembuj se lutja na ndihmon të marrim guxim?

8. Si mund të marrim guxim, siç mësojmë nga profeti Jeremia?

8 Të mendojmë edhe për atë që e ndihmoi profetin Jeremia të merrte guxim. Kur Jehovai e caktoi si profet të kombeve, Jeremia u përgjigj: «Unë nuk di të flas, sepse s’jam veçse një djalosh.» (Jer. 1:4-6) Por, me kalimin e kohës, Jeremia predikonte me kaq këmbëngulje e forcë, sa shumë e konsideronin lajmëtar gjëmash. (Jer. 38:4) Për më tepër se 65 vjet ai shpalli me guxim gjykimet e Jehovait. Ishte kaq i njohur në Izrael për predikimin e tij të patrembur e të guximshëm, që rreth 600 vjet më vonë kur Jezui foli me guxim, disa menduan se ishte Jeremia i ringjallur. (Mat. 16:13, 14) Edhe pse në fillim ngurronte, si e kapërceu ndrojtjen profeti Jeremia? Ai thotë: «Fjala e [Perëndisë] ishte në zemrën time si një zjarr përvëlues i mbyllur në kockat e mia. U lodha duke ndenjur në heshtje.» (Jer. 20:9) Po, fjala e Jehovait ushtroi fuqi te Jeremia dhe e nxiti të fliste.

9. Pse fjala e Perëndisë mund të ndikojë te ne ashtu si ndikoi te Jeremia?

9 Në Letrën drejtuar Hebrenjve, apostulli Pavël shkroi: «Fjala e Perëndisë është e gjallë dhe ushtron fuqi. Ajo është më e mprehtë se çdo shpatë me dy tehe dhe depërton aq sa ndan shpirtin dhe frymën, nyjat dhe palcën e tyre dhe është në gjendje të dallojë mendimet dhe qëllimet e zemrës.» (Hebr. 4:12) Mesazhi ose fjala e Perëndisë mund të ndikojë te ne ashtu si ndikoi te Jeremia. Të mos harrojmë që ndonëse u përdorën njerëz për të shkruar Biblën, ajo nuk është një koleksion librash me mençuri njerëzore, sepse u frymëzua nga Perëndia. Te 2 Pjetrit 1:21 lexojmë: «Profecia nuk ka ardhur kurrë nga vullneti i njeriut, por njerëzit kanë thënë atë që erdhi nga Perëndia, ndërsa ishin të shtyrë nga fryma e shenjtë.» Kur lëmë kohë për të bërë një studim personal domethënës të Biblës, mendja jonë mbushet me mesazhin që është frymëzuar nëpërmjet frymës së shenjtë. (Lexo 1 Korintasve 2:10.) Ky mesazh mund të jetë «si një zjarr përvëlues» brenda nesh, të cilin nuk mund ta mbajmë vetëm për vete.

10, 11. (a) Si duhet ta studiojmë Biblën që të marrim guxim për të folur? (b) Përmendni të paktën një hap që planifikoni të bëni për të përmirësuar cilësinë e studimit personal.

10 Që studimi personal i Biblës të ndikojë fuqimisht, duhet bërë në atë mënyrë që mesazhi i saj të depërtojë thellë te ne e të prekë njeriun e brendshëm. Për shembull, profetit Ezekiel iu dha një vegim në të cilin iu kërkua të hante një rrotull libri me një mesazh të fuqishëm që duhej t’ua shpallte njerëzve indiferentë. Ezekieli duhej ta përvetësonte plotësisht mesazhin. Kështu shpallja e këtij mesazhi do të ishte një detyrë e këndshme, si shija e mjaltit.—Lexo Ezekielin 2:8–3:4, 7-9.

11 Ne jemi në një situatë të ngjashme me atë të Ezekielit. Sot, shumë veta thjesht nuk duan të dëgjojnë se ç’thotë Bibla. Që të ngulmojmë ndërsa themi fjalën e Perëndisë, është e rëndësishme t’i studiojmë Shkrimet në atë mënyrë që na lejon ta përvetësojmë mesazhin e tyre plotësisht. Studimin duhet ta bëjmë me rregullsi e jo me hope. Duhet të kemi po atë dëshirë që kishte psalmisti i cili këndoi: «Fjalët e gojës sime dhe meditimi i zemrës sime, qofshin të këndshme para teje, O Jehova, Shkëmbi im, Shpenguesi im!» (Psal. 19:14) Sa e rëndësishme është të lëmë kohë për të medituar rreth asaj që lexojmë, në mënyrë që të vërtetat biblike të depërtojnë thellë në zemër! Po, duhet të përpiqemi të përmirësojmë cilësinë e studimit personal. *

12. Pse mbledhjet e krishtere na ndihmojnë të drejtohemi nga fryma e shenjtë?

12 Mund të nxjerrim dobi nga fryma e shenjtë e Jehovait edhe ‘duke u interesuar për njëri-tjetrin, që të nxitemi për dashuri dhe vepra të shkëlqyera, pa braktisur mbledhjet tona’. (Hebr. 10:24, 25) Duhet të përpiqemi t’i ndjekim rregullisht mbledhjet e krishtere, të dëgjojmë me kujdes dhe t’i zbatojmë ato që mësojmë. Këto janë mënyra të shkëlqyera për t’u drejtuar nga fryma. Në fund të fundit, a nuk na drejton fryma e Jehovait nëpërmjet kongregacionit?—Lexo Zbulesën 3:6.

Dobitë e guximit

13. Çfarë mund të mësojmë nga ajo që kryen të krishterët e shekullit të parë në veprën e predikimit?

13 Fryma e shenjtë është forca më e madhe në univers dhe mund t’i fuqizojë njerëzit të bëjnë vullnetin e Jehovait. Nën ndikimin e saj, të krishterët e shekullit të parë kryen një vepër predikimi të jashtëzakonshme. Ata ua predikuan lajmin e mirë «të gjitha krijesave nën qiell». (Kolos. 1:23) Kur mendojmë se shumica e tyre ishin «të pashkolluar e të thjeshtë», kuptojmë qartë se ata nxiteshin nga një forcë më e madhe se forca e tyre.—Vep. 4:13.

14. Çfarë mund të na ndihmojë të jemi «të zjarrtë në frymë»?

14 Kur jetojmë në përputhje me drejtimin e frymës së shenjtë gjallërohemi dhe kështu nxitemi ta kryejmë shërbimin me guxim. Dobitë që vijnë kur lutemi vazhdimisht për frymën e shenjtë, bëjmë me zell një studim personal domethënës, meditojmë në lutje rreth gjërave që lexojmë dhe ndjekim rregullisht mbledhjet e krishtere, mund të na ndihmojnë të jemi «të zjarrtë në frymë». (Rom. 12:11) Në lidhje me «një jude që quhej Apol», Bibla thotë: «Meqë ishte i zjarrtë në frymë, fliste dhe mësonte me saktësi gjërat për Jezuin.» (Vep. 18:24, 25) Duke qenë «të zjarrtë me Frymën» e Perëndisë, mund të bëhemi më të guximshëm në shërbimin shtëpi më shtëpi dhe kur japim dëshmi joformale.—Rom. 12:11, The Bible—An American Translation.

15. Si nxjerrim dobi kur flasim me më shumë guxim?

15 Nëse bëhemi më të guximshëm kur dëshmojmë, kjo ndikon për mirë te ne. Qëndrimi ynë përmirësohet, sepse çmojmë më plotësisht rëndësinë dhe dobinë e veprës sonë. Na shtohet entuziazmi, sepse gjejmë më shumë gëzim kur jemi të efektshëm në shërbim. Dhe na rritet zelli, sepse jemi më të vetëdijshëm për urgjencën e veprës së predikimit.

16. Çfarë duhet të bëjmë nëse na është pakësuar zelli për shërbimin?

16 Po sikur të kemi humbur zellin për shërbimin ose të mos kemi po atë zell si më parë? Atëherë duhet të bëjmë një vetëshqyrtim të ndershëm. Pavli shkroi: «Vazhdoni të vini në provë veten nëse jeni në besim, vazhdoni të provoni se çfarë jeni ju vetë.» (2 Kor. 13:5) Pyet veten: «A jam ende i zjarrtë në frymë? A lutem për frymën e Jehovait? A tregojnë lutjet e mia se mbështetem tek ai për të bërë vullnetin e tij? A përmbajnë fjalë çmueshmërie për shërbimin që na është besuar? Çfarë zakonesh studimi kam? Sa kohë lë për të medituar rreth asaj që lexoj e dëgjoj? Sa përfshihem në mbledhjet e kongregacionit?» Meditimi rreth pyetjeve të tilla mund të të ndihmojë të dallosh pikat e dobëta dhe të marrësh masa për t’u përmirësuar.

Le të na bëjë të guximshëm fryma e Perëndisë!

17, 18. (a) Në çfarë shkalle po kryhet sot vepra e predikimit? (b) Si mund të kemi «shumë lirshmëri fjale» teksa shpallim lajmin e mirë për Mbretërinë e Perëndisë?

17 Jezui i ringjallur u tha dishepujve: «Kur fryma e shenjtë të vijë mbi ju, do të merrni fuqi e do të jeni dëshmitarët e mi në Jerusalem, në mbarë Judenë, në Samari e deri në skajin më të largët të tokës.» (Vep. 1:8) Vepra që filloi në atë kohë po kryhet sot në një shkallë të paparë. Rreth shtatë milionë Dëshmitarë të Jehovait po shpallin mesazhin për Mbretërinë në më tepër se 230 vende duke kaluar pothuajse 1,5 miliardë orë në shërbim. Sa emocionuese është të marrim pjesë me zell në këtë vepër që nuk do të përsëritet kurrë!

18 Ashtu si në shekullin e parë, sot vepra globale e predikimit po bëhet nën drejtimin e frymës së Perëndisë. Nëse i përgjigjemi drejtimit të frymës, do të kemi «shumë lirshmëri fjale» në shërbim. (Vep. 28:31) Prandaj, le të drejtohemi nga fryma teksa shpallim lajmin e mirë për Mbretërinë e Perëndisë!

[Shënimet]

^ par. 7 Emrat janë ndryshuar.

^ par. 11 Që të përfitoni sa më shumë nga leximi dhe studimi personal i Biblës, shihni librin Të nxjerrim dobi nga arsimimi në Shkollën e Shërbimit Teokratik, kapitujt me titull «Kushtoju leximit» dhe «Studimi është shpërblyes», faqet 21-32.

Çfarë mësuat?

• Pse kemi nevojë të jemi të guximshëm kur themi fjalën e Perëndisë?

• Çfarë i ndihmoi të krishterët e hershëm që të flitnin me guxim?

• Si mund të marrim guxim?

• Ç’dobi kemi kur marrim guxim?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 7]

Si mund t’i ndihmojnë prindërit fëmijët që të marrin guxim?

[Figura në faqen 8]

Një lutje e shkurtër mund të të ndihmojë të marrësh guxim në shërbim