Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A ju kujtohet?

A ju kujtohet?

A ju kujtohet?

A jeni kënaqur duke lexuar numrat e fundit të Kullës së Rojës? Atëherë, provoni nëse mund t’u përgjigjeni pyetjeve vijuese:

• Pse duhej të vdiste Mesia?

Me vdekjen e Jezuit u tregua që një njeri i përsosur mund të ruajë përkushtimin hyjnor pavarësisht nga sprova më e rëndë. Gjithashtu, ai shleu dënimin për mëkatin që trashëguan pasardhësit e Adamit, duke u dhënë kështu mundësinë e jetës së përhershme.—15/12, faqet 22-23.

• Çfarë mund ta ndihmojë një person që të ketë pikëpamjen e duhur për alkoolin?

Mund ta ndihmojë lutja dhe studimi i Biblës. Gjithashtu, është shumë e rëndësishme të kultivojë vetëkontroll, të qëndrojë i vendosur dhe të zgjedhë shoqëri të mirë. Dikush që vendos të pijë, duhet të vërë kufij të qartë dhe të mësojë të thotë jo.—1/1, faqet 7-9.

• Çfarë përfshin komunikimi domethënës me fëmijët?

Komunikimi i mirë përfshin më shumë sesa vetëm të flitni me fëmijët. Ai përfshin të bëni pyetje dhe të dëgjoni me durim përgjigjet e tyre. Shumë familje kanë vërejtur se gjatë vakteve kanë mundësi të mira për të komunikuar.—15/1, faqet 18-19.

• Si mund të ndiejë keqardhje Jehovai nëse është i përsosur?

Ndonjëherë, Perëndia ndryshon qëndrim ndaj njerëzve. Për shembull, disa herë izraelitët e lashtë e braktisën Jehovain dhe ndoqën perëndi të tjera. Si pasojë, Jehovai nuk i mbronte. Megjithatë, kur populli i tij ndiente keqardhje për gabimet dhe e thërriste Perëndinë për ndihmë, ndjenjat e tij ndaj tyre ndryshonin ose atij «i vinte keq». (Gjyk. 2:18)—1/2, faqja 21.

• Në cilat rrethana mund të shqyrtohet mundësia e ripagëzimit?

Mund të shqyrtohet nëse në kohën e pagëzimit një individ fshehurazi jetonte në një situatë ose praktikonte diçka që mund të kishte çuar në përjashtimin e tij, po të kishte qenë tashmë i pagëzuar.—15/2, faqja 22.

• Cilat janë tri justifikime të gabuara që japin disa për pandershmërinë?

Disa e justifikojnë vjedhjen meqë janë të varfër. Të tjerë e justifikojnë duke thënë: «Të gjithë vjedhin.» Ndërsa disa që kanë gjetur sende me vlerë dhe i kanë mbajtur, kanë arsyetuar: «E gjeta unë, është e imja.» Asnjë nga këto justifikime nuk ka një bazë biblike.—1/3, faqet 12-14.

• Në ilustrimin e Jezuit për grurin dhe egjrat, çfarë përfaqëson mbjellja e farës së mirë?

Biri i njeriut, Jezui, përgatiti arën gjatë shërbimit të tij në tokë. Nga festa e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s. e më tej, fara e mirë u mboll kur të krishterët u mirosën si bij të Perëndisë ose bij të Mbretërisë.—15/3, faqja 20.

• Si sillet në depon e Jehovait gruri simbolik i ilustrimit të Jezuit? (Mat. 13:30)

Përmbushja shtrihet gjatë një periudhe kohore në përfundim të sistemit. Bijtë e mirosur të Mbretërisë, pra gruri simbolik, sillen në depon e Jehovait kur sillen në kongregacionin e krishterë të rivendosur ose kur marrin shpërblimin qiellor.—15/3, faqja 22.

• Kush e përcaktoi listën e librave që përfshihen në Shkrimet e Krishtere Greke?

Nuk e përcaktoi ndonjë këshill kishtar ose udhëheqës fetar. Përkundrazi, të krishterët e vërtetë, nën drejtimin e frymës së shenjtë të Perëndisë, dalluan shkrimet që ishin vërtet të frymëzuara. Kjo përputhet me faktin se një nga dhuratat e mrekullueshme të frymës që u dha në dekadat e para të kongregacionit të krishterë, ishte ‘aftësia dalluese për shprehjet e frymëzuara’.(1 Kor. 12:4, 10)—1/4, faqja 28.