Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Largojini sytë nga gjërat e kota!

Largojini sytë nga gjërat e kota!

Largojini sytë nga gjërat e kota!

«M’i largo sytë nga gjërat e kota; në udhën tënde më ruaj gjallë.»—PSAL. 119:37.

1. Sa e rëndësishme është dhurata e shikimit?

SA I çmuar që është shikimi! Nëpërmjet tij mund të perceptojmë në çast, me hollësi e me ngjyra, gjërat që na rrethojnë. Falë shikimit mund të shohim miqtë e dashur ose të dallojmë rreziqet e padëshiruara. Me anë të tij kundrojmë bukurinë, çmojmë mrekullitë e krijimit dhe vërejmë dëshmitë e ekzistencës dhe të lavdisë së Perëndisë. (Psal. 8:3, 4; 19:1, 2; 104:24; Rom. 1:20) Gjithashtu, si një kanal tejet i rëndësishëm komunikimi me mendjen, shikimi luan një rol kryesor që të marrim njohuri për Jehovain dhe të ndërtojmë besimin tek ai.—Jos. 1:8; Psal. 1:2, 3.

2. Pse duhet të shqetësohemi për gjërat që shohim dhe ç’mund të mësojmë nga përgjërimi i psalmistit?

2 Por, gjërat që shohim, mund edhe të na dëmtojnë. Lidhja midis syve dhe mendjes është kaq e fortë, saqë ajo që shohim, mund të na ngjallë në zemër ambicie e dëshira ose mund të na i shtojë ato. E ngaqë jetojmë në një botë të degjeneruar dhe egoiste, që sundohet nga Satana Djalli, bombardohemi me pamje dhe propagandë që fare lehtë mund të na çojnë në rrugë të shtrembër—madje edhe sikur t’u hedhim vetëm një sy të shpejtë. (1 Gjon. 5:19) Ja përse psalmisti iu përgjërua Perëndisë: «M’i largo sytë nga gjërat e kota; në udhën tënde më ruaj gjallë.»—Psal. 119:37.

Si mund të na çojnë sytë në rrugë të shtrembër?

3-5. Cilat tregime biblike ilustrojnë rrezikun që vjen kur lejojmë të joshemi nga ajo që shohim?

3 Shqyrtoni se ç’ndodhi me gruan e parë, Evën. Satanai tha se asaj ‘do t’i hapeshin’ sytë nëse do të hante nga fryti i ‘pemës së njohjes të së mirës dhe të së keqes’. Ideja se ‘do t’i hapeshin’ sytë duhet t’i ketë ndezur kureshtjen Evës. Asaj iu shtua edhe më shumë dëshira për të ngrënë frytin e ndaluar kur «pa që fryti i pemës ishte i mirë si ushqim dhe i lakmueshëm për sytë, po, fryti i pemës ishte i dëshirueshëm për t’u parë». Ngaqë e shikoi me dëshirim pemën, Eva nuk iu bind urdhrit të Perëndisë. Edhe burri i saj, Adami, nuk u bind dhe kjo solli pasoja shkatërrimtare për të gjithë njerëzimin.—Zan. 2:17; 3:2-6; Rom. 5:12; Jak. 1:14, 15.

4 Edhe në ditët e Noesë, disa engjëj u ndikuan nga ajo që panë. Për ta, te Zanafilla 6:2 thuhet: «Bijtë e Perëndisë së vërtetë filluan të vinin re që bijat e njerëzve ishin të bukura. Kështu, nisën të merrnin për gra të gjitha ato që zgjodhën.» Shikimi me epsh i bijave të njerëzve ngjalli tek engjëjt rebelë një dëshirë të panatyrshme për marrëdhënie seksuale me to dhe si pasojë, këtyre engjëjve u lindën pasardhës të dhunshëm. Ligësia e njeriut në atë kohë çoi në shkatërrimin e të gjithë njerëzimit, me përjashtim të Noesë dhe të familjes së tij.—Zan. 6:4-7, 11, 12.

5 Shekuj më vonë, izraeliti Akan u josh kur pa disa sende në qytetin e pushtuar të Jerikosë dhe i vodhi ato. Perëndia kishte urdhëruar që të gjitha gjërat në atë qytet të shkatërroheshin, përveç disa gjërave që duheshin dhënë për thesarin e Jehovait. Izraelitët u paralajmëruan: «Rrini larg asaj që është për t’u shkatërruar, se mos ju hipën dëshira e merrni ndonjë gjë» nga qyteti. Por Akani nuk u bind dhe populli i Izraelit pësoi disfatë te qyteti i Ait e disa prej tyre vdiqën. Akani nuk e rrëfeu vjedhjen derisa doli në shesh e vërteta. «Kur pashë» ato gjëra, tha Akani, «i dëshirova dhe i mora». Dëshira e syve e çoi atë në shkatërrim bashkë me «gjithçka që kishte». (Jos. 6:18, 19; 7:1-26) Akani dëshiroi me gjithë zemër atë që i ishte ndaluar.

Nevoja për vetëdisiplinë

6, 7. Cila nga ‘intrigat’ e Satanait përdoret shpesh për të na zënë në grackë dhe si e përdorin edhe reklamuesit?

6 Njerëzimi sot tundohet në një mënyrë të ngjashme me atë që u përdor në rastin e Evës, të engjëjve të pabindur dhe të Akanit. Nga të gjitha ‘intrigat’ që ka përdorur Satanai për të mashtruar njerëzimin, tërheqja nga «dëshirat e syve» është më e fuqishmja. (2 Kor. 2:11; 1 Gjon. 2:16) Reklamuesit e sotëm e dinë mirë se njerëzit ndikohen gjithmonë nga gjërat që shohin. Një ekspert evropian i njohur në fushën e reklamave thotë: «Shqisa e të parit është shqisa që na josh më shumë. Shpesh ajo mbizotëron ndaj shqisave të tjera dhe ka fuqinë të na bindë kundër çdo logjike.»

7 Ja përse reklamuesit na bombardojnë me pamje të përgatitura me mjeshtëri që të bien në sy sa më shumë dhe të ngjallin dëshira për të mirat e shërbimet që ofrojnë. Një studiues në Shtetet e Bashkuara, i cili studioi se si reklamat ndikojnë te njerëzit, tha se ato nuk janë përgatitur «vetëm për të dhënë informacione në nivelin mendor, por ajo që është më e rëndësishmja, që të nxitin emocione dhe veprime të veçanta tek ata që i shohin». Shpesh një formë që përdoret, janë pamjet seksuale provokuese. Prandaj, sa e rëndësishme është që të tregojmë vetëkontroll ndaj gjërave që shohim dhe ndaj gjërave që lejojmë të hyjnë në mendjen dhe në zemrën tonë!

8. Si theksohet në Bibël nevoja për të treguar kujdes ndaj gjërave ku i çojmë sytë?

8 Edhe të krishterët e vërtetë mund të ndikohen nga dëshirat e syve dhe të mishit. Prandaj, Fjala e Perëndisë na nxit të tregojmë vetëdisiplinë për sa u përket gjërave që shohim dhe dëshirojmë. (1 Korintasve 9:25, 27; lexo 1 Gjonit 2:15-17.) Njeriu i drejtë Job ishte një person që e kuptonte lidhjen e fortë midis asaj që shohim dhe dëshirës që lind si pasojë. Ai tha: «Kam bërë një besëlidhje me sytë e mi. E si mund t’i ndalja sytë te një virgjëreshë?» (Jobi 31:1) Jobi jo vetëm nuk pranoi ta prekte një grua në mënyrë imorale, por as nuk e çonte në mendje një mendim të tillë. Jezui theksoi se mendja duhet ruajtur e pastër nga mendimet imorale kur tha: «Kushdo që vazhdon ta shikojë një grua aq sa ta dëshirojë, tashmë ka kryer kurorëshkelje me të në zemrën e vet.»—Mat. 5:28.

Gjërat e kota që duhet të shmangim

9. (a) Pse duhet të tregojmë veçanërisht kujdes kur përdorim Internetin? (b) Ç’pasojë mund të vijë edhe nga një kontakt i shkurtër me pornografinë?

9 Në botën e sotme është bërë gjithnjë e më e zakonshme që njerëzit ‘vazhdojnë të shikojnë’ pornografi, sidomos në Internet. Ne nuk kërkojmë faqe të tilla, por janë ato që na kërkojnë neve. Në ç’kuptim? Në ekranin e kompjuterit mund të shfaqet papritur një reklamë me një pamje joshëse. Gjithashtu, një e-mail në dukje i padëmshëm, befas mund të shndërrohet në një pamje pornografike e bërë në mënyrë të atillë që ta kesh të vështirë ta mbyllësh. Edhe nëse dikush e shikon vetëtimthi para se ta fshijë, pamja tashmë ka lënë mbresë në mendjen e tij. Vetëm një kontakt i shkurtër me pornografinë mund të ketë pasoja të trishtueshme. Mund ta lërë dikë me ndërgjegje fajtore dhe atij i duhet të luftojë për të fshirë nga mendja skenat imorale. Por, ç’është më e keqja, dikush që me dashje ‘vazhdon të shikojë’ pornografi, tregon se nuk i ka bërë të vdesin dëshirat e paligjshme.—Lexo Efesianëve 5:3, 4, 12; Kolos. 3:5, 6.

10. Pse sidomos fëmijët janë më të rrezikuar nga pornografia dhe ç’pasoja mund të kenë duke parë pornografi?

10 Fëmijët mund të tërhiqen nga pornografia për shkak të kureshtjes së tyre të natyrshme. Nëse kjo ndodh, mund të ketë pasoja për shumë kohë te pikëpamja e tyre për seksin. Sipas një raporti, këto pasoja mund të shkojnë nga një pikëpamje e shtrembëruar për normat seksuale e deri te «vështirësi për të mbajtur një marrëdhënie të shëndetshme e të dashur, një pikëpamje jorealiste për gratë dhe prirje ndaj vesit të pornografisë, i cili mund të ndërhyjë te mbarëvajtja në shkollë, te miqësitë dhe te marrëdhëniet familjare». Edhe më shkatërrimtare mund të jenë pasojat e mëvonshme në lidhjen martesore.

11. Jepni një shembull që tregon rrezikun që vjen nga shikimi i pornografisë.

11 Një i krishterë shkroi: «Nga të gjitha veset që kisha para se të bëhesha Dëshmitar, të çlirohesha nga skllavëria e pornografisë, ishte gjëja më e vështirë. Ende më vijnë para syve ato pamje në momente të papritura dhe mund të shkaktohen nga një aromë e rastësishme, ndonjë muzikë, diçka që shoh ose madje nga një mendim i kotë. Është një luftë e përditshme dhe e vazhdueshme.» Një vëlla tjetër, kur ishte fëmijë shihte revistat pornografike të babait jobesimtar ndërsa prindërit nuk ishin në shtëpi. Ai shkroi: «Çfarë ndikimi të tmerrshëm patën ato pamje në mendjen time të njomë! Edhe tani, 25 vjet më pas, disa prej tyre i kam ende të ngulitura në tru. Sado që përpiqem fort t’i luftoj, janë ende aty. Kjo më bën të ndihem fajtor, edhe nëse nuk e mbaj mendjen tek ato.» Sa e mençur është të shmangim ndjenja të tilla mbytëse, duke mos parë gjëra të kota! Si mund të arrihet kjo? Duhet të përpiqemi ‘ta çojmë në robëri çdo mendim, që ta bëjmë të bindur ndaj Krishtit’.—2 Kor. 10:5.

12, 13. Cilat gjëra të kota nuk duhet të shohin të krishterët dhe pse?

12 Një tjetër gjë ‘e poshtër’ ose e kotë që duhet të shmangim është zbavitja që nxit materializmin ose okultizmin apo që karakterizohet nga dhuna, gjakderdhjet dhe vdekja. (Lexo Psalmin 101:3.) Prindërit e krishterë kanë përgjegjësinë para Jehovait të jenë përzgjedhës në lidhje me atë që lejojnë të shihet në shtëpi. Sigurisht, asnjë i krishterë i vërtetë nuk do të përfshihej me dashje në spiritizëm. Megjithatë, prindërit duhet të tregohen syçelë ndaj filmave, serialeve televizive, lojërave elektronike e madje edhe ndaj revistave dhe librave për fëmijë që e vënë theksin te praktikat spiritiste.—Prov. 22:5.

13 Pavarësisht nëse jemi të rinj a të moshuar, sytë tanë nuk duhet të gjejnë kënaqësi në lojërat elektronike që karakterizohen nga dhuna dhe përshkruajnë vrasje me një realizëm rrëqethës. (Lexo Psalmin 11:5.) Nuk duhet ta përqendrojmë mendjen tek asnjë gjë që Jehovai e dënon. Të mos harrojmë që Satanai i ka në shënjestër mendimet tona. (2 Kor. 11:3) Edhe kalimi i tepërt i kohës duke parë gjëra zbavitëse që ndoshta konsiderohen të pranueshme, mund të na vjedhë kohën për adhurimin familjar, leximin e përditshëm të Biblës dhe përgatitjen për mbledhjet.—Filip. 1:9, 10.

Të ndjekim shembullin e Jezuit

14, 15. Çfarë kishte të veçantë tundimi i tretë që i bëri Satanai Krishtit dhe si arriti Jezui t’i bënte ballë?

14 Mjerisht, në këtë botë të ligë është e pamundur të shmangim shikimin e disa gjërave të kota. Edhe Jezuit iu paraqitën gjëra të tilla. Herën e tretë që u orvat ta shtynte Jezuin të mos bënte vullnetin e Perëndisë, ‘Djalli e mori me vete në një mal jashtëzakonisht të lartë dhe i tregoi të gjitha mbretëritë e botës e lavdinë e tyre’. (Mat. 4:8) Pse e bëri këtë Satanai? Pa dyshim, donte të shfrytëzonte ndikimin e fuqishëm që kanë sytë. Duke parë shkëlqimin e të gjitha mbretërive botërore, Jezui mund të nxitej që të dorëzohej para dëshirës për të spikatur në botë. Si reagoi Jezui?

15 Jezui nuk u përqendrua tek ajo ofertë tunduese. Ai nuk lejoi të zinin rrënjë në zemër dëshirat e gabuara. Po ashtu, atij nuk iu desh të mendonte shumë për ta refuzuar ofertën e Djallit. Jezui reagoi menjëherë. «Ik tutje, Satana!»—urdhëroi ai. (Mat. 4:10) Jezui u përqendrua te marrëdhënia e tij me Jehovain dhe u përgjigj në përputhje me qëllimin e tij në jetë, domethënë, të bënte vullnetin e Perëndisë. (Hebr. 10:7) Si rrjedhim, Jezui arriti me sukses ta pengonte planin dinak të Satanait.

16. Çfarë mësimesh mund të nxjerrim nga shembulli i Jezuit kur u rezistoi tundimeve të Satanait?

16 Mund të mësojmë shumë gjëra nga shembulli i Jezuit. Së pari, askush nuk është i paprekshëm nga taktikat e Satanait. (Mat. 24:24) Së dyti, ajo ku përqendrojmë sytë mund të na i shtojë dëshirat e zemrës, për mirë ose për keq. Së treti, Satanai do t’i shfrytëzojë sa më shumë «dëshirat e mishit» në përpjekje për të na çuar në rrugë të shtrembër. (1 Pjet. 5:8) Dhe, së katërti, edhe ne mund t’i kundërvihemi Satanait, sidomos nëse veprojmë pa vonesë.—Jak. 4:7; 1 Pjet. 2:21.

Ta mbajmë syrin ‘të thjeshtë’

17. Pse do të ishte e mençur të mendojmë që më përpara se çfarë do të bëjmë kur të gjendemi në një situatë tunduese?

17 Kushtimi ynë ndaj Jehovait përfshin një premtim solemn për t’u larguar nga gjërat e kota. Kur zotohemi të bëjmë vullnetin e Perëndisë, bashkohemi me psalmistin i cili tha: «Nuk i kam vënë këmbët në asnjë rrugë të keqe, që të zbatoj fjalën tënde.» (Psal. 119:101) Do të ishte e mençur të mendojmë që më përpara se çfarë do të bëjmë kur të gjendemi në një situatë tunduese. Gjërat që Shkrimet i dënojnë na janë treguar qartë. Nuk jemi në padije të planeve të Satanait. Kur u tundua Jezui t’i kthente gurët në bukë? Pasi agjëroi për 40 ditë e 40 net dhe «e mori uria». (Mat. 4:1-4) Satanai është në gjendje të dallojë kur jemi të dobët dhe më të prirur të dorëzohemi para tundimit. Prandaj, tani është koha për t’i shqyrtuar me kujdes këto çështje e jo t’i shtyjmë për më vonë! Nëse mbajmë ditë pas dite në mendje kushtimin tonë ndaj Jehovait, do të jemi plotësisht të vendosur të largohemi nga gjërat e kota.—Prov. 1:5; 19:20.

18, 19. (a) Tregoni ndryshimin midis syrit ‘të thjeshtë’ dhe syrit ‘të lig’. (b) Pse është e rëndësishme që të vazhdojmë të mendojmë për çdo gjë të vlefshme dhe ç’këshillë jepet te Filipianëve 4:8 në lidhje me këtë?

18 Çdo ditë, shohim shumë gjëra tërheqëse për sytë që mund të na shpërqendrojnë, dhe ato sa vijnë e shtohen. Prandaj, është më e rëndësishme se kurrë t’i vëmë veshin paralajmërimit të Jezuit për ta mbajtur syrin ‘të thjeshtë’. (Mat. 6:22, 23) Një sy «i thjeshtë» është plotësisht i përqendruar te një synim—të bëjë vullnetin e Perëndisë. Në kontrast me të, një sy «i lig» është dinak, lakmitar dhe tërhiqet ndaj gjërave që janë të kota.

19 Të mos harrojmë: sytë ushqejnë mendjen dhe mendja ushqen zemrën. Prandaj, sa e rëndësishme është që të vazhdojmë të mendojmë për çdo gjë të vlefshme. (Lexo Filipianëve 4:8.) Po, vazhdofshim t’i bëjmë jehonë lutjes së psalmistit: «M’i largo sytë nga gjërat e kota.» Atëherë, teksa përpiqemi të veprojmë në përputhje me këtë lutje, jemi të sigurt se Jehovai ‘do të na ruajë gjallë në udhën e tij’.—Psal. 119:37; Hebr. 10:36.

Pyetje për rishikim

• Ç’lidhje ka midis syve, mendjes dhe zemrës?

• Cilat janë rreziqet e pornografisë?

• Pse është e rëndësishme ta mbajmë syrin ‘të thjeshtë’?

[Pyetjet]

[Figurat në faqen 23]

Cilat gjëra të kota nuk duhet të shohin të krishterët?