Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Roli i frymës së shenjtë në përmbushjen e qëllimit të Jehovait

Roli i frymës së shenjtë në përmbushjen e qëllimit të Jehovait

Roli i frymës së shenjtë në përmbushjen e qëllimit të Jehovait

«Fjala që del nga goja ime . . . do ta kryejë patjetër atë për të cilën e dërgova.»—ISA. 55:11.

1. Ilustroni ndryshimin midis një plani dhe një qëllimi.

IMAGJINO sikur dy veta po përgatiten për një udhëtim me makinë. Njëri përcakton me hollësi rrugën që do të bëjë. Tjetri e ka të qartë në mendje vendmbërritjen, por di edhe shumë rrugë të tjera. Nëse del ndonjë e papritur, është i përgatitur të përshtatet sipas nevojës e të marrë një udhë tjetër. Në disa aspekte, metodat e ndryshme të këtyre personave ilustrojnë dallimin midis një plani dhe një qëllimi. Një plan mund të krahasohet me përcaktimin e hollësishëm të një udhëtimi, kurse një qëllim mund të përfshijë pasjen e një synimi në mendje, por jo medoemos të një mënyre specifike për ta arritur atë.

2, 3. (a) Çfarë përfshin qëllimi i Jehovait dhe si ndërhyri Ai kur Adami dhe Eva mëkatuan? (b) Pse duhet të jemi në dijeni për mënyrën se si Perëndia po e përmbush qëllimin e tij dhe të veprojmë në harmoni me të?

2 Kur bëhet fjalë për përmbushjen e vullnetit të tij, Jehovai nuk ka një plan të pandryshueshëm, por një qëllim që do të realizohet me kalimin e kohës. (Efes. 3:11) Ky qëllim përfshin atë që kishte ndër mend që në fillim për njerëzimin dhe tokën, domethënë që ky rruzull të kthehet në një parajsë ku njerëzit e përsosur të jetojnë në paqe dhe lumturi përgjithmonë. (Zan. 1:28) Kur Adami dhe Eva mëkatuan, Jehovai ndërhyri dhe mori masa për t’u siguruar që qëllimi i tij të përmbushej. (Lexo Zanafillën 3:15.) Jehovai vendosi që gruaja e tij simbolike të lindte ‘një farë’ ose Bir që në fund do të shkatërronte shkaktarin e problemeve, Satanain, dhe do të zhbënte të gjitha dëmet që ka sjellë ai.—Hebr. 2:14; 1 Gjon. 3:8.

3 Asnjë fuqi në qiell ose në tokë nuk mund të ndalojë realizimin e qëllimit të Perëndisë. (Isa. 46:9-11) Pse themi kështu? Sepse përfshihet fryma e shenjtë e Jehovait. Kjo forcë e pamposhtshme garanton se qëllimi i Perëndisë ‘do të kryhet patjetër’. (Isa. 55:10, 11) Duhet të jemi në dijeni për mënyrën se si Perëndia po e përmbush qëllimin e tij dhe të veprojmë në harmoni me të. E ardhmja jonë varet nga përmbushja e këtij qëllimi. Përveç kësaj, na forcohet besimi kur shohim se si e përdor Jehovai frymën e shenjtë. Kështu, le të shqyrtojmë rolin e frymës—në të kaluarën, në kohën tonë dhe në të ardhmen—në përmbushjen e qëllimit të Jehovait.

Roli i frymës së shenjtë në të kaluarën

4. Në ç’mënyrë e ka zbuluar gradualisht Jehovai qëllimin e tij?

4 Në kohët biblike, Jehovai e zbuloi gradualisht qëllimin e tij. Në fillim, identiteti i Farës së premtuar ishte ‘një sekret i shenjtë’. (1 Kor. 2:7) Vetëm rreth 2.000 vjet më vonë Jehovai foli përsëri për një farë. (Lexo Zanafillën 12:7; 22:15-18.) Jehovai i bëri Abrahamit një premtim që do të kishte një përmbushje më të madhe. Fjalët «me anë të farës sate» tregonin qartë se Fara do të vinte si njeri, si një pasardhës i Abrahamit. Jemi të sigurt se Satanai po vështronte me shumë vëmendje teksa zbulohej kjo hollësi. Pa dyshim, ai Armik nuk donte gjë tjetër veçse të shkatërronte ose të korruptonte frymësisht pasardhësit e Abrahamit dhe kështu ta bënte të dështonte qëllimin e Perëndisë. Por një gjë e tillë ishte e pamundur, sepse fryma e padukshme e Perëndisë ishte në veprim. Në cilat mënyra?

5, 6. Si e përdori Jehovai frymën e tij për të mbrojtur individë nga linja gjenealogjike e Farës?

5 Jehovai e përdori frymën e tij për të mbrojtur individë nga linja gjenealogjike e Farës. Jehovai i tha Abramit (Abrahamit): «Unë jam mburojë për ty.» (Zan. 15:1) Ato nuk ishin vetëm fjalë. Të shqyrtojmë për shembull, se çfarë ndodhi rreth vitit 1919 p.e.s. kur Abrahami dhe Sara u vendosën përkohësisht me banim në Gerar. Duke mos e ditur që Sara ishte gruaja e Abrahamit, Abimeleku, mbreti i Gerarit, e mori Sarën me qëllim që ta bënte gruan e tij. Mos ndoshta Satanai po i manipulonte gjërat prapa skene dhe po orvatej ta pengonte Sarën që të lindte farën e Abrahamit? Bibla nuk e thotë. Por thotë se Jehovai ndërhyri. Në një ëndërr e paralajmëroi Abimelekun të mos e prekte Sarën.—Zan. 20:1-18.

6 Ky nuk ishte një rast i vetëm. Jehovai e shpëtoi Abrahamin dhe familjarët e tij në shumë raste. (Zan. 12:14-20; 14:13-20; 26:26-29) Ja pse për Abrahamin dhe pasardhësit e tij, psalmisti mundi të thoshte: «[Jehovai] nuk lejoi t’ua hante kush hakun, përkundrazi, për shkak të tyre qortoi mbretër, dhe tha: ‘Mos i prekni të mirosurit e mi, e mos u bëni asnjë të keqe profetëve të mi.’»—Psal. 105:14, 15.

7. Në cilat mënyra e mbrojti Jehovai kombin e Izraelit?

7 Nëpërmjet frymës së tij, Jehovai e mbrojti kombin e lashtë të Izraelit në të cilin do të lindte Fara e premtuar. Me anë të frymës së tij, Jehovai i dha Izraelit Ligjin i cili e mbrojti adhurimin e vërtetë dhe i mbrojti judenjtë nga ndotja frymore, morale dhe fizike. (Dal. 31:18; 2 Kor. 3:3) Në kohën e gjykatësve, fryma e Jehovait i fuqizoi disa burra që ta çlironin Izraelin nga armiqtë. (Gjyk. 3:9, 10) Gjatë shekujve, deri në lindjen e Jezuit, pjesës kryesore të farës së Abrahamit, fryma e shenjtë duhet të jetë përfshirë në mbrojtjen e Jerusalemit, Betlehemit dhe të tempullit, që do të kishin një rol në përmbushjen e profecive për Jezuin.

8. Ç’gjë tregon se fryma e shenjtë u përfshi drejtpërdrejt në jetën dhe shërbimin e Birit të Perëndisë?

8 Fryma e shenjtë u përfshi drejtpërdrejt në jetën dhe shërbimin e Jezuit. Me veprimin e saj në barkun e virgjëreshës Mari, fryma e shenjtë kreu diçka që nuk ishte bërë kurrë më parë dhe nuk është bërë më. Fryma bëri që te një grua e papërsosur të ngjizej një Bir i përsosur. Si i tillë, kur lindi, ai nuk ishte nën ndëshkimin e vdekjes. (Luka 1:26-31, 34, 35) Më vonë, fryma e mbrojti foshnjën Jezu nga vdekja. (Mat. 2:7, 8, 12, 13) Kur Jezui ishte rreth 30 vjeç, Perëndia e mirosi me frymë të shenjtë duke e emëruar trashëgimtar të fronit të Davidit dhe duke i dhënë caktimin për të predikuar. (Luka 1:32, 33; 4:16-21) Fryma e shenjtë e fuqizoi Jezuin të kryente mrekulli, ku përfshiheshin shërimi i të sëmurëve, ushqyerja e turmave të njerëzve dhe ringjallja e të vdekurve. Këto vepra të fuqishme ishin pamje paraprake e bekimeve që presim nën sundimin mbretëror të Jezuit.

9, 10. (a) Si u bë e dukshme fryma e shenjtë te dishepujt e Jezuit në shekullin e parë? (b) Cilin zhvillim të jashtëzakonshëm në përmbushjen e qëllimit të Jehovait, zbuloi fryma në shekullin e parë të e.s.?

9 Duke filluar nga festa e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s., Jehovai përdori frymën e tij për të mirosur pjesën dytësore të farës së Abrahamit, shumë prej të cilëve nuk ishin pasardhës të tij. (Rom. 8:15-17; Gal. 3:29) Fryma e shenjtë u bë e dukshme te dishepujt e Jezuit në shekullin e parë, duke u dhënë mundësinë të predikonin me zell dhe duke i fuqizuar të kryenin vepra të fuqishme. (Vep. 1:8; 2:1-4; 1 Kor. 12:7-11) Me anë të atyre dhuratave të mrekullueshme, fryma e shenjtë zbuloi një zhvillim të jashtëzakonshëm në përmbushjen e qëllimit të Jehovait. Ai nuk po përdorte më sistemin shekullor të adhurimit, i cili përqendrohej te tempulli në Jerusalem. Miratimin e tij tani e kishte kongregacioni i krishterë që sapo ishte formuar. Që nga ajo kohë, Jehovai ka përdorur kongregacionin e mirosur që të shërbejë për qëllimin e Tij.

10 Kështu kemi parë vetëm disa mënyra se si Jehovai e përdori frymën e shenjtë në kohët biblike—për të mbrojtur, për të fuqizuar dhe për të mirosur—që të garantonte përmbushjen graduale të qëllimit të tij. Por, ç’mund të themi për ditët tona? Si po e përdor tani Jehovai frymën për të çuar përpara qëllimin e tij? Kemi nevojë ta dimë, sepse duam të veprojmë në përputhje me frymën. Prandaj, le të shqyrtojmë katër mënyra se si Jehovai po përdor frymën e tij në kohën tonë.

Roli i frymës së shenjtë në kohën tonë

11. Ç’gjë tregon se fryma e shenjtë e ndihmon popullin e Perëndisë të jetë i pastër dhe si mund të tregoni se po bashkëpunoni me frymën?

11 Së pari, fryma e shenjtë e ndihmon popullin e Perëndisë të jetë i pastër. Ata që luajnë një rol në qëllimin e Jehovait, duhet të jenë të pastër moralisht. (Lexo 1 Korintasve 6:9-11.) Disa që u bënë të krishterë të vërtetë, dikur përfshiheshin në praktika të tilla imorale, si: kurvëria, kurorëshkelja dhe homoseksualizmi. Dëshirat që çojnë në vepra mëkatare mund të jenë të rrënjosura thellë. (Jak. 1:14, 15) Megjithatë, individë të tillë ‘janë larë’ dhe kjo tregon se kanë bërë ndryshimet e duhura në jetë për t’i pëlqyer Perëndisë. Si arrin një adhurues i Perëndisë t’i rezistojë me sukses nxitjes së brendshme për të vepruar sipas dëshirave të gabuara? Me anë të ‘frymës së Perëndisë’, siç thotë 1 Korintasve 6:11. Duke qëndruar të pastër moralisht, tregoni se po e lejoni këtë frymë të ndikojë fuqishëm në jetën tuaj.

12. (a) Sipas vegimit të Ezekielit, si e udhëheq Jehovai organizatën e tij? (b) Si mund ta tregoni se po veproni në përputhje me frymën?

12 Së dyti, Jehovai e përdor frymën për të udhëhequr organizatën e tij në drejtimin që ai dëshiron të shkojë. Në vegimin e Ezekielit, pjesa qiellore e organizatës së Jehovait përshkruhet si një karrocë qiellore që ecën në mënyrë të pandalshme drejt përmbushjes së qëllimit të Jehovait. Çfarë e shtyn karrocën të ecë në një drejtim të caktuar? Fryma e shenjtë. (Ezek. 1:20, 21) Të mos harrojmë që organizata e Jehovait përbëhet nga dy pjesë: njëra është në qiell, kurse tjetra në tokë. Nëse pjesa qiellore drejtohet nga fryma e shenjtë, po njësoj duhet të jetë edhe me pjesën tokësore. Duke qenë të bindur dhe besnikë ndaj drejtimit që merrni nga pjesa tokësore e organizatës së Perëndisë, tregoni se jeni në një hap me karrocën e tij qiellore dhe po punoni në përputhje me frymën e tij të shenjtë.—Hebr. 13:17.

13, 14. (a) Nga cilët përbëhet «ky brez» që përmendi Jezui? (b) Jepni një shembull që tregon se fryma e shenjtë po vepron duke hedhur dritë mbi të vërtetat biblike. (Shih kutinë «A jeni në një hap me dritën e shtuar?»)

13 Së treti, fryma e shenjtë vepron duke hedhur dritë mbi të vërtetat biblike. (Prov. 4:18) Kjo revistë është përdorur prej kohësh nga «skllavi i besueshëm dhe i matur» si kanali kryesor për të zbuluar gradualisht të vërtetat biblike. (Mat. 24:45) Për shembull, të shqyrtojmë kuptueshmërinë tonë në lidhje me ata që përbëjnë ‘këtë brez’ që përmendi Jezui. (Lexo Mateun 24:32-34.) Për cilin brez e kishte fjalën? Artikulli «Ç’do të thotë për ju prania e Krishtit?» shpjegonte se Jezui nuk e kishte fjalën për të ligjtë, por për dishepujt, të cilët shumë shpejt do të miroseshin me frymë të shenjtë. * Dishepujt e mirosur të Jezuit, si në shekullin e parë, edhe në ditët tona, do të ishin ata, që jo vetëm do të shihnin shenjën, por edhe do të dallonin domethënien e saj, pra, se Jezui «është afër, te dera».

14 Çfarë do të thotë për ne ky shpjegim? Edhe pse nuk mund ta përcaktojmë me saktësi kohëzgjatjen e ‘këtij brezi’, duhet të mbajmë parasysh disa gjëra për fjalën «brez». Zakonisht, brezi u referohet njerëzve të moshave të ndryshme, një pjesë e jetës së të cilëve përkon gjatë një periudhe kohe të caktuar; ai nuk zgjat tepër dhe ka një fund. (Dal. 1:6) Atëherë, si duhet t’i kuptojmë fjalët e Jezuit për ‘këtë brez’? Kuptojmë se një pjesë e jetës së të mirosurve që ishin të pranishëm kur shenja filloi të bëhej e dukshme në vitin 1914, do të përkonte me një pjesë të jetës së të mirosurve që do të shihnin fillimin e shtrëngimit të madh. Ky brez kishte një fillim dhe sigurisht do të ketë edhe një fund. Përmbushja e aspekteve të ndryshme të shenjës tregon qartë se shtrëngimi duhet të jetë afër. Duke ruajtur ndjenjën e urgjencës dhe duke qëndruar vigjilentë, tregoni se po qëndroni në një hap me dritën që po shtohet dhe po ndiqni drejtimin e frymës së shenjtë.—Mar. 13:37.

15. Ç’gjë e tregon se është fryma e shenjtë që na fuqizon të shpallim lajmin e mirë?

15 Së katërti, fryma e shenjtë na fuqizon të shpallim lajmin e mirë. (Vep. 1:8) Përndryshe, si mund të shpjegohet fakti që lajmi i mirë është predikuar në mbarë tokën? Mendoni për këtë: ju mund të jeni ndër ata që, ndoshta për shkak të ndrojtjes ose ankthit të tepërt, dikur keni thënë: «Kurrë nuk do të arrij të predikoj shtëpi më shtëpi!» Mirëpo, tani po merrni pjesë me zell në këtë vepër. * Shumë Dëshmitarë besnikë të Jehovait kanë vazhduar të predikojnë pavarësisht nga kundërshtimi ose përndjekja. Vetëm fryma e shenjtë e Perëndisë mund të na fuqizojë të kapërcejmë pengesat që na frikësojnë dhe të bëjmë gjëra që do të ishin të pamundura vetëm me forcat tona. (Mik. 3:8; Mat. 17:20) Duke marrë pjesë plotësisht në veprën e predikimit, po tregoni se po bashkëpunoni me këtë frymë.

Roli i frymës së shenjtë në të ardhmen

16. Pse jemi të sigurt se Jehovai do ta mbrojë popullin e tij gjatë shtrëngimit të madh?

16 Në të ardhmen, Jehovai do ta përdorë frymën e tij të shenjtë në mënyra mbresëlënëse, që të përmbushë qëllimin e tij. Të flasim së pari për mbrojtjen. Siç kemi parë, Jehovai e përdori frymën e tij në të kaluarën për të mbrojtur individë të veçantë si edhe kombin e Izraelit si një të tërë. Prandaj, kemi çdo arsye për të besuar se do të përdorë po këtë frymë të fuqishme, që të mbrojë popullin e tij gjatë shtrëngimit të madh që po afrohet. Nuk duhet të hamendësojmë se cila do të jetë tamam mënyra si do të kujdeset Jehovai për ne në atë kohë. Përkundrazi, mund ta shohim të ardhmen me besim, duke ditur se Jehovai do t’i ketë gjithnjë sytë mbi ata që e duan dhe se nuk do të jenë kurrë kaq larg sa fryma e tij e shenjtë të mos i arrijë.—2 Kron. 16:9; Psal. 139:7-12.

17. Si do ta përdorë Jehovai frymën e shenjtë në botën e re?

17 Si do ta përdorë Jehovai frymën e shenjtë në botën e re që po vjen? Kjo frymë do të ketë rol në shkrimin e rrotullave të reja që do të hapen në atë kohë. (Zbul. 20:12) Çfarë do të përmbajnë ato? Me sa duket, kërkesat e hollësishme të Jehovait për ne gjatë një mijë vjetëve. A pritni me padurim të shqyrtoni përmbajtjen e këtyre rrotullave? Mezi e presim botën e re. As që mund ta imagjinojmë se si do të jetë jeta në kohën e bekuar kur Jehovai do të përdorë frymën e tij të shenjtë për të përmbushur qëllimin e tij për tokën dhe për njerëzit që do të jetojnë në të.

18. Për çfarë duhet të jesh i vendosur?

18 Le të mos harrojmë kurrë se qëllimi i Jehovait do të kryhet patjetër, sepse ai po përdor frymën e tij të shenjtë—forcën më të fuqishme në univers—për ta përmbushur atë. Ky qëllim të përfshin edhe ty. Prandaj, ji plotësisht i vendosur t’i përgjërohesh Jehovait për frymën e tij të shenjtë dhe vepro në përputhje me drejtimin e saj. (Luka 11:13) Kështu do të kesh mundësinë të jetosh përgjithmonë në Parajsë në tokë, siç ishte qëllimi i Jehovait për njerëzit.

[Shënimet]

^ par. 13 Shih Kullën e Rojës, 15 shkurt 2008, faqet 21-25.

^ par. 15 Një shembull i dikujt që mposhti ndrojtjen e tepërt dhe u bë i zellshëm në shërbim është treguar në Kullën e Rojës, 15 shtator 1993, faqja 19, anglisht.

A ju kujtohet?

• Në cilat mënyra e përdori Jehovai frymën e tij të shenjtë në kohët biblike për të garantuar përmbushjen graduale të qëllimit të tij?

• Si po e përdor Jehovai frymën e tij në kohën tonë?

• Si do ta përdorë Jehovai frymën e tij në të ardhmen për të përmbushur qëllimin e tij?

[Pyetjet]

[Kutia në faqen 10]

A jeni në një hap me dritën e shtuar?

Jehovai vazhdon të hedhë dritë për popullin e tij. Cilat janë disa përmirësime kuptimore që janë botuar te Kulla e Rojës?

▪ Cilin mësim pozitiv në lidhje me rritjen frymore, thekson ilustrimi i Jezuit për majanë? (Mat. 13:33)—15 korrik 2008, faqet 19-20.

▪ Kur mbaron thirrja e të krishterëve për shpresën qiellore?—1 maj 2007, faqet 30-31.

▪ Çfarë do të thotë të adhurosh Jehovain «me frymë»? (Gjoni 4:24) —15 korrik 2002, faqja 15.

▪ Në cilin oborr shërben shumica e madhe? (Zbul. 7:15)—1 maj 2002, faqet 30-31.

▪ Kur ndodh ndarja e deleve nga cjeptë? (Mat. 25:31-33)—br2-AL, faqet 33-43.