Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Gra, pse t’i nënshtroheni kryesisë?

Gra, pse t’i nënshtroheni kryesisë?

Gra, pse t’i nënshtroheni kryesisë?

«Kreu i gruas është burri.»—1 KOR. 11:3.

1, 2. (a) Çfarë shkroi apostulli Pavël për rregullin e Jehovait në lidhje me kryesinë dhe nënshtrimin? (b) Cilat pyetje do të shqyrtohen në këtë artikull?

JEHOVAI ka vendosur rendin e kryesisë që përmendi apostulli Pavël kur shkroi se «kreu i çdo burri është Krishti» dhe «kreu i Krishtit është Perëndia». (1 Kor. 11:3) Në artikullin e mëparshëm vërejtëm se Jezui e konsideronte një privilegj dhe gëzim t’i nënshtrohej Kreut të tij, Perëndisë Jehova, dhe se burrat e krishterë kanë Krishtin si kreun e tyre. Krishti ishte mirëdashës, i ëmbël, i dhembshur dhe altruist në marrëdhëniet me njerëzit. Burrat në kongregacion duhet të sillen po kështu ndaj të tjerëve, sidomos ndaj grave të tyre.

2 Megjithatë, ç’mund të themi për gratë? Kush është kreu i tyre? «Kreu i gruas është burri»,—shkroi Pavli. Si duhet ta shohin gratë këtë pohim të frymëzuar? A vlen ky parim edhe kur burri nuk është besimtar? A kërkon nënshtrimi ndaj kryesisë së burrit që gruaja të mos shprehë asnjë mendim kur merren vendime? Në ç’mënyrë gruaja i sjell lëvdata vetes?

«Do t’i bëj një ndihmës»

3, 4. Pse parimi i kryesisë në martesë është i dobishëm?

3 Perëndia përcaktoi se kush duhet të kishte kryesinë në familje. Pasi krijoi Adamin, Perëndia Jehovai tha: «Nuk është mirë që njeriu të rrijë vetëm. Do t’i bëj një ndihmës, si një plotësim për të.» Pas krijimit të Evës, Adami ishte kaq i lumtur që kishte një shoqe dhe një ndihmëse, sa tha: «Kjo është më në fund kockë e kockave të mia dhe mish i mishit tim.» (Zan. 2:18-24) Adami dhe Eva kishin perspektivën e mrekullueshme që të bëheshin prindërit e parë të një race njerëzore të përsosur, që do të jetonte përgjithmonë e lumtur në një parajsë globale.

4 Për shkak të rebelimit të prindërve tanë të parë, gjendja e përsosur që ekzistonte në kopshtin e Edenit, nuk ishte më. (Lexo Romakëve 5:12.) Por, parimi i kryesisë mbeti ende në fuqi. Kur ky parim ndiqet siç duhet, sjell shumë dobi dhe lumturi në martesë. Si rezultat, bashkëshortët do të ndihen ashtu si ndihej Jezui ngaqë ishte i nënshtruar ndaj Kreut të tij, Jehovait. Në ekzistencën e tij paranjerëzore, Jezui ‘gëzohej para Jehovait gjithë kohës’. (Prov. 8:30) Për shkak të papërsosmërisë, burrat nuk janë më të aftë të jenë krerë të përsosur dhe as gratë nuk janë më në gjendje të tregojnë nënshtrim të përsosur. Por, kur burrat dhe gratë vazhdojnë të bëjnë më të mirën e tyre, ndjekja e parimit të kryesisë u sjell kënaqësinë më të madhe që mund të arrihet në martesë në këtë kohë.

5. Pse bashkëshortët duhet ta marrin për zemër këshillën që gjendet te Romakëve 12:10?

5 Që një martesë të ketë sukses, është thelbësore që bashkëshortët të zbatojnë këtë këshillë biblike për të gjithë të krishterët: «Kini për njëri-tjetrin përzemërsi të butë me dashuri vëllazërore. Jini të parët për t’i treguar nderim njëri-tjetrit.» (Rom. 12:10) Gjithashtu, si burri, edhe gruaja duhet të përpiqen fort ‘të bëhen mirëdashës me njëri-tjetrin, zemërdhembshur, duke e falur njëri-tjetrin bujarisht’.—Efes. 4:32.

Kur bashkëshorti nuk është besimtar

6, 7. Ç’rezultat mund të vijë nëse një grua e krishterë është e nënshtruar ndaj burrit jobesimtar?

6 Ç’mund të themi nëse njëri bashkëshort nuk është shërbëtor i Jehovait? Shpesh ndodh që bashkëshorti jobesimtar është burri. Si duhet të sillet gruaja me të? Bibla përgjigjet: «Ju gra, jini të nënshtruara ndaj burrave tuaj, që, nëse disa nuk i binden fjalës, t’i fitoni pa fjalë, nëpërmjet sjelljes suaj, pasi të kenë parë me sytë e tyre sjelljen tuaj të dëlirë bashkë me respekt të thellë.»—1 Pjet. 3:1, 2.

7 Fjala e Perëndisë thotë se gruaja duhet të mbajë një qëndrim të nënshtruar ndaj burrit jobesimtar. Sjellja e saj e shkëlqyer mund ta nxitë burrin të mendojë se çfarë e shtyn gruan të sillet në këtë mënyrë. Si rrjedhim, burri mund të fillojë të shqyrtojë bindjet e gruas së krishterë dhe në fund të pranojë të vërtetën.

8, 9. Ç’mund të bëjë një grua e krishterë, nëse burri i saj jobesimtar nuk reagon mirë ndaj sjelljes së saj të shkëlqyer?

8 Por, ç’mund të themi nëse burri jobesimtar nuk reagon mirë? Shkrimet e nxitin gruan besimtare të shfaqë vazhdimisht cilësi të krishtere, sado e vështirë mund të jetë kjo. Për shembull, te 1 Korintasve 13:4 lexojmë: «Dashuria është shpirtgjerë.» Prandaj, gruaja e krishterë duhet të vazhdojë të sillet «me përulësi të plotë mendjeje, me butësi dhe me shpirtgjerësi», duke e duruar këtë situatë me dashuri. (Efes. 4:2) Me ndihmën e forcës vepruese të Perëndisë, pra frymës së shenjtë, është e mundur të shfaqim cilësi të krishtere madje edhe në rrethana të vështira.

9 «Për çdo gjë kam forcë falë atij që më jep fuqi»,—shkroi Pavli. (Filip. 4:13) Fryma e Perëndisë i jep mundësi bashkëshortit të krishterë të bëjë shumë gjëra që përndryshe nuk do të mund t’i bënte. Për shembull, kur njëri bashkëshort e trajton ashpër tjetrin, ky mund të tundohet t’ia kthejë po njësoj. Mirëpo Bibla u thotë gjithë të krishterëve: «Mos ia ktheni askujt të keqen me të keqe. . . . Sepse është shkruar: ‘Hakmarrja më përket mua, unë do të shpaguaj’,—thotë Jehovai.’» (Rom. 12:17-19) Po kështu, te 1 Selanikasve 5:15 jepet kjo këshillë: «Kini kujdes që asnjë nga ju të mos ia kthejë kurrkujt të keqen me të keqe, por ndiqni gjithmonë atë që është e mirë ndaj njëri-tjetrit dhe gjithë të tjerëve.» Me mbështetjen e frymës së shenjtë të Jehovait, bëhet e mundur ajo që është e pamundur të arrihet me forcat tona. Prandaj, sa e përshtatshme është që të lutemi për frymën e shenjtë të Perëndisë që të na japë atë që na mungon!

10. Si reagonte Jezui ndaj fjalëve dhe veprimeve të pakëndshme të të tjerëve?

10 Jezui la një shembull të jashtëzakonshëm në mënyrën si i trajtoi ata që thanë ose bënë gjëra të pakëndshme ndaj tij. «Kur e shanin,—thuhet te 1 Pjetrit 2:23,—ai nuk e kthente sharjen. Kur vuante, nuk kërcënonte, por e linte veten në duart e atij që gjykon me drejtësi.» Jemi të nxitur të ndjekim shembullin e tij të shkëlqyer. Mos lejoni që sjellja e keqe e të tjerëve t’ju provokojë, por siç këshillohen të gjithë të krishterët, jini «zemërdhembshur, me mendje të përulur, mos e ktheni të keqen me të keqe dhe sharjen me të sharë».—1 Pjet. 3:8, 9.

A duhet të mos shprehen?

11. Cilin privilegj të madh do të kenë disa gra të krishtere?

11 A do të thotë nënshtrimi ndaj kryesisë së burrit se gruaja nuk duhet të shprehë mendimin e saj për çështjet familjare ose për çështje të tjera? Jo, aspak. Grave, ashtu si burrave, u janë dhënë shumë privilegje nga Jehovai. Mendoni për nderin e madh që kanë 144.000 të mirosurit për të qenë mbretër dhe priftërinj në qiell nën Krishtin, kur ai të sundojë mbi tokë! Në atë numër përfshihen edhe gratë. (Gal. 3:26-29) Sigurisht, Jehovai u ka dhënë grave një rol aktiv në mënyrën si i ka organizuar gjërat.

12, 13. Jepni një shembull që tregon se gratë profetizonin.

12 Për shembull, në kohët biblike disa gra profetizonin. Joeli 2:28, 29 paratha: «Do të derdh frymën time mbi çdo lloj njeriu dhe bijtë e bijat tuaja do të profetizojnë. . . . Ato ditë do të derdh frymën time madje edhe mbi shërbyesit dhe shërbyeset.»

13 Mes rreth 120 dishepujve të Jezuit që u mblodhën në një dhomë të sipërme në Jerusalem, në festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s., kishte edhe gra, edhe burra. Fryma e shenjtë e Perëndisë u derdh mbi gjithë këtë grup. Prandaj, Pjetri mundi të citonte atë që kishte parathënë profeti Joel dhe ta zbatonte njësoj si për burrat, edhe për gratë. Pjetri tha: «[Kjo] ishte thënë nëpërmjet profetit Joel: ‘Në ditët e fundit,—thotë Perëndia,—do të derdh ca nga fryma ime mbi çdo lloj njeriu, dhe bijtë e bijat tuaja do të profetizojnë. . . . Ato ditë, do të derdh ca nga fryma ime madje edhe mbi skllevërit e mi dhe skllavet e mia, dhe ata do të profetizojnë.’»—Vep. 2:16-18.

14. Ç’rol luajtën gratë në përhapjen e krishterimit të hershëm?

14 Në shekullin e parë, gratë luajtën një rol domethënës në përhapjen e krishterimit. Ato u predikonin të tjerëve për Mbretërinë e Perëndisë dhe bënin gjëra që lidheshin me veprën e predikimit. (Luka 8:1-3) Për shembull, apostulli Pavël përmendi Febën ‘që po shërbente në kongregacionin e Kenkresë’. Gjithashtu, kur u dërgoi përshëndetje bashkëpunëtorëve të tij, Pavli përmendi shumë gra besnike, përfshirë ‘Trifenën dhe Trifosën, gra që po punonin pa u lodhur në Zotërinë’. Po ashtu, ai përmendi ‘Persidën e dashur, sepse u mundua shumë në Zotërinë’.—Rom. 16:1, 12.

15. Ç’rol luajnë gratë në përhapjen e krishterimit në kohën tonë?

15 Në kohën tonë, një pjesë e madhe e më shumë se shtatë milionë personave që predikojnë lajmin e mirë për Mbretërinë e Perëndisë në mbarë botën, janë gra të të gjitha moshave. (Mat. 24:14) Shumë prej tyre janë shërbëtore në kohë të plotë, misionare dhe pjesëtare të familjeve Bethel. Psalmisti David këndoi: «Jehovai jep urdhrin. Gratë që shpallin lajmin e mirë, janë një ushtri e madhe.» (Psal. 68:11) Sa të vërteta kanë dalë këto fjalë! Jehovai e vlerëson rolin që luajnë gratë në shpalljen e lajmit të mirë dhe në përmbushjen e qëllimeve të tij. Kërkesa e tij që gratë e krishtere të jenë të nënshtruara, patjetër nuk do të thotë që të mos shprehen.

Dy gra që shprehën mendimin e tyre

16, 17. Si e tregon shembulli i Sarës se gratë nuk duhet të rrinë pa u shprehur në martesë?

16 Nëse Jehovai u jep grave shumë privilegje, a nuk duhet që burrat të këshillohen me gratë e tyre para se të marrin vendime të rëndësishme? Do të ishte e mençur po të vepronin kështu. Shkrimet përmendin mjaft raste kur gratë folën ose vepruan pa qenë të ndikuara nga burrat e tyre. Të shqyrtojmë dy raste.

17 Sara, gruaja e patriarkut Abraham, vazhdonte t’i thoshte atij që të largonte gruan e dytë dhe djalin e saj, sepse nuk tregonin respekt. «Kjo gjë nuk i pëlqeu Abrahamit», por Perëndia mendoi ndryshe. Jehovai i tha Abrahamit: «Të mos të duket e papëlqyeshme ajo që po të thotë Sara për djalin dhe për skllaven. Dëgjoje zërin e saj.» (Zan. 21:8-12) Abrahami iu bind Jehovait, e dëgjoi Sarën dhe bëri atë që kërkonte ajo.

18. Çfarë iniciative mori Abigaila?

18 Të mendojmë edhe për Abigailën, gruan e Nabalit. Kur Davidi ishte në arrati për shkak të mbretit xheloz Saul, ai ndenji për ca kohë në fushim pranë kopeve të Nabalit. Davidi dhe burrat e tij nuk i rrëmbyen këtij njeriu të pasur asgjë nga zotërimet e shumta që kishte, përkundrazi i mbrojtën ato. Mirëpo, Nabali «kishte një sjellje të ashpër dhe të keqe» e «iu hakërrua» njerëzve të Davidit. Nabali ishte ‘burrë i pavlerë’ dhe «i pamend». Kur burrat e Davidit me respekt i kërkuan ca ushqime, Nabali refuzoi. Si reagoi Abigaila kur dëgjoi se çfarë kishte ndodhur? Pa i thënë Nabalit, «nxitoi dhe mori dyqind bukë, dy qypa të mëdhenj me verë, pesë dele të bëra gati, pesë sea drithë të pjekur, njëqind kuleç prej rrushi të thatë dhe dyqind bukëfiqe» dhe ua dha Davidit e burrave të tij. A veproi drejt Abigaila? Bibla thotë: «Jehovai e goditi Nabalin, kështu që ai vdiq.» Më vonë, Davidi u martua me Abigailën.—1 Sam. 25:3, 14-19, 23-25, 38-42.

‘Gruaja që merr lëvdata’

19, 20. Çfarë e bën një grua të denjë për të marrë lëvdata?

19 Shkrimet e lavdërojnë gruan që i bën gjërat sipas mënyrës së Jehovait. Libri biblik i Proverbave e lavdëron «një grua të zonjën» duke thënë: «Vlera e saj është shumë më e madhe se e koraleve. Zemra e burrit të saj ka besim tek ajo dhe të mirat nuk i mungojnë. Ajo ia shpërblen me të mira, jo me të këqija, gjithë ditët e jetës së saj.» Për më tepër, ajo «e hap gojën me mençuri dhe në gjuhën e saj gjendet ligji i dashamirësisë. Mbikëqyr se si shkon shtëpia e saj dhe nuk ha bukën e përtacisë. Bijtë e saj ngrihen dhe e shpallin të lumtur. Burri i saj çohet dhe e lëvdon».—Prov. 31:10-12, 26-28.

20 Çfarë e bën një grua vërtet të denjë për të marrë lëvdata? Proverbat 31:30 thotë: «Nuri mund të jetë i rremë dhe bukuria e kotë, por gruaja që ka frikë nga Jehovai, do të marrë lëvdata.» Në frikën e Jehovait përfshihet nevoja për t’iu nënshtruar me gatishmëri kryesisë që ka vendosur ai. «Kreu i gruas është burri», ashtu si «kreu i çdo burri është Krishti, dhe kreu i Krishtit është Perëndia».—1 Kor. 11:3.

Jini mirënjohës për dhuratën e Perëndisë

21, 22. (a) Çfarë arsyesh kanë të krishterët e martuar që të jenë mirënjohës për dhuratën e martesës që vjen nga Perëndia? (b) Pse duhet të tregojmë respekt për rregullin e autoritetit e të kryesisë që ka vendosur Jehovai? (Shih kutinë në faqen 17.)

21 Të krishterët e martuar kanë kaq shumë arsye për t’i shprehur mirënjohjen Perëndisë. Ata mund të ecin së bashku në udhën e jetës si çifte të lumtura. Sidomos mund të jenë mirënjohës për martesën, dhuratën e bekuar të Perëndisë, sepse u jep mundësinë t’i ndërthurin jetët e tyre dhe të ecin me Jehovain. (Rutha 1:9; Mik. 6:8) Ai, si Nismëtari i martesës, e di mirë se çfarë kërkohet për të pasur lumturi në martesë. Bëjini gjithnjë gjërat sipas mënyrës së tij dhe ‘gëzimi i Jehovait do të jetë kalaja juaj’ edhe në këtë botë me telashe.—Neh. 8:10.

22 Një burrë i krishterë që e do gruan si veten, do ta ushtrojë kryesinë me butësi, si dhe duke marrë parasysh ndjenjat e nevojat e saj. Gruaja e tij që i frikësohet Perëndisë do të jetë vërtet e dashur për të, sepse do ta mbështetë e do t’i tregojë respekt të thellë. Dhe ajo që është më e rëndësishmja, martesa e tyre shembullore do të nderojë Perëndinë tonë të denjë për lëvdim, Jehovain.

A ju kujtohet?

• Cili është rregulli i Jehovait në lidhje me kryesinë dhe nënshtrimin?

• Pse bashkëshortët duhet ta nderojnë njëri-tjetrin?

• Si duhet të sillet një grua besimtare me burrin jobesimtar?

• Pse burrat duhet të këshillohen me gratë e tyre para se të marrin vendime të rëndësishme?

[Pyetjet]

[Kutia në faqen 17]

Pse të tregojmë respekt për autoritetin?

Jehovai ka vendosur mes krijesave me aftësi për të arsyetuar rregulla në lidhje me autoritetin dhe kryesinë. Kjo është bërë për të mirën e krijesave frymore dhe të njerëzve. Gjithashtu, u jep mundësi atyre që ta ushtrojnë vullnetin e lirë dhe ta nderojnë Perëndinë duke i shërbyer në unitet dhe harmoni.—Psal. 133:1.

Kongregacioni i të krishterëve të mirosur e pranon autoritetin dhe kryesinë e Jezu Krishtit. (Efes. 1:22, 23) Duke pranuar autoritetin e Jehovait, në fund «vetë Biri do t’i nënshtrohet Atij që i nënshtroi çdo gjë, që Perëndia të jetë gjithçka për të gjithë». (1 Kor. 15:27, 28) Prandaj, sa e përshtatshme është që njerëzit që i janë kushtuar Perëndisë, të bashkëpunojnë në përputhje me rregullin e kryesisë brenda kongregacionit dhe në familje! (1 Kor. 11:3; Hebr. 13:17) Duke vepruar kështu, i sjellim dobi vetes, pasi do të kemi miratimin dhe bekimin e Jehovait.—Isa. 48:17.

[Figura në faqen 13]

Lutja mund ta ndihmojë një grua të krishterë që të shfaqë cilësi që i pëlqejnë Perëndisë

[Figurat në faqen 15]

Jehovai e vlerëson rolin që luajnë gratë për të çuar përpara interesat e Mbretërisë