Harani—Një qytet i lashtë që ziente nga aktiviteti
Harani—Një qytet i lashtë që ziente nga aktiviteti
ATYRE që e njohin mirë Biblën, vetëm përmendja e emrit Haran u sjell në mendje patriarkun besnik, Abrahamin. Gjatë udhëtimit të tij nga Uri për në vendin e Kanaanit, ai me gruan, Sarën, me të atin, Terahun, dhe me nipin, Lotin, ndaluan në Haran. Atje Abrahami bëri shumë pasuri. Pasi i vdiq i ati, Abrahami vazhdoi udhëtimin për në vendin që i kishte premtuar Perëndia i vërtetë. (Zan. 11:31, 32; 12:4, 5; Vep. 7:2-4) Më vonë, Abrahami dërgoi shërbëtorin më të moshuar në Haran ose në një zonë aty pranë, që të gjente një grua për Isakun. Edhe Jakobi, nipi i Abrahamit, jetoi atje për disa vjet.—Zan. 24:1-4, 10; 27:42-45; 28:1, 2, 10.
Në ultimatumin e Senakeribit, mbretit asirian, drejtuar Hezekisë, mbretit të Judës, Harani renditet ndër ‘kombet’ e pushtuara nga mbretërit e Asirisë. Këtu fjala ‘Haran’ nuk i referohet vetëm qytetit, por edhe rajonit përreth. (2 Mbret. 19:11, 12) Në profecinë e Ezekielit, Harani përmendet si një nga partnerët kryesorë të Tirit në fushën e tregtisë, duke vërtetuar kështu rolin që kishte si një qendër e rëndësishme tregtare.—Ezek. 27:1, 2, 23.
Tani Harani është vetëm një qytet i vogël pranë Shanlëurfës, në Turqinë Lindore. Por, dikur qyteti i lashtë i Haranit ziente vërtet nga aktiviteti. Harani është një nga ato pak vendbanime të lashta që mbajnë ende emrin që është përdorur në Bibël. Forma e tij asiriane Haranu mund të ketë kuptimin «rrugë» ose «rrugë karvanësh», duke treguar kështu se Harani ndodhej në rrugët kryesore tregtare që lidhnin qytetet më të mëdha. Sipas mbishkrimeve të nxjerra në Haran, mamaja e mbretit Nabonid të Babilonisë ishte kryepriftëresha e tempullit të Sinit, perëndisë-hënë të Haranit. Thuhet se Nabonidi e rindërtoi këtë tempull. Më pas, Harani qe dëshmitar i ngritjes dhe rënies së perandorive të ndryshme.
Sot Harani është krejt i ndryshëm nga sa ishte në të kaluarën. Harani i lashtë ishte një qytet tejet i zhvilluar e i rëndësishëm, sidomos gjatë periudhave të caktuara. Harani i sotëm është vetëm një grup shtëpish që i kanë çatitë në formë kubeje. Përreth tij gjenden rrënojat e qytetërimeve të lashta. Në botën e re të Perëndisë, shumë njerëz që jetonin dikur në Haran—përfshirë Abrahamin, Sarën dhe Lotin—do të ringjallen. Ka shumë të ngjarë që ata do të mund të na tregojnë më tepër gjëra rreth Haranit, qytetit të lashtë që ziente nga aktiviteti.
[Figura në faqen 20]
Rrënojat e Haranit
[Figura në faqen 20]
Shtëpi me çati në formë kubeje
[Figura në faqen 20]
Pamje panoramike e Haranit të sotëm