Krishtërimi i hershëm dhe perënditë e Romës
Krishtërimi i hershëm dhe perënditë e Romës
NË NJË letër drejtuar perandorit romak, Trajanit, guvernatori i Bitinisë, Plini i Ri, tha: «Kështu kam vepruar me ata që i sillnin para meje me akuzën se ishin të krishterë. I pyetja nëse ishin të tillë dhe po të pranonin, i pyesja për herë të dytë e të tretë duke i kërcënuar se do t’i ndëshkoja. Nëse vazhdonin ta pranonin, urdhëroja t’i ekzekutonin.» Në lidhje me ata që mohonin krishterimin, duke mallkuar Krishtin e duke adhuruar perandorin dhe shëmbëlltyrat e perëndive që kishte sjellë Plini, ky i fundit shkroi: «E konsiderova të drejtë t’i lija të lirë.»
Të krishterët e hershëm përndiqeshin ngaqë nuk pranonin të adhuronin perandorin dhe shëmbëlltyrat e perëndive të ndryshme. Por, ç’mund të themi për fetë e tjera anembanë Perandorisë Romake? Cilat perëndi adhuroheshin dhe si i shihnin romakët ato? Pse të krishterët përndiqeshin ngaqë nuk pranonin t’u ofronin flijime perëndive të Romës? Përgjigjet e këtyre pyetjeve do të na ndihmojnë si të veprojmë sot në raste të ngjashme që kanë të bëjnë me besnikërinë ndaj Jehovait.
Fetë e perandorisë
Ashtu si popujt e Perandorisë Romake kishin një larmi të madhe gjuhësh e kulturash, po kështu adhuronin një larmi të madhe perëndish. Sado i çuditshëm mund t’u jetë dukur judaizmi romakëve, ata e konsideronin religio licita ose fe e ligjshme, dhe e mbronin atë. Dy herë në ditë në tempullin e Jerusalemit flijoheshin dy qengja dhe një viç për Cezarin dhe kombin romak. Për romakët s’kishte rëndësi nëse këto flijime kënaqnin një ose shumë perëndi. Ajo që u interesonte ishte që ky gjest përbënte një provë të mjaftueshme të besnikërisë së judenjve ndaj Romës.
Paganizmi mbizotëronte në kultet vendëse me një larmi formash. Mitologjia greke ishte pranuar gjerësisht dhe falli ishte shumë i zakonshëm. Të ashtuquajturat fe misterioze nga Lindja u premtonin besimtarëve të devotshëm pavdekësinë, zbulesa të drejtpërdrejta dhe mundësinë për t’iu afruar perëndive me anë të riteve mistike. Këto fe u përhapën në mbarë perandorinë. Në shekujt e parë të e.s. ishin shumë të përhapura kultet e perëndisë egjiptian Serapisit dhe të perëndeshës Isida, si dhe të Atargatidës, perëndeshës-peshk të Sirisë dhe të Mitrës, perëndisë-diell të Persisë.
Vep. 13:6, 7) Në Listër banorët vendës menduan se Pavli dhe Barnaba ishin perënditë greke Hermes dhe Zeus. (Vep. 14:11-13) Kur ishte në Filipi, Pavlit i doli përpara një shërbëtore që merrej me fall. (Vep. 16:16-18) Në Athinë, apostulli tha se banorët e saj ‘dukeshin më të dhënë se të tjerët pas frikës nga hyjnitë’. Në atë qytet ai kishte parë edhe një altar me mbishkrimin «Një Perëndie të Panjohur». (Vep. 17:22, 23) Banorët e Efesit adhuronin perëndeshën Artemisë. (Vep. 19:1, 23, 24, 34) Në ishullin e Maltës, njerëzit thanë se Pavli ishte një perëndi, ngaqë nuk pësoi asgjë kur e kafshoi gjarpri. (Vep. 28:3-6) Në rrethana të tilla, të krishterët duhej të ishin vigjilentë ndaj ndikimeve që mund ta korruptonin adhurimin e tyre të pastër.
Libri biblik i Veprave përshkruan qartë atmosferën pagane që rrethonte krishterimin e hershëm. Për shembull, prokonsulli romak i Qipros shoqërohej nga një magjistar jude. (Feja romake
Teksa perandoria e tyre rritej, romakët i pranonin hyjnitë e reja që ndeshnin, duke besuar se ishin të njëjtat perëndi që njihnin, por në forma të ndryshme. Në vend që t’i eliminonin kultet e huaja, pushtuesit romakë i pranuan dhe i përvetësuan. Kështu feja e Romës u bë aq e larmishme sa edhe popullsia e saj me kultura të ndryshme. Në fenë romake nuk ishte e domosdoshme të adhuroje vetëm një perëndi të caktuar. Njerëzit mund të adhuronin disa perëndi njëkohësisht.
Perëndia më i lartë ndër perënditë vendëse romake ishte Jupiteri, që quhej Optimus Maximus, domethënë më i miri dhe më i madhi. Thuhej se ai shfaqej tek era, shiu, rrufetë dhe bubullimat. Motra dhe bashkëshortja e Jupiterit, Junona, perëndesha-hënë, thuhej se kujdesej për të gjitha aspektet e jetës së grave. Vajza e saj, Minerva, ishte perëndesha e zanateve, e arteve dhe e luftës.
Romakët besonin në një numër të pafund perëndish. Larët dhe penatët ishin perëndi të familjes. Vestia ishte perëndesha e vatrës. Perëndia me dy fytyra Janusi ishte perëndia i çdo fillimi. Çdo zanat kishte hyjninë e tij mbrojtës. Madje romakët hyjnizonin gjërat abstrakte. Paksa mbronte paqen, Salusa shëndetin,
Pudikitia modestinë dhe dëlirësinë, Fidesa besnikërinë, Virtusi guximin dhe Voluptasa kënaqësinë. Çdo akt i jetës publike dhe private të romakëve mendohej se ndikohej nga vullneti i perëndive. Prandaj, për të pasur sukses në diçka, duhej kërkuar pëlqimi i perëndisë përkatëse me anë të lutjeve rituale, flijimeve dhe festave.Një mënyrë për të dalluar vullnetin e perëndive ishte me anë të ogureve. Ndër to, kryesore ishte këqyrja e të përbrendshmeve të kafshëve të flijuara. Mendohej se gjendja dhe pamja e këtyre organeve tregonte nëse perënditë e miratonin ose jo veprimin që do të ndërmerrej.
Nga fundi i shekullit të dytë p.e.s., romakët besonin se perënditë e tyre kryesore ishin njësoj si disa perëndi të grekëve—Jupiteri ishte Zeusi, Junona ishte Hera, e kështu me radhë. Romakët përvetësuan gjithashtu mitologjinë që shoqëronte hyjnitë greke. Këto legjenda nuk i lajkatonin aspak perënditë të cilat kishin të njëjtat të meta e kufizime si njerëzit. Për shembull, Zeusi përshkruhej si një përdhunues dhe pedofil që kryente marrëdhënie seksuale me vdekatarët dhe me ata që mendohej se ishin të pavdekshëm. Aventurat e turpshme të perëndive—që shpesh duartrokiteshin me të madhe në teatrot e lashta—u jepnin besimtarëve të tyre lejen që të jepeshin pas pasioneve më të degjeneruara.
Ka mundësi që pak njerëz të arsimuar i pranonin legjendat në kuptimin e mirëfilltë. Disa i interpretonin si alegori. Kjo mund të shpjegojë pse Ponc Pilati bëri pyetjen e famshme: «Ç’është e vërteta?» (Gjoni 18:38) Mendohet se kjo pyetje shprehte «pikëpamjen mbizotëruese të njerëzve të arsimuar se çdo përpjekje për të gjetur të vërtetën absolute rreth çfarëdo gjëje, është e kotë».
Adhurimi i perandorit
Mbretërimi i Augustit (27 p.e.s. deri 14 të e.s.) shënoi lindjen e adhurimit të perandorit. Veçanërisht në provincat greqishtfolëse të Lindjes, shumë kishin mirënjohje të sinqertë për Augustin, sepse u kishte sjellë begati e paqe pas një periudhe të gjatë lufte. Njerëzit donin mbrojtje të vazhdueshme nga dikush me autoritet që mund ta shihnin. Dëshironin një institucion që mund të kapërcente dallimet fetare, të nxiste patriotizmin dhe ta bashkonte botën nën «shpëtimtarin» e saj. Si pasojë, perandori filloi të konsiderohej perëndi.
Megjithëse Augusti nuk i lejonte të tjerët ta quanin perëndi kur ishte gjallë, ai këmbënguli që të adhurohej si një perëndeshë personifikimi i Romës—Roma Dea. Augusti u shpall perëndi pas vdekjes. Kështu, ndjenjat fetare dhe patriotizmi në provinca u drejtuan te qendra e perandorisë dhe te sundimtarët e saj. Kulti i ri i perandorit, që shumë shpejt u përhap te të gjitha provincat, u bë një mënyrë për të shprehur nderimin dhe besnikërinë ndaj shtetit.
Domiciani, perandor nga viti 81 deri më 96 të e.s., ishte sundimtari i parë romak që kërkoi të adhurohej si perëndi. Në kohën e tij, romakët kishin bërë dallimin midis të krishterëve dhe judenjve dhe iu kundërvunë atij që shihej si një kult i ri. Ndoshta gjatë mbretërimit të Domicianit apostulli Gjon u internua në ishullin e Patmosit, ngaqë ‘kishte dhënë dëshmi për Jezuin’.—Zbul. 1:9.
Libri i Zbulesës u shkrua gjatë mërgimit të Gjonit. Në atë libër, ai përmend Antipën, një të krishterë që u vra në Pergam, qendër e rëndësishme për adhurimin e perandorit. (Zbul. 2:12, 13) Në atë kohë, qeveria perandorake mund të ketë filluar të kërkojë që të krishterët të kryenin ritualet e fesë së shtetit. Pavarësisht nëse ishte kështu ose jo, tashmë në vitin 112 të e.s., siç tregohet nga letra drejtuar Trajanit, e përmendur në fillim të këtij artikulli, Plini kërkonte që të krishterët në Bitini të kryenin rituale të tilla.
Trajani e lavdëroi Plinin për mënyrën se si i kishte zgjidhur çështjet që i ishin parashtruar dhe urdhëroi që të krishterët që refuzonin të adhuronin perënditë romake, të ekzekutoheshin. «Megjithatë,—shkroi Trajani,—nëse personi mohon se është i krishterë dhe e bën të qartë se nuk është, duke iu lutur perëndive tona, pasi të pendohet le t’i falet jeta (pavarësisht nga dyshimet e mëparshme).»
Sipas mentalitetit romak, ishte e pakonceptueshme që një fe të kërkonte që besimtarët e saj të tregonin përkushtim ekskluziv. Perënditë romake nuk e kërkonin një gjë të tillë, prandaj, pse duhet ta kërkonte Perëndia i të krishterëve? Mendohej se adhurimi i hyjnive të shtetit vetëm sa tregonte pranimin e sistemit politik. Prandaj, refuzimi për t’i adhuruar, konsiderohej tradhti. Siç e kuptoi edhe Plini, nuk kishte asnjë mënyrë për t’i detyruar të krishterët të hiqnin dorë. Për ta, një veprim i tillë do të thoshte jobesnikëri ndaj Jehovait, dhe shumë të krishterë të hershëm preferuan të vdisnin, sesa të përfshiheshin në adhurimin idhujtar të perandorit.
Pse duhet të na interesojë kjo gjë sot? Në disa vende, nga nënshtetasit pritet që të nderojnë simbolet kombëtare. Si të krishterë, ne sigurisht e respektojmë autoritetin e qeverive. (Rom. 13:1) Por, kur bëhet fjalë për ceremonitë që lidhen me flamurët kombëtarë, meqë Perëndia Jehova kërkon t’i përkushtohemi vetëm Atij dhe duke pasur parasysh këshillat e Fjalës së Tij, nxitemi ‘të ikim nga idhujtaria’ dhe ‘të ruhemi nga idhujt’. (1 Kor. 10:14; 1 Gjon. 5:21; Nau. 1:2) Jezui tha: «Jehovain, Perëndinë tënd, adhuro dhe vetëm atij bëji shërbim të shenjtë.» (Luka 4:8) Prandaj, vazhdofshim t’i qëndrojmë besnik Perëndisë që adhurojmë!
[Diçitura në faqen 5]
Të krishterët e vërtetë i përkushtohen vetëm Jehovait
[Figurat në faqen 3]
Të krishterët e hershëm refuzonin të adhuronin perandorin ose shëmbëlltyrat e perëndive
Perandori Domician
Zeusi
[Burimet]
Perandori Domician: Todd Bolen/Bible Places.com; Zeus: fotografi nga Todd Bolen/Bible Places.com, marrë në Muzeun Arkeologjik të Stambollit
[Figura në faqen 4]
Të krishterët në Efes nuk pranonin të adhuronin perëndeshën shumë të njohur Artemisë.—Veprat 19:23-41