Mos e hidhëroni frymën e shenjtë të Jehovait
Mos e hidhëroni frymën e shenjtë të Jehovait
«Mos e hidhëroni frymën e shenjtë të Perëndisë, me të cilën jeni vulosur.»—EFES. 4:30.
1. Çfarë ka bërë Jehovai për miliona njerëz dhe çfarë detyrimi kanë ata?
JEHOVAI ka bërë diçka të veçantë për miliona njerëz që jetojnë në këtë botë me telashe. Ai ka bërë të mundur që t’i afrohen nëpërmjet Birit të tij të vetëmlindur, Jezu Krishtit. (Gjoni 6:44) Nëse i je kushtuar Perëndisë dhe po jeton sipas këtij kushtimi, edhe ti je një prej tyre. Si një i pagëzuar në emër të frymës së shenjtë, ke detyrimin të sillesh në përputhje me këtë frymë.—Mat. 28:19.
2. Cilat pyetje do të shqyrtojmë?
2 Ne që ‘mbjellim për frymën’ po veshim personalitetin e ri. (Gal. 6:8; Efes. 4:17-24) Megjithatë, apostulli Pavël na jep këshilla dhe na paralajmëron që të mos e hidhërojmë frymën e shenjtë të Perëndisë. (Lexo Efesianëve 4:25-32.) Tani do të shqyrtojmë më nga afër këshillat e apostullit. Çfarë donte të thoshte Pavli kur foli për hidhërimin e frymës së Perëndisë? Si mund ta hidhërojë frymën e Jehovait dikush që i është kushtuar atij? Çfarë mund të bëjmë për të mos hidhëruar frymën?
Çfarë donte të thoshte Pavli?
3. Si do ta shpjegonit domethënien e fjalëve të dokumentuara tek Efesianëve 4:30?
3 Së pari, vini re fjalët e Pavlit të dokumentuara tek Efesianëve 4:30. Ai shkroi: «Mos e hidhëroni frymën e shenjtë të Perëndisë, me të cilën jeni vulosur për ditën kur do të çliroheni nëpërmjet shpërblesës.» Pavli nuk donte që bashkëbesimtarët e tij të dashur të rrezikonin gjendjen frymore. Me frymën e Jehovait ata ‘ishin vulosur për ditën kur do të çliroheshin nëpërmjet shpërblesës’. Për të mirosurit që mbajnë integritetin, fryma e shenjtë e Perëndisë ishte dhe ende është një vulë ose ‘kapar i asaj që do të vijë’. (2 Kor. 1:22) Vula nënkupton që ata i përkasin Perëndisë dhe kanë perspektivën e jetës qiellore. Përfundimisht, ata që do të vulosen do të jenë 144.000 veta.—Zbul. 7:2-4.
4. Pse është e rëndësishme të mos e hidhërojmë frymën e Perëndisë?
4 Hidhërimi i frymës mund të jetë hapi i parë që çon në një situatë ku fryma, pra forca vepruese e Perëndisë, të mos ndikojë më në jetën e një të krishteri. Që kjo mund të ndodhë, shihet qartë nga fjalët që tha Davidi pasi kishte mëkatuar me Betshebën. I penduar Davidi iu përgjërua Jehovait: «Mos më flak larg fytyrës sate dhe mos e hiq prej meje frymën tënde të shenjtë!» (Psal. 51:11) Vetëm ata të mirosur që tregohen ‘të besueshëm deri në vdekje’ do të marrin «kurorën» e jetës së pavdekshme në qiell. (Zbul. 2:10; 1 Kor. 15:53) Edhe të krishterët me shpresë tokësore kanë nevojë për frymën e shenjtë për të mbajtur integritetin ndaj Perëndisë dhe për të marrë dhuratën e tij të jetës, në bazë të besimit te flijimi shpërblyes i Krishtit. (Gjoni 3:36; Rom. 5:8; 6:23) Kështu, të gjithë ne duhet të ruhemi që të mos e hidhërojmë frymën e shenjtë të Jehovait.
Si mund ta hidhërojë frymën një i krishterë?
5, 6. Si mund ta hidhërojë frymën e Jehovait një i krishterë?
5 Si të krishterë të kushtuar mund ta shmangim hidhërimin e frymës. Kjo është e mundur nëse ‘vazhdojmë të ecim sipas frymës’, pasi kështu nuk do të na mposhtin dëshirat e gabuara të mishit dhe nuk do të shfaqim tipare të liga. (Gal. 5:16, 25, 26) Mirëpo, gjërat mund të ndryshojnë. Mund ta hidhërojmë në njëfarë mase frymën e Perëndisë duke lejuar të biem dalëngadalë, e ndoshta pothuajse pa e vënë re, në një sjellje që dënohet në Fjalën e tij të frymëzuar nga fryma.
6 Në qoftë se vazhdimisht shkojmë kundër drejtimit të frymës së shenjtë, do ta hidhërojmë atë dhe Jehovain, Burimin e kësaj fryme. Një shqyrtim i Efesianëve 4:25-32, do të na tregojë se si të sillemi dhe mund të na ndihmojë të mos e hidhërojmë frymën e Perëndisë.
Si të mos e hidhërojmë frymën?
7, 8. Shpjegoni pse duhet të themi të vërtetën.
7 Duhet të themi të vërtetën. Sipas Efesianëve 4:25, Pavli shkroi: «Tani që keni flakur tej gënjeshtrën, secili t’i thotë të vërtetën të afërmit të tij, sepse ne jemi gjymtyrë që i përkasim njëri-tjetrit.» Meqë jemi të bashkuar si «gjymtyrë që i përkasim njëri-tjetrit», sigurisht, nuk duhet të jemi hileqarë ose me dashje t’i shtrembërojmë faktet për të krijuar përshtypje të gabuara te bashkadhuruesit, sepse kjo do të ishte njësoj si t’i gënjejmë. Kushdo që do të ngulmonte në këtë sjellje, si përfundim nuk do të kishte më një marrëdhënie të mirë me Perëndinë.—Lexo Proverbat 3:32.
8 Fjalët dhe veprimet mashtruese mund të përçajnë unitetin në kongregacion. Prandaj, duhet të jemi si profeti i besueshëm Daniel, tek i cili të tjerët nuk mundën të gjenin asnjë Dan. 6:4) Gjithashtu, duhet të mbajmë ndër mend këshillën e Pavlit drejtuar të krishterëve me shpresë qiellore. Ai tha se çdo gjymtyrë e «trupit të Krishtit» u përket të gjitha të tjerave dhe ka nevojë të qëndrojë në unitet me dishepujt e tjerë të mirosur të Jezuit, të cilët thonë të vërtetën. (Efes. 4:11, 12) Nëse shpresojmë të jetojmë përgjithmonë në Parajsën tokësore, edhe ne duhet të themi të vërtetën, duke kontribuar kështu në unitetin e vëllazërisë sonë mbarëbotërore.
korruptim. (9. Pse është jetësore të veprojmë në përputhje me Efesianëve 4:26, 27?
9 Duhet t’i kundërvihemi Djallit, duke mos i dhënë asnjë mundësi të na dëmtojë frymësisht. (Jak. 4:7) Fryma e shenjtë na ndihmon t’i rezistojmë Satanait. Për shembull, mund ta bëjmë këtë duke u ruajtur nga tërbimi i pafre. Pavli shkroi: «Zemërohuni, por mos mëkatoni. Perëndimi i diellit të mos ju gjejë të acaruar, as mos i lini vend Djallit.» (Efes. 4:26, 27) Nëse zemërohemi me të drejtë, një lutje e menjëhershme në heshtje mund të na ndihmojë të tregohemi «gjakftohtë», duke shfaqur vetëkontroll, në vend që të veprojmë në një mënyrë që mund ta hidhëronte frymën e Perëndisë. (Prov. 17:27) Pra, të mos qëndrojmë të acaruar për të mos i dhënë Satanait një mundësi që të na shtyjë të bëjmë diçka të ligë. (Psal. 37:8, 9) Një mënyrë për t’iu kundërvënë atij është duke i zgjidhur shpejt mosmarrëveshjet në përputhje me këshillën e Jezuit.—Mat. 5:23, 24; 18:15-17.
10, 11. Pse nuk duhet të vjedhim ose të bëjmë gjëra të pandershme?
10 Nuk duhet t’i dorëzohemi asnjë tundimi për të vjedhur apo për të qenë të pandershëm. Për vjedhjen Pavli shkroi: «Vjedhësi të mos vjedhë më, por më mirë të punojë pa u lodhur e të bëjë me duart e veta një punë të mirë, që të ketë diçka për t’i shpërndarë ndonjë nevojtari.» (Efes. 4:28) Nëse një i krishterë i kushtuar do të vidhte, faktikisht ‘do të përdhoste emrin e Perëndisë’ duke sjellë sharje mbi të. (Prov. 30:7-9) Madje as varfëria nuk e justifikon vjedhjen. Ata që e duan Perëndinë dhe të afërmin kuptojnë se vjedhja nuk është kurrë e justifikueshme.—Mar. 12:28-31.
11 Pavli nuk thotë vetëm çfarë nuk duhet të bëjmë, por thekson edhe çfarë duhet të bëjmë. Nëse po jetojmë dhe po ecim sipas frymës së shenjtë, do të përpiqemi fort që të kujdesemi për familjen tonë dhe të kemi «diçka për t’i shpërndarë ndonjë nevojtari». (1 Tim. 5:8) Jezui dhe apostujt kishin një fond për të varfrit, por Judë Iskarioti që i tradhtoi, vodhi disa para nga ai fond. (Gjoni 12:4-6) Sigurisht, ai nuk drejtohej nga fryma e shenjtë. Ne që udhëhiqemi nga fryma e Perëndisë «sillemi me ndershmëri në çdo gjë». (Hebr. 13:18) Kështu nuk hidhërojmë frymën e shenjtë të Jehovait.
Mënyra të tjera për të mos hidhëruar frymën
12, 13. (a) Ç’lloj të foluri duhet të shmangim, siç tregohet tek Efesianëve 4:29? (b) Si duhet të jenë fjalët tona?
12 Duhet të tregojmë kujdes për të folurit tonë. Pavli tha: «Nga goja juaj të mos dalë asnjë thënie e kalbur, por vetëm fjalë të mira, që të ndërtojnë sipas nevojës, që t’u japin diçka të dobishme atyre që i dëgjojnë.» (Efes. 4:29) Sërish, apostulli nuk thotë vetëm çfarë nuk duhet të bëjmë, por edhe çfarë duhet të bëjmë. Nën ndikimin e frymës së Perëndisë, do të nxitemi të themi ‘fjalë të mira, që ndërtojnë sipas nevojës, që t’u japim diçka të dobishme atyre që i dëgjojnë’. Për më tepër, nuk duhet të lejojmë të na dalë nga goja asnjë «thënie e kalbur». Fjala greke e përkthyer «e kalbur» është përdorur për të përshkruar frutat, peshkun ose mishin që po prishet. Ashtu siç neveritemi nga ushqimet e prishura, po ashtu e urrejmë të folurit që Jehovai e konsideron të keq.
13 Fjalët tona duhet të jenë të hijshme, mirëdashëse, ‘të ndrequra me kripë’. (Kolos. 3:8-10; 4:6) Kur na dëgjojnë të flasim, njerëzit duhet të jenë në gjendje të dallojnë se jemi ndryshe. Prandaj, le t’i ndihmojmë të tjerët duke thënë «fjalë të mira, që të ndërtojnë». Dhe le të ndihemi si psalmisti që këndoi: «Fjalët e gojës sime dhe meditimi i zemrës sime, qofshin të këndshme para teje, O Jehova, Shkëmbi im, Shpenguesi im!»—Psal. 19:14.
14. Çfarë duhet të heqim, sipas Efesianëve 4:30, 31?
14 Duhet të heqim vrerin, furinë, sharjen dhe çdo të keqe. Pasi paralajmëroi që të mos hidhërojmë frymën e Perëndisë, Pavli shkroi: «Hiqni çdo vrer shpirtlig, zemërim, furi, të bërtitur dhe sharje, bashkë me çdo të keqe.» (Efes. 4:30, 31) Si njerëz të papërsosur, të gjithë duhet të përpiqemi fort të mbajmë nën kontroll mendimet dhe veprimet. Nëse i japim dorë të lirë ‘vrerit shpirtlig, zemërimit dhe furisë’, do të hidhërojmë frymën e Perëndisë. Po njësoj është edhe nëse mbajmë llogari gabimet që kanë bërë kundër nesh, mbajmë mëri dhe nuk pranojmë të pajtohemi me dikë që na ka fyer. Sikur edhe vetëm të fillojmë të shpërfillim këshillat e Biblës, mund të zhvillojmë tipare që do të na çojnë drejt mëkateve kundër frymës dhe mund të kemi pasoja shkatërrimtare.
15. Çfarë duhet të bëjmë nëse dikush ka bërë ndonjë faj kundër nesh?
15 Duhet të jemi mirëdashës, të dhembshur dhe t’i falim të tjerët. Pavli shkroi: «Bëhuni mirëdashës me njëri-tjetrin, zemërdhembshur, duke e falur njëri-tjetrin bujarisht, ashtu si edhe Perëndia ju ka falur bujarisht nëpërmjet Krishtit.» (Efes. 4:32) Edhe nëse jemi lënduar thellë nga ndonjë faj që ka bërë dikush kundër nesh, le të falim siç bën Perëndia. (Luka 11:4) Ta zëmë se një bashkëbesimtar ka thënë diçka negative për ne. Në përpjekje për ta zgjidhur këtë çështje, shkojmë të flasim me të. Ai shpreh keqardhje të sinqertë dhe kërkon falje. Ne e falim, por duhet të bëjmë edhe diçka më tepër. Levitiku 19:18 thotë: «Mos merr hak dhe mos u mbaj mëri bijve të popullit tënd. Duaje tjetrin si veten. Unë jam Jehovai.»
Kërkohet vigjilencë
16. Jepni një shembull që tregon se mund të kemi nevojë të bëjmë ndryshime për të mos hidhëruar frymën e Jehovait.
16 Edhe kur jemi vetëm, mund të tundohemi të bëjmë diçka që nuk i pëlqen Perëndisë. Për shembull, një vëlla mund të ketë dëgjuar muzikë të papërshtatshme për të krishterët. Më pas, atë e vret ndërgjegjja ngaqë ka shpërfillur këshillat biblike të paraqitura në botimet e ‘skllavit të besueshëm dhe të matur’. (Mat. 24:45) Ndoshta lutet për këtë problem dhe kujton fjalët e Pavlit të dokumentuara tek Efesianëve 4:30. Plotësisht i vendosur për të mos bërë asgjë që do ta hidhëronte frymën e Perëndisë, vendos se që nga ai moment e tutje nuk do të dëgjojë muzikë të papërshtatshme për të krishterët. Jehovai do ta bekojë vëllanë për këtë frymë që tregon. Kështu, le të ruhemi vazhdimisht që të mos hidhërojmë frymën e Perëndisë.
17. Çfarë mund të ndodhë nëse nuk jemi vigjilentë dhe nuk i marrim gjërat seriozisht?
17 Nëse nuk jemi vigjilentë e nuk i marrim gjërat seriozisht, mund të biem në një zakon të papastër ose të gabuar që do ta hidhëronte frymën. Meqë fryma e shenjtë prodhon cilësi që pasqyrojnë personalitetin e Atit tonë qiellor, është e mundur ta hidhërojmë ose ta trishtojmë frymën, dhe patjetër kjo është diçka për të cilën nuk duam të jemi kurrë fajtorë. (Efes. 4:30) Skribët judenj të shekullit të parë mëkatuan duke thënë se Jezui i bënte mrekullitë me anë të Satanait. (Lexo Markun 3:22-30.) Këta armiq të Krishtit ‘blasfemuan kundër frymës së shenjtë’, e kështu kryen diçka që ishte e pafalshme. Kurrë mos bëfshim një gjë të tillë!
18. Si mund të kuptojmë se nuk kemi kryer një mëkat të pafalshëm?
18 Meqë nuk duam as t’i afrohemi kryerjes së një mëkati të pafalshëm, duhet të kujtojmë atë që tha Pavli për të mos hidhëruar frymën. Por, po sikur të kemi gabuar rëndë? Nëse jemi penduar dhe kemi marrë ndihmën e pleqve, mund të nxjerrim përfundimin se Perëndia na ka falur dhe se nuk kemi mëkatuar kundër frymës së shenjtë. Dhe, me ndihmën e Perëndisë, mund të mos e hidhërojmë më frymën.
19, 20. (a) Cilat janë disa gjëra që duhet të shmangim? (b) Çfarë duhet të jemi të vendosur të bëjmë?
19 Nëpërmjet frymës së shenjtë, Perëndia nxit dashurinë, gëzimin dhe unitetin e popullit të tij. (Psal. 133:1-3) Prandaj, duhet të tregojmë kujdes të mos e hidhërojmë frymën duke u marrë me thashetheme të dëmshme ose duke thënë gjëra që do të minonin respektin për ata që janë barinj të emëruar nga fryma. (Vep. 20:28; Jud. 8) Përkundrazi, duhet të nxitim unitetin dhe respektin për njëri-tjetrin në kongregacion. Sigurisht nuk duhet të krijojmë grupime mes popullit të Perëndisë. Pavli shkroi: «Ju nxit, vëllezër, nëpërmjet emrit të Zotërisë tonë Jezu Krisht, të flitni të gjithë në harmoni e mes jush të mos ketë përçarje, por të jeni të bashkuar si duhet në të njëjtën mendje dhe në të njëjtën vijë mendimi.»—1 Kor. 1:10.
20 Jehovai dëshiron dhe është në gjendje të na ndihmojë që të mos e hidhërojmë frymën e tij. Le të vazhdojmë të lutemi për frymën e shenjtë dhe të jemi të vendosur për të mos e hidhëruar atë. Vazhdofshim ‘të mbjellim për frymën’, duke kërkuar me zell drejtimin e saj tani dhe përgjithmonë!
Si do të përgjigjeshit?
• Çfarë do të thotë të hidhërosh frymën e Perëndisë?
• Si mund ta hidhërojë frymën e Jehovait dikush që i është kushtuar atij?
• Si të mos e hidhërojmë frymën e shenjtë?
[Pyetjet]
[Figura në faqen 30]
Zgjidhini shpejt mosmarrëveshjet
[Figura në faqen 31]
Cilat fruta ilustrojnë më mirë të folurit tënd?