Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pse t’i nderojmë të moshuarit?

Pse t’i nderojmë të moshuarit?

Pse t’i nderojmë të moshuarit?

PËRGJATË bregut të Kalifornisë gjendet një nga pemët më të fotografuara në botë. Njihet si Qiparisi i Vetmuar. Thuhet se kjo pemë është më shumë se 250-vjeçare. Kësaj peme të bukur që njihet për qëndrueshmërinë e saj, njerëzit i kanë kushtuar vëmendje në mjaft mënyra. Për shembull, e kanë forcuar me disa kabllo mbajtëse dhe përreth bazës kanë ngritur një mur guri.

Qiparisi i Vetmuar mund të na sjellë ndër mend të krishterët e moshuar që janë mes nesh, të cilët shfaqin një qëndrueshmëri të jashtëzakonshme. Një mënyrë e veçantë si e bëjnë këtë, është me anë të shpalljes së lajmit të mirë. Profeti Joel paratha se «të moshuarit» do të shpallnin mesazhin e Biblës. (Joe. 2:28-32; Vep. 2:16-21) Vetëm të mendojmë se sa shumë orë kalojnë këta vëllezër duke i ndihmuar me zell të tjerët që të mësojnë ‘lajmin e mirë për mbretërinë’. (Mat. 24:14) Disa nga këta lajmëtarë të moshuar të Mbretërisë kanë përballuar vite përndjekjeje ose vështirësi të tjera. Nëse një qiparis i zakonshëm dallohet për qëndrueshmërinë dhe e forcojnë me mur guri e kabllo, sa më shumë të moshuarit që janë mes nesh meritojnë të vlerësohen dhe të trajtohen me dinjitet e nderim!

Perëndia Jehova e urdhëroi popullin e tij në lashtësi: «Duhet të ngrihesh në këmbë para flokëzbardhurit. Trego nderim për të moshuarin.» (Lev. 19:32) Mes shërbëtorëve të Jehovait sot, gjejmë shembuj të shkëlqyer të besnikëve që ‘kanë ecur me Perëndinë’ për dekada të tëra. (Mik. 6:8) Teksa vazhdojnë të zbatojnë parimet biblike, flokët e tyre të bardhë janë vërtet «një kurorë bukurie».—Prov. 16:31.

Apostulli Pavël i dha këtë udhëzim të riut Timote: «Mos e kritiko ashpër një më të moshuar.» Përkundrazi, Timoteu duhej ‘ta përgjëronte si një atë’, kurse «më të moshuarat si nëna». (1 Tim. 5:1, 2) Në të vërtetë, Timoteu ‘duhej të ngrihej në këmbë’ para flokëzbardhurve. Është e qartë, pra, se Jehovai pret që mënyra jonë e të folurit të pasqyrojë një nderim të tillë.

Romakëve 12:10 thotë: «Jini të parët për t’i treguar nderim njëri-tjetrit.» Sigurisht, mbikëqyrësit në kongregacion e tregojnë një nderim të tillë ndaj të krishterëve të moshuar. Megjithatë, të gjithë ne duhet të jemi të parët për t’i treguar nderim njëri-tjetrit.

Patjetër, familjarët kanë një përgjegjësi të veçantë ndaj prindërve dhe gjyshërve. Në rastin e Qiparisit të Vetmuar, njerëzit kanë kërkuar mënyra për ta mbrojtur dhe vazhdojnë ta bëjnë këtë. Prandaj, edhe ne duhet të kërkojmë mënyra për t’u ruajtur dinjitetin prindërve dhe gjyshërve tanë të moshuar. Për shembull, nëse i dëgjojmë me kujdes, nuk do të ngulmojmë t’i bëjmë gjërat sipas mënyrës sonë, pa marrë parasysh ndjenjat e tyre.—Prov. 23:22; 1 Tim. 5:4.

Të moshuarit mes nesh janë shumë të çmuar për Jehovain. Ai nuk i braktis. (Psal. 71:18) Faktikisht, Perëndia i vërtetë u jep forcë që të vazhdojnë t’i shërbejnë me besnikëri. Vazhdofshim edhe ne t’i mbështetim e t’i nderojmë të moshuarit!

[Figurat në faqen 7]

Ashtu si Qiparisi i Vetmuar ka nevojë për kujdes, edhe të moshuarit kanë nevojë për kujdesin tonë dhe që të trajtohen me dinjitet e nderim

[Burimi]

American Spirit Images/age fotostock