Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si të qëndrosh i fortë frymësisht kur kujdesesh për një të afërm të sëmurë?

Si të qëndrosh i fortë frymësisht kur kujdesesh për një të afërm të sëmurë?

Si të qëndrosh i fortë frymësisht kur kujdesesh për një të afërm të sëmurë?

PASI i gjetën një tumor pranë shtyllës kurrizore, Kimi, një Dëshmitare, u diagnostikua me kancer. * Stivi, burri i saj thotë: «Pas heqjes së tumorit me operacion, Kimi bëri rrezet dhe kimioterapinë. Një efekt anësor i kurës ishte që Kimi u bë shumë e dobët. Kishte mjaft vështirësi për të lëvizur.»

A mund të përfytyrosh angështinë që ndiente Stivi kur shihte gruan e tij të shtrenjtë të luftonte me këtë sëmundje ligështuese? Ndoshta ke një familjar që vuan nga një sëmundje e pashërueshme ose nga pasojat e moshës së shkuar. (Ekl. 12:1-7) Nëse po, e di se për t’u kujdesur siç duhet për njeriun tënd, duhet të kujdesesh për veten. Në qoftë se dobësohesh frymësisht, mund të ndikohet edhe shëndeti yt emocional e fizik dhe mund të mos jesh në gjendje ta ndihmosh familjarin e sëmurë. Si mund ta ruash ekuilibrin frymor, ndërsa kujdesesh për një të afërm të sëmurë ose të moshuar? A ka diçka që mund të bëjnë pjesëtarët e kongregacionit të krishterë për t’i ndihmuar këta të sëmurë?

Si të ruash ekuilibrin?

Për të ruajtur ekuilibrin frymor dhe shëndetin fizik ndërsa kujdesesh për një të afërm të sëmurë, duhet të përshtatesh dhe t’i përdorësh mirë kohën dhe energjitë. «Mençuria është me modestët»,—thuhet te Proverbat 11:2. Në këtë kontekst, fjala «modest» do të thotë të jesh i vetëdijshëm për kufizimet. Për t’u siguruar se nuk po i kapërcen kufijtë e tu, ndoshta duhet të analizosh programin tënd dhe përgjegjësitë që ke.

Stivi shfaqi mençuri dhe modesti duke rishqyrtuar gjërat që bënte. Përveçse punonte, shërbente edhe si koordinator i trupit të pleqve dhe si mbikëqyrës shërbimi në një kongregacion të Dëshmitarëve të Jehovait në Irlandë. Ishte edhe anëtar i Komitetit të Lidhjes me Spitalet në zonën e tij. Stivi vëren: «Kimi kurrë nuk u ankua se po e lija pas dore duke u përqendruar tepër pas këtyre përgjegjësive. Mirëpo unë e dija se po shkoja përtej asaj që mund të bëja.» Si e ndreqi situatën Stivi? «Pasi e shqyrtova situatën me anë të lutjes,—vendosa të hiqja dorë nga shërbimi si koordinator. Vazhdova të shërbeja si plak, por duke u kaluar të tjerëve disa nga përgjegjësitë e mia në kongregacion, arrija t’i kushtoja Kimit kohën dhe vëmendjen që i nevojitej.»

Me kalimin e kohës, shëndeti i Kimit u stabilizua. Stivi dhe Kimi e rishqyrtuan situatën e tyre dhe me mbështetjen e gruas, Stivi arriti të rimerrte përgjegjësitë e mëparshme në kongregacion. «Kemi mësuar t’i bëjmë gjërat duke marrë parasysh kufizimet që na ka krijuar sëmundja,—shpjegon Stivi.—I jam shumë mirënjohës Jehovait për ndihmën e tij, si edhe gruas për mbështetjen që më ka dhënë pa u ankuar, pavarësisht nga shëndeti i saj i dobët.»

Të shqyrtojmë edhe përvojën e Xherit, një mbikëqyrës udhëtues, dhe të gruas së tij, Marisë. Atyre iu desh t’i përshtatnin synimet që të kujdeseshin për prindërit e moshuar. «Unë dhe burri kishim synimin të shërbenim si misionarë në një vend të huaj,—thotë Maria.—Por Xheri është fëmijë i vetëm dhe prindërit e tij kishin nevojë për kujdes. Kështu, vendosëm të qëndronim në Irlandë për t’u kujdesur për ta. Në këtë mënyrë mundëm të ishim gjatë gjithë kohës me babanë e Xherit kur u shtrua në spital para se të vdiste. Tani komunikojmë me mamanë e Xherit çdo ditë dhe nuk ndodhemi shumë larg nëse ajo ka nevojë për ndihmë. Kongregacioni ku ndodhet mamaja e Xherit e ka ndihmuar dhe mbështetur shumë atë, duke na dhënë mundësi të qëndrojmë në veprën qarkore.»

Si mund të ndihmojnë të tjerët?

Kur shqyrtoi se cilat masa duheshin marrë nga ana materiale për vejushat e moshuara në kongregacion, apostulli Pavël shkroi: «Nëse dikush nuk siguron gjërat e nevojshme për të vetët, e sidomos për pjesëtarët e shtëpisë së vet, ai e ka mohuar besimin dhe është më i keq se një njeri pa besim.» Pavli u kujtoi të bashkëkrishterëve që nëse donin që mënyra e tyre e të vepruarit të ishte «e pranueshme në sytë e Perëndisë», duhej të kujdeseshin financiarisht për prindërit dhe gjyshërit e moshuar. (1 Tim. 5:4, 8) Megjithatë, edhe të tjerët në kongregacion mund dhe duhet të ndihmojnë në mënyrë praktike.

Vër re rastin e Hokanit dhe të Ingërit, një çift të moshuarish që jeton në Suedi. Hokani thotë: «Kur gruaja u diagnostikua me kancer, të dy u tronditëm. Ingëri kishte qenë gjithmonë e shëndetshme dhe e fortë. Tani duhej të shkonim përditë në spital për kurat, dhe efektet anësore të mjekimit ishin ligështuese. Ingëri qëndronte në shtëpi gjatë kësaj periudhe dhe unë duhej të rrija me të që të kujdesesha për të.» Si e ndihmoi kongregacioni Hokanin dhe Ingërin?

Pleqtë në kongregacion, morën masa që çifti t’i ndiqte mbledhjet nëpërmjet telefonit. Përveç kësaj, vëllezërit dhe motrat qëndronin në kontakt me ta duke i vizituar dhe duke i marrë në telefon. Gjithashtu, u dërgonin letra dhe kartolina. «E ndienim mbështetjen e të gjithë vëllezërve, si edhe ndihmën e Jehovait,—thotë Hokani.—Kjo vëmendje ishte thelbësore për ne që të qëndronim të fortë frymësisht. Sa mirë që Ingëri tani është shëruar dhe mund të ndjekim përsëri mbledhjet e krishtere në Sallën e Mbretërisë!» Kur pjesëtarët e kongregacionit bëjnë ç’të munden për të ndihmuar të sëmurët dhe të moshuarit mes tyre, tregojnë se janë ‘shokë të vërtetë që të duan në çdo kohë, dhe të bëhen vëllezër në ditë të vështira’.—Prov. 17:17.

Jehovai i çmon përpjekjet e tua

Sigurisht, të kujdesesh për një të afërm të sëmurë mund të jetë e lodhshme. Sidoqoftë, mbreti David shkroi se është i lumtur «ai që e kujton nevojtarin», si për shembull, dikë që ka nevojë për ndihmë ngaqë është i sëmurë.—Psal. 41:1, Simon Filipaj.

Pse mund të jenë të lumtur ata që kujdesen për të sëmurët ose për ata që vuajnë? Proverbat 19:17 thotë: «Kush i jep hir të varfrit, i jep hua Jehovait, dhe Ai do t’ia shpërblejë.» Perëndia i vërtetë interesohet në mënyrë të veçantë për shërbëtorët e tij besnikë që po vuajnë nga një sëmundje dhe e bekon atë që tregon dashamirësi ndaj tyre. Psalmisti David këndoi: «Ti, o Jehova, do ta mbështetësh [një person të tillë] në shtratin e lëngatës. Gjatë sëmundjes, ti do ta shndërrosh shtratin e tij.» (Psal. 41:3) Mund të jemi të sigurt që, nëse ai që po tregon një kujdes të tillë do të përjetojë në të ardhmen vështirësi ose fatkeqësi, Jehovai do të kujdeset për të.

Sa mirë është të dimë se Perëndia Jehova e sheh dhe e miraton atë që bëjmë për t’u kujdesur për një të afërm të sëmurë! Megjithëse dhënia e kësaj ndihme mund të kërkojë përpjekje nga ne, Shkrimet na sigurojnë se «Perëndia kënaqet me flijime të tilla».—Hebr. 13:16.

[Shënimi]

^ par. 2 Emrat janë ndryshuar.

[Figurat në faqen 18]

Ruaj ekuilibrin frymor dhe prano ndihmë nga të tjerët