Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Vazhdoni të ushtroni aftësitë perceptuese

Vazhdoni të ushtroni aftësitë perceptuese

Vazhdoni të ushtroni aftësitë perceptuese

Ç’KËNAQËSI është të shohësh një gjimnast të aftë kur me zhdërvjelltësi bën lëvizje të hijshme! Bibla i nxit të krishterët që të stërvitin aftësitë perceptuese ashtu si stërvitet një gjimnast.

Në Letrën drejtuar Hebrenjve, apostulli Pavël shkroi: «Ushqimi i fortë u përket njerëzve të pjekur, atyre që nëpërmjet përdorimit i kanë aftësitë perceptuese [në kuptimin e mirëfilltë, «organet e shqisave»] të stërvitura [si një gjimnast] për të shquar si të drejtën, ashtu edhe të gabuarën.» (Hebr. 5:14, shën. BR me referime, angl.) Pse Pavli i nxiti të krishterët hebrenj të ushtronin aftësitë perceptuese ashtu si një gjimnast i stërvitur ushtron muskujt? Si mund t’i stërvitim aftësitë perceptuese?

«Duhej të ishit mësues»

Kur shpjegoi pozitën e Jezuit si «kryeprift sipas mënyrës së Melkisedekut», Pavli shkroi: «Për të [Jezuin], kemi shumë gjëra për të thënë dhe që janë të vështira për t’u shpjeguar, sepse juve ju është mpirë dëgjimi. Në të vërtetë, edhe pse duhej të ishit mësues, duke pasur parasysh kohën, keni akoma nevojë që dikush t’ju mësojë nga fillimi gjërat elementare të thënieve të shenjta të Perëndisë, dhe jeni bërë si ata që kanë nevojë për qumësht e jo për ushqim të fortë.»—Hebr. 5:10-12.

Me sa duket, disa të krishterë judenj të shekullit të parë nuk kishin bërë përparim në kuptueshmëri dhe nga ana frymore. Për shembull, ata e kishin të vështirë të pranonin dritën që shtohej në lidhje me Ligjin dhe rrethprerjen. (Vep. 15:1, 2, 27-29; Gal. 2:11-14; 6:12, 13) Disa e kishin të vështirë të hiqnin dorë nga praktikat tradicionale që lidheshin me sabatin e përjavshëm dhe me Ditën e Shlyerjes që mbahej çdo vit. (Kolos. 2:16, 17; Hebr. 9:1-14) Prandaj, Pavli i nxiti të stërvitnin aftësitë perceptuese që të ishin në gjendje të dallonin të drejtën nga e gabuara dhe u tha që ‘të suleshin drejt pjekurisë’. (Hebr. 6:1, 2) Këshilla e tij duhet t’i ketë nxitur disa që të mendonin për mënyrën si po i përdornin aftësitë perceptuese dhe ndoshta i ndihmoi të bënin përparim frymor. Ç’mund të themi për ne?

Ushtroni aftësitë perceptuese

Si mund t’i ushtrojmë aftësitë perceptuese që të bëhemi të pjekur frymësisht? «Nëpërmjet përdorimit»,—tha Pavli. Ashtu si gjimnastët, të cilët nëpërmjet ushtrimeve stërvitin muskujt dhe trupin që të kryejnë lëvizje të bukura e të ndërlikuara, edhe ne duhet t’i ushtrojmë aftësitë perceptuese që të shquajmë si të drejtën, ashtu edhe të gabuarën.

«Ushtrimet janë gjëja më e mirë për trurin»,—thotë Xhon Rejti, docent psikiatrie në Harvard Medical School. Sipas Xhin Kohenit, drejtor në Qendrën për Plakjen, Shëndetin dhe Shkencat humanitare në George Washington University, «kur e stimulojmë trurin, nga qelizat e tij dalin dendrite të reja dhe si rezultat shtohen sinapset ose pikat e kontaktit».

Pra, tregohemi të mençur nëse i ushtrojmë aftësitë perceptuese dhe e shtojmë njohurinë për Fjalën e Perëndisë. Në këtë mënyrë do të jemi më të pajisur për të bërë ‘vullnetin e përsosur të Perëndisë’.—Rom. 12:1, 2.

Zhvilloni dëshirën për ‘ushqimin e fortë’

Nëse dëshirojmë ‘të sulemi drejt pjekurisë’, duhet të pyesim veten: «A po bëj përparim në kuptueshmërinë që kam për të vërtetën biblike? A më shohin të tjerët si një person të pjekur nga ana frymore?» Një nënë e ushqen me kënaqësi foshnjën e saj me qumësht dhe ushqim për fëmijët për sa kohë është i vogël. Por, imagjinoni sa do të shqetësohej nëse me kalimin e viteve fëmija nuk do të hante ushqim të fortë. Në mënyrë të ngjashme, ne kënaqemi kur shohim që një person me të cilin studiojmë Biblën, bën përparim deri në pikën e kushtimit dhe të pagëzimit. Por, ç’të themi nëse më pas ai nuk bën përparim frymor? A nuk do të ishte shkurajuese kjo? (1 Kor. 3:1-4) Mësuesi shpreson që me kalimin e kohës edhe dishepulli i ri të bëhet mësues.

Që t’i përdorim aftësitë perceptuese për të arsyetuar rreth gjërave, duhet të meditojmë, dhe kjo kërkon përpjekje. (Psal. 1:1-3) Nuk duhet të lejojmë që shpërqendrimet—të tilla, si shikimi i televizorit ose gjërat që i kemi pasion, të cilat nuk kërkojnë shumë punë mendore—të na pengojnë për të medituar rreth gjërave të rëndësishme. Që të zhvillojmë aftësitë perceptuese, është e nevojshme të zhvillojmë dhe të kënaqim dëshirën për studimin e Biblës dhe të botimeve të ‘skllavit të besueshëm dhe të matur’. (Mat. 24:45-47) Përveç programit të rregullt për leximin personal të Biblës, është e rëndësishme të lëmë kohë edhe për Adhurimin Familjar dhe për një studim të thellë të temave biblike.

Heronimo, një mbikëqyrës udhëtues në Meksikë, thotë se studion çdo numër të Kullës së Rojës sapo del. Gjithashtu, ai lë kohë për të studiuar me gruan. Heronimo thotë: «Si çift e kemi zakon të lexojmë bashkë Biblën çdo ditë dhe përdorim mjete të tilla ndihmëse si broshura ‘Të shohim vendin e mirë’.» Një i krishterë me emrin Roland thotë se gjithmonë qëndron në një hap me programin e leximit të Biblës për kongregacionin. Gjithashtu, ka një ose dy projekte studimi afatgjata. Rolandi thotë: «Këto projekte më bëjnë që të pres me padurim studimin.»

Ç’të themi për ne? A po i kushtojmë mjaft kohë studimit të Biblës dhe meditimit rreth Fjalës së Perëndisë? A po i ushtrojmë aftësitë perceptuese dhe a po fitojmë përvojë në marrjen e vendimeve sipas parimeve biblike? (Prov. 2:1-7) Le ta kemi si synim të jemi individë të pjekur nga ana frymore, të bekuar me atë njohuri dhe mençuri që zotërojnë ata që i kanë aftësitë perceptuese të stërvitura për të shquar si të drejtën, edhe të gabuarën!

[Figura në faqen 23]

Ne i ushtrojmë aftësitë perceptuese «nëpërmjet përdorimit»