Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Gjej siguri mes popullit të Perëndisë

Gjej siguri mes popullit të Perëndisë

Gjej siguri mes popullit të Perëndisë

«Unë do të të përlëvdoj në kongregacionin e madh.»—PSAL. 35:18.

1-3. (a) Çfarë mund t’i çojë disa në situata të rrezikshme nga ana frymore? (b) Ku mund të gjejë mbrojtje populli i Perëndisë?

KUR ishin me pushime, Xhoi dhe gruaja e tij ishin zhytur me maskë në një breg koralor tropikal që gëlonte nga peshqit e të gjitha ngjyrave dhe përmasave. Ata notuan paksa më tutje që të admironin shkëmbinjtë nën ujë. Kur shtrati i detit u shndërrua në një humnerë blu, gruaja i tha Xhoit: «Më duket se po shkojmë tepër larg.» «Qetësohu,—ia ktheu Xhoi.—E di se ç’po bëj.» Xhoi kujton që pak më pas po vriste mendjen: «Ku shkuan gjithë peshqit?» I tmerruar e kuptoi arsyen. Nga thellësia blu, një peshkaqen po vinte drejt tij. Xhoi ishte tërësisht nën mëshirën e tij. Kur peshkaqeni ishte veçse një metër larg, ndryshoi drejtim dhe u zhduk.

2 Një i krishterë mund të rrëmbehet kaq shumë pas shpërqendrimeve të sistemit të Satanait—zbavitjeve, punës, gjërave materiale—saqë nuk e kupton se po zhytet gjithnjë e më shumë në ujëra të rrezikshme. «Përvoja ime më bëri të mendoja për ata me të cilët shoqërohemi,—thotë Xhoi, i cili është plak i krishterë.—Duhet të notojmë atje ku është e sigurt dhe e këndshme, pra në kongregacion!» Mos noto në ujëra të thella, ku mund të gjendesh i veçuar dhe në rrezik nga ana frymore. Nëse të ndodh të gjendesh atje, menjëherë kthehu në «ujëra të sigurta». Përndryshe, mund të rrezikosh të gllabërohesh frymësisht.

3 Sot bota është një vend i rrezikshëm për të krishterët. (2 Tim. 3:1-5) Satanai e di se i ka ditët të numëruara dhe ka si qëllim të gllabërojë ata që s’janë vigjilentë. (1 Pjet. 5:8; Zbul. 12:12, 17) Megjithatë, nuk jemi të pambrojtur. Jehovai i ka siguruar popullit të tij një strehim frymor të sigurt—kongregacionin e krishterë.

4, 5. Si ndihen shumë veta për të ardhmen e tyre dhe pse?

4 Shoqëria e sotme jofetare ofron fare pak siguri në kuptimin fizik ose emocional. Shumë e ndiejnë se siguria e tyre fizike kërcënohet nga krimi, dhuna, kostoja e lartë e jetesës e madje edhe nga problemet e mjedisit. Të gjithë hasim problemet që vijnë nga mosha e shkuar dhe shëndeti i keq. Kurse të tjerë që kanë punë, shtëpi, mjete financiare të mjaftueshme e një shëndet disi të mirë, mund të pyesin veten se sa do të zgjatin këto.

5 Po kështu, shumë nuk kanë mundur të arrijnë siguri emocionale. Mjerisht, mjaft njerëz që kishin shpresuar të gjenin paqe dhe kënaqësi në martesë, si edhe duke pasur një familje, kanë vërejtur se gjërat nuk shkuan siç e pritnin. Në kuptimin frymor, shumë njerëz fetarë kanë mbetur të hutuar dhe të çorientuar, duke vënë në dyshim vlerën e asaj që u është mësuar nga feja. Ata ndihen kështu sidomos kur mendojnë për sjelljen e diskutueshme dhe mësimet jobiblike të udhëheqësve të tyre fetarë. Prandaj, shumë mendojnë se nuk kanë zgjedhje tjetër, veçse të shpresojnë te shkenca ose te vullneti dhe gjykimi i mirë i njerëzve. S’është çudi atëherë që njerëzit përreth nesh ndihen tejet të pasigurt ose thjesht parapëlqejnë të mos mendojnë tepër për të ardhmen e tyre.

6, 7. (a) Pse ekziston një ndryshim në pikëpamje midis atyre që i shërbejnë Perëndisë dhe atyre që nuk i shërbejnë? (b) Çfarë do të shqyrtojmë?

6 Çfarë kontrasti në pikëpamje ekziston midis atyre që janë pjesë e kongregacionit të krishterë dhe atyre që nuk janë! Edhe pse ne si populli i Jehovait duhet të përballemi me të njëjtat çështje e probleme si gjithë të tjerët, prapëseprapë reagojmë krejt ndryshe. (Lexo Isainë 65:13, 14; Malakinë 3:18.) Pse? Sepse në Bibël gjejmë një shpjegim të kënaqshëm për gjendjen në të cilën ndodhet njerëzimi dhe jemi të pajisur për t’u bërë ballë sfidave e problemeve të jetës. Si rrjedhim, nuk jemi tejet në ankth për të ardhmen. Duke qenë adhurues të Jehovait, jemi të mbrojtur nga arsyetimet e gabuara dhe jobiblike, nga veprimet imorale dhe nga pasojat që vijnë prej tyre. Kështu, pjesëtarët e kongregacionit të krishterë përjetojnë një qetësi që të tjerët nuk e njohin.—Isa. 48:17, 18; Filip. 4:6, 7.

7 Disa shembuj mund të na ndihmojnë të meditojmë për sigurinë që kanë ata që i shërbejnë Jehovait në kontrast me ata që nuk i shërbejnë. Këta shembuj mund të na nxitin të shqyrtojmë arsyetimet dhe veprimet tona e të mendojmë nëse mund t’i zbatojmë në mënyrë më të plotë këshillat e Perëndisë, të cilat janë për të na mbrojtur.—Isa. 30:21.

«Hapat gati m’u larguan nga udha»

8. Çfarë u është dashur shërbëtorëve të Jehovait të bëjnë gjithmonë?

8 Që në fillimet e historisë së njerëzimit, ata që kanë zgjedhur t’i shërbejnë dhe t’i binden Jehovait, janë përpjekur të shmangin shoqëritë e ngushta me ata që nuk kanë vepruar kështu. Faktikisht, Jehovai tregoi se do të kishte armiqësi midis adhuruesve të tij dhe atyre që do të ndiqnin Satanain. (Zan. 3:15) Për shkak të qëndrimit të vendosur në përkrahje të parimeve të frymëzuara nga Perëndia, populli i Tij ka vepruar ndryshe nga gjithë të tjerët. (Gjoni 17:15, 16; 1 Gjon. 2:15-17) Marrja e një qëndrimi të tillë nuk ka qenë gjithnjë e lehtë. Na fakt, ka pasur raste kur disa shërbëtorë të Jehovait kanë vënë në dyshim mençurinë e një jete vetëmohuese.

9. Përshkruani luftën e brendshme që kishte shkrimtari i Psalmit 73.

9 Një shërbëtor i Jehovait që filloi të dyshonte nëse kishte marrë vendime të mençura ishte shkrimtari i Psalmit 73, ka mundësi një nga pasardhësit e Asafit. Psalmisti donte të dinte se përse të ligjtë shpesh duket sikur kanë sukses dhe janë të lumtur e të begatë, kurse disa që përpiqen fort t’i shërbejnë Perëndisë hasin sprova dhe vështirësi.—Lexo Psalmin 73:1-13.

10. Pse kanë rëndësi për ty pyetjet që ngriti psalmisti?

10 A i ke bërë ndonjëherë vetes pyetje si ato që dokumentoi psalmisti? Nëse po, nuk ka pse të ndihesh fajtor ose të mendosh se po të shembet besimi. Në të vërtetë, shumë shërbëtorë të Jehovait, përfshirë edhe disa që ai i përdori për të shkruar Biblën, kishin mendime të ngjashme. (Jobi 21:7-13; Psal. 37:1; Jer. 12:1; Hab. 1:1-4, 13) Në fakt, të gjithë ata që dëshirojnë t’i shërbejnë Jehovait, duhet të mendojnë seriozisht dhe ta pranojnë përgjigjen e kësaj pyetjeje: a është gjëja më e mirë t’i shërbesh dhe t’i bindesh Perëndisë? Kjo pyetje, lidhet me çështjen që ngriti Satanai në kopshtin e Edenit. Madje ajo përbën thelbin e çështjes universale të sovranitetit të Perëndisë. (Zan. 3:4, 5) Prandaj, të gjithë ne duhet ta shqyrtojmë problemin që ngriti psalmisti. A duhet t’i kemi zili mburravecët e ligj që duket sikur s’kanë telashe në jetë? A duhet ‘të largohemi’ e të mos i shërbejmë Jehovait, por të imitojmë ata? Natyrisht, Satanai do të dëshironte të bënim pikërisht këtë.

11, 12. (a) Si i mposhti dyshimet psalmisti dhe çfarë na mëson kjo? (b) Çfarë të ka ndihmuar të arrish në të njëjtin përfundim si psalmisti?

11 Çfarë e ndihmoi psalmistin të mposhtte dyshimet? Ndonëse pranoi se për pak sa nuk u largua nga udha e drejtësisë, ai ndryshoi pikëpamje kur hyri në «shenjtëroren e madhërishme të Perëndisë»—domethënë, kur u shoqërua me njerëz frymorë në tabernakullin ose tempullin e Perëndisë dhe meditoi për qëllimin e Tij. Atëherë për psalmistin u bë e qartë se nuk donte të kishte të njëjtin fund si keqbërësit. Ai mund të shihte se udhët dhe zgjedhjet e tyre në jetë i vënë në «vende të rrëshqitshme». Psalmisti kuptoi se të gjithë ata që i kthejnë krahët pabesisht Jehovait, në mënyrë të pashmangshme do t’u vijë fundi me ‘tmerre të papritura’, kurse ata që i shërbejnë Jehovait, Ai do t’i mbështetë. (Lexo Psalmin 73:16-19, 27, 28.) Pa dyshim, ke parë sa i vërtetë është ky pohim. Shumë njerëzve mund t’u duket tërheqëse të jetojnë vetëm për veten pa marrë parasysh ligjin e Perëndisë, por pasojat e këqija të kësaj udhe janë të pashmangshme.—Gal. 6:7-9.

12 Ç’gjë tjetër mësojmë nga përvoja e psalmistit? Ai gjente siguri dhe mençuri mes popullit të Perëndisë. Psalmisti filloi të arsyetonte qartë dhe në mënyrë logjike kur shkoi në vendin ku adhurohej Jehovai. Po kështu edhe sot, mund të gjejmë këshilltarë të mençur dhe të marrim ushqim frymor të shëndetshëm në mbledhjet e kongregacionit. Ja përse Jehovai u thotë shërbëtorëve të tij të ndjekin mbledhjet e krishtere. Atje ata do të ndihen të inkurajuar dhe do të nxiten për të vepruar me mençuri.—Isa. 32:1, 2; Hebr. 10:24, 25.

Zgjidhi shoqëritë me mençuri

13-15. (a) Ç’përvojë pati Dina dhe çfarë ilustron kjo? (b) Pse shoqërimi me të bashkëkrishterët është një mbrojtje?

13 Dina, vajza e Jakobit, është një shembull se si mund të futesh në telashe serioze për shkak të shoqërive nga bota. Tregimi i Zanafillës thotë se ajo e kishte zakon të shoqërohej me vajzat kananite në zonën ku banonte familja e saj. Kananitët nuk kishin të njëjtat norma të larta morale si adhuruesit e Jehovait. Përkundrazi, gjetjet arkeologjike tregojnë se për shkak të sjelljes së tyre vendi i kananitëve u mbush me idhujtari, imoralitet, adhurimin e degjeneruar të seksit dhe me dhunë. (Dal. 23:23; Lev. 18:2-25; Ligj. 18:9-12) Kujto pasojat që erdhën nga shoqërimi i Dinës me këta njerëz.

14 Sikemi, një vendës i përshkruar si «më i nderuari në gjithë shtëpinë e atit të tij», e pa Dinën dhe më pas «e kapi dhe e përdhunoi». (Zan. 34:1, 2, 19) Çfarë tragjedie! A mendon se Dina e kishte përfytyruar ndonjëherë t’i ndodhte një gjë e tillë? Ndoshta ajo vetëm sa po kërkonte miqësinë e të rinjve të atij vendi që sipas saj nuk ishin të këqij. Mirëpo, Dina u mashtrua keq.

15 Çfarë na mëson ky tregim? Që nuk mund të hyjmë në shoqëri me jobesimtarët e të dalim pa u lagur. Shkrimet thonë se «shoqëritë e këqija prishin zakonet e dobishme». (1 Kor. 15:33) Nga ana tjetër, shoqërimi me njerëz që kanë bindjet e tua, normat e tua të larta morale dhe dashurinë që ke edhe ti për Jehovain, është një mbrojtje. Shoqëri të tilla të mira do të të nxitin të veprosh me mençuri.—Prov. 13:20.

«Jeni larë»

16. Çfarë tha apostulli Pavël për disa në kongregacionin e krishterë?

16 Kongregacioni i krishterë ka ndihmuar shumë individë që të pastrohen nga praktikat ndotëse. Kur apostulli Pavël shkroi letrën e parë drejtuar kongregacionit në Korint, foli për ndryshimet që kishin bërë të krishterët atje për të jetuar në përputhje me normat e Perëndisë. Disa kishin qenë kurvarë, idhujtarë, kurorëshkelës, homoseksualë, hajdutë, pijanecë etj. «Mirëpo jeni larë»,—u tha Pavli.—Lexo 1 Korintasve 6:9-11.

17. Si ua ka ndryshuar jetën shumë vetave jetesa sipas parimeve të Biblës?

17 Njerëzit pa besim nuk drejtohen nga parime të shëndosha. Ata e përcaktojnë vetë udhën që do të ndjekin ose thjesht shkojnë sipas rrymës duke u dhënë pas sjelljes imorale, ashtu siç kishin vepruar disa nga korintasit e lashtë para se të bëheshin të krishterë. (Efes. 4:14) Por, njohuria e saktë për Fjalën dhe qëllimet e Perëndisë ka fuqinë t’ua ndryshojë jetën të gjithë atyre që i zbatojnë Shkrimet. (Kolos. 3:5-10; Hebr. 4:12) Shumë veta që sot bëjnë pjesë në kongregacionin e krishterë mund të të tregojnë që, para se të mësonin dhe të përvetësonin normat e drejta të Jehovait, jetonin pa kufizime morale. Megjithatë, nuk ishin të kënaqur e të lumtur. Ata gjetën paqe vetëm kur filluan të shoqëroheshin me popullin e Perëndisë dhe të jetonin sipas parimeve të Biblës.

18. Ç’përvojë pati një e re dhe çfarë tregon kjo?

18 Ndryshe nga ata, disa që në të kaluarën zgjodhën të largoheshin nga «ujërat e sigurta» të kongregacionit të krishterë, tani ndihen shumë keq për atë vendim. Një motër, të cilën do ta quajmë Tanja, shpjegon se «ishte rritur pa e bërë të sajën të vërtetën», por kur ishte 16 vjeçe e la kongregacionin që «të jepej pas gjërave të botës që e tërhiqnin». Ndër pasojat që pati ishin shtatzëni e padëshirueshme dhe abort. Tani ajo thotë: «Tre vitet që kalova larg kongregacionit, më lanë në zemër vraga të thella që nuk do të zhduken. Diçka që nuk mund ta harroj kurrë është se vrava foshnjën time që kisha në bark. . . . Të gjithë të rinjve që dëshirojnë ta ‘provojnë’ botën sikur edhe pak, dua t’u them këto fjalë: ‘Mos e bëni! Në fillim mund të duket e mirë, por më pas lë një shije tejet të hidhur. Bota nuk ka asgjë për të ofruar, përveçse mjerim. Unë e di. E provova. Qëndroni në organizatën e Jehovait! Kjo është e vetmja udhë në jetë që të sjell lumturi.»

19, 20. Ç’mbrojtje siguron kongregacioni i krishterë dhe si?

19 Mendo pak se ç’do të të ndodhte nëse do të braktisje mjedisin mbrojtës të kongregacionit të krishterë. Shumë veta, kur kujtojnë jetën e tyre të kotë para se të pranonin të vërtetën, i drithëron vetëm mendimi. (Gjoni 6:68, 69) Mund të vazhdosh të gjesh siguri dhe mbrojtje nga mjerimet kaq të zakonshme në botën e Satanait duke qëndruar në shoqëri të ngushtë me vëllezërit dhe motrat e krishtere. Shoqërimi me ta dhe ndjekja e rregullt e mbledhjeve të kongregacionit, do të të sjellë vazhdimisht ndër mend se sa të mençura janë normat e drejta të Jehovait dhe do të të nxitin të jetosh sipas tyre. Ke çdo arsye që ‘të përlëvdosh Jehovain në kongregacionin e madh’ siç bëri psalmisti.—Psal. 35:18.

20 Natyrisht, për arsye të ndryshme, të gjithë të krishterët kalojnë periudha kur u duket e vështirë të mbajnë integritetin e krishterë. Ata mund të kenë nevojë që dikush t’u tregojë udhën e duhur. Çfarë mund të bësh ti, dhe në të vërtetë i gjithë kongregacioni, për t’i ndihmuar këta bashkëbesimtarë në këto periudha? Artikulli vijues do të shqyrtojë se si ‘mund të vazhdosh të ngushëllosh dhe të ndërtosh’ vëllezërit e tu.—1 Sel. 5:11.

Si do të përgjigjeshe?

• Çfarë mësojmë nga përvoja e shkrimtarit të Psalmit 73?

• Çfarë mësojmë nga përvoja e Dinës?

• Pse mund të gjesh siguri në kongregacionin e krishterë?

[Pyetjet]

[Figurat në faqen 7]

Noto në ujëra të sigurta: qëndro në kongregacion!