Të bashkuar nga dashuria—Raport për mbledhjen vjetore
Të bashkuar nga dashuria—Raport për mbledhjen vjetore
ATMOSFERA ishte emocionuese në Sallën e Asambleve të Dëshmitarëve të Jehovait në Xhersi-Siti të Nju-Xhersit, SHBA. Në mëngjesin e 3 tetorit 2009, më tepër se 5.000 veta ishin mbledhur për të 125-n mbledhje vjetore të Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania. Mijëra të tjerë e dëgjuan dhe e panë programin nëpërmjet lidhjes audio dhe video me tri komplekse të Bethelit në Shtetet e Bashkuara dhe me Bethelin e Kanadasë. Gjithsej, 13.235 veta, të bashkuar nga dashuria për Jehovain, u kënaqën me mbledhjen që zgjati tri orë.
Xhefri Xheksoni, anëtar i Trupit Udhëheqës, shërbeu si drejtues. Ai e hapi programin duke prezantuar një kor bethelitësh që kënduan këngë nga libri i ri i këngëve. Korin e drejtonte një anëtar tjetër i Trupit Udhëheqës, Dejvid Splejni, i cili shkurtimisht foli për rëndësinë që ka muzika në adhurimin e pastër. Auditori u ftua të këndonte tri këngë të reja në mbledhje. Në fillim këndonte kori, pastaj kori dhe auditori i këndonin këngët bashkë. Kori u përdor vetëm për këtë mbledhje të veçantë. Kjo nuk duhet marrë si një model që duhet ta ndjekin kongregacionet, qarqet ose krahinat.
Raporte nga degët
Anëtarë të Komiteteve të Degëve që kishin ardhur si vizitorë, raportuan për pesë degë. Keneth Litëlli tha se së shpejti Kanadaja do të fillojë të shtypë shumicën e revistave për Shtetet e Bashkuara dhe Kanadanë, e kështu kjo degë do të ketë një rritje prodhimi dhjetëfish. Për të arritur këtë, një makinë shtypi e sapoblerë do të punojë 16 orë në ditë gjithsej, në dy turne.
Rejnër Tompsoni raportoi për veprën e Mbretërisë në Republikën Domenikane dhe Albert Olihu përshkroi veprën tonë në Nigeri. Ejmil Kricingëri nga Mozambiku shpjegoi se pas dekadash përndjekjeje në atë vend, Dëshmitarët e Jehovait u regjistruan në vitin 1992. Në të tria vendet kohët e fundit ka pasur një rritje të madhe në numrin e lajmëtarëve. Viv Morici nga dega e Australisë foli për zhvillimet në Timorin Lindor, territor që është nën kujdesin e vëllezërve në Australi.
Komitetet e Trupit Udhëheqës
Në vitin 1976, të gjitha aktivitetet e Dëshmitarëve të Jehovait u vunë nën mbikëqyrjen e gjashtë komiteteve të Trupit Udhëheqës. Më vonë, pjesëtarë të klasës së deleve të tjera u emëruan si ndihmës. Tani 23 prej tyre ndihmojnë në punën që po bëhet. U intervistuan gjashtë prej tyre. Ata kishin gjithsej 341 vjet në shërbimin e plotkohor, pra, mesatarisht 57 vjet secili.
Don Adamsi, i cili erdhi në Bethel në vitin 1943, shpjegoi se Komiteti i Koordinatorëve përbëhet nga koordinatorët e pesë komiteteve të tjera dhe sigurohet që të pestë të bashkëpunojnë me efektshmëri. Ky komitet përgjigjet edhe për emergjencat e mëdha, përndjekjet, çështjet gjyqësore, katastrofat, si edhe për çështje të tjera të ngutshme që ndikojnë në veprën e Dëshmitarëve të Jehovait në mbarë botën.
Dan Mollçëni përshkroi punën e Komitetit të Personelit, i cili mbikëqyr mirëqenien fizike e frymore të 19.851 anëtarëve të familjes *
Bethel në tërë botën. Dejvid Sinkleri foli se si Komiteti i Botimit mbikëqyr blerjen e mjeteve dhe të pajisjeve për degët. Më pas, Robert Uollëni, i cili shërben në Bethel prej rreth 60 vjetësh, tregoi se si Komiteti i Shërbimit mbikëqyr aktivitetin e popullit të Jehovait në predikim dhe në kongregacione. Uilliam Malenfonti theksoi punën e madhe që bën Komiteti i Mësimit për të përgatitur programin e një kongresi. Në fund, Xhon Uisçëku përshkroi se si Komiteti i Shkrimit mbikëqyr përgatitjen dhe përpunimin e kujdesshëm të materialit për botimet tona.Shkrimi i vitit për 2010-n përqendrohet te dashuria
Tri fjalimet vijuese i mbajtën anëtarë të Trupit Udhëheqës. Gerrit Lëshi filloi me pyetjen: «A doni që t’ju duan të tjerët?» Ai shpjegoi se dashuria është një nevojë thelbësore për njeriun dhe të gjithë ndihemi të lumtur kur na duan. Ia detyrojmë ekzistencën tonë dashurisë, sepse Jehovai na krijoi ngaqë ka dashuri altruiste. Motivi kryesor pse predikojmë dhe i mësojmë të tjerët është dashuria për Jehovain.
Dashurinë e bazuar në parime e shfaqim jo vetëm ndaj të afërmit, por edhe ndaj armiqve. (Mat. 5:43-45) Auditori u nxit të meditonte se çfarë hoqi Jezui për ne: atë e rrahën, e tallën, e pështynë dhe e shpuan. Pavarësisht nga kjo, ai u lut për ushtarët që e vunë në shtyllë. A nuk na bën kjo ta duam edhe më shumë? Pastaj vëlla Lëshi njoftoi shkrimin e vitit për 2010-n që është nga 1 Korintasve 13:7, 8: ‘Dashuria i qëndron çdo gjëje. Dashuria nuk shuhet kurrë.’ Kemi perspektivën që jo vetëm të jetojmë përgjithmonë, por edhe të duam e të na duan përgjithmonë.
A po ecën me serbatorin thuajse bosh?
Samuel Hërdi e filloi fjalimin e tij me një ilustrim. Ta zëmë se një mik të merr në një udhëtim prej 50 kilometrash. Kur ulesh në vendin e pasagjerit, sheh se treguesi i nivelit të karburantit është pranë zeros. I thua mikut tënd se po mbaron karburanti. Ai thotë të mos shqetësohesh, sepse ka ende nja dy litra në serbator. Por, shumë shpejt karburanti mbaron. A ia vlen të ecësh me serbatorin thuajse bosh, duke e ditur se mund të ngelësh në rrugë? A nuk do të ishte më mirë ta mbaje plot serbatorin? Në kuptimin e figurshëm, ne kemi nevojë ta mbajmë plot serbatorin me njohuri për Jehovain.
Për këtë arsye duhet ta mbushim serbatorin me karburant dhe ta bëjmë këtë rregullisht. Ka katër mënyra për ta bërë këtë. Së pari, me anë të studimit personal. Të familjarizohemi Psalmi 143:5 thotë: «Kujtoj kohët e largëta, meditoj për gjithçka që ke bërë.»
me Biblën nëpërmjet leximit të përditshëm të saj. Në vend që vetëm të lexojmë, duhet edhe të kuptojmë gjërat që lexojmë. Së dyti, të shfrytëzojmë mirë mbrëmjen e Adhurimit Familjar. A ndalemi çdo javë për ta mbushur serbatorin apo hedhim vetëm pak karburant? Së treti, të ndjekim mbledhjet e kongregacionit. Së katërti, të meditojmë në qetësi për udhët e Jehovait.«Të drejtët do të shkëlqejnë»
Xhon Barri mbajti fjalimin e tretë dhe të fundit, i cili shpjegonte ilustrimin e Jezuit për grurin dhe egjrat. (Mat. 13:24-30, 38, 43) Ky ilustrim flet për ‘një korrje’ gjatë së cilës mblidhen «bijtë e mbretërisë», kurse egjrat veçohen për t’u djegur.
Vëlla Barri sqaroi se mbledhja e përmendur në ilustrim, nuk do të vazhdonte pambarimisht. Ai iu referua Mateut 24:34, që thotë: «Ky brez nuk do të kalojë kurrsesi, gjersa të ndodhin të gjitha këto gjëra.» Dy herë ai lexoi këtë koment në lidhje me fjalët e Jezuit: «Kuptojmë se një pjesë e jetës së të mirosurve që ishin të pranishëm kur shenja filloi të bëhej e dukshme në vitin 1914, do të përkonte me një pjesë të jetës së të mirosurve që do të shihnin fillimin e shtrëngimit të madh.» Nuk e dimë me saktësi kohëzgjatjen e ‘këtij brezi’, por ai përfshin këto dy grupe të mirosurish, një pjesë e jetës së të cilëve përkon gjatë një periudhe kohe. Edhe pse të mirosurit kanë mosha të ndryshme, ata në të dyja grupet që përbëjnë brezin, janë bashkëkohës gjatë një pjese të ditëve të fundit. Sa ngushëlluese është të dimë se të mirosurit më të rinj që janë bashkëkohës me të mirosurit që dalluan shenjën kur u bë e dukshme nga viti 1914 e më tej, nuk do të vdesin të gjithë para se të nisë shtrëngimi i madh!
«Bijtë e mbretërisë» presin me padurim shpërblimin e tyre qiellor, por të gjithë ne duhet të qëndrojmë besnikë, duke shkëlqyer si dielli deri në fund. Ç’privilegj kemi të shohim mbledhjen e ‘grurit’ në kohën tonë!
Pas këngës mbyllëse, lutjen e fundit e bëri Teodor Xharazi, anëtar i Trupit Udhëheqës. Sa program ndërtues kishte mbledhja vjetore!
[Shënimi]
^ par. 10 Për një përshkrim të punës së gjashtë komiteteve të Trupit Udhëheqës, shih Kullën e Rojës të 15 majit 2008, faqja 29.
[Kutia në faqen 5]
SHKOLLA PËR PLEQTË
Në mbledhjen vjetore, Entoni Morisi, anëtar i Trupit Udhëheqës, njoftoi se do të ketë një program në vazhdimësi për stërvitjen e pleqve të kongregacioneve. Në fillim të vitit 2008, filloi një shkollë për pleqtë në Shtetet e Bashkuara në qendrën e arsimimit në Paterson, Nju-Jork. Sapo përfundoi klasa e 72-të, dhe deri tani janë stërvitur 6.720 pleq. Mbetet ende shumë për të bërë. Vetëm në Shtetet e Bashkuara, ka më tepër se 86.000 pleq. Prandaj, Trupi Udhëheqës miratoi që kjo shkollë të mbahet edhe në Bruklin, Nju-Jork, duke filluar nga data 7 dhjetor 2009.
Për dy muaj, katër mbikëqyrës udhëtues do të stërviteshin si instruktorë në Paterson. Pastaj, këta do të transferoheshin në Bruklin për të drejtuar shkollën, dhe gjithashtu do të stërviteshin edhe katër të tjerë. Më pas do të drejtonin shkollën në Bruklin, kurse katër të parët do të drejtonin shkollën në Sallat e Asambleve dhe në Sallat e Mbretërisë. Kjo do të përsëritej derisa të kishte 12 instruktorë që do të drejtonin gjashtë shkolla çdo javë në anglisht në Shtetet e Bashkuara. Më pas do të stërviteshin katër instruktorë për të drejtuar shkollën në spanjisht. Kjo shkollë nuk do të zëvendësojë Shkollën e Shërbimit të Mbretërisë që është zhvilluar deri tani, por qëllimi i saj është të rritë gjendjen frymore të pleqve. Degët në mbarë botën do të mbajnë shkolla në Sallat e Asambleve dhe në Sallat e Mbretërisë gjatë vitit të shërbimit 2011.
[Figurat në faqen 4]
Mbledhja vjetore u hap duke kënduar këngë nga libri ynë i ri i këngëve «Këndojini Jehovait»