Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të folurit e hijshëm nxit marrëdhënie të mira

Të folurit e hijshëm nxit marrëdhënie të mira

Të folurit e hijshëm nxit marrëdhënie të mira

«Fjala juaj të jetë gjithnjë me hir.»—KOLOS. 4:6.

1, 2. Ç’rezultat erdhi nga të folurit e hijshëm të një vëllai?

«KUR po predikoja shtëpi më shtëpi, takova një burrë që u zemërua aq shumë, sa i dridheshin buzët, si edhe i gjithë trupi,—thotë një vëlla.—Me qetësi, u përpoqa të arsyetoja me të nga Shkrimet, por atij vetëm sa iu ndez më shumë zemërimi. Edhe gruaja e fëmijët e tij filluan të ngrinin zërin, prandaj kuptova se ishte momenti që të largohesha. E sigurova atë familje se kisha shkuar paqësisht dhe doja të ikja paqësisht. U tregova Galatasve 5:22 dhe 23 ku përmenden dashuria, butësia, vetëkontrolli dhe paqja. Pastaj u largova.»

2 «Më vonë, ndërsa vizitoja shtëpitë përgjatë rrugës, pashë atë familje që ishte ulur te shkallët në hyrje të shtëpisë. Më thirrën të shkoja tek ata. ‘Po tani, ç’duan?’—mendova. Burri kishte një brokë me ujë të ftohtë dhe më dha për të pirë. Kërkoi falje që ishte treguar i pasjellshëm dhe më lavdëroi për besimin e fortë. U ndamë në mënyrë miqësore.»

3. Pse nuk duhet të lejojmë të na zemërojnë të tjerët?

3 Në botën e sotme plot presione shpesh është e pashmangshme të mos takojmë njerëz të zemëruar, madje edhe në shërbim. Në këto raste është thelbësore që të shfaqim ‘frymë butësie dhe respekt të thellë’. (1 Pjet. 3:15) Nëse vëllai i përmendur më sipër do të kishte lejuar të acarohej nga zemërimi dhe mungesa e dashamirësisë së atij burri, qëndrimi i këtij të fundit ndoshta nuk do të ishte zbutur. Madje ky mund të ishte zemëruar edhe më shumë. Ngaqë vëllai e kontrolloi veten dhe foli me hir, gjërat shkuan mirë.

Çfarë e bën të folurit të hijshëm?

4. Pse është e rëndësishme që fjalët tona të jenë me hir?

4 Qoftë kur kemi të bëjmë me njerëz brenda ose jashtë kongregacionit, qoftë edhe me familjarët tanë, është jetësore të ndjekim këshillën e apostullit Pavël: «Fjala juaj të jetë gjithnjë me hir dhe e ndrequr me kripë.» (Kolos. 4:6) Një të folur i tillë i këndshëm dhe me vend, është thelbësor për komunikimin e mirë dhe paqen.

5. Çfarë nuk nënkupton komunikimi i mirë? Ilustrojeni.

5 Komunikimi i mirë nuk nënkupton të thuash menjëherë gjithçka që mendon dhe ndien, sidomos nëse je i mërzitur. Shkrimet tregojnë se shprehja e pakontrolluar e zemërimit është shenjë dobësie e jo force. (Lexo Proverbat 25:28; 29:11.) Moisiu, i cili ishte «më zemërbuti» ndër të gjithë njerëzit e asaj kohe, një herë lejoi që për shkak të rebelimit të kombit të Izraelit të humbte vetëkontrollin dhe të mos i jepte lavdi Perëndisë. Moisiu komunikoi ose shprehu fare qartë se si ndihej, por kjo nuk i pëlqeu Jehovait. Megjithëse i kishte udhëhequr izraelitët për 40 vjet, Moisiu nuk pati privilegjin t’i çonte në Tokën e Premtuar.—Num. 12:3; 20:10, 12; Psal. 106:32.

6. Çfarë do të thotë të jemi të matur kur flasim?

6 Shkrimet e lavdërojnë dikë që e frenon veten dhe tregon maturi ose gjykim të mirë kur flet. «Në fjalët e shumta nuk mungon shkelja, por kush u vë fre buzëve, vepron me maturi.» (Prov. 10:19; 17:27) Sidoqoftë, të tregosh maturi nuk do të thotë të mos shprehesh kurrë. Do të thotë të flasësh «me hir», duke e përdorur gjuhën për të shëruar e jo për të lënduar.—Lexo Proverbat 12:18; 18:21.

«Një kohë për të heshtur dhe një kohë për të folur»

7. Ç’lloj gjërash nuk duhet të shprehim dhe pse?

7 Ashtu si duhet të tregojmë hir dhe vetëkontroll kur flasim me kolegët e punës ose me të panjohur në shërbim, po kështu duhet të sillemi edhe në kongregacion e në shtëpi. Po të shfrejmë zemërimin pa u shqetësuar për pasojat, kjo mund të dëmtojë seriozisht shëndetin frymor, emocional dhe fizik qoftë tonin, qoftë të të tjerëve. (Prov. 18:6, 7) Ndjenjat e këqija, të cilat janë shfaqje të natyrës sonë të papërsosur, duhen mbajtur nën kontroll. Sharjet, talljet, qëndrimi përbuzës dhe zemërimi plot urrejtje, janë të gabuara. (Kolos. 3:8; Jak. 1:20) Ato mund të prishin marrëdhëniet e çmuara me të tjerët dhe me Jehovain. Jezui na mësoi: «Kushdo që vazhdon të jetë i zemëruar me vëllanë e vet, do të japë llogari para gjyqit. Kushdo që i drejtohet vëllait të vet me një fyerje të rëndë do të japë llogari para Gjykatës së Lartë, dhe kushdo që thotë: ‘Njeri i poshtër!’ rrezikon të dënohet në Gehenën e zjarrtë.»—Mat. 5:22.

8. Kur duhet t’i shprehim ndjenjat dhe në ç’mënyrë?

8 Por, ka disa çështje për të cilat mund të mendojmë se është më mirë të komunikojmë. Nëse diçka që ka thënë ose ka bërë një vëlla të trazon kaq shumë sa nuk mund ta kalosh, mos lejo të të infektojë zemrën ndjenja e urrejtjes. (Prov. 19:11) Në rast se dikush të zemëron, mbaji nën kontroll ndjenjat dhe pastaj bëj hapat e nevojshëm për ta zgjidhur çështjen. Pavli shkroi: «Perëndimi i diellit të mos ju gjejë të acaruar.» Meqë problemi vazhdon të të shqetësojë, përballoje me dashamirësi në kohën e përshtatshme. (Lexo Efesianëve 4:26, 27, 31, 32.) Fol hapur me vëllanë për problemin, por me hir dhe me synimin për të rivendosur një marrëdhënie të mirë.—Lev. 19:17; Mat. 18:15.

9. Pse duhet t’i mbajmë nën kontroll ndjenjat para se të flasim me të tjerët?

9 Natyrisht, duhet të kesh kujdes që të zgjedhësh kohën e duhur. Ka «një kohë për të heshtur dhe një kohë për të folur». (Ekl. 3:1, 7) Për më tepër, «zemra e të drejtit mediton para se të përgjigjet». (Prov. 15:28) Kjo mund të përfshijë fare mirë që të presësh para se të flasësh për problemin. Po të flasësh kur tjetri është ende shumë i mërzitur, mund t’i keqësosh gjërat, megjithatë edhe të presësh për një kohë të gjatë nuk është mirë.

Veprat e hijshme nxitin marrëdhënie të mira

10. Në ç’mënyrë veprat e hijshme mund të na i përmirësojnë marrëdhëniet me të tjerët?

10 Të folurit me hir dhe komunikimi i mirë ndihmojnë për të vendosur dhe për të ruajtur marrëdhënie paqësore. Në fakt, po të bëjmë çmos për të përmirësuar marrëdhëniet me të tjerët, mund të përmirësojmë komunikimin me ta. Nëse sinqerisht marrim iniciativën që të bëjmë vepra mirëdashëse për të tjerët, si për shembull, të gjejmë raste për t’i ndihmuar, t’u japim një dhuratë me gjithë zemër, t’u tregojmë mikpritje, mund t’i kontribuojmë një komunikimi të hapur me ta. Kështu madje mund ‘të grumbullojmë thëngjij të ndezur’ mbi ta e të nxjerrim prej tyre cilësitë e mira që kanë, duke e bërë më të lehtë zgjidhjen e problemeve.—Rom. 12:20, 21.

11. Si mori iniciativën Jakobi që të rivendoste një marrëdhënie të mirë me Esaun dhe me çfarë rezultati?

11 Patriarku Jakob e kuptonte këtë. Vëllai i tij binjak, Esau, u zemërua aq keq me të, saqë Jakobi iku nga frika se mos e vriste. Pas shumë vjetësh, Jakobi u kthye. Esau doli për ta takuar bashkë me 400 burra. Jakobi iu lut Jehovait për ndihmë. Pas kësaj i dërgoi përpara si dhuratë Esaut shumë bagëti. Dhurata ia arriti qëllimit. Kur u takuan, zemra e Esaut ishte zbutur dhe ai vrapoi për të përqafuar Jakobin.—Zan. 27:41-44; 32:6, 11, 13-15; 33:4, 10.

T’i inkurajojmë të tjerët me të folurit e hijshëm

12. Pse duhet të përdorim fjalë me hir me vëllezërit?

12 Të krishterët i shërbejnë Perëndisë, jo njerëzve. Megjithatë, është e natyrshme të dëshirojmë miratimin e të tjerëve. Fjalët tona me hir mund t’ua lehtësojnë barrën vëllezërve dhe motrave. Por, kritikat e ashpra mund të bëjnë që barra t’u duket më e rëndë, e madje disa mund të mendojnë se ndoshta nuk e kanë më miratimin e Jehovait. Prandaj, le t’u themi sinqerisht të tjerëve gjëra nxitëse, «vetëm fjalë të mira, që të ndërtojnë sipas nevojës, që t’u japin diçka të dobishme atyre që i dëgjojnë».—Efes. 4:29.

13. Çfarë duhet të mbajnë parasysh pleqtë (a) kur japin këshilla? (b) kur komunikojnë me shkrim me të tjerët?

13 Pleqtë në veçanti duhet të sillen «ëmbëlsisht» e ta trajtojnë kopenë me butësi. (1 Sel. 2:7, 8) Kur kërkohet që pleqtë të japin këshilla, synimi është ta bëjnë këtë «me butësi», madje edhe kur flasin me ata që «nuk janë të prirur në mënyrë të favorshme». (2 Tim. 2:24, 25) Gjithashtu, pleqtë duhet të shprehen me hir kur është e nevojshme të komunikojnë me shkrim me një tjetër trup pleqsh ose me zyrën e degës. Ata duhet të tregojnë dashamirësi e takt në përputhje me atë që lexojmë te Mateu 7:12.

Të përdorim fjalë me hir në familje

14. Ç’këshillë u jep Pavli burrave dhe pse?

14 Është e lehtë të nënvlerësojmë ndikimin që kanë te të tjerët fjalët, shprehjet e fytyrës dhe gjestet tona. Për shembull, disa burra ndoshta nuk janë plotësisht të vetëdijshëm se sa thellë ndikojnë fjalët e tyre te gratë. Një motër tha: «Kam frikë kur burri ngre zërin i zemëruar.» Fjalët e ashpra mund të kenë ndikim më të madh te një grua sesa te një burrë dhe mund t’i ngelen në mendje për një kohë të gjatë. (Luka 2:19) Kjo është e vërtetë sidomos për fjalët e një burri që gruaja e do dhe dëshiron ta respektojë. Pavli i këshilloi burrat: «Vazhdoni t’i doni gratë tuaja e mos jini të zemëruar hidhtas me to.»—Kolos. 3:19.

15. Ilustroni pse një burrë duhet ta trajtojë gruan ëmbëlsisht.

15 Në lidhje me këtë, një vëlla i martuar e me përvojë ilustroi pse burri duhet ta trajtojë gruan me ëmbëlsi, si «një enë më të dobët». Ai tha: «Kur mban diçka të çmuar dhe delikate, nuk duhet ta shtrëngosh tepër, përndryshe mund të thyhet. Edhe nëse riparohet, krisja mund të duket. Nëse një burrë përdor fjalë tepër të ashpra ndaj gruas, mund ta lëndojë. Kjo mund të lërë në marrëdhënien e tyre një krisje që ngelet për shumë kohë.»—Lexo 1 Pjetrit 3:7.

16. Si mund ta ndërtojë familjen e vet një grua?

16 Edhe burrat mund të inkurajohen ose të shkurajohen nga fjalët e të tjerëve, përfshirë fjalët e gruas. «Një grua e matur», tek e cila burri ‘ka vërtet besim’, merr parasysh ndjenjat e tij, ashtu siç do që të bëjë edhe burri ndaj saj. (Prov. 19:14; 31:11) Faktikisht, gruaja mund të ketë një ndikim shumë të madh brenda familjes, për mirë ose për keq. «Gruaja që është vërtet e mençur, e ndërton shtëpinë e saj, kurse e marra e shemb me duart e veta.»—Prov. 14:1.

17. (a) Si duhet t’u flasin fëmijët prindërve? (b) Si duhet t’u flasin prindërit e pleqtë fëmijëve dhe pse?

17 Po kështu, prindërit dhe fëmijët duhet t’i flasin me hir njëri-tjetrit. (Mat. 15:4) Po të mendohemi mirë kur flasim me fëmijët, ‘nuk do t’i pezmatojmë’ ose ‘nuk do t’i provokojmë për zemërim’. (Kolos. 3:21; Efes. 6:4, Diodati i Ri) Edhe nëse fëmijët duhen disiplinuar, prindërit dhe pleqtë duhet t’u flasin me respekt. Në këtë mënyrë, ata do t’ua bëjnë më të lehtë të rinjve të ndryshojnë sjellje dhe të ruajnë marrëdhënien me Perëndinë. Kjo është shumë më mirë se t’u japim përshtypjen se nuk mund të bëhet asgjë për t’i ndihmuar, pasi edhe ata mund të mendojnë po kështu për veten. Fëmijët mund të mos i kujtojnë të gjitha këshillat që kanë marrë, por do të kujtojnë mënyrën se si u kanë folur të tjerët.

Të themi gjëra të mira nga zemra

18. Si mund t’i heqësh mendimet negative dhe ndjenjat e lënduara?

18 Të kontrollojmë zemërimin nuk do të thotë thjesht të kemi një pamje të qetë. Synimi ynë nuk duhet të jetë vetëm që të fshehim acarimin që provojmë. Po të përpiqemi të dukemi të qetë nga jashtë, ndërsa përbrenda ziejmë nga zemërimi, do të stresohemi. Është sikur të vëmë kapakun mbi tenxhere ndërsa uji zien. Kjo shkakton presion dhe si pasojë uji do të derdhet. Prandaj, mos e mbaj brenda zemërimin dhe pastaj ta lësh të shpërthejë më vonë. Lutju Jehovait që të të ndihmojë të heqësh nga zemra ndjenjat e lënduara. Lejo që fryma e Jehovait të të shndërrojë mendjen dhe zemrën që të përputhen me vullnetin e tij.—Lexo Romakëve 12:2; Efesianëve 4:23, 24.

19. Cilat veprime mund të na ndihmojnë të shmangim debatet plot zemërim?

19 Bëj hapa praktikë. Nëse gjendesh në një situatë të nderë dhe ndien që po të ndizet zemërimi, mund të largohesh për pak e kështu t’u lësh kohë ndjenjave të qetësohen. (Prov. 17:14) Në qoftë se ai me të cilin po flet fillon të zemërohet, bëj edhe më shumë përpjekje të flasësh me hir. Kujto: «Përgjigjja e butë e largon tërbimin, por një fjalë që shkakton dhembje, ngjall zemërim.» (Prov. 15:1) Një vërejtje therëse ose agresive do t’i hidhte benzinë zjarrit edhe nëse thuhet me zë të ëmbël. (Prov. 26:21) Kështu, kur një situatë të sprovon vetëkontrollin, ‘mos u nxito në të folur e mos u zemëro shpejt’. Lutu për frymën e Jehovait që të të ndihmojë të thuash gjëra të mira e jo të këqija.—Jak. 1:19.

Të falim nga zemra

20, 21. Çfarë mund të na ndihmojë t’i falim të tjerët dhe pse duhet ta bëjmë këtë?

20 Mjerisht, askush nga ne nuk e kontrollon në mënyrë të përsosur gjuhën. (Jak. 3:2) Pavarësisht nga përpjekjet më të mira, madje edhe pjesëtarët e familjes, si dhe vëllezërit e motrat tanë të dashur, ndonjëherë mund të nxjerrin fjalë që na i lëndojnë ndjenjat. Në vend që të fyhemi shpejt, me qetësi të analizojmë pse mund t’i kenë thënë ato fjalë. (Lexo Eklisiastiun 7:8, 9.) Mos vallë ishin nën presion, kishin frikë, nuk ndiheshin mirë ose po luftonin me ndonjë problem që nuk e dinim?

21 Faktorë të tillë nuk i justifikojnë shpërthimet e zemërimit. Por duke i ditur, mund të kuptojmë pse nganjëherë njerëzit thonë ose bëjnë gjëra që nuk duhet të bëjnë dhe mund të nxitemi t’i falim. Të gjithë kemi thënë dhe kemi bërë gjëra që i kanë lënduar të tjerët dhe shpresojmë që ata të na falin dashamirësisht. (Ekl. 7:21, 22) Jezui tha se që të na falë Perëndia, duhet t’i falim të tjerët. (Mat. 6:14, 15; 18:21, 22, 35) Prandaj, duhet të jemi të shpejtë për të kërkuar falje dhe të shpejtë për t’i falur të tjerët, duke ruajtur kështu dashurinë—‘lidhjen e përsosur të bashkimit’—brenda familjes dhe kongregacionit.—Kolos. 3:14.

22. Pse ia vlen të përpiqemi që të përdorim një të folur të hijshëm?

22 Teksa ky sistem i zemëruar i afrohet fundit, ka shumë të ngjarë që të bëhet gjithnjë e më e vështirë të ruajmë gëzimin dhe unitetin. Zbatimi i parimeve praktike nga Fjala e Perëndisë do të na ndihmojë ta përdorim gjuhën për mirë e jo për keq. Do të kemi marrëdhënie më paqësore brenda kongregacionit e familjes dhe shembulli ynë do të shërbejë si dëshmi e shkëlqyer para të tjerëve për ‘Perëndinë tonë të lumtur’, Jehovain.—1 Tim. 1:11.

A mund të shpjegoni?

• Pse është e rëndësishme të zgjedhim kohën e përshtatshme për të diskutuar rreth problemeve?

• Pse pjesëtarët e familjes duhet t’i flasin gjithmonë «me hir» njëri-tjetrit?

• Si mund t’i shmangim fjalët që lëndojnë?

• Çfarë mund të na ndihmojë t’i falim të tjerët?

[Pyetjet]

[Figurat në faqen 21]

Qetësohu e më pas gjej kohën e përshtatshme për të folur

[Figura në faqen 23]

Një burrë duhet t’i flasë gjithnjë me ëmbëlsi gruas