Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të gjejmë freskim në gjërat frymore

Të gjejmë freskim në gjërat frymore

Të gjejmë freskim në gjërat frymore

«Merrni mbi vete zgjedhën time . . . dhe ju do të gjeni freskim për shpirtin.»—MAT. 11:29.

1. Çfarë vendosi Perëndia në malin Sinai dhe pse?

KUR hyri në fuqi besëlidhja e Ligjit në malin Sinai, ajo përfshinte edhe mbajtjen e sabatit çdo javë. Me anë të zëdhënësit të tij, Moisiut, Jehovai i dha këtë urdhër kombit të Izraelit: «Gjashtë ditë do të punosh, por ditën e shtatë do ta ndërpresësh punën, që të pushojnë demi e gomari yt, dhe të çlodhen edhe biri i skllaves sate, edhe i ardhuri.» (Dal. 23:12) Po, ngaqë merrte parasysh ata nën Ligj, me dashuri Jehovai caktoi një ditë pushimi që populli i tij ‘të çlodhej’ ose të freskohej.

2. Si nxirrte dobi Izraeli nga mbajtja e sabatit?

2 A ishte sabati thjesht një ditë për t’u çlodhur? Jo, ai ishte pjesë thelbësore e adhurimit që i bënin izraelitët Jehovait. Mbajtja e sabatit u jepte mundësi kryefamiljarëve që t’i mësonin familjet ‘të qëndronin në udhën e Jehovait për të praktikuar drejtësinë’. (Zan. 18:19) Gjithashtu, u jepte mundësi familjeve dhe miqve të mblidheshin bashkë për të medituar rreth veprave të Jehovait dhe të gëzonin shoqërinë me njëri-tjetrin. (Isa. 58:13, 14) Ç’është më e rëndësishmja, në mënyrë profetike sabati e drejtonte vëmendjen te një kohë kur freskimi i vërtetë do të vinte nëpërmjet Mbretërimit Mijëvjeçar të Krishtit. (Rom. 8:21) Por, ç’mund të thuhet për kohën tonë? Ku dhe si mund të gjejnë freskim të tillë të krishterët e vërtetë që interesohen për udhët e Jehovait?

Të gjejmë freskim me anë të shoqërisë së krishterë

3. Në ç’mënyrë e mbështetnin njëri-tjetrin të krishterët e shekullit të parë dhe me ç’rezultat?

3 Apostulli Pavël e quajti kongregacionin e krishterë «shtylla dhe mbështetja e së vërtetës». (1 Tim. 3:15) Të krishterët e hershëm merrnin shumë ndihmë ngaqë e inkurajonin dhe e ndërtonin njëri-tjetrin në dashuri. (Efes. 4:11, 12, 16) Kur ishte në Efes, Pavlit i bënë një vizitë inkurajuese pjesëtarët e kongregacionit të Korintit. Vini re ndikimin e kësaj vizite: «Unë gëzohem për praninë e Stefanait, Fortunatit dhe Akaikut,—tha Pavli.—Ata kanë freskuar frymën time dhe tuajën.» (1 Kor. 16:17, 18) Po kështu, kur Titi shkoi në Korint që t’u shërbente vëllezërve atje, Pavli i shkroi përsëri kongregacionit për Titin: «Fryma e tij u freskua nga ju të gjithë.» (2 Kor. 7:13) Në mënyrë të ngjashme, edhe sot Dëshmitarët e Jehovait gjejnë freskim të vërtetë nga shoqëritë e krishtere ndërtuese.

4. Si na freskojnë mbledhjet e kongregacionit?

4 Ju e dini nga përvoja se mbledhjet e krishtere janë burim gëzimi të madh. Aty «inkurajojmë njëri-tjetrin, secili me anë të besimit të tjetrit». (Rom. 1:12) Vëllezërit dhe motrat tona nuk janë thjesht të njohur me të cilët kemi një marrëdhënie sipërfaqësore. Ata janë miq të vërtetë, njerëz që i duam dhe i respektojmë. Gjejmë shumë gëzim dhe ngushëllim duke u mbledhur rregullisht me ta në mbledhjet tona.—Fil. 7.

5. Si mund të freskojmë njëri-tjetrin në kongrese dhe asamble?

5 Një tjetër burim freskimi vjen nga kongreset dhe asambletë që mbahen çdo vit. Përveçse na japin ujërat jetëdhënëse nga Fjala e Perëndisë, Bibla, këto mbledhje më të mëdha krijojnë mundësi që ‘të zgjerohemi’ në shoqëritë tona. (2 Kor. 6:12, 13) Por, çfarë duhet të bëjmë nëse jemi të ndrojtur dhe e kemi të vështirë t’i takojmë të tjerët? Një mënyrë për t’u njohur me vëllezërit dhe motrat është të ndihmojmë sa më shumë në kongres. Pasi bëri pjesën e saj për të ndihmuar në një kongres ndërkombëtar, një motër tha: «Nuk njihja shumë atje, përveç familjes dhe ca miqve. Por, kur ndihmova për pastrimin, takova mjaft vëllezër dhe motra. U kënaqa shumë!»

6. Cila është një mënyrë si mund të gjejmë freskim kur jemi me pushime?

6 Izraelitët e kishin zakon të udhëtonin në Jerusalem për tri festat e përvitshme që të adhuronin Perëndinë. (Dal. 34:23) Shpesh kjo do të thoshte të linin arat e tregtinë dhe të udhëtonin për ditë të tëra në këmbë nëpër rrugët me pluhur. Megjithatë, kur shkonin në tempull, gjenin «gëzim të madh» teksa të pranishmit «i thurnin lavde Jehovait». (2 Kron. 30:21) Po kështu, shumë shërbëtorë të Jehovait sot provojnë gëzim të madh kur shkojnë me familjet për vizituar Bethelin, godinat e degës së Dëshmitarëve të Jehovait që ndodhen në zonën e tyre. A mund të përfshini një vizitë të tillë në pushimet e ardhshme që do të bëni si familje?

7. (a) Si mund të jenë të dobishme rastet shoqërore? (b) Si mund të jenë të paharrueshme dhe ndërtuese këto raste?

7 Gjithashtu, mund të jetë inkurajuese të mblidhemi me familjen dhe miqtë për raste shoqërore. Mbreti i mençur Solomon tha: «Për njeriun s’ka asgjë më të mirë se të hajë e të pijë dhe që shpirti i tij të shohë të mira, për shkak të mundit të tij.» (Ekl. 2:24) Rastet shoqërore jo vetëm na e freskojnë shpirtin, por edhe forcojnë lidhjet e dashurisë me të bashkëkrishterët teksa arrijmë t’i njohim më mirë. Që të jenë të paharrueshme dhe ndërtuese, është mirë që në raste të tilla të mos ketë shumë veta dhe të sigurohet mbikëqyrja e duhur, sidomos nëse shërbehet alkool.

Shërbimi sjell freskim

8, 9. (a) Çfarë kontrasti kishte midis mesazhit të Jezuit dhe atij të skribëve e të farisenjve? (b) Si nxjerrim dobi duke i ndarë të vërtetat biblike me të tjerët?

8 Jezui kishte zell për shërbimin dhe i nxiti dishepujt të ishin si ai. Kjo duket në fjalët e tij: «Të korrat janë të mëdha, por punëtorët janë pak. Prandaj lutjuni Zotërisë të të korrave, që të dërgojë punëtorë në të korrat e tij.» (Mat. 9:37, 38) Mesazhi që mësoi Jezui ishte vërtet freskues, ishte «lajm i mirë». (Mat. 4:23; 24:14) Kjo ishte në kontrast të plotë me rregullat e rënda që farisenjtë u vendosnin njerëzve.—Lexo Mateun 23:4, 23, 24.

9 Kur ndajmë mesazhin e Mbretërisë me të tjerët, i freskojmë frymësisht dhe, njëkohësisht, ngulitim në mendjen e në zemrën tonë të vërteta biblike të çmuara. Me të drejtë psalmisti tha: «Lëvdoni Jah, sepse është mirë dhe kënaqësi të këndosh për Perëndinë tonë.» (Psal. 147:1) A mund të gjeni edhe më shumë gëzim duke e lëvduar Jehovain ndërsa u flitni të tjerëve?

10. A varet suksesi ynë nga reagimi pozitiv i njerëzve ndaj mesazhit tonë? Shpjegoni.

10 Është e vërtetë se në disa territore njerëzit janë më të prirur për të dëgjuar lajmin e mirë se në territore të tjera. (Lexo Veprat 18:1, 5-8.) Nëse jetoni në një zonë ku nuk janë shumë ata që e dëgjojnë mesazhin e Mbretërisë, përpiquni të përqendroheni tek e mira që po bëni në shërbim. Mos harroni se përpjekjet tuaja të vazhdueshme për të shpallur emrin e Jehovait, nuk janë të kota. (1 Kor. 15:58) Për më tepër, suksesi ynë në shërbim nuk varet nga reagimi pozitiv i njerëzve ndaj lajmit të mirë. Jemi të sigurt se Jehovai do të bëjë që njerëzve me zemër të drejtë t’u jepet një mundësi për të pranuar lajmin e mirë.—Gjoni 6:44.

Adhurimi Familjar të freskon

11. Ç’përgjegjësi u ka dhënë Jehovai prindërve dhe si mund ta përmbushin?

11 Prindërit që i frikësohen Perëndisë kanë përgjegjësinë t’i mësojnë fëmijët për Jehovain dhe për udhët e tij. (Ligj. 11:18, 19) Nëse je prind, a programon kohë që t’i mësosh fëmijët për Atin tonë të dashur qiellor? Për të të ndihmuar që të përmbushësh këtë përgjegjësi serioze dhe të kujdesesh për nevojat e familjes, Jehovai ka siguruar një bollëk me ushqim të shëndetshëm frymor nëpërmjet librave, revistave dhe regjistrimeve audio e video.

12, 13. (a) Si mund të nxjerrin dobi familjet nga mbrëmja e Adhurimit Familjar? (b) Si mund të sigurohen prindërit që adhurimi i tyre familjar të jetë burim inkurajimi?

12 Përveç kësaj, klasa e skllavit të besueshëm e të matur ka marrë masa që të mbahet mbrëmja e Adhurimit Familjar. Kjo është një mbrëmje e rezervuar çdo javë për studimin familjar. Shumë kanë vërejtur se kjo masë i ka afruar më shumë me njëri-tjetrin në dashuri dhe u ka forcuar marrëdhënien me Jehovain. Por, si mund të sigurohen prindërit që adhurimi familjar të jetë burim freskimi frymor?

13 Mbrëmja e Adhurimit Familjar nuk duhet të jetë një rast i mërzitshëm e tepër serioz. Në fund të fundit, ne adhurojmë ‘Perëndinë e lumtur’ dhe ai do që të jemi të gëzuar në adhurimin e tij. (1 Tim. 1:11; Filip. 4:4) Kjo mbrëmje shtesë për të diskutuar rreth margaritarëve frymorë të Biblës, është një bekim i vërtetë. Prindërit mund të jenë elastikë në metodat e mësimdhënies, duke përdorur imagjinatën dhe krijimtarinë. Për shembull, një familje pranoi që djali i tyre dhjetëvjeçar, Brandoni, të prezantonte para tyre një pjesë me titull: «Pse në Bibël Satanai quhet gjarpër?» Kjo gjë e kishte bezdisur Brandonin, sepse atij i pëlqejnë gjarpërinjtë dhe mërzitej që Satanai quhet gjarpër. Ndonjëherë disa familje bëjnë drama biblike ku çdo pjesëtar luan rolin e një personazhi, duke e lexuar pjesën e vet nga Bibla ose duke interpretuar një ngjarje biblike. Këto metoda mësimdhënieje jo vetëm janë zbavitëse, por edhe mund t’i mbajnë fëmijët të përqendruar, e kështu parimet biblike mund t’u prekin zemrën. *

Shmangni gjërat që mund t’ju rëndojnë

14, 15. (a) Në ç’mënyrë janë shtuar stresi dhe pasiguria në ditët e fundit? (b) Pse mund të kemi më shumë stres se të tjerët?

14 Stresi dhe pasiguria janë shtuar në këto ditë të fundit të këtij sistemi. Papunësia dhe vështirësi të tjera ekonomike ndikojnë te miliona njerëz. Madje edhe ata që kanë një punë, shpesh kanë ndjesinë sikur paratë që fitojnë i futin në një xhep të shpuar, duke mos i sjellë shumë dobi familjes. (Krahaso Hageun 1:4-6.) Politikanët dhe udhëheqës të tjerë duken të pafuqishëm teksa përpiqen të luftojnë terrorizmin dhe vatra të tjera të së keqes. Shumë janë të shkurajuar nga të metat e tyre.—Psal. 38:4.

15 Edhe të krishterët e vërtetë i përjetojnë problemet dhe presionet që ushtron sistemi i Satanait. (1 Gjon. 5:19) Në disa raste, dishepujt e Krishtit mund të kenë më shumë stres ndërsa përpiqen t’i qëndrojnë besnikë Jehovait. Jezui tha: «Nëse më kanë përndjekur mua, do t’ju përndjekin edhe ju.» (Gjoni 15:20) Megjithatë, edhe kur «jemi të përndjekur», ne nuk jemi «të lënë në baltë». (2 Kor. 4:9) Pse themi kështu?

16. Çfarë mund të na ndihmojë të ruajmë gëzimin?

16 Jezui tha: «Ejani tek unë, të gjithë ju që po robtoheni dhe që jeni të ngarkuar, e unë do t’ju freskoj.» (Mat. 11:28) Duke pasur besim të plotë te masa e shpërblesës e Krishtit, si të thuash e lëmë veten në dorën e Jehovait. Në këtë mënyrë marrim ‘fuqi përtej asaj që është normale’. (2 Kor. 4:7) «Ndihmësi», fryma e shenjtë e Perëndisë, na forcon tej mase besimin në mënyrë që jo vetëm të përballojmë sprovat dhe shtrëngimet që hasim, por edhe të qëndrojmë besnikë.—Gjoni 14:26; Jak. 1:2-4.

17, 18. (a) Ndaj cilës frymë duhet të ruhemi? (b) Ç’pasojë mund të vijë duke u përqendruar te kënaqësitë e botës?

17 Të krishterët e vërtetë sot duhet të ruhen që të mos ndikohen në mënyrë të papërshtatshme nga fryma e kësaj bote të çmendur pas kënaqësive. (Lexo Efesianëve 2:2-5.) Përndryshe, mund të biem në grackë nga «dëshirat e mishit, dëshirat e syve dhe kapardisja për t’u dukur me të mirat materiale». (1 Gjon. 2:16) Ose gabimisht mund të mendojmë se dhënia pas dëshirave të mishit do të na sjellë freskim. (Rom. 8:6) Për shembull, disa janë dhënë pas drogës, alkoolit, pornografisë, sporteve ekstreme ose aktiviteteve të ndryshme të paligjshme në përpjekje për të provuar emocione të forta. ‘Intrigat’ e Satanait kanë si qëllim të na mashtrojnë duke na dhënë një ndjesi të rreme freskimi.—Efes. 6:11.

18 Vërtet, s’ka asgjë të keqe të hash, të pish dhe të merresh me zbavitje të shëndetshme, kur këto bëhen me masë. Gjithsesi, nuk lejojmë që këto të bëhen gjërat kryesore në jetë. Duhet të shfaqim medoemos ekuilibër dhe vetëkontroll, veçanërisht duke parë kohët në të cilat jetojmë. Dhënia pas gjërave personale mund të na rëndojë aq sa të bëhemi «joaktivë dhe të pafrytshëm në lidhje me njohurinë e saktë për Zotërinë tonë Jezu Krisht».—2 Pjet. 1:8.

19, 20. Si mund të gjejmë freskim të vërtetë?

19 Kur i përshtatim mendimet tona me normat e Jehovait, kuptojmë se çfarëdo kënaqësie që ofron kjo botë, është e përkohshme. Moisiu e kuptonte këtë e po kështu edhe ne. (Hebr. 11:25) Fakti është se freskimi i vërtetë, pra ai freskim që sjell një ndjesi të thellë e kohëgjatë gëzimi dhe kënaqësie, vjen nga bërja e vullnetit të Atit tonë qiellor.—Mat. 5:6.

20 Vazhdofshim të gjejmë freskim në gjërat frymore! Duke bërë kështu «hedhim poshtë paperëndishmërinë dhe dëshirat e botës . . . ndërsa presim shpresën e lumtur dhe shfaqjen e lavdishme të Perëndisë madhështor e të Shpëtimtarit tonë, Krishtit Jezu». (Titit 2:12, 13) Prandaj, le të jemi të vendosur të qëndrojmë në zgjedhën e Jezuit duke iu nënshtruar autoritetit dhe drejtimit të tij. Kështu do të gjejmë lumturi dhe freskim të vërtetë.

[Shënimi]

^ par. 13 Për informacione të mëtejshme se në ç’mënyrë studimi familjar mund të bëhet interesant dhe informues, shih Kullën e Rojës 15 tetor 2009, faqet 29-31.

Si do të përgjigjeshit?

• Si gjen freskim sot populli i Jehovait?

• Si na freskon shërbimi ne dhe ata të cilëve u flasim?

• Çfarë mund të bëjnë kryefamiljarët për t’u siguruar që adhurimi i tyre familjar të sjellë freskim?

• Cilat gjëra na rëndojnë frymësisht?

[Pyetjet]

[Figurat në faqen 26]

Duke marrë zgjedhën e Jezuit, gjejmë shumë mënyra për t’u freskuar