Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të përballosh tradhtinë e bashkëshortit

Të përballosh tradhtinë e bashkëshortit

Të përballosh tradhtinë e bashkëshortit

MARGARITA dhe i shoqi, Rauli, i kishin shërbyer Jehovait së bashku në kohë të plotë për shumë vite. * Por, pak kohë pas lindjes së fëmijës së parë, Rauli filloi të largohej nga Jehovai. Në fund, ai nisi të bënte një jetë imorale dhe u përjashtua nga kongregacioni i krishterë. «Kur ndodhi e gjithë kjo,—thotë Margarita,—m’u duk sikur do të vdisja. E kisha zemrën copë dhe nuk dija ç’të bëja.»

Jo shumë kohë pasi Xhejni u martua, i shoqi e tradhtoi besimin dhe dashurinë e saj në një mënyrë tjetër. Ai filloi ta keqtrajtonte fizikisht. «Kur më goditi me grusht për herë të parë,—thotë Xhejni,—u shtanga, ndihesha në siklet dhe e poshtëruar. Ai e bëri zakon të më keqtrajtonte dhe çdo herë më kërkonte falje më pas. Mendoja se ishte një detyrim i krishterë për mua ta falja gjithmonë e të harroja. Gjithashtu, mendoja se nuk do të isha besnike po t’ia tregoja problemin tonë ndokujt, madje edhe pleqve të kongregacionit. Keqtrajtimi dhe falja vazhduan për vite. Gjatë gjithë kësaj kohe mendoja se duhej të kishte diçka që mund të bëja që burri të më donte. Kur në fund ai më la mua dhe vajzën tonë, u ndjeva sikur kisha dështuar si njeri, sikur duhej të kisha bërë ose thënë diçka më tepër për ta ruajtur martesën.»

Ashtu si Margarita dhe Xhejni, ndoshta po vuan nga ana emocionale, financiare dhe frymore ngaqë burri të ka tradhtuar. Ose ndoshta e ke zemrën plagë dhe po has vështirësi ngaqë gruaja të ka tradhtuar. Nuk mund të mohohet se, siç kishte parathënë Bibla, po jetojmë në «kohë kritike, të vështira për t’u përballuar». Kjo profeci tregon se gjatë ‘ditëve të fundit’, familja do të ishte nën sulm dhe në shumë raste brenda saj nuk do të kishte fare përzemërsi të natyrshme. Disa do të pohonin më kot se po i shërbenin Perëndisë. (2 Tim. 3:1-5) Të krishterët e vërtetë nuk bëjnë përjashtim nga këto probleme, prandaj, çfarë mund të bësh nëse të ka tradhtuar bashkëshorti ose bashkëshortja?

Shihe veten siç të sheh Jehovai

Në fillim mund të duket e vështirë ta besosh se dikush që ti e do, të të lëndojë kaq keq. Madje mund të fillosh të fajësosh veten për sjelljen mëkatare të personit tjetër.

Por, mos harro se edhe njeriun e përsosur Jezu e tradhtoi dikush që ai i besonte dhe e donte. Jezui i zgjodhi shokët më të ngushtë, apostujt, pasi mendoi mirë dhe u lut shumë për këtë. Të 12 apostujt ishin në atë kohë shërbëtorë të besueshëm të Jehovait. Prandaj, pa dyshim Jezui u pikëllua shumë kur Juda «u bë tradhtar». (Luka 6:12-16) Megjithatë, Jehovai nuk e konsideroi përgjegjës Jezuin për veprimet e Judës.

Sigurisht, asnjë bashkëshort nuk është i përsosur. Të dy do të bëjnë gabime. Një psalmist i frymëzuar shkroi me realizëm: «Po t’i mbaje sytë te fajet, o Jah, o Jehova, kush do të mbetej në këmbë?» (Psal. 130:3) Duke imituar Jehovain, të dy bashkëshortët duhet të jenë të gatshëm të falin papërsosmëritë e njëri-tjetrit.—1 Pjet. 4:8.

Megjithatë, «secili nga ne do t’i japë llogari Perëndisë për veten». (Rom. 14:12) Nëse një bashkëshort e bën zakon të shajë ose të sillet dhunshëm, ai është fajtori që duhet t’i japë llogari Jehovait. Perëndia e dënon dhunën dhe sharjen, prandaj nuk ka kurrë ndonjë arsye të ligjshme për ta trajtuar bashkëshortin me një mungesë kaq të theksuar dashurie dhe respekti. (Psal. 11:5; Efes. 5:33; Kolos. 3:6-8) Në fakt, nëse një i krishterë vazhdimisht dhe pa u penduar ka shpërthime zemërimi dhe nuk ndryshon, ai ose ajo duhet përjashtuar nga kongregacioni i krishterë. (Gal. 5:19-21; 2 Gjon. 9, 10) Një bashkëshort i krishterë nuk duhet të ndihet fajtor nëse u raporton pleqve një sjellje të tillë jo të krishterë. Po, Jehovai ka dhembshuri për viktimat e një keqtrajtimi të tillë.

Kur një bashkëshort i krishterë kryen kurorëshkelje, nuk mëkaton vetëm kundër bashkëshortit të pafajshëm, por edhe kundër Jehovait. (Mat. 19:4-9; Hebr. 13:4) Në qoftë se bashkëshorti i pafajshëm është përpjekur të jetojë sipas parimeve biblike, nuk ka pse të ndihet fajtor për tradhtinë e atij që ka kryer kurorëshkelje.

Kujto që Jehovai e di si ndihesh. Ai e përshkruan veten si burri i kombit të Izraelit dhe Fjala e tij përmban shumë fragmente prekëse që përcjellin pikëllimin që përjetonte për shkak të pabesisë së atij kombi. (Isa. 54:5, 6; Jer. 3:1, 6-10) Ji i sigurt se Jehovai është më se i vetëdijshëm për lotët që derdh nëse bashkëshorti yt të ka tradhtuar në ndonjë mënyrë. (Mal. 2:13, 14) Ai e di se ke nevojë për ngushëllim dhe inkurajim.

Si siguron ngushëllim Jehovai?

Një nga mënyrat si siguron ngushëllim Jehovai është nëpërmjet kongregacionit të krishterë. Xhejni mori një ndihmë të tillë. «Vizita e mbikëqyrësit qarkor rastisi në një kohë kur isha përtokë nga ana emocionale,—kujton Xhejni.—Ai e dinte sa e dëshpëruar isha ngaqë burri im kishte bërë kërkesën e divorcit. Mbikëqyrësi më kushtoi kohë që të më ndihmonte për të arsyetuar rreth shkrimeve si ai i 1 Korintasve 7:15. Vargjet biblike dhe fjalët e tij mirëdashëse më ndihmuan të lehtësohesha nga ndjenjat e fajit dhe më dhanë njëfarë paqeje mendore.» *

Edhe Margarita që përmendëm më parë mësoi se Jehovai siguron ndihmë praktike nëpërmjet kongregacionit të krishterë. «Kur u bë e dukshme se burri im nuk ishte penduar,—thotë Margarita,—mora fëmijët dhe u transferova në një qytet tjetër. Me të mbërritur, munda të gjeja me qira dy dhoma. Të nesërmen, e mbytur nga trishtimi, po hiqja plaçkat nga çantat kur dëgjova një trokitje në derë. Prisja të ishte e zonja e shtëpisë që jetonte në derën përbri. Për habinë time ishte motra që kishte drejtuar studimin biblik me mamanë time dhe e kishte ndihmuar familjen tonë të mësonte të vërtetën. Ajo nuk priste të më shihte mua, pasi kishte ardhur për të studiuar Biblën me të zonjën e shtëpisë. U ndjeva kaq e lehtësuar, saqë nuk munda t’i kontrolloja ndjenjat. I shpjegova situatën time dhe qamë së bashku. Menjëherë i organizoi gjërat që të ndiqnim mbledhjen atë ditë. Kongregacioni na mirëpriti dhe pleqtë morën masa praktike që të më ndihmonin për nevojat frymore të familjes.»

Si mund të ndihmojnë të tjerët?

Vërtet, pjesëtarët e kongregacionit të krishterë mund të ndihmojnë në shumë mënyra. Për shembull, Margarita duhej të gjente një punë. Një familje në kongregacion u ofrua ta ndihmonte duke u kujdesur për fëmijët e saj pas shkolle kur të kishte nevojë.

«Ajo që çmoj vërtet,—thotë Margarita,—është kur vëllezërit dhe motrat ofrohen të më shoqërojnë mua dhe fëmijët në shërbim.» Duke dhënë një ndihmë të tillë praktike, pjesëtarët e kongregacionit ndihmojnë ‘të mbajnë barrët e njëri-tjetrit’ dhe kështu përmbushin «ligjin e Krishtit».—Gal. 6:2.

Ata që po vuajnë për shkak të mëkateve të të tjerëve, e çmojnë vërtet këtë lloj ndihme praktike. Monika, të cilën burri e braktisi duke e lënë me një borxh prej 15.000 dollarësh dhe me katër fëmijë për të rritur, thotë: «Vëllezërit dhe motrat frymore ishin shumë të dashur. Nuk e imagjinoj dot se si do të kisha mbijetuar pa ndihmën e tyre. Mendoj se Jehovai siguroi vëllezërit më të mrekullueshëm të cilët bënë çmos për të ndihmuar fëmijët e mi. Kam pasur kënaqësinë të shoh fëmijët të bëhen të pjekur frymësisht falë kësaj ndihme. Kur kisha nevojë për këshilla, pleqtë më ndihmonin. Kur kisha nevojë të flisja me dikë, ata më dëgjonin.»—Mar. 10:29, 30.

Natyrisht, një mik i dashur e kupton se kur është më mirë që të mos hapë bisedë për përvojën e trishtueshme të një tjetri. (Ekl. 3:7) «Shumicën e kohës,—thotë Margarita,—më pëlqente të flitja me motrat në kongregacionin e ri për veprën e predikimit, studimet biblike, fëmijët, pra, për gjithçka përveçse për problemet e mia. E çmova që ata më ndihmuan ta harroja të shkuarën dhe të nisja një jetë të re.»

Rezistoji nxitjes për t’u hakmarrë

Ndonjëherë, në vend që të ndihesh disi fajtor për mëkatet e bashkëshortit, mund të kesh mllef ngaqë vuan kaq shumë për faj të tij. Nëse lejon të mbushesh me mllef, kjo mund të të minojë vendosmërinë për t’i qëndruar besnik Jehovait. Për shembull, mund të tundohesh të kërkosh mënyra për t’u hakmarrë ndaj bashkëshortit jobesnik.

Nëse kupton që brenda teje ziejnë ndjenja të tilla, mund të mendosh për shembullin e Josiut dhe të Kalebit. Këta burra besnikë vunë jetën në rrezik për të vëzhguar Tokën e Premtuar. Vëzhguesit e tjerë nuk patën besim dhe e nxitën popullin të mos i bindej Jehovait. Madje disa izraelitë donin t’i vritnin me gurë Josiun dhe Kalebin kur këta u përpoqën ta inkurajonin kombin që të qëndronte besnik. (Num. 13:25–14:10) Si pasojë e veprimeve të Izraelit, Josiu dhe Kalebi u detyruan të endeshin në shkretëtirë për 40 vjet, jo për faj të tyre, por për faj të të tjerëve.

Edhe pse ka mundësi që Josiu e Kalebi u ndien të zhgënjyer, nuk lejuan që mëkatet e vëllezërve t’i mbushnin me vrer. Ata u përqendruan që të ruanin ekuilibrin e tyre frymor. Në fund të 40 vjetëve në shkretëtirë, ata bashkë me levitët u shpërblyen: brezi i tyre mori fund, por ata mbijetuan dhe hynë në Tokën e Premtuar.—Num. 14:28-30; Jos. 14:6-12.

Për shkak të veprimeve të bashkëshortit tënd jobesnik mund të vuash për një kohë të gjatë. Martesa mund të marrë fund, por më pas ti mund të vuash nga problemet emocionale dhe financiare. Por, në vend që të të pushtojnë retë e errëta të dëshpërimit, kujto se Jehovai e di më mirë se kushdo tjetër se si të veprojë me ata që me dashje shpërfillin normat e tij, siç e kuptuan edhe izraelitët e pabesë në shkretëtirë.—Hebr. 10:30, 31; 13:4.

Mund ta përballosh këtë problem

Në vend që të rëndohesh nga mendimet negative, mbushe mendjen me mendimet e Jehovait. «Kuptova se dëgjimi i kasetave të Kullës së Rojës dhe të Zgjohuni! më ndihmoi ta përballoja problemin,—thotë Xhejni.—Edhe mbledhjet ishin burim i madh force. Duke marrë pjesë aktivisht në mbledhje, e mbaja mendjen larg halleve. Vepra e predikimit më ndihmoi po njësoj. Duke i ndihmuar të tjerët të ndërtonin besimin te Jehovai, forcoja besimin tim. Gjithashtu, duke u kujdesur për studentët e Biblës e mbaja mendjen te gjërat më të rëndësishme.»

Monika e përmendur më parë thotë: «Duke ndjekur mbledhjet rregullisht dhe duke marrë pjesë në shërbim sa më shpesh që të mundem, kam arritur t’ia dal mbanë. Pjesëtarët e familjes sime janë lidhur më shumë me njëri-tjetrin dhe me kongregacionin. Kjo përvojë e vështirë më ka ndihmuar të dalloj dobësitë e mia. Jam sprovuar, por me ndihmën e Jehovait jam në gjendje ta përballoj problemin.»

Edhe ti mund t’i përballosh sprova të tilla. Pavarësisht dhembjes së shkaktuar nga tradhtia, përpiqu të ndjekësh këshillën e frymëzuar të Pavlit: «Të mos dorëzohemi duke bërë atë që është e shkëlqyer, sepse në stinën e duhur do të korrim, nëse nuk lodhemi.»—Gal. 6:9.

[Shënimet]

^ par. 2 Disa emra janë ndryshuar.

^ par. 13 Për një shqyrtim të hollësishëm të pikëpamjes së Biblës për ndarjen dhe divorcin, shih librin ‘Ruaj veten në dashurinë e Perëndisë’, faqet 125-130, 219-221.

[Figura në faqen 31]

Bashkëshortët e braktisur çmojnë ata që i ndihmojnë në shërbim