Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

‘Të vazhdojmë ta mundim të keqen’ duke kontrolluar zemërimin

‘Të vazhdojmë ta mundim të keqen’ duke kontrolluar zemërimin

‘Të vazhdojmë ta mundim të keqen’ duke kontrolluar zemërimin

‘Mos u hakmerrni për veten, o të dashur, por vazhdoni ta mundni të keqen me të mirën.’—ROM. 12:19, 21.

1, 2. Çfarë shembulli të mirë lanë disa udhëtarë Dëshmitarë?

NJË grup prej 34 Dëshmitarësh të Jehovait po udhëtonte me avion për kushtimin e një zyre dege, kur u doli një problem që i vonoi. Duhej të kishin ndaluar për një orë që avioni të furnizohej me karburant, por kaluan 44 orë peripeci në një aeroport të humbur, pa ushqim, ujë ose shërbime të përshtatshme higjienike. Shumë pasagjerë u zemëruan dhe kërcënuan personelin e aeroportit. Por vëllezërit dhe motrat qëndruan të qetë.

2 Në fund, Dëshmitarët mbërritën në destinacion, në kohë për pjesën e fundit të programit të kushtimit. Ndonëse të lodhur, ndenjën më pas për të gëzuar shoqërinë me vëllezërit vendës. Më vonë morën vesh se shembulli i tyre i durimit nuk kishte kaluar pa u vënë re. Një nga pasagjerët i kishte thënë kompanisë ajrore: «Po të mos ishte për 34 të krishterët, në aeroport do të kishte shpërthyer një trazirë.»

Jetojmë në një botë plot zemërim

3, 4. (a) Si dhe për sa kohë i ka munduar njerëzit zemërimi i dhunshëm? (b) A mund ta kishte kontrolluar zemërimin Kaini? Shpjegoni.

3 Presionet e jetës në këtë sistem të lig mund t’i zemërojnë njerëzit. (Ekl. 7:7) Shpesh, ky zemërim çon në urrejtje e dhunë të mirëfilltë. Bëhen luftëra midis vendeve dhe brenda tyre, ndërsa tensionet familjare shkaktojnë konflikte në shumë shtëpi. Zemërimi dhe dhuna kanë histori të gjatë. I zemëruar nga xhelozia, Kaini, biri i parë i Adamit dhe Evës, vrau të vëllanë më të vogël, Abelin. Kaini e kreu këtë veprim të poshtër ndonëse Jehovai i kishte bërë thirrje që t’i kontrollonte ndjenjat dhe i kishte premtuar se do ta bekonte po të vepronte kështu.—Lexo Zanafillën 4:6-8.

4 Pavarësisht nga papërsosmëria e trashëguar, Kaini kishte mundësi të zgjidhte. Ai mund ta kishte frenuar zemërimin, prandaj mbajti plotësisht përgjegjësi për veprimin e tij të dhunshëm. Po kështu, gjendja jonë mëkatare na e bën më të vështirë të shmangim zemërimin dhe veprimet plot zemërim. Gjithashtu, probleme të tjera serioze na e shtojnë stresin në këto «kohë kritike». (2 Tim. 3:1) Për shembull, vështirësitë ekonomike mund të na vënë nën presion nga ana emocionale. Policia dhe organizatat për ndihmën e familjeve e lidhin rritjen e shpërthimeve të zemërimit dhe të dhunës në familje me krizat në sistemin financiar.

5, 6. Cili qëndrim i botës ndaj zemërimit mund të ndikojë te ne?

5 Për më tepër, shumë nga njerëzit që takojmë, janë «të dashuruar me veten», «fodullë» e madje «të egër». Është shumë e lehtë që karakteristika të këqija si këto të na infektojnë e të na nxitin drejt zemërimit. (2 Tim. 3:2-5) Në të vërtetë, filmat dhe programet televizive shpesh e paraqitin hakmarrjen si një gjë fisnike, kurse dhunën si një zgjidhje të natyrshme e të justifikueshme për problemet. Në përgjithësi, ngjarja paraqitet në atë mënyrë që shikuesit mezi presin momentin kur personazhi negativ «merr atë që meriton», zakonisht një fund të dhunshëm nga heroi kryesor.

6 Një propagandë e tillë nuk nxit ecjen në udhët e Perëndisë, por nxit «frymën e botës» dhe të sundimtarit të saj të zemëruar, Satanait. (1 Kor. 2:12; Efes. 2:2; Zbul. 12:12) Kjo frymë kënaq dëshirat e mishit të papërsosur dhe është në kundërshtim të plotë me frymën e shenjtë të Perëndisë e me frytin e saj. Faktikisht, një mësim thelbësor i krishterimit është që të mos hakmerremi kur na provokojnë. (Lexo Mateun 5:39, 44, 45.) Atëherë, si mund t’i zbatojmë në mënyrë më të plotë mësimet e Jezuit?

Shembuj të mirë e të këqij

7. Çfarë ndodhi kur Simeoni dhe Levi nuk e kontrolluan zemërimin?

7 Bibla ka plot këshilla se si të kontrollojmë zemërimin dhe përmban shembuj realë se çfarë mund të ndodhë kur e kontrollojmë zemërimin ose kur nuk e kontrollojmë. Të shqyrtojmë se çfarë ndodhi kur bijtë e Jakobit, Simeoni dhe Levi, morën hak ndaj Sikemit ngaqë kishte përdhunuar motrën e tyre, Dinën. Ata «ishin lënduar, dhe ishin mjaft të zemëruar». (Zan. 34:7) Më pas, bijtë e tjerë të Jakobit sulmuan qytetin e Sikemit, e plaçkitën dhe morën rob gratë e fëmijët. Ata nuk vepruan kështu vetëm për shkak të Dinës, por ka mundësi edhe për shkak të krenarisë, domethënë për të mos humbur reputacionin. Mendonin se Sikemi i kishte fyer ata dhe babanë e tyre, Jakobin. Por, ç’mendonte Jakobi për sjelljen e tyre?

8. Çfarë thekson tregimi rreth Simeonit dhe Levit për hakmarrjen?

8 Përvoja tragjike e Dinës duhet ta ketë pikëlluar jashtëzakonisht Jakobin, megjithatë, ai e dënoi veprimin hakmarrës të bijve të tij. Simeoni dhe Levi përsëri u orvatën të justifikoheshin duke thënë: «A duhej ta trajtonte kush motrën tonë si një prostitutë?» (Zan. 34:31) Por çështja nuk mbaroi me kaq, sepse Jehovai ishte i pakënaqur. Shumë vite më vonë, Jakobi paratha se, për shkak të veprimeve të dhunshme e tërë zemërim të Simeonit dhe Levit, pasardhësit e tyre do të shpërndaheshin mes fiseve të Izraelit. (Lexo Zanafillën 49:5-7.) Po, ngaqë nuk e kontrolluan zemërimin, humbën miratimin e Perëndisë dhe të babait të tyre.

9. Në cilin rast Davidi për pak sa nuk i lëshoi fre zemërimit?

9 Ishte krejt ndryshe me mbretin David. Ai pati mundësi të shumta për të marrë hak, por nuk e bëri. (1 Sam. 24:3-7) Mirëpo, në një rast, për pak sa nuk i lëshoi fre zemërimit. Një i pasur me emrin Nabal u bërtiti burrave të Davidit dhe i shau, ndonëse ata ia kishin mbrojtur Nabalit kopetë dhe barinjtë. Ndoshta ngaqë u fye sidomos për burrat e tij, Davidi ishte gati të hakmerrej dhunshëm. Kur Davidi dhe burrat ishin udhës për të sulmuar Nabalin dhe ata të shtëpisë së tij, një i ri njoftoi Abigailën, gruan e matur të Nabalit, se çfarë kishte ndodhur dhe e nxiti të bënte diçka. Menjëherë, ajo mori një dhuratë të madhe dhe shkoi të takonte Davidin. Me përulësi kërkoi falje për paturpësinë e Nabalit dhe i bëri thirrje frikës së Davidit për Jehovain. Davidi u qetësua dhe tha: «Bekuar qofsh ti që nuk më le sot të bëhesha me faj gjaku!»—1 Sam. 25:2-35.

Qëndrimi i krishterë

10. Ç’qëndrim duhet të kenë të krishterët ndaj hakmarrjes?

10 Ajo që ndodhi me Simeonin e Levin dhe midis Davidit e Abigailës, tregon pa dyshim se Jehovai është kundër zemërimit e dhunës së pafre dhe se i bekon përpjekjet për të bërë paqe. Apostulli Pavël shkroi: «Nëse është e mundur dhe aq sa varet nga ju, jini paqësorë me të gjithë. Mos u hakmerrni për veten, o të dashur, por lërini vend zemërimit të Perëndisë, sepse është shkruar: ‘Hakmarrja më përket mua, unë do të shpaguaj’,—thotë Jehovai. Por ‘nëse armiku yt është i uritur, jepi të hajë, nëse është i etur, jepi diçka për të pirë, sepse po të bësh kështu, do të grumbullosh thëngjij të ndezur mbi kokën e tij’. Mos e lejo të keqen të të mundë, por vazhdo ta mundësh të keqen me të mirën.»—Rom. 12:18-21. *

11. Si mësoi një motër të kontrollonte zemërimin?

11 Ne mund ta zbatojmë këtë këshillë. Për shembull, një motër u ankua te një plak për drejtoreshën e re në punën e saj. Ajo e përshkroi drejtoreshën si të padrejtë e aspak mirëdashëse. Ishte e zemëruar me të dhe donte ta linte punën. Plaku e këshilloi të mos bënte ndonjë veprim të nxituar. Ai kuptoi se reagimi i zemëruar i motrës ndaj keqtrajtimit të drejtoreshës vetëm sa e kishte rënduar situatën. (Titit 3:1-3) Plaku theksoi se edhe nëse ajo do të gjente një punë tjetër, prapëseprapë duhej të ndryshonte mënyrën si reagonte kur silleshin pa dashamirësi ndaj saj. E këshilloi ta trajtonte drejtoreshën ashtu si do të donte ta trajtonin edhe atë vetë, siç na mësoi Jezui. (Lexo Lukën 6:31.) Motra ra dakord që të bënte një provë. Cili ishte rezultati? Pas ca kohësh, qëndrimi i drejtoreshës u zbut e madje e falënderoi motrën për punën.

12. Pse mosmarrëveshjet mes të krishterëve mund të jenë veçanërisht të dhembshme?

12 Ndoshta nuk habitemi kur probleme të tilla na ndodhin me dikë jashtë kongregacionit të krishterë. E dimë se jeta në sistemin e Satanait shpesh është plot padrejtësi dhe duhet të luftojmë që të mos na zemërojnë ata që bëjnë të këqija. (Psal. 37:1-11; Ekl. 8:12, 13; 12:13, 14) Megjithatë, kur ndodhin probleme me një vëlla ose motër frymore, dhembja mund të jetë shumë më e thellë. Një Dëshmitare kujton: «Pengesa më e madhe kur njoha të vërtetën ishte të pranoja se pjesëtarët e popullit të Jehovait janë të papërsosur.» Ne dolëm nga një botë e ftohtë dhe e pandjeshme dhe shpresonim që të gjithë në kongregacion ta trajtonin njëri-tjetrin me dashamirësi të krishterë. Prandaj, nëse një i bashkëkrishterë, sidomos një me privilegje në kongregacion, bën një veprim të pamend ose jo të krishterë, mund të lëndohemi ose të zemërohemi. Ndoshta themi: «Si mund të ndodhin gjëra të tilla mes popullit të Jehovait?» Në fakt, gjëra të tilla ndodhën edhe mes të krishterëve të mirosur në ditët e apostujve. (Gal. 2:11-14; 5:15; Jak. 3:14, 15) Si duhet të reagojmë në këto raste?

13. Pse dhe si duhet të bashkëpunojmë për të kapërcyer mosmarrëveshjet?

13 «Mësova të lutem për këdo që më lëndon,—tha motra që sapo përmendëm.—Kjo më ndihmon gjithmonë.» Siç e lexuam tashmë, Jezui na mësoi të lutemi për ata që na përndjekin. (Mat. 5:44) Sa më shumë duhet të lutemi për vëllezërit dhe motrat tona frymore! Ashtu si një atë dëshiron që fëmijët ta duan njëri-tjetrin, po kështu Jehovai do që shërbëtorët e tij në tokë të shkojnë mirë me njëri-tjetrin. Mezi presim të jetojmë së bashku në paqe e lumturi përgjithmonë dhe Jehovai po na mëson të veprojmë kështu që tani. Ai do që të bashkëpunojmë ndërsa kryejmë veprën e tij madhështore. Prandaj, le t’i zgjidhim problemet ose thjesht ‘të kapërcejmë’ shkeljen dhe të vazhdojmë përpara së bashku. (Lexo Proverbat 19:11.) Në vend që të largohemi nga vëllezërit kur lindin probleme, duhet ta ndihmojmë njëri-tjetrin që të qëndrojmë mes popullit të Perëndisë, të sigurt nën përqafimin e ‘krahëve të përjetshëm’ të Tij.—Ligj. 33:27.

Kur jemi të ëmbël me të gjithë, vijnë rezultate të mira

14. Si mund t’i luftojmë ndikimet përçarëse të Satanait?

14 Satanai dhe demonët po përpiqen me çdo mënyrë të përçajnë familjet dhe kongregacionet, që të na pengojnë të përhapim lajmin e mirë. Ata orvaten të mbjellin mosmarrëveshje duke e ditur se përçarjet brenda kongregacionit janë shkatërrimtare. (Mat. 12:25) Që të luftojmë ndikimin e tyre të lig, duhet të ndjekim këshillën e Pavlit: «Skllavi i Zotërisë nuk duhet të luftojë, por duhet të jetë i ëmbël me të gjithë.» (2 Tim. 2:24) Të mos harrojmë se nuk kemi një betejë «me gjakun e mishin, por . . . me forcat e liga frymore». Që ta fitojmë këtë betejë, duhet të përdorim armaturën frymore, përfshirë edhe «pajimet e lajmit të mirë të paqes».—Efes. 6:12-18.

15. Si duhet të reagojmë ndaj sulmeve që vijnë nga jashtë kongregacionit?

15 Nga jashtë kongregacionit, armiqtë e Jehovait ndërmarrin sulme të egra ndaj popullit të tij paqësor. Disa prej këtyre armiqve i sulmojnë fizikisht Dëshmitarët e Jehovait. Të tjerë shpifin kundër nesh në media ose në gjykata. Jezui u tha apostujve se do t’u ndodhnin gjëra të tilla. (Mat. 5:11, 12) Si duhet të reagojmë? Kurrë nuk duhet ‘ta kthejmë të keqen me të keqe’ as me fjalë, as me vepra.—Rom. 12:17; lexo 1 Pjetrit 3:16.

16, 17. Çfarë situate sprovuese përballoi një kongregacion?

16 Pavarësisht se çfarë sjell Satanai kundër nesh, ‘duke e mundur të keqen me të mirën’ mund të japim dëshmi të shkëlqyer. Për shembull, një kongregacion në një ishull të Paqësorit, mori me qira një sallë për Përkujtimin. Kur e morën vesh klerikët e kishës vendëse, u thanë anëtarëve të kishës që të mblidheshin në atë sallë për një meshë në kohën kur do të mbahej Përkujtimi. Mirëpo, shefi i policisë i urdhëroi klerikët që t’ua linin sallën Dëshmitarëve për atë kohë. Gjithsesi, kur erdhi ora, salla ishte mbushur me anëtarë të kishës të cilët filluan meshën.

17 Kur policia po përgatitej ta lironte sallën me forcë, drejtuesi i kishës iu afrua njërit prej pleqve tanë dhe e pyeti: «Do të bëni ndonjë gjë të veçantë këtë mbrëmje?» Vëllai i tha për Përkujtimin dhe burri ia ktheu: «Oh, nuk e dija!» Atëherë një polic bërtiti: «Por ta thamë këtë mëngjes!» Drejtuesi i kishës u kthye drejt plakut dhe me një buzëqeshje tinëzare tha: «Çfarë do të bëni? E kemi sallën plot me njerëz. Doni t’i thoni policisë që të na dëbojë?» Ai i kishte manovruar me dhelpëri gjërat që të dukej sikur Dëshmitarët ishin përndjekësit. Si do të përgjigjej vëllai?

18. Si reaguan vëllezërit ndaj provokimit dhe me çfarë rezultati?

18 Dëshmitarët lejuan që të mbahej mesha për gjysmë ore dhe më pas vëllezërit të vazhdonin me Përkujtimin. Mesha zgjati më shumë, por pasi anëtarët e kishës ikën, u bë Përkujtimi. Të nesërmen, qeveria thirri disa zyrtarë që të bënin një hetim për ngjarjen. Pasi shqyrtuan faktet, ata e detyruan kishën të njoftonte se shkaku i problemit ishte drejtuesi i kishës dhe jo Dëshmitarët. Gjithashtu, i falënderuan Dëshmitarët e Jehovait për durimin që kishin treguar për zgjidhjen e kësaj situate të vështirë. Përpjekjet e Dëshmitarëve për të qenë «paqësorë me të gjithë» kishin sjellë fryt.

19. Ç’gjë tjetër mund të nxitë marrëdhënie paqësore?

19 Një çelës tjetër për të mbajtur marrëdhënie paqësore me të tjerët është të folurit e hijshëm. Artikulli vijues do të shqyrtojë se çfarë është të folurit e hijshëm dhe si mund ta kultivojmë e ta përdorim.

[Shënimi]

^ par. 10 Shprehja «thëngjij të ndezur» i referohet një metode të lashtë për shkrirjen e mineraleve duke i nxehur nga sipër e nga poshtë për të nxjerrë metalet. Nëse u tregojmë mirëdashje atyre që nuk janë mirëdashës me ne, mund t’u zbutim qëndrimin dhe të nxjerrim prej tyre cilësitë më të mira.

A mund të shpjegoni?

• Pse janë kaq të zemëruar njerëzit në botë sot?

• Cilët shembuj biblikë tregojnë se çfarë vjen kur e kontrollojmë ose nuk e kontrollojmë zemërimin?

• Si duhet të reagojmë nëse na lëndon një i bashkëkrishterë?

• Si duhet të reagojmë ndaj sulmeve nga jashtë kongregacionit?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 16]

Simeoni dhe Levi u kthyen në shtëpitë e tyre, por vetëm pasi i kishin lëshuar fre zemërimit

[Figurat në faqen 18]

Kur tregojmë dashamirësi, mund t’ua zbutim qëndrimin të tjerëve