Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Çfarë do të zbulojë dita e Jehovait?

Çfarë do të zbulojë dita e Jehovait?

Çfarë do të zbulojë dita e Jehovait?

«Dita e Jehovait do të vijë si një hajdut . . . dhe toka e veprat në të do të zbulohen.»—2 PJET. 3:10.

1, 2. (a) Si do të marrë fund sistemi i sotëm i lig? (b) Cilat pyetje do të shqyrtojmë?

SISTEMI i sotëm i lig bazohet në gënjeshtrën kryesore se njeriu mund ta sundojë me sukses tokën i pavarur nga Jehovai. (Psal. 2:2, 3) A mund të qëndrojë përgjithmonë diçka që bazohet në një gënjeshtër? Absolutisht jo! Megjithatë, nuk duhet të presim që bota e Satanait t’i japë vetë fund vetes. Përkundrazi, atë do ta shkatërrojë Perëndia në kohën e caktuar prej tij dhe sipas mënyrës së tij. Ajo që do të bëjë Perëndia kundër kësaj bote të ligë do të pasqyrojë në mënyrë të përsosur drejtësinë dhe dashurinë e tij.—Psal. 92:7; Prov. 2:21, 22.

2 Apostulli Pjetër shkroi: «Dita e Jehovait do të vijë si një hajdut, në të cilën qiejt do të kalojnë me një zhurmë vërshëllyese, kurse elementët, duke qenë tejet të nxehtë, do të shpërbëhen, dhe toka e veprat në të do të zbulohen.» (2 Pjet. 3:10) Çfarë janë «qiejt» dhe «toka» që përmenden këtu? Çfarë janë «elementët» që do të shpërbëhen? Çfarë donte të thoshte Pjetri me fjalët «toka e veprat në të do të zbulohen»? Njohja e përgjigjeve të këtyre pyetjeve do të na ndihmojë të përgatitemi për ngjarjet që ngjallin frikë, të cilat do të ndodhin në të ardhmen e afërt.

Qiejt dhe toka që do të kalojnë

3. Çfarë janë «qiejt» që përmenden te 2 Pjetrit 3:10 dhe si do të kalojnë ata?

3 Kur përdoret në mënyrë simbolike në Bibël, termi «qiej» shpesh u referohet fuqive sunduese, të cilat janë mbi nënshtetasit e tyre. (Isa. 14:13, 14; Zbul. 21:1, 2) «Qiejt [që] do të kalojnë» përfaqësojnë sundimin njerëzor mbi shoqërinë e paperëndishme. Fakti që ata do të kalojnë me «një zhurmë vërshëllyese» të lartë—ose me «një gjëmim të fuqishëm», sipas një përkthimi tjetër—mund të tregojë asgjësimin e shpejtë të këtyre qiejve.

4. Çfarë është «toka» dhe si do të shkatërrohet ajo?

4 «Toka» përfaqëson botën e njerëzimit që është larguar nga Perëndia. Një botë e tillë ekzistonte në kohën e Noesë dhe, me anë të dekretit hyjnor, mori fund nëpërmjet Përmbytjes. «Me anë të së njëjtës fjalë, qiejt dhe toka që janë tani, janë ruajtur për zjarrin dhe po rezervohen për ditën e gjykimit e të shkatërrimit të njerëzve të paperëndishëm.» (2 Pjet. 3:7) Ndonëse Përmbytja i shkatërroi njëkohësisht njerëzit e paperëndishëm, shkatërrimi që do të vijë, do të ndodhë në faza gjatë ‘shtrëngimit të madh’. (Zbul. 7:14) Në fazën e parë të atij shtrëngimi, Perëndia do t’i nxitë sundimtarët politikë të kësaj bote që të shkatërrojnë ‘Babiloninë e Madhe’, duke treguar kështu përçmimin e tij për këtë prostitutë fetare. (Zbul. 17:5, 16; 18:8) Pastaj, në luftën e Harmagedonit, pra, në fazën përfundimtare të shtrëngimit të madh, vetë Jehovai do të fshijë nga faqja e dheut pjesën e mbetur të botës së Satanait.—Zbul. 16:14, 16; 19:19-21.

«Elementët . . . do të shpërbëhen»

5. Çfarë përfshijnë elementët simbolikë?

5 Çfarë janë «elementët» që «do të shpërbëhen»? Një fjalor biblik i përkufizon «elementët» si «parimet e para» ose «gjërat thelbësore». Fjalori thotë se ky term «përdorej për shkronjat e alfabetit, si elementë të të folurit». Pra, «elementët» që përmendi Pjetri u referohen gjërave thelbësore të cilat bëjnë që bota të ketë karakteristika, qëndrime, mënyra të vepruari dhe synime të paperëndishme. «Elementët» përfshijnë «frymën e botës» e cila «vepron në bijtë e mosbindjes». (1 Kor. 2:12; lexo Efesianëve 2:1-3.) Kjo frymë ose ky ‘ajër’ përshkon botën e Satanait. I nxit njerëzit të mendojnë, të bëjnë plane, të flasin dhe të veprojnë në mënyra që pasqyrojnë mendjen e Satanait, ‘sundimtarit të autoritetit të ajrit’, i cili është krenar dhe rebel.

6. Si shfaqet fryma e botës?

6 Pra, me ose pa dijeninë e tyre, ata që janë infektuar nga fryma e botës, lejojnë që mendja dhe zemra t’u ndikohen nga Satanai e si pasojë pasqyrojnë mënyrën e të menduarit dhe qëndrimin e tij. Si rrjedhim, ata bëjnë çfarë dëshirojnë pa marrë parasysh vullnetin e Perëndisë. Reagojnë ndaj situatave në bazë të krenarisë dhe të egoizmit, shfaqin një qëndrim rebel ndaj autoritetit dhe u japin dorë të lirë ‘dëshirave të mishit dhe dëshirave të syve’.—Lexo 1 Gjonit 2:15-17. *

7. Pse duhet ‘të ruajmë zemrën tonë’?

7 Sa e rëndësishme është, atëherë, që ‘të ruajmë zemrën tonë’ duke treguar mençuri hyjnore në lidhje me zgjedhjen e shoqërive, të gjërave që lexojmë, të zbavitjes dhe të faqeve të Internetit që mund të vizitojmë! (Prov. 4:23) Apostulli Pavël shkroi: «Ruhuni që të mos ju bëjë ndokush prenë e vet nëpërmjet filozofisë dhe mashtrimeve boshe, sipas traditës së njerëzve, sipas gjërave elementare të botës, e jo në përputhje me mësimet e Krishtit.» (Kolos. 2:8) Ky urdhër bëhet edhe më urgjent teksa dita e Jehovait afrohet, pasi nxehtësia e saj e pashoqe do të shkrijë të gjithë «elementët» e sistemit të Satanait, duke treguar kështu se ata nuk mund t’i rezistojnë zjarrit të zemërimit të Perëndisë. Kjo na sjell ndër mend fjalët e Malakisë 4:1: «Po vjen dita që djeg si furrë, dhe të gjithë arrogantët e të gjithë ata që bëjnë të liga kanë për t’u bërë si kashta. Dita që po vjen ka për t’i përpirë.»

«Toka e veprat në të do të zbulohen»

8. Si «do të zbulohen» toka dhe veprat në të?

8 Çfarë kishte ndër mend Pjetri kur shkroi se «toka e veprat në të do të zbulohen»? Fjala «zbulohen» mund të përkthehet edhe «nxirren lakuriq». Pjetri donte të thoshte se gjatë shtrëngimit të madh, Jehovai do ta nxjerrë lakuriq botën e Satanait, duke treguar kështu se ajo është kundër Tij dhe Mbretërisë së Tij e si pasojë meriton shkatërrimin. Duke folur në mënyrë profetike për atë kohë, Isaia 26:21 thotë: «Jehovai po del nga vendi i tij që t’u kërkojë llogari banorëve të vendit për fajin e bërë kundër tij. Dhe toka do ta nxjerrë në shesh gjakun e derdhur dhe nuk do t’i mbulojë më të vrarët.»

9. (a) Çfarë duhet të hedhim poshtë dhe pse? (b) Çfarë duhet të kultivojmë dhe pse?

9 Gjatë ditës së Jehovait, ata që janë modeluar nga bota dhe fryma e saj e ligë do të shfaqin natyrën e tyre të vërtetë, madje duke e vrarë njëri-tjetrin. Në fakt, fare mirë mund të jetë që format e shumta të zbavitjeve të dhunshme që janë mjaft të përhapura sot, po ua modelojnë mendjen shumë njerëzve për kohën kur dora e çdo njeriu «do të ngrihet kundër asaj të shokut të vet». (Zak. 14:13) Sa e rëndësishme është pra që të hedhim poshtë gjithçka—filmat, librat, lojërat elektronike etj.—që mund të prodhojnë te ne karakteristika që Perëndia i urren të tilla, si krenaria dhe dashuria për dhunën! (2 Sam. 22:28; Psal. 11:5) Në vend të kësaj, le të kultivojmë frytin e frymës së shenjtë të Perëndisë, pasi cilësi të tilla do t’i qëndrojnë nxehtësisë simbolike të ditës së Jehovait.—Gal. 5:22, 23.

«Qiej të rinj e një tokë të re»

10, 11. Çfarë janë ‘qiejt e rinj’ dhe ‘toka e re’?

10 Lexo 2 Pjetrit 3:13. ‘Qiejt e rinj’ janë Mbretëria qiellore e Perëndisë e cila u vendos në vitin 1914 kur mbaruan «kohët e caktuara të kombeve». (Luka 21:24) Kjo Mbretëri përbëhet nga Krishti Jezu dhe 144.000 bashkësundimtarët e tij, shumica e të cilëve kanë marrë shpërblimin e tyre qiellor. Në librin e Zbulesës, këta të zgjedhur paraqiten si ‘qyteti i shenjtë, Jerusalemi i Ri, që zbret nga qielli, nga Perëndia, i përgatitur si një nuse e stolisur për burrin e saj’. (Zbul. 21:1, 2, 22-24) Ashtu si Jerusalemi tokësor ishte selia e qeverisë së Izraelit të lashtë, po kështu Jerusalemi i Ri dhe Dhëndri i saj përbëjnë qeverinë e sistemit të ri. Ky qytet qiellor ‘do të zbresë nga qielli’ në kuptimin që do ta drejtojë vëmendjen ndaj tokës.

11 Kjo ‘tokë e re’ i referohet shoqërisë së re tokësore me njerëz që do të kenë treguar nënshtrim me gatishmëri ndaj Mbretërisë së Perëndisë. Parajsa frymore që gëzon populli i Perëndisë që tani, më në fund do të vendoset në mjedisin e saj të duhur në atë tokë të bukur e ‘të banuar që do të vijë’. (Hebr. 2:5) Si mund të bëhemi pjesë e atij sistemi të ri?

Të përgatitemi për ditën e madhe të Jehovait

12. Pse dita e Jehovait do të jetë tronditëse për botën?

12 Edhe Pavli, edhe Pjetri parathanë se dita e Jehovait do të vinte «si një hajdut», pra vjedhurazi, papritur. (Lexo 1 Selanikasve 5:1, 2.) Madje edhe të krishterët e vërtetë që rrinë në pritje të asaj dite, do të çuditen nga ardhja e befasishme e saj. (Mat. 24:44) Por, për botën kjo nuk do të jetë vetëm diçka e befasishme. Pavli shkroi: «Kur [ata që janë të ndarë nga Jehovai] të thonë: ‘Paqe dhe siguri!’, atëherë një shkatërrim i beftë do të bjerë në çast mbi ta, ashtu si dhembjet e lindjes zënë një grua shtatzënë, dhe kurrsesi nuk do të shpëtojnë.»—1 Sel. 5:3.

13. Çfarë mund të bëjmë që të mos na mashtrojë thirrja «paqe dhe siguri!»?

13 Thirrja «paqe dhe siguri!» do të jetë vetëm një gënjeshtër tjetër e frymëzuar nga demonët, por ajo nuk do t’i mashtrojë shërbëtorët e Jehovait. Pavli shkroi: «Ju, vëllezër, nuk jeni në errësirë, që ajo ditë t’ju zërë si hajdutët, sepse ju jeni të gjithë bij të dritës dhe bij të ditës.» (1 Sel. 5:4, 5) Prandaj, le të qëndrojmë në dritë, sa më larg nga errësira e botës së Satanait! Pjetri shkroi: «O të dashur, duke pasur këtë njohuri që më përpara, ruhuni që këta njerëz që sfidojnë ligjin [mësues të rremë brenda kongregacionit të krishterë], të mos ju largojnë nga udha me anë të mashtrimit të tyre dhe të mos humbitni palëkundshmërinë tuaj.»—2 Pjet. 3:17.

14, 15. (a) Si na trajton me dinjitet Jehovai? (b) Për cilat fjalë të frymëzuara duhet të mendojmë seriozisht?

14 Vini re që Jehovai nuk mjaftohet vetëm duke na thënë ‘të ruhemi’ e të mos bëjmë gjë tjetër. Përkundrazi na trajton me dinjitet duke na dhënë me dashamirësi «njohuri që më përpara», pra një shpjegim të përgjithshëm të asaj që do të ndodhë në të ardhmen.

15 Mirëpo, disa janë treguar indiferentë, madje cinikë ndaj përkujtuesve lidhur me nevojën për të qëndruar zgjuar. «Kemi dekada që e dëgjojmë këtë përkujtues»,—mund të thonë ata. Por, këta individë duhet të mbajnë ndër mend se duke thënë kështu, faktikisht po dyshojnë për Jehovain dhe Birin e tij, e jo vetëm për klasën e skllavit të besueshëm. «Rri në pritje»,—tha Jehovai. (Hab. 2:3) Po ashtu, Jezui tha: «Qëndroni vigjilentë, sepse nuk e dini në ç’ditë vjen Zotëria juaj.» (Mat. 24:42) Gjithashtu, Pjetri shkroi: «Ç’lloj personash duhet të jeni në vepra të shenjta sjelljeje dhe në veprime të përkushtimit hyjnor, duke pritur dhe duke e mbajtur gjithnjë në mend praninë e ditës së Jehovait!» (2 Pjet. 3:11, 12) Klasa e skllavit të besueshëm dhe Trupi i saj Udhëheqës kurrë nuk tregohen indiferentë ndaj këtyre fjalëve tejet serioze!

16. Ç’qëndrim duhet të shmangim dhe pse?

16 Në të vërtetë, është ‘skllavi i lig’ që nxjerr përfundimin se Zotëria po vonon. (Mat. 24:48) Ky skllav i lig bën pjesë te grupi i njerëzve që përshkruhet te 2 Pjetrit 3:3, 4. Pjetri shkroi se «në ditët e fundit do të vijnë tallës» që, «sipas dëshirave të veta», do të tallen me ata që tregohen të bindur duke mbajtur gjithnjë në mend ditën e Jehovait. Po, në vend që të përqendrohen tek interesat e Mbretërisë, këta tallës përqendrohen te vetja dhe te dëshirat e tyre egoiste. Të mos zhvillojmë kurrë një qëndrim të tillë të pabindur e të rrezikshëm! Përkundrazi, ‘le ta konsiderojmë durimin e Zotërisë tonë si shpëtim’, duke qenë të angazhuar në veprën e predikimit për Mbretërinë e të bërjes së dishepujve dhe duke mos qenë tepër në ankth për kohën kur do të ndodhin ngjarjet që presim, pasi kjo i përket Perëndisë Jehova.—2 Pjet. 3:15; lexo Veprat 1:6, 7.

Të besojmë te Perëndia i shpëtimit

17. Si reaguan të krishterët ndaj paralajmërimit të Jezuit për të ikur nga Jerusalemi dhe pse?

17 Pasi ushtritë romake pushtuan Judenë në vitin 66 të e.s., të krishterët besnikë vepruan në përputhje me paralajmërimin e Jezuit duke ikur nga qyteti i Jerusalemit që me rastin e parë. (Luka 21:20-23) Pse vepruan menjëherë dhe me vendosmëri? Pa dyshim, ata kishin mbajtur gjithnjë në mendje paralajmërimin e Jezuit. Sigurisht, e dinin se vendimi i tyre do të sillte vështirësi, siç kishte paralajmëruar Jezui. Por, e dinin edhe se Jehovai nuk do t’i braktisë kurrë besnikët e tij.—Psal. 55:22.

18. Si ndikojnë fjalët e Jezuit që gjenden te Luka 21:25-28, në pikëpamjen tënde për shtrëngimin e madh që po vjen?

18 Edhe ne duhet të besojmë plotësisht te Jehovai, sepse vetëm ai do të jetë shpëtimi ynë kur sistemi i sotëm të përjetojë shtrëngimin më të madh në gjithë historinë e njerëzimit. Në njëfarë pike pas fillimit të shtrëngimit të madh, por para se Jehovai të ekzekutojë gjykimin ndaj pjesës së mbetur të botës, njerëzit «do të mpaken nga frika dhe nga pritja e gjërave që do të ndodhin në tokën e banuar». Por, ndërsa armiqtë e Perëndisë do të dridhen nga frika, shërbëtorët besnikë të Jehovait nuk do të tremben aspak. Përkundrazi, do të gëzojnë sepse e dinë që çlirimi i tyre është afër.—Lexo Lukën 21:25-28.

19. Çfarë do të shqyrtohet në artikullin vijues?

19 Çfarë e ardhme drithëruese i pret ata që qëndrojnë të ndarë nga bota dhe nga «elementët» e saj! Megjithatë, siç shpjegon artikulli vijues, nëse duam të fitojmë jetën, nuk mjafton vetëm të shmangim atë që është e keqe. Kemi nevojë të zhvillojmë cilësi që i pëlqejnë Jehovait dhe të kryejmë vepra që janë të pranueshme për të.—2 Pjet. 3:11.

[Shënimi]

^ par. 6 Për një përshkrim më të plotë të karakteristikave që nxit fryma e botës, shih librin Të arsyetojmë nga Shkrimet, faqet 148-152.

A mund të shpjegoni?

• Çfarë përfaqësojnë . . .

‘qiejt dhe toka’ që janë sot?

«elementët»?

‘qiejt e rinj dhe toka e re’?

• Pse kemi besim të plotë te Perëndia?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 5]

Si mund ‘ta ruash zemrën’ dhe të qëndrosh i ndarë nga bota?

[Figura në faqen 6]

Si tregojmë se ‘e konsiderojmë durimin e Zotërisë tonë si shpëtim’?