Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Merr pjesë plotësisht në korrjen e madhe frymore

Merr pjesë plotësisht në korrjen e madhe frymore

Merr pjesë plotësisht në korrjen e madhe frymore

‘Kini shumë për të bërë në veprën e Zotërisë.’—1 KOR. 15:58.

1. Çfarë ftese u bëri Jezui dishepujve?

GJATË udhëtimit të tij përmes rajonit të Samarisë nga fundi i vitit 30 të e.s., Jezui ndaloi të pushonte te një pus afër qytetit të Siharit. Atje u tha dishepujve: «Ngrini sytë dhe shihni fushat. Ato janë të bardha për korrje.» (Gjoni 4:35) Jezui nuk po fliste për një korrje të mirëfilltë, por për mbledhjen frymore të individëve me zemër të drejtë që do të bëheshin dishepuj të tij. Në të vërtetë, ai po i ftonte dishepujt të vepronin. Kishte shumë punë për t’u bërë, por vetëm pak kohë për ta kryer atë.

2, 3. (a) Ç’gjë tregon se po jetojmë në kohën e korrjes? (b) Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?

2 Fjalët e Jezuit për korrjen kanë një domethënie të veçantë në ditët tona. Po jetojmë në një kohë kur ‘fusha’ botërore e njerëzimit, është ‘e bardhë për korrje’. Çdo vit, miliona njerëz marrin ftesën për të mësuar të vërtetat jetëdhënëse dhe mijëra e mijëra dishepuj të rinj pagëzohen. Kemi privilegjin të marrim pjesë në korrjen më të madhe të të gjitha kohëve, nën mbikëqyrjen e Zotërisë së të korrave, Perëndisë Jehova. A ke «shumë për të bërë» në këtë vepër korrjeje?—1 Kor. 15:58.

3 Gjatë shërbimit të tij prej tre vjetësh e gjysmë në tokë, Jezui i përgatiti dishepujt për rolin që do të kishin si punëtorë të korrjes. Në këtë artikull do të shqyrtojmë tri nga shumë mësimet e rëndësishme që Jezui u mësoi dishepujve. Secili mësim thekson një cilësi që ka vlerë të madhe për ne ndërsa përpiqemi fort të bëjmë më të mirën në mbledhjen e dishepujve në kohët e sotme. Le t’i shqyrtojmë këto cilësi një nga një.

Përulësia është thelbësore

4. Si e ilustroi Jezui rëndësinë e përulësisë?

4 Imagjino skenën: dishepujt sapo kanë debatuar se kush është më i madhi. Ndjenjat e mosbesimit dhe të inatit mbase janë akoma të dukshme në fytyrat e tyre. Kështu, Jezui thërret një fëmijë të vogël që të qëndrojë mes tyre. Duke e përqendruar vëmendjen te fëmija i vogël, ai thotë: «Kushdo që përulet [ose «kushdo që bëhet i vogël», Byington] . . . si ky fëmijë i vogël, do të jetë më i madhi në mbretërinë e qiejve.» (Lexo Mateun 18:1-4.) Në vend që të mendonin si bota, e cila e mat një person nga pushteti, pasuria dhe nga pozita që ka, dishepujt kishin nevojë të kuptonin se ata do të ishin të mëdhenj nëse ‘do të bëheshin të vegjël’ në sytë e të tjerëve. Jehovai do t’i bekonte dhe do t’i përdorte vetëm nëse do të tregonin përulësi të vërtetë.

5, 6. Pse duhet të jesh i përulur për të marrë pjesë plotësisht në veprën e korrjes? Ilustroje.

5 Edhe sot e kësaj dite, shumë veta në botë rendin gjithë jetën pas pushtetit, pasurisë dhe pozitës. Si pasojë, kanë pak ose aspak kohë për të mësuar rreth Perëndisë dhe për t’i shërbyer atij. (Mat. 13:22) Krejt ndryshe nga ata, pjesëtarët e popullit të Jehovait janë të lumtur ‘të bëhen të vegjël’ në sytë e të tjerëve, që të marrin bekimin dhe miratimin e Zotërisë së të korrave.—Mat. 6:24; 2 Kor. 11:7; Filip. 3:8.

6 Shqyrtoni shembullin e Fransiskut, i cili shërben si plak në Amerikën e Jugut. Kur ishte i ri, ai e la universitetin për t’u bërë pionier. Ai kujton: «Më vonë, kur isha në prag të martesës, mund të kisha gjetur një punë që do të na sillte më shumë siguri financiare mua dhe gruas sime. Në vend të kësaj, vendosëm ta thjeshtonim jetën dhe të vazhdonim së bashku shërbimin e plotkohor. Më pas u bëmë me fëmijë dhe si pasojë, vështirësitë u shtuan. Por Jehovai na ndihmoi të qëndronim të vendosur për të bërë një jetë të thjeshtë.» Fransisku përfundon duke thënë: «Për më tepër se 30 vjet kam pasur privilegjin të shërbej si plak, përveç shumë caktimeve të tjera të veçanta. Kurrë nuk kemi ndier keqardhje që kemi bërë një jetë të thjeshtë.»

7. Çfarë përpjekjesh ke bërë për të zbatuar këshillën që gjendet te Romakëve 12:16?

7 Nëse i refuzon «gjërat e mëdha» të kësaj bote dhe lejon ‘të të drejtojnë gjërat e thjeshta’, edhe ti mund të presësh shumë bekime e privilegje të tjera në veprën e korrjes.—Rom. 12:16; Mat. 4:19, 20; Luka 18:28-30.

Zelli sjell shpërblime

8, 9. (a) Përmblidh ilustrimin e Jezuit për talentat. (b) Për kë mund të jetë veçanërisht inkurajues ky ilustrim?

8 Një cilësi tjetër që na nevojitet për të marrë pjesë plotësisht në veprën e korrjes është zelli. Jezui e ilustroi këtë në shëmbëlltyrën e talentave. * Ai ilustrim flet për një njeri i cili, para se të ikte në dhé të huaj, ua besoi zotërimet e veta tre skllevërve. Skllavit të parë i dha pesë talenta, të dytit dy talenta dhe të tretit i dha një talentë. Pasi zotëria u nis, dy skllevërit e parë vepruan me zell dhe menjëherë ‘bënë tregti’ me talentat e tyre. Ndryshe nga ata, skllavi i tretë ishte «i plogësht». Ai e groposi talentën e tij në tokë. Kur njeriu u kthye, i shpërbleu dy skllevërit e parë duke i emëruar «mbi shumë gjëra». Ai mori talentën që i kishte dhënë skllavit të tretë dhe e dëboi atë skllav nga shtëpia e tij.—Mat. 25:14-30.

9 Pa dyshim, ti dëshiron nga zemra t’i imitosh skllevërit e zellshëm të shëmbëlltyrës së Jezuit dhe të marrësh pjesë në mënyrë sa më të plotë në veprën e bërjes së dishepujve. Po nëse rrethanat ta kufizojnë në një masë të madhe atë që je në gjendje të bësh? Ndoshta kushtet e vështira ekonomike të detyrojnë të punosh me orar të zgjatur për të mbajtur familjen. Ose ndoshta mund të mos kesh më gjallërinë dhe shëndetin e mirë që kishe në rini. Nëse është kështu, atëherë shëmbëlltyra e talentave përmban një mesazh inkurajues për ty.

10. Si tregoi arsyetueshmëri zotëria në shëmbëlltyrën e talentave dhe pse të duket inkurajuese kjo?

10 Vër re se zotëria në shëmbëlltyrë e dinte që secili nga skllevërit e tij kishte potencial të ndryshëm. Ai e tregoi këtë kur u dha talenta «secilit sipas aftësive të veta». (Mat. 25:15) Ashtu siç pritej, skllavi i parë fitoi shumë më tepër se skllavi i dytë. Sidoqoftë, zotëria ishte i vetëdijshëm për përpjekjet e zellshme të të dy skllevërve, pasi i quajti ata ‘të mirë e të besueshëm’ dhe i shpërbleu njëlloj. (Mat. 25:21, 23) Në mënyrë të ngjashme, Zotëria i të korrave, Perëndia Jehova, e di se rrethanat e tua ndikojnë në atë që je në gjendje të bësh në shërbim të tij. Përpjekjet e tua me gjithë shpirt për t’i shërbyer nuk do të kalojnë pa u vënë re nga Jehovai dhe ai do të të shpërblejë për to.—Mar. 14:3-9; lexo Lukën 21:1-4.

11. Ilustro se si zelli në rrethana të vështira mund të sjellë bekime të pasura.

11 Shembulli i Selmirës, një motre të krishterë që jeton në Brazil, tregon se zelli në shërbim të Perëndisë nuk varet nga rrethanat e favorshme në jetë. Njëzet vjet më parë, burrin e Selmirës e qëlluan për vdekje në një grabitje dhe ajo mbeti me tre fëmijë për të rritur. Selmira duhej të punonte si shërbyese me orar të zgjatur dhe të bënte udhëtime të lodhshme me mjete të stërmbushura të transportit publik. Pavarësisht nga këto vështirësi, ajo i rregulloi gjërat që të shërbente si pioniere e rregullt. Më vonë, edhe dy nga tre fëmijët e saj filluan shërbimin si pionierë. Ajo thotë: «Përgjatë viteve, më shumë se 20 veta kanë studiuar Biblën me mua dhe janë bërë ‘familja’ ime. Deri sot e kësaj dite, gëzoj dashurinë dhe miqësinë e tyre. Është një thesar tejet i çmuar.» Sigurisht, Zotëria i të korrave i ka shpërblyer përpjekjet e zellshme të Selmirës.

12. Si mund të tregojmë zell në veprën e predikimit?

12 Nëse rrethanat e tua të tanishme ta kufizojnë kohën që mund të përdorësh për shërbimin, prapëseprapë mund të përpiqesh të marrësh pjesë më shumë në veprën e korrjes duke e bërë shërbimin më frytdhënës. Kur i zbaton me kujdes sugjerimet praktike që jepen te Mbledhja e Shërbimit çdo javë, do t’i përmirësosh aftësitë e tua të predikimit dhe do të provosh forma të reja të dhënies së dëshmisë. (2 Tim. 2:15) Gjithashtu, nëse është e mundur, mund t’i lësh pa bërë disa gjëra që s’janë thelbësore ose mund t’i bësh në një kohë tjetër, në mënyrë që të mbështetësh rregullisht masat që kongregacioni ka marrë për shërbimin në fushë.—Kolos. 4:5.

13. Cili është çelësi për të kultivuar dhe për të ruajtur zellin?

13 Mbaj ndër mend se zelli vjen nga dashuria dhe mirënjohja që kemi për Perëndinë. (Psal. 40:8) Skllavi i tretë që përmendet në shëmbëlltyrën e Jezuit kishte frikë nga zotëria i tij, dhe e shihte atë si një njeri kërkues e të paarsyeshëm. Si rrjedhim, e groposi talentën, në vend që ta përdorte për të shtuar zotërimet e zotërisë. Që të shmangim një qëndrim të ngjashëm të shkujdesur, duhet të kultivojmë e të mbajmë një marrëdhënie të ngushtë me Zotërinë e të korrave, Jehovain. Lër mënjanë kohë për të studiuar dhe medituar rreth cilësive të tij tërheqëse—dashurisë, durimit dhe mëshirës. Kështu, do të nxitesh nga zemra të bësh më të mirën në shërbim të tij.—Luka 6:45; Filip. 1:9-11.

«Jini të shenjtë»

14. Ç’kërkesë të rëndësishme duhet të përmbushin ata që duan të jenë punëtorë të korrjes?

14 Duke cituar nga Shkrimet Hebraike, apostulli Pjetër tregon vullnetin e qartë të Perëndisë për shërbëtorët e Tij në tokë me këto fjalë: «Në përputhje me të Shenjtin që ju thirri, bëhuni edhe ju të shenjtë në gjithë sjelljen tuaj, sepse është shkruar: ‘Jini të shenjtë, sepse unë jam i shenjtë!’» (1 Pjet. 1:15, 16; Lev. 19:2; Ligj. 18:13) Kjo deklaratë thekson se punëtorët e korrjes duhet të jenë të pastër moralisht dhe frymësisht. Mund ta përmbushim këtë kërkesë të rëndësishme duke ndërmarrë hapa për t’u larë, në kuptimin e figurshëm. Si mund të bëhet kjo? Me ndihmën e fjalës së të vërtetës të Perëndisë.

15. Ç’fuqi ka e vërteta e fjalës së Perëndisë te ne?

15 Fjala e së vërtetës e Perëndisë krahasohet me ujin i cili ka vetinë që pastron. Për shembull, apostulli Pavël shkroi se kongregacioni i të krishterëve të mirosur është i pastër në sytë e Perëndisë, si një nuse e dëlirë për Krishtin. Ai e pastroi kongregacionin «nëpërmjet larjes me ujë me anë të fjalës, . . . që të ishte i shenjtë dhe i patëmetë». (Efes. 5:25-27) Më parë, edhe Jezui kishte folur për fuqinë pastruese të fjalës së Perëndisë që ai shpalli. Jezui u tha dishepujve: «Ju jeni tashmë të pastër, për shkak të fjalës që ju kam thënë.» (Gjoni 15:3) Pra, e vërteta e fjalës së Perëndisë ka fuqinë të pastrojë moralisht dhe frymësisht. Vetëm nëse lejojmë që e vërteta e Perëndisë të na pastrojë në këtë mënyrë, adhurimi ynë do të jetë i pranueshëm për të.

16. Si mund ta mbajmë veten të pastër frymësisht dhe moralisht?

16 Prandaj, që të bëhemi punëtorë në korrjen e Perëndisë, në fillim duhet të heqim dorë nga të gjitha praktikat që të ndotin frymësisht dhe moralisht. Po, që të vazhdojmë të jemi të kualifikuar për këtë privilegj, duhet të jemi shembullorë në mbështetjen e standardeve të larta morale dhe frymore të Jehovait. (Lexo 1 Pjetrit 1:14-16.) Ashtu sikurse i kushtojmë vëmendje të vazhdueshme higjienës tonë fizike, po ashtu duhet t’i nënshtrohemi rregullisht ndikimit pastrues të fjalës së të vërtetës të Perëndisë. Kjo përfshin të lexojmë Biblën dhe të ndjekim mbledhjet e krishtere. Do të thotë edhe të bëjmë përpjekje të sinqerta për të zbatuar përkujtuesit e Perëndisë në jetën tonë. Nëse veprojmë kështu, do të jemi në gjendje t’i luftojmë prirjet tona mëkatare dhe t’u rezistojmë ndikimeve ndotëse të kësaj bote. (Psal. 119:9; Jak. 1:21-25) Po, sa ngushëlluese është të dimë se me ndihmën e fjalës së të vërtetës të Perëndisë, mund ‘të lahemi’ madje edhe nga mëkatet e rënda!—1 Kor. 6:9-11.

17. Cilës këshillë biblike duhet t’i vëmë veshin që të qëndrojmë të pastër?

17 A e mirëpret ndikimin pastrues të fjalës së të vërtetës të Perëndisë në jetën tënde? Për shembull, si reagon kur paralajmërohesh për rreziqet e zbavitjes degjeneruese të kësaj bote? (Psal. 101:3) A i shmang shoqëritë e panevojshme me shokët e shkollës dhe kolegët e punës që nuk kanë të njëjtin besim si ti? A po bën përpjekje të sinqerta për të mposhtur dobësitë personale që mund të të bëjnë të papastër në sytë e Jehovait? (Kolos. 3:5) A qëndron i ndarë nga debatet politike të kësaj bote dhe nga fryma nacionaliste që përshkon shumë sporte konkurruese?—Jak. 4:4.

18. Pse themi se po të qëndrojmë të pastër moralisht dhe frymësisht, kjo do të na ndihmojë të jemi punëtorë frytdhënës të korrjes?

18 Bindja me besnikëri në çështje të tilla do të të sjellë rezultate të shkëlqyera. Duke i krahasuar dishepujt e tij të mirosur me degët e një hardhie, Jezui tha: «Çdo degë timen që nuk jep fryt, [Ati im] e heq dhe atë që jep fryt, ai e pastron, që të japë edhe më shumë fryt.» (Gjoni 15:2) Ndërsa i nënshtrohesh ujit pastrues të së vërtetës biblike, do të japësh edhe më shumë fryt.

Bekime tani dhe në të ardhmen

19. Si u bekuan përpjekjet e dishepujve të Jezuit si punëtorë të korrjes?

19 Dishepujt besnikë që e zbatuan stërvitjen e Jezuit, më vonë morën fuqi nga fryma e shenjtë në festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s., që të ishin dëshmitarë «deri në skajin më të largët të tokës». (Vep. 1:8) Ata vazhduan të shërbenin si anëtarë të trupit udhëheqës, si misionarë e si mbikëqyrës udhëtues dhe luajtën një rol kyç për t’u predikuar lajmin e mirë «të gjitha krijesave nën qiell». (Kolos. 1:23) Sa shumë bekime që morën dhe çfarë gëzimi u sollën të tjerëve!

20. (a) Çfarë bekimesh ke pasur ngaqë ke marrë pjesë plotësisht në korrjen frymore? (b) Çfarë je i vendosur të bësh?

20 Po, duke shfaqur përulësi, duke qenë të zellshëm dhe duke mbështetur standardet e larta të Fjalës së Perëndisë, do të vazhdojmë të marrim pjesë në mënyrë të plotë dhe domethënëse në korrjen e madhe frymore që po bëhet. Ndërkohë që shumë veta vuajnë nga dhembja dhe zhgënjimi që karakterizojnë jetën materialiste dhe kënaqësidashëse të kësaj bote, ne provojmë gëzim dhe kënaqësi të vërtetë. (Psal. 126:6) Ç’është më e rëndësishmja, «mundi [ynë] s’është i kotë në lidhje me Zotërinë». (1 Kor. 15:58) Zotëria i të korrave, Perëndia Jehova, do të na shpërblejë përjetë për ‘veprën tonë dhe dashurinë që tregojmë për emrin e tij’.—Hebr. 6:10-12.

[Shënimi]

^ par. 8 Shëmbëlltyra e talentave, pikësëpari ka të bëjë me marrëdhënien që Jezui ka me dishepujt e tij të mirosur, por ajo përmban parime që zbatohen për gjithë të krishterët.

A të kujtohet?

Ndërsa përpiqesh të marrësh pjesë plotësisht në veprën e korrjes . . .

• pse është thelbësore të shfaqësh përulësi?

• si mund ta kultivosh dhe ta ruash zellin?

• pse është e rëndësishme të qëndrosh i pastër moralisht dhe frymësisht?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 17]

Përulësia mund të na ndihmojë të bëjmë një jetë të thjeshtë që përqendrohet tek interesat e Mbretërisë