Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Mos ki frikë, se unë do të të ndihmoj»

«Mos ki frikë, se unë do të të ndihmoj»

«Mos ki frikë, se unë do të të ndihmoj»

JEZUI i paralajmëroi dishepujt: «Djalli do të vazhdojë të futë disa nga ju në burg, që të sprovoheni plotësisht.» Gjithsesi, pak përpara këtij paralajmërimi, Jezui tha: «Mos ki frikë nga ato që do të vuash pas pak kohe.» Meqë Satanai vazhdon të përdorë kërcënimin e burgimit si mjet për të ndalur predikimin për Mbretërinë, ekziston mundësia që disa qeveri të përndjekin të krishterët e vërtetë. (Zbul. 2:10; 12:17) Prandaj, çfarë do të na ndihmojë që të jemi të përgatitur për intrigat e Satanait dhe ‘të mos kemi frikë’, sikurse na inkurajoi Jezui?

Sigurisht, shumica prej nesh, në një moment të caktuar kemi përjetuar ndjenja frike. Prapëseprapë, Fjala e Perëndisë na siguron se me ndihmën e Jehovait, nuk do të na mposhtë frika. Si arrihet kjo? Një mënyrë se si Jehovai na ndihmon të përgatitemi ndaj kundërshtimit, është duke identifikuar taktikat që përdorin Satanai dhe përkrahësit e tij. (2 Kor. 2:11) Për ta ilustruar këtë, le të shqyrtojmë një ngjarje që ndodhi në kohët biblike. Gjithashtu, do të shohim disa shembuj të kohëve tona të bashkëbesimtarëve besnikë që ‘qëndruan të patundur kundër intrigave të Djallit’.—Efes. 6:11-13.

Një mbret me frikë Perëndie përballet me një sundimtar të lig

Në shekullin e tetë p.e.s, mbreti i lig asirian, Senakeribi, korri fitore të njëpasnjëshme ndaj disa kombeve. Duke pasur tepër besim te vetja pas gjithë këtyre fitoreve, e ktheu shikimin nga populli i Jehovait dhe nga kryeqyteti i tyre, Jerusalemi, ku sundonte Hezekia, një mbret me frikë Perëndie. (2 Mbret. 18:1-3, 13) Pa dyshim, Satanai po e shfrytëzonte situatën, duke e nxitur Senakeribin të përmbushte planet e veta, me qëllim që adhurimi i vërtetë të zhdukej nga faqja e dheut.—Zan. 3:15.

Senakeribi dërgoi një delegacion në Jerusalem që t’i kërkonte qytetit të dorëzohej. Me delegacionin ishte edhe rabshakehu, i cili vepronte si zëdhënësi kryesor i mbretit. * (2 Mbret. 18:17) Synimi i rabshakehut ishte të demoralizonte judenjtë me qëllim që ata të dorëzoheshin pa luftuar. Çfarë metodash përdori rabshakehu në përpjekjet e tij për t’u kallur frikën judenjve?

Besnikë pavarësisht nga izolimi

Rabshakehu u tha përfaqësuesve të Hezekisë: «Kështu thotë mbreti i madh, mbreti i Asirisë: ‘Ku e gjen këtë siguri? Te kush ke besim? Ja, ti ke besim te përkrahja e këtij kallami të thyer, tek Egjipti. E pra, po të mbështetej njeri tek ai, do t’i hynte në dorë dhe do ta shponte.’» (2 Mbret. 18:19, 21) Akuza e rabshakehut ishte e rreme, sepse Hezekia nuk kishte bërë aleancë me Egjiptin. Për më tepër, akuza theksonte atë që rabshakehu donte që judenjtë ta mbanin mend mirë: ‘Askush nuk do t’ju vijë në ndihmë. Jeni vetëm—të izoluar.’

Në kohët e fundit, kundërshtarët e adhurimit të vërtetë kanë përdorur në mënyrë të ngjashme kërcënimin e izolimit si një përpjekje për të frikësuar të krishterët e vërtetë. Një motër e krishterë, të cilën e burgosën për shkak të besimit dhe ishte e izoluar për vite të tëra nga bashkëbesimtarët, më vonë tregoi se çfarë e ndihmoi të mos e mposhtte frika. Ajo tha: «Lutja më ndihmoi t’i afrohesha Jehovait. . . . Kujtoja premtimin që gjendet tek Isaia 66:2, se Perëndia i ka sytë ‘tek i munduari dhe tek ai që e ka ndërgjegjen të vrarë’. Kjo ishte gjithmonë një burim force dhe ngushëllimi të madh për mua. Po ashtu, një vëlla i cili kaloi vite në izolim tha: «Kuptova se ajo qeli e vogël katërkëndëshe, mund të jetë gjithashtu i gjithë universi kur gëzon një marrëdhënie të ngushtë me Perëndinë.» Po, marrëdhënia e ngushtë me Jehovain u dha këtyre dy të krishterëve forcën e nevojshme për të përballuar izolimin. (Psal. 9:9, 10) Përndjekësit mund t’i ndanin nga familja, miqtë dhe bashkëbesimtarët, por Dëshmitarët e burgosur e dinin se kundërshtarët nuk mund t’i izolonin kurrë nga Jehovai.—Rom. 8:35-39.

Sa e rëndësishme është pra, të shfrytëzojmë çdo mundësi që na jepet për të forcuar marrëdhënien tonë me Jehovain! (Jak. 4:8) Duhet të pyesim rregullisht veten: «Sa real është Jehovai për mua? A ndikojnë thellë tek unë fjalët e tij kur marr vendime në jetën e përditshme, të vogla apo të mëdha qofshin?» (Luka 16:10) Nëse përpiqemi fort të mbajmë një marrëdhënie të ngushtë me Perëndinë, nuk ka asnjë arsye pse të kemi frikë. Profeti Jeremia, duke folur në vend të judenjve të munduar, tha: «Nga njëra prej gropave më të thella, thirra emrin tënd, o Jehova! . . . Ditën që të thirra, u afrove dhe më the: ‘Mos ki frikë!’»—Vajt. 3:55-57.

Mbjellja e dyshimeve nuk sjell rezultate

Rabshakehu përdori arsyetime dinake në përpjekje për të mbjellë dyshime. Ai tha: «A nuk ia ka hequr Hezekia [Jehovait] vendet e larta dhe altarët? . . . Vetë Jehovai më tha: ‘Sulmoje këtë vend dhe shkatërroje.’» (2 Mbret. 18:22, 25) Kështu, rabshakehu arsyetoi duke thënë se Jehovai nuk do të luftonte për popullin e Tij ngaqë ishte i pakënaqur me ta. Por ishte krejt e kundërta. Jehovai ishte i kënaqur me Hezekinë dhe judenjtë që ishin kthyer tek adhurimi i vërtetë.—2 Mbret. 18:3-7.

Sot, përndjekësit dinakë mund të thonë gjëra gjysmë të vërteta me synimin për të vendosur një bazë të përbashkët, por e përziejnë me dredhi të vërtetën me gënjeshtra, me shpresën për të mbjellë dyshime. Për shembull, nganjëherë, vëllezërve e motrave të burgosur u është thënë se një vëlla që merr drejtimin në vendin e tyre ka bërë kompromis. Prandaj nuk do të kishte asgjë të keqe nëse edhe ata do të vepronin po njësoj e do të hiqnin dorë nga bindjet e tyre. Prapëseprapë, arsyetime të tilla nuk arrijnë të mbjellin dyshime te të krishterët me aftësi dalluese.

Shqyrtoni se çfarë ndodhi me një motër të krishterë gjatë Luftës II Botërore. Ndërsa ishte në burg, asaj i treguan disa deklarata të shkruara në të cilat thuhej se një vëlla me përgjegjësi kishte braktisur besimin. Personi që e mori në pyetje motrën, i tha nëse kishte besim tek ai Dëshmitar. Motra iu përgjigj: «[Ai] është vetëm një njeri i papërsosur.» Pastaj shtoi se për sa kohë që ai ndoqi parimet biblike, po përdorej nga Perëndia. «Por që nga momenti kur me deklaratat e tij devijoi nga Bibla, nuk është më vëllai im.» Ajo motër besnike e ndoqi me mençuri këshillën e Biblës: «Mos kini besim te fisnikët, as te ndonjë bir njeriu, që nuk sjell dot shpëtim.»—Psal. 146:3.

Njohuria e saktë për Fjalën e Perëndisë dhe zbatimi i këshillave të saj, do të na ndihmojnë të ruhemi nga arsyetimet mashtruese që mund të na e dobësojnë vendosmërinë për të qëndruar besnikë. (Efes. 4:13, 14; Hebr. 6:19) Pra, që të përgatitemi për të menduar me kthjelltësi kur jemi nën presion, duhet t’i japim përparësi leximit të përditshëm të Biblës dhe studimit personal. (Hebr. 4:12) Po, tani është koha të thellohemi në njohuri dhe ta forcojmë besimin. Një vëlla i cili duroi shumë vite në izolim tha: «Do të doja të nxitja këdo të tregojë vlerësimin e duhur për gjithë ushqimin frymor që na jepet, pasi nuk e dimë se si do të na sjellë dobi në ndonjë moment të caktuar.» Po, nëse e studiojmë me kujdes Fjalën e Perëndisë dhe botimet që siguron sot klasa e skllavit, atëherë, kur të hasim sprova në jetë, fryma e shenjtë ‘do të na sjellë ndër mend’ gjërat që kemi mësuar.—Gjoni 14:26.

Të mbrojtur përballë kërcënimeve

Rabshakehu u përpoq t’i frikësonte judenjtë. Ai tha: «Vër bast me zotërinë tim, mbretin e Asirisë, dhe unë do të të jap dy mijë kuaj e le të shohim nëse i gjen dot kalorësit për ta. Si vallë, mund të sprapsësh qoftë edhe një guvernator ndër shërbëtorët më të vegjël të zotërisë tim?» (2 Mbret. 18:23, 24) Nga pikëpamja njerëzore, ishte e pamundur për Hezekinë dhe popullin e tij t’i rezistonin ushtrisë së fuqishme asiriane.

Sot, ata që na përndjekin mund të duken tepër të fuqishëm, veçanërisht kur kanë mbështetje nga qeveritarët. Pikërisht kjo ndodhi me përndjekësit nazistë gjatë Luftës II Botërore. Ata u përpoqën të frikësonin shumë nga shërbëtorët e Perëndisë. Një nga vëllezërit tanë, i cili kaloi vite të tëra në burg, më vonë tregoi se si e kërcënuan. Në një rast, një oficer e pyeti: «A e pe se si e vranë vëllanë tënd? A nxore ndonjë mësim nga kjo?» Përgjigjja e vëllait ishte: «Unë jam dëshmitar për Jehovain dhe do të mbetem i tillë.» «Atëherë, personi tjetër që do të pushkatohet, je ti»,—e kërcënoi oficeri. Sidoqoftë, vëllai ynë qëndroi i patundur dhe armiqtë nuk u përpoqën më ta frikësonin. Çfarë e ndihmoi atë të përballonte një kërcënim të tillë? Ai u përgjigj: «Kisha besim tek emri i Jehovait.»—Prov. 18:10.

Kur kemi besim të plotë te Jehovai, është sikur të mbajmë një mburojë të madhe që na mbron kundër çdo gjëje që Satanai përdor për të na dëmtuar frymësisht. (Efes. 6:16) Pra, është për të mirën tonë t’i kërkojmë Jehovait në lutje që të na ndihmojë të forcojmë besimin. (Luka 17:5) Gjithashtu, duhet t’i shfrytëzojmë mirë masat besimforcuese të klasës së skllavit të besueshëm. Kur hasim kërcënime, forcohemi nëse kujtojmë sigurinë që Jehovai i dha profetit Ezekiel, i cili duhej t’u jepte një mesazh njerëzve kokëshkëmb. Jehovai i tha atij: «Unë e kam bërë fytyrën tënde po aq të fortë sa fytyra e tyre dhe ballin tënd po aq të fortë sa balli i tyre. E kam bërë ballin tënd si diamanti dhe më të fortë se stralli.» (Ezek. 3:8, 9) Nëse është e nevojshme, Jehovai mund të na ndihmojë të jemi të fortë si diamanti, siç duhej të ishte Ezekieli.

T’u rezistojmë tundimeve

Kundërshtarët kanë vënë re se kur të gjitha metodat e tyre dështojnë, shpërblimet tunduese nganjëherë mund t’ia thyejnë integritetin dikujt. Edhe rabshakehu e përdori këtë metodë. Ai u tha njerëzve në Jerusalem: «Kështu thotë mbreti i Asirisë: ‘Kapitulloni dhe ejani tek unë . . . derisa të vij dhe t’ju çoj në një vend si vendi juaj, plot drithë dhe verë të re, ku ka bukë dhe vreshta, një vend me ullinj që japin vaj dhe me mjaltë, që ju të jetoni e të mos vdisni.’» (2 Mbret. 18:31, 32) Mundësia për të ngrënë bukë të freskët dhe për të pirë verë të re duhet t’u jetë dukur shumë tërheqëse atyre që ishin mbyllur brenda mureve të qytetit të rrethuar.

Njëherë, një metodë e tillë u përdor për t’i dobësuar vendosmërinë një misionari të burgosur. Atij i thanë se do ta çonin te «një shtëpi e këndshme» mes «një kopshti të bukur» për gjashtë muaj, që të mendohej mirë. Gjithsesi, vëllai qëndroi vigjilent frymësisht dhe nuk bëri kompromis me parimet e krishtere. Çfarë e ndihmoi atë? Më vonë, shpjegoi: «E shihja gjithmonë Mbretërinë si shpresën e vërtetë. . . . Ngaqë isha i forcuar me njohuri për Mbretërinë e Perëndisë dhe isha i sigurt e nuk dyshoja për asnjë moment për të, nuk arritën të më thyenin besimin.»

Sa reale është Mbretëria e Perëndisë për ne? Patriarku Abraham, apostulli Pavël dhe vetë Jezui arritën të qëndronin përballë sprovave të rënda, sepse Mbretëria ishte reale për ta. (Filip. 3:13,14; Hebr. 11:8-10; 12:2) Nëse vazhdojmë ta vëmë në vend të parë në jetë Mbretërinë dhe i mbajmë në mendje bekimet e saj të përhershme, edhe ne mund t’i rezistojmë tundimit për të pranuar oferta që të lehtësohemi përkohësisht nga sprovat.—2 Kor. 4:16-18.

Jehovai nuk do të na braktisë

Pavarësisht nga të gjitha përpjekjet e rabshakehut për t’i frikësuar judenjtë, Hezekia dhe nënshtetasit e tij kishin besim të patundur te Jehovai. (2 Mbret. 19:15, 19; Isa. 37:5-7) Si rezultat, Ai iu përgjigj lutjeve të tyre për ndihmë duke dërguar një engjëll, i cili vrau në një natë të vetme 185.000 ushtarë në kampin e asirianëve. Ditën tjetër, Senakeribi ia mbathi me vrap i poshtëruar në kryeqytetin e tij, Ninevi, bashkë me ata pak njerëz që kishin mbetur nga ushtria e tij.—2 Mbret. 19:35, 36.

Kështu, Jehovai nuk i braktisi ata që kishin besim tek ai. Shembujt e kohëve të sotme të vëllezërve e motrave që qëndrojnë të patundur nën sprova, tregojnë se Jehovai nuk ka ndryshuar. Prandaj, me të drejtë Ati ynë qiellor na siguron: «Unë Jehovai, Perëndia yt, të kap nga dora e djathtë dhe të them: ‘Mos ki frikë, se unë do të të ndihmoj.’»—Isa. 41:13.

[Shënimi]

^ par. 6 Termi «rabshakeh» ishte titull që mbanin zyrtarë të lartë asirianë. Emri personal nuk thuhet në tregim.

[Diçitura në faqen 13]

Më tepër se 30 herë në Fjalën e tij, vetë Jehovai i siguron shërbëtorët e vet: ‘Mos kini frikë’

[Figura në faqen 12]

Në ç’mënyrë taktikat e rabshakehut janë të ngjashme me taktikat që përdorin sot armiqtë e popullit të Perëndisë?

[Figurat në faqen 15]

Një marrëdhënie e ngushtë me Jehovain na ndihmon ta mbajmë integritetin nën sprova