Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Rrënjosu fëmijëve dashurinë për leximin dhe studimin

Rrënjosu fëmijëve dashurinë për leximin dhe studimin

Rrënjosu fëmijëve dashurinë për leximin dhe studimin

NJË nga mënyrat më të rëndësishme se si mund t’u përmirësosh të ardhmen fëmijëve të tu, është duke u përpjekur seriozisht t’u mësosh të lexojnë e të studiojnë. Dhe ç’gëzim mund të sjellin këto gjëra! Për disa, kujtimet më të bukura të fëmijërisë janë momentet kur prindërit u lexonin diçka. Leximi në vetvete mund të jetë i kënaqshëm, e po kështu edhe rezultatet që vijnë prej tij. Kjo është veçanërisht e vërtetë për shërbëtorët e Perëndisë, meqenëse rritja frymore shpejtohet shumë nga studimi i Biblës. Një prind i krishterë tha: «Gjërat që vlerësojmë më shumë kanë të bëjnë me leximin dhe studimin.»

Zakonet e mira të studimit mund t’i ndihmojnë fëmijët e tu të zhvillojnë një marrëdhënie më të ngushtë me Perëndinë. (Psal. 1:1-3, 6) Edhe pse të dish të lexosh nuk është një kërkesë për shpëtim, Bibla tregon se leximi mund të na sjellë bekime të mëdha. Për shembull, Zbulesa 1:3 thotë: «Lum ai që i lexon me zë dhe ata që i dëgjojnë fjalët e kësaj profecie!» Për më tepër, vlera e përqendrimit, një element i rëndësishëm i studimit, nënkuptohet qartë nga këshilla e frymëzuar e apostullit Pavël drejtuar Timoteut: «Bluaji në mendje këto gjëra, zhytu në to.» Përse? «Që përparimi yt të duket qartë për të gjithë.»—1 Tim. 4:15.

Sigurisht, vetëm të dimë të lexojmë e të studiojmë, në vetvete nuk është një garanci se këto aftësi do të na sjellin dobi. Shumë veta, edhe pse i kanë këto aftësi nuk i përdorin, por e mbushin kohën me aktivitete më pak të rëndësishme. Si mund t’ua rrënjosin prindërit fëmijëve të tyre dëshirën për të marrë njohuri që do t’u sjellë dobi?

Dashuria dhe shembulli yt

Fëmijët mësojnë ta shijojnë studimin kur ky bëhet në një mjedis plot dashuri. Oueni dhe Klodja, një çift i krishterë, kujtojnë për dy fëmijët e tyre: «Ata mezi e prisnin studimin, sepse ishte një kohë e veçantë—ndiheshin të mbrojtur dhe rehat. Për ta studimi nënkuptonte një mjedis plot dashuri.» Edhe kur fëmijët hyjnë në vitet e adoleshencës, të cilat mund të jenë plot sfida, një atmosferë e ngrohtë gjatë studimit familjar do të vazhdojë të ndikojë në pikëpamjen e fëmijëve për studimin. Fëmijët e Ouenit dhe Klodjës tani janë pionierë dhe vazhdojnë të nxjerrin dobi nga fakti që prindërit u rrënjosën dashurinë për leximin dhe studimin.

Përveç dashurisë, një gjë tjetër që mund të ndihmojë është edhe shembulli i prindërve. Fëmijët që i shohin shpesh prindërit të lexojnë e të studiojnë, ka më shumë të ngjarë që t’i konsiderojnë këto aktivitete si pjesë të natyrshme të jetës së tyre. Por, si mund të lësh një shembull të tillë ti si prind, nëse nuk e ke të lehtë të lexosh? Kjo mund të nënkuptojë që të ndryshosh qëndrim ndaj leximit ose rëndësisë që i jep atij. (Rom. 2:21) Nëse leximi zë një vend kryesor në programin tënd të përditshëm, kjo do të ndikojë thellë te fëmijët e tu. Zelli yt—sidomos për leximin e Biblës, përgatitjen për mbledhje dhe për studimin familjar—do t’u dërgojë një mesazh të qartë fëmijëve në lidhje me vlerën e gjërave të tilla.

Prandaj, dashuria dhe shembulli yt janë themelorë për t’u rrënjosur fëmijëve dëshirën për të lexuar. Por, cilat hapa praktikë mund të bësh për t’i nxitur ata?

T’i ndihmosh fëmijët të zhvillojnë dashurinë për leximin

Cilat janë disa hapa të rëndësishëm që të arrish të rrënjosësh te fëmijët e tu dashurinë për leximin? Jepu libra që në moshë të njomë. Një plak i krishterë, prindërit e të cilit i rrënjosën dashurinë për leximin, sugjeron: «Mësojini fëmijët me librat. Në këtë mënyrë, librat do të bëhen shokët e tyre dhe pjesë e jetës.» Librat e bazuar në Bibël të tillë, si Të mësojmë nga Mësuesi i Madh dhe Libri im i tregimeve biblike, bëhen në këtë mënyrë shokë të ngushtë për shumë fëmijë, mjaft kohë përpara se të mësojnë të lexojnë. Kur ti u lexon fëmijëve botime të tilla, ata ndihmohen të mësojnë jo vetëm gjuhën, por edhe «çështje frymore» dhe «fjalë frymore».—1 Kor. 2:13.

Lexo rregullisht me zë. Bëje zakon të lexosh me fëmijët çdo ditë. Duke vepruar kështu, u mëson atyre t’i shqiptojnë saktë fjalët dhe i ndihmon ta bëjnë zakon të lexuarit. Edhe mënyra se si lexon është e rëndësishme. Nëse je entuziast edhe ata do të ndihen po ashtu. Në fakt, do të shohësh që fëmijët e tu do të të kërkojnë t’ua lexosh të njëjtën histori herë pas here. Plotësojua këtë dëshirë! Me kalimin e kohës do të duan tregime të reja. Por, ki kujdes që të mos e detyrosh fëmijën të lexojë. Jezui la shembullin duke u mësuar dëgjuesve të tij vetëm «aq sa ata mund të kuptonin». (Mar. 4:33) Nëse nuk i detyron, ata mezi do ta presin kohën kur t’u lexosh, dhe kështu do t’i afrohesh gjithnjë e më tepër synimit që t’u rrënjosësh dashurinë për leximin.

Inkurajoji të përfshihen dhe diskuto me ta për gjërat që lexon. Sa i kënaqur do të ndihesh kur shumë shpejt do t’i shohësh fëmijët të arrijnë të dallojnë, të shqiptojnë dhe të kuptojnë shumë fjalë! Duke diskutuar me ta për gjërat që lexon, mund t’i ndihmosh shumë që të përparojnë. Sipas një libri që flet se si t’i ndihmojmë fëmijët të bëhen lexues të mirë, bashkëbisedimi i ndihmon ata «të mësojnë fjalët që do t’u duhet të dallojnë më vonë dhe të kuptojnë gjërat që lexojnë. Për fëmijët e vegjël, mendja e të cilëve po zhvillohet dhe po përpiqen të mësojnë për të lexuar e për të shkruar,—vazhdon i njëjti burim,—komunikimi është thelbësor. Sa më shumë të flasësh për gjëra të rëndësishme, aq më mirë është.»

Nxiti fëmijët të lexojnë në praninë tënde dhe të bëjnë pyetje. Mund t’i bësh pyetje e t’i sugjerosh disa përgjigje të mundshme. Në këtë mënyrë, fëmijët mësojnë se librat janë një burim informacioni dhe se fjalët që lexojnë kanë një kuptim. Kjo metodë është veçanërisht e dobishme kur ajo që lexoni bazohet te Fjala e Perëndisë, pra libri më domethënës që ekziston.—Hebr. 4:12.

Gjithsesi, mos harro asnjëherë se leximi është një aftësi që nuk fitohet lehtë. Duhet kohë për ta praktikuar dhe për ta zotëruar. * Prandaj, ushqeje te fëmijët dashurinë që po zhvillojnë për leximin duke i lavdëruar pa u kursyer. Kur i lavdëron fëmijët, do t’i nxitësh që ta kenë për zemër leximin.

Leximi ia vlen dhe është i këndshëm

Kur i mëson fëmijët se si të studiojnë, për ta leximi do të bëhet domethënës. Studimi përfshin të mësosh fakte dhe të kuptosh se si lidhen ato me njëri-tjetrin. Kërkohet aftësi për të organizuar, për të kujtuar dhe për të vënë në praktikë informacionet. Kur fëmija mëson si të studiojë dhe e kupton se si ta përdorë atë që mëson, atëherë studimi bëhet i këndshëm dhe ia vlen.—Ekl. 10:10.

Mësoju elementët thelbësorë të studimit. Mbrëmja e Adhurimit Familjar, shqyrtimi i shkrimit të ditës dhe raste të ngjashme, krijojnë mundësi të shkëlqyera për t’u mësuar fëmijëve si të studiojnë. Nëse rri ulur dhe ndalesh te një temë e veçantë për periudha të shkurtra, do t’u mësosh fëmijëve përqendrimin, i cili është thelbësor që ata të mësojnë. Gjithashtu, mund ta nxitësh djalin të të tregojë se si lidhet ajo që sapo mësoi me atë që tashmë di. Kjo e mëson atë të bëjë krahasime. A mund t’i kërkosh vajzës tënde ta përmbledhë me fjalët e veta atë që ka lexuar? Kjo do ta ndihmojë të kapë kuptimin e asaj që ka lexuar dhe ta kujtojë. Një ndihmë tjetër për kujtesën që mund ta përdorësh me fëmijët është rishikimi, që do të thotë të përsëritësh pikat kyçe pasi lexon një artikull. Madje edhe fëmijët e vegjël mund të stërviten të marrin shënime të shkurtra gjatë studimit ose në mbledhjet e kongregacionit. Sa e dobishme mund të jetë kjo për përqendrimin! Këto metoda të thjeshta e bëjnë procesin e të mësuarit interesant dhe domethënës, si për ty edhe për fëmijët e tu.

Krijo kushtet e përshtatshme për studimin. Ajrosja dhe ndriçimi i duhur, bashkë me një ambient të qetë e të rehatshëm, e bëjnë përqendrimin më të lehtë. Sigurisht, qëndrimi që kanë prindërit për studimin është thelbësor. «Është shumë e rëndësishme që të caktosh me rregullsi kohën për leximin dhe studimin,—thotë një nënë.—Kjo i ndihmon fëmijët të jenë të organizuar. Ata mësojnë se çfarë duhet bërë në një kohë të caktuar.» Shumë prindër, thjesht nuk i lënë aktivitetet e tjera të ndërhyjnë në kohën kur kanë studimin. Sipas një autoriteti në këtë fushë, një gjë e tillë ndikon shumë që fëmijët të mësojnë zakone të mira studimi.

Thekso vlerën e studimit. Së fundi, ndihmoji fëmijët të shohin dobitë praktike të studimit. Vënia në praktikë e njohurisë që mësojnë thekson qëllimin e vërtetë të studimit. Një vëlla i ri në moshë pranon: «Nëse nuk shoh ndonjë vlerë praktike tek ajo që po studioj, e kam shumë të vështirë ta studioj. Por, nëse mund ta zbatoj personalisht, dëshiroj më tepër ta kuptoj.» Kur të rinjtë e shohin studimin si një mënyrë për të arritur një objektiv të rëndësishëm, atëherë ata zhyten në të. Ata do të kenë të njëjtën dëshirë për studimin siç kishin për leximin.

Shpërblimi më i mirë

Do të duheshin disa vëllime për t’i renditur të gjitha dobitë që vijnë kur u rrënjos fëmijëve të tu dashurinë për leximin. Suksesi në shkollë, në punë, në marrëdhëniet me të tjerët, të arrish të kuptosh botën ku jetojmë, si dhe të forcosh dashurinë midis prindit e fëmijës, janë vetëm disa nga dobitë, pa përmendur kënaqësinë e thellë që sjell leximi dhe studimi.

Mbi të gjitha, dashuria për studimin mund t’i ndihmojë fëmijët e tu të bëhen njerëz që i frikësohen Perëndisë. Kjo dashuri është çelësi për t’u hapur mendjen dhe zemrën, që të rrokin ‘gjerësinë, gjatësinë, lartësinë dhe thellësinë’ e së vërtetës biblike. (Efes. 3:18) Sigurisht, prindërit e krishterë kanë shumë për t’u mësuar fëmijëve. Ndërsa u kushtojnë kohë dhe vëmendje atyre dhe bëjnë gjithçka që është e mundur për t’i ndihmuar ta nisin mbarë jetën, prindërit shpresojnë që në fund fëmijët e tyre të bëhen adhurues të Jehovait. Duke u mësuar fëmijëve zakone të mira studimi, i ndihmon të ndërtojnë e të mbajnë një marrëdhënie të mirë me Perëndinë. Prandaj, lutju Jehovait dhe kërko bekimin e tij, ndërsa përpiqesh fort t’u ngjallësh fëmijëve të tu dashurinë për leximin dhe studimin.—Prov. 22:6.

[Shënimi]

^ par. 14 Leximi dhe studimi paraqesin sfida të veçanta për fëmijët me çrregullime në të mësuar. Për të ditur se çfarë mund të bëjnë prindërit për t’i ndihmuar, shih Zgjohuni! 22 shkurt 1997, faqet 3-10, anglisht.

[Kutia dhe figurat në faqen 26]

Për leximin . . .

• Jepu libra

• Lexo me zë

• Inkurajoji të përfshihen

• Diskuto me ta për gjërat që lexon

• Nxiti fëmijët të lexojnë në praninë tënde

• Nxiti të bëjnë pyetje

Për studimin . . .

• Lër një shembull të mirë si prind

• Stërviti fëmijët që:

○ të përqendrohen

○ të krahasojnë

○ të bëjnë një përmbledhje

○ të bëjnë një rishikim

○ të marrin shënime

• Krijo kushtet e përshtatshme për studimin

• Thekso vlerën e studimit