«Vazhdo t’i kushtohesh . . . mësimdhënies»
«Vazhdo t’i kushtohesh . . . mësimdhënies»
«JU MË quani ‘Mësues’ dhe ‘Zotëri’, dhe mirë bëni, sepse jam i tillë.» (Gjoni 13:13) Me këto fjalë që u drejtoi dishepujve, Jezui theksoi rolin e tij si mësues. Pastaj, pak para se të ngjitej në qiell, ai i urdhëroi dishepujt: «Prandaj, shkoni dhe bëni dishepuj njerëz nga të gjitha kombet . . . dhe mësojuni të zbatojnë të gjitha gjërat që ju kam urdhëruar.» (Mat. 28:19, 20) Më vonë, edhe apostulli Pavël theksoi sa e rëndësishme është të jesh mësues i Fjalës së Perëndisë. Ai e këshilloi plakun e krishterë Timote: «Vazhdo t’i kushtohesh leximit publik, nxitjes dhe mësimdhënies. . . . Bluaji në mendje këto gjëra, zhytu në to, që përparimi yt të duket qartë për të gjithë.»—1 Tim. 4:13-15.
Sot, ashtu si në atë kohë, mësimdhënia është një aspekt i rëndësishëm si në shërbim, edhe në mbledhjet e krishtere. Si mund të vazhdojmë t’i kushtohemi mësimdhënies dhe në cilat mënyra do të na ndihmojë kjo të bëjmë përparim si mësues të Fjalës së Perëndisë?
Të imitojmë Mësuesin e Madh
Mënyra se si mësonte Jezui tërhoqi shumë prej atyre që e dëgjuan. Vini re se ç’ndikim patën fjalët e tij tek ata që ishin të pranishëm në sinagogën në Nazaret. Luka, shkrimtari i një prej ungjijve, dokumentoi: «Të gjithë filluan të dëshmonin në favor të tij dhe mrekulloheshin me fjalët plot hir që i dilnin nga goja.» (Luka 4:22) Dishepujt e Jezuit ndoqën shembullin e Mësuesit të tyre në predikim. Në fakt, apostulli Pavël i nxiti bashkëbesimtarët: «Bëhuni imituesit e mi, ashtu si unë jam i Krishtit.» (1 Kor. 11:1) Ngaqë imitoi metodat e Jezuit, Pavli u bë tepër i efektshëm kur ‘mësonte publikisht dhe shtëpi më shtëpi’.—Vep. 20:20.
Mësonte «në sheshin e pazarit»
Një shembull i veçantë i aftësisë së Pavlit për të mësuar publikisht, gjendet te kapitulli 17 i Veprave. Atje lexojmë rreth vizitës së tij në Athinë, Greqi. Kudo ku Pavli i hidhte sytë në atë qytet—në rrugë a në vendet publike—kishte idhuj. Nuk habitemi pra, pse ai ishte kaq i trazuar. Prapëseprapë, i mbajti nën kontroll ndjenjat. Pavli «nisi të arsyetonte në sinagogë, . . . si edhe çdo ditë në sheshin e pazarit me ata që qëllonin atje». (Vep. 17:16, 17) Çfarë shembulli i shkëlqyer për ne! Kur u predikojmë njerëzve me prejardhje të ndryshme pa i gjykuar, por me respekt, disa mund të nxiten të dëgjojnë dhe në fund të çlirohen nga skllavëria e fesë së rreme.—Vep. 10:34, 35; Zbul. 18:4.
Pavli kishte përpara një auditor të vështirë në sheshin e pazarit. Mes dëgjuesve të tij kishte filozofë, pikëpamjet e të cilëve ishin në kundërshtim me të vërtetat që po predikonte. Kur Pavli hasi kundërshtim, sigurisht që i mori parasysh komentet e tyre. Disa e quajtën «llomotar», që ishte një shprehje (në greqisht fjalë për fjalë, «mbledhës farërash») e cila në atë kohë përdorej për njerëzit që mblidhnin pjesë informacionesh e më pas flitnin kot më kot me të tjerët për to. Të tjerë thanë: «Duket se është lajmëtar hyjnish të huaja.»—Vep. 17:18.
Sidoqoftë, Pavli nuk u shkurajua nga komentet përçmuese të dëgjuesve. Përkundrazi, kur iu kërkua të shpjegonte mësimet e tij, shfrytëzoi rastin për të mbajtur një fjalim plot gjykim të thellë ku u panë qartë aftësitë e tij të mësimdhënies. (Vep. 17:19-22; 1 Pjet. 3:15) Le ta rishikojmë fjalimin e tij më imtësisht dhe të nxjerrim mësime që mund të na ndihmojnë të përmirësojmë aftësitë tona të mësimdhënies.
Të vendosim një bazë të përbashkët
Pavli tha: «Burra të Athinës, unë shoh se në gjithçka, ju dukeni më të dhënë se të tjerët pas frikës nga hyjnitë. Sepse tek . . . vështroja me vëmendje objektet tuaja të adhurimit, gjeta edhe një altar, që kishte mbishkrimin: ‘Një Perëndie të Panjohur’. Prandaj, unë po ju shpall atë, që ju e adhuroni pa e njohur.»—Vep. 17:22, 23.
Pavli ishte shumë i vëmendshëm ndaj çdo gjëje përreth. Nga gjërat që kishte vëzhguar me kujdes, ai mësoi shumë rreth atyre të cilëve po u drejtohej. Nëse edhe ne jemi vëzhgues, mund të mësojmë diçka rreth të zotit të shtëpisë. Për shembull, lodrat në oborr ose tabelat a simbolet në derë, mund të na thonë shumë gjëra. Nëse kemi një ide të rrethanave të mundshme të të zotit të shtëpisë, mund të zgjedhim me kujdes jo vetëm çfarë të themi, por edhe si ta themi.—Kolos. 4:6.
Pavli nuk u tregua gjykues. Gjithsesi, ai e dalloi se ‘adhurimi’ i athinasve bazohej në njohuri të pasaktë. Pavli theksoi qartë se si mund ta adhuronin Perëndinë e vërtetë. (1 Kor. 14:8) Sa e rëndësishme është pra, për ne të flasim në mënyrë të qartë dhe pozitive kur shpallim lajmin e mirë për Mbretërinë!
Të tregojmë takt dhe të jemi të paanshëm
Pavli vazhdoi duke thënë: «Perëndia që bëri botën dhe gjithçka në të, duke qenë Zotëri i qiellit dhe i tokës, nuk banon në tempuj të bërë me dorë, as kërkon t’i shërbejnë duart e njeriut, sikur të ketë nevojë për ndonjë gjë, pasi ai vetë u jep të gjithëve jetë, frymë dhe gjithçka.»—Vep. 17:24, 25.
Këtu Pavli e drejtoi me shumë takt vëmendjen te Jehovai si Jetëdhënësi ynë, duke e quajtur «Zotëri i qiellit dhe i tokës». Ç’privilegj është t’i ndihmojmë njerëzit me zemër të ndershme të feve dhe kulturave të ndryshme që të kuptojnë se jeta e ka origjinën nga Perëndia Jehova!—Psal. 36:9.
Më tej, Pavli tha: «Nga një njeri i vetëm ai bëri të gjitha kombet . . . dhe dekretoi kohët e caktuara dhe caqet për banimin e njerëzve, që të kërkojnë Perëndinë, madje me ngulm dhe ta gjejnë vërtet, ndonëse, ai nuk është larg nga secili prej nesh.»—Vep. 17:26, 27.
Me mënyrën se si mësojmë mund t’u tregojmë të tjerëve se si është Perëndia që adhurojmë. Duke qenë i paanshëm, Jehovai i lejon njerëzit e të gjitha kombeve «ta kërkojnë . . . me ngulm dhe ta gjejnë vërtet». Në mënyrë të ngjashme, ne u flasim me paanshmëri të gjithëve që takojmë. Përpiqemi t’i ndihmojmë ata që besojnë te një Krijues, që të zhvillojnë një lidhje të ngushtë me të e cila mund të çojë në bekime të përhershme. (Jak. 4:8) Por, si i ndihmojmë ata që vënë në dyshim ekzistencën e Perëndisë? Ndjekim shembullin e Pavlit. Vëreni se çfarë tha ai më tej.
«Falë tij ne kemi jetë, lëvizim dhe ekzistojmë, siç kanë thënë edhe disa nga poetët tuaj: ‘Sepse edhe ne jemi pasardhës të tij.’ Prandaj, meqë jemi pasardhës të Perëndisë, të mos mendojmë se Hyjnori i ngjan arit, argjendit a gurit, diçkaje të latuar me art a një sajese njeriu.»—Vep. 17:28, 29.
Këtu, Pavli u përpoq të tërhiqte vëmendjen e tyre duke cituar poetë që athinasit i njihnin dhe i pranonin. Në mënyrë të ngjashme, ne përpiqemi të vëmë një bazë të përbashkët duke arsyetuar mbi gjërat që e dimë se dëgjuesit tanë do t’i pranojnë. Për shembull, ilustrimi i Pavlit në letrën e tij drejtuar hebrenjve është po aq bindës edhe sot: «Çdo shtëpi ndërtohet nga dikush, por ai që ka ndërtuar gjithçka, është Perëndia.» (Hebr. 3:4) Kur arsyetojmë me të zotët e shtëpisë mbi këtë ilustrim të thjeshtë, mund t’i ndihmojmë të kuptojnë vërtetësinë e asaj që themi. Të shohim një element tjetër të mësimdhënies së efektshme të Pavlit në fjalimin e tij—motivimin.
Të theksojmë ndjenjën e urgjencës
Pavli tha: «Vërtet, Perëndia i mbylli sytë para kohëve të një padijeje të tillë, por tani po i thotë njerëzisë që të pendohen të gjithë kudo qofshin. Sepse ai ka caktuar një ditë, kur ka si qëllim të gjykojë me drejtësi tokën e banuar nëpërmjet një njeriu që ka emëruar.»—Vep. 17:30, 31.
Fakti që Perëndia e ka lejuar përkohësisht të keqen, na ka dhënë mundësi t’i tregojmë atij se çfarë kemi vërtet në zemër. Është jetësore të theksojmë ndjenjën e urgjencës së kohëve ku po jetojmë, si dhe të flasim në mënyrë bindëse për bekimet e sundimit të Mbretërisë, të cilat janë shumë afër.—2 Tim. 3:1-5.
Hasim reagime të ndryshme
«Kur dëgjuan për ringjalljen e të vdekurve, disa filluan ta vinin në lojë, ndërsa të tjerë thoshin: ‘Do të të dëgjojmë prapë për këtë.’ Kështu, Pavli u largua nga ata, por disa burra u bashkuan me të e u bënë besimtarë.»—Vep. 17:32-34.
Disa mund t’i përgjigjen menjëherë mësimdhënies sonë, ndërsa të tjerëve mund t’u duhet më shumë kohë që të binden nga arsyetimi ynë. Por, kur me anë të shpjegimit tonë të qartë e të thjeshtë të së vërtetës ndihmojmë sikur vetëm një individ që të fitojë njohurinë e saktë për Jehovain, ndihemi shumë mirënjohës që Perëndia po na përdor për t’i tërhequr njerëzit drejt Birit të tij.—Gjoni 6:44.
Mësime që mund të nxjerrim
Ndërsa meditojmë rreth fjalimit të Pavlit, mund të mësojmë shumë se si t’ua shpjegojmë të vërtetat biblike të tjerëve. Në qoftë se kemi privilegjin të mbajmë fjalime publike në kongregacion, mund të përpiqemi të imitojmë Pavlin duke u shprehur me takt që ta ndihmojmë një jobesimtar të kuptojë dhe të pranojë të vërtetat biblike. Duam t’i paraqitim këto të vërteta me qartësi, por duhet të kemi kujdes të mos përçmojmë bindjet e ndonjë jobesimtari që mund të jetë i pranishëm. Në të njëjtën kohë, në veprën tonë publike të predikimit, ne përpiqemi të flasim në mënyrë bindëse dhe me takt. Kur veprojmë kështu, e ndjekim me të vërtetë këshillën e Pavlit që ‘t’i kushtohemi mësimdhënies.’
[Figura në faqen 30]
Mësimdhënia e Pavlit ishte e qartë, e thjeshtë dhe me takt
[Figura në faqen 31]
E imitojmë Pavlin duke i marrë parasysh ndjenjat e atyre të cilëve u predikojmë