Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Vigjilenca sjell rezultate të shkëlqyera

Vigjilenca sjell rezultate të shkëlqyera

Vigjilenca sjell rezultate të shkëlqyera

A JE vigjilent ndaj mundësive të predikimit që mund të lindin papritur në territorin e kongregacionit tënd? Vëllezërit tanë të krishterë në qytetin historik të Turkut, një qytet-port në Finlandë, ishin vigjilentë dhe vigjilenca u solli rezultate të shkëlqyera.

Pak kohë më parë, vëllezërit në Turku vunë re se kishte ardhur një grup burrash aziatikë për të përfunduar punën në një anije të madhe turistike që po ndërtohej në kantierin detar të qytetit. Më vonë, një vëlla mori vesh se në cilat hotele po qëndronin punëtorët e huaj. Gjithashtu, mësoi se punëtorët shkonin me autobusë herët në mëngjes, nga hotelet në qendër të qytetit për në port. Menjëherë, ai njoftoi vëllezërit në kongregacionin anglishtfolës në Turku.

Pleqtë në atë kongregacion kuptuan se prania e kaq shumë të huajve ofronte një mundësi të papritur për t’u dhënë mesazhin për Mbretërinë dhe shpejt morën masa për një fushatë të veçantë. Atë të diel, dhjetë lajmëtarë u mblodhën afër stacionit të autobusit në orën shtatë të mëngjesit. Në fillim, s’u duk asnjë punëtor. «Mos kemi ardhur vonë?—pyetën vëllezërit të habitur.—Mos janë larguar nga Turku?» Por pastaj, nga cepi doli një punëtor i veshur me kominoshe. Më pas erdhi një tjetër e pak nga pak edhe të tjerët. Shumë shpejt, një turmë me punëtorë ishte mbledhur afër stacionit të autobusit. Lajmëtarët filluan të predikonin duke iu afruar punëtorëve me botime në anglisht. Fatmirësisht, punëtorëve iu desh rreth një orë të zinin vend në autobusë, dhe kjo u dha mjaft kohë vëllezërve të flitnin me shumicën prej tyre. Kur autobusët u nisën, punëtorët morën me vete 126 broshura dhe 329 revista.

Rezultatet e shkëlqyera i inkurajuan vëllezërit ta përsëritnin fushatën javën vijuese, gjatë vizitës së mbikëqyrësit qarkor. Në një ditë me shi, në gjashtë e gjysmë të mëngjesit, mbikëqyrësi qarkor drejtoi mbledhjen për shërbimin në fushë e më pas 24 lajmëtarë u drejtuan për te stacioni i autobusit. Kësaj radhe, ata me vete kishin edhe literaturë në gjuhën tagaloge, ngaqë kishin marrë vesh se shumë nga të huajt ishin nga Filipinet. Atë mëngjes, kur autobusët u nisën për në port, punëtorët kishin marrë me vete 7 libra, 69 broshura dhe 479 revista. Imagjinoni gëzimin dhe ngazëllimin që provuan vëllezërit e motrat të cilët morën pjesë në fushatë!

Para se punëtorët të ktheheshin në vendin e tyre, vëllezërit mundën të vizitonin disa prej tyre në hotelet ku po qëndronin dhe t’u shpjegonin më në hollësi mesazhin për Mbretërinë. Disa punëtorë thanë se edhe më parë ishin kontaktuar nga Dëshmitarët në vende të tjera të botës. Punëtorët u shprehën vlerësimin vëllezërve që morën iniciativën për t’i kontaktuar gjatë qëndrimit në Finlandë.

A je vigjilent ndaj mundësive që mund të lindin papritur në territorin e kongregacionit tënd? A merr iniciativën për të takuar njerëz të prejardhjeve të ndryshme? Nëse po, edhe ti mund të kesh përvoja të ngjashme me ato të vëllezërve tanë në Turku.

[Harta dhe figura në faqen 32]

(Për tekstin e faqosur, shih botimin)

FINLANDË

HELSINKI

Turku