Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Le të na ruajë gjuhën «ligji i dashamirësisë»

Le të na ruajë gjuhën «ligji i dashamirësisë»

Le të na ruajë gjuhën «ligji i dashamirësisë»

«E hap gojën me mençuri dhe në gjuhën e saj gjendet ligji i dashamirësisë.»​—PROV. 31:26.

1, 2. (a) Çfarë cilësie nxiten të kultivojnë adhuruesit e Jehovait? (b) Çfarë do të shqyrtohet në këtë artikull?

MESAZHI i fuqishëm që mori mbreti Lemuel i kohës së lashtë nga nëna e tij, përfshinte një cilësi të rëndësishme që duhet të ketë një grua e mirë. Atij iu tha: «E hap gojën me mençuri dhe në gjuhën e saj gjendet ligji i dashamirësisë.» (Prov. 31:1, 10, 26) Dashamirësia është një gjë e dëshirueshme në gjuhën e një gruaje të mençur, si edhe të të tjerëve që duan t’i pëlqejnë Perëndisë Jehova. (Lexo Proverbat 19:22.) Dashamirësia duhet të jetë e dukshme në të folurit e të gjithë adhuruesve të vërtetë.

2 Çfarë është dashamirësia? Ndaj kujt duhet treguar? Çfarë do të na ndihmojë të vëmë në gjuhën tonë ‘ligjin e dashamirësisë’? Në ç’mënyrë kjo ndikon në komunikimin me familjarët tanë e me të bashkëkrishterët?

Kur mirëdashja motivohet nga dashuria besnike

3, 4. (a) Çfarë është dashamirësia? (b) Si ndryshon dashamirësia nga mirëdashja në kuptimin e përgjithshëm ose nga sjellja e njerëzishme?

3 Dashamirësia përfshin cilësinë e mirëdashjes dhe të dashurisë. Mirëdashje do të thotë të tregosh interes personal për të tjerët dhe ta tregosh këtë merak me vepra dobiprurëse e fjalë të menduara mirë. Por dashamirësia përfshin edhe dashurinë. Të tregosh dashamirësi kërkon të interesohesh për mirëqenien e të tjerëve nga dashuria për ta. Megjithatë, fjala në gjuhën origjinale për dashamirësinë nuk do të thotë vetëm mirëdashje që buron nga dashuria. Të tregosh dashamirësi do të thotë të tregosh mirëdashje me gatishmëri dhe besnikëri ndaj dikujt derisa të arrihet qëllimi pse ke treguar mirëdashje.

4 Dashamirësia ndryshon nga mirëdashja edhe në një kuptim tjetër. Mirëdashja në kuptimin e përgjithshëm ose sjellja e njerëzishme, mund të shprehet edhe ndaj të huajve. Apostullit Pavël dhe 275 të tjerëve të cilëve iu shkallmua anija ku ndodheshin, iu tregua kjo lloj mirëdashjeje nga banorët e ishullit të Maltës​—njerëz që nuk i kishin takuar kurrë më parë. (Vep. 27:37–28:2) Nga ana tjetër, dashamirësia ka të bëjë me përzemërsinë besnike midis individëve që tashmë kanë krijuar një marrëdhënie. * Këtë lloj dashamirësie treguan kenitët ndaj «gjithë bijve të Izraelit në kohën kur dolën nga Egjipti».​—1 Sam. 15:6.

Meditimi dhe lutja janë thelbësorë

5. Çfarë do të na ndihmojë t’i vëmë fre gjuhës?

5 Të pasqyrojmë dashamirësi në të folur nuk është aspak e lehtë. Për gjuhën, dishepulli Jakov shkroi: «Askush nuk mund ta zbutë. Është një e keqe e pakontrollueshme, plot helm vdekjeprurës.» (Jak. 3:8) Çfarë mund të na ndihmojë t’i vëmë fre kësaj gjymtyre të trupit që është kaq e vështirë për t’u kontrolluar? Fjalët e Jezuit drejtuar udhëheqësve fetarë të kohës së tij na japin kuptueshmëri për këtë gjë. Ai tha: «Goja flet nga mbushullia e zemrës.» (Mat. 12:34) Që dashamirësia të na ruajë gjuhën, duhet ta kultivojmë këtë cilësi në zemër​—në personin tonë të brendshëm. Le të shohim se si meditimi dhe lutja na ndihmojnë të bëjmë pikërisht këtë.

6. Pse duhet të meditojmë me çmueshmëri për veprat e dashamirësisë të Jehovait?

6 Perëndia Jehova është «plot dashamirësi», thotë Bibla. (Dal. 34:6) Psalmisti këndoi: «Dashamirësia jote, o Jehova, ka mbushur tokën.» (Psal. 119:64) Shkrimet përmbajnë tregime të shumta se si Jehovai u shfaqi dashamirësi adhuruesve të tij. Nëse ndalemi të meditojmë me çmueshmëri për ‘veprat e Jehovait’, kjo mund të ngjallë te ne dëshirën për të kultivuar këtë cilësi të perëndishme.​—Lexo Psalmin 77:12.

7, 8. (a) Çfarë akti dashamirësie kreu Jehovai ndaj Lotit dhe familjes së tij? (b) Si u ndie Davidi që Perëndia tregoi dashamirësi ndaj tij?

7 Për shembull, mendo se si Jehovai e shpëtoi nipin e Abrahamit, Lotin, bashkë me familjen e tij, kur Ai solli shkatërrimin e Sodomës, qyteti ku ata jetonin. Ndërsa afrohej momenti i shkatërrimit, engjëjt që kishin ardhur te Loti e nxitën atë të merrte familjen dhe të ikte me të shpejtë nga qyteti. Bibla thotë: «Meqë po ngurronte, nga dhembshuria që kishte Jehovai për të, [engjëjt] e zunë fort për dore atë, gruan e tij dhe dy vajzat e tij, e nxorën nga atje dhe e çuan jashtë qytetit.» A nuk prekemi në zemër kur mendojmë për këtë akt shpëtimi dhe a nuk nxitemi të pranojmë se kjo ishte një shprehje e dashamirësisë së Perëndisë?​—Zan. 19:16, 19.

8 Të shqyrtojmë edhe shembullin e mbretit David në Izraelin e lashtë, i cili këndoi: «[Jehovai] fal të gjitha fajet e tua, [ai] shëron tërë sëmundjet e tua.» Sa mirënjohës duhet të ketë qenë Davidi që Jehovai e fali për mëkatin me Betshebën! Ai e lartësoi Jehovain me fjalët: «Ashtu si qiejt qëndrojnë më lart se toka, po aq lart qëndron edhe dashamirësia e tij për ata që i frikësohen.» (Psal. 103:3, 11) Meditimi për këto tregime dhe për tregime të tjera biblike na e mbush zemrën me mirënjohje për dashamirësinë e Jehovait dhe nxitemi ta lëvdojmë e ta falënderojmë. Sa më shumë mirënjohje të kemi në zemër, aq më të prirur do të jemi të bëhemi imitues të Perëndisë së vërtetë.​​—Efes. 5:1.

9. Ç’arsye të fuqishme kanë adhuruesit e Jehovait që të shfaqin dashamirësi në jetën e përditshme?

9 Shembujt biblikë tregojnë se Jehovai e shtrin dashamirësinë e tij, pra dashurinë besnike, drejt atyre që tashmë kanë një marrëdhënie të miratuar me të. Ç’të themi për ata që nuk kanë një marrëdhënie të tillë me Perëndinë e gjallë? A është Jehovai i ashpër ose i pandjeshëm ndaj tyre? Aspak. «[Perëndia] është mirëdashës edhe me mosmirënjohësit dhe me të ligjtë»,—thuhet te Luka 6:35. «Ai e bën diellin e tij të ngrihet mbi të ligjtë e mbi të mirët dhe bën që të bjerë shi mbi të drejtët e mbi të padrejtët.» (Mat. 5:45) Para se të mësonim të vërtetën dhe ta zbatonim, ne përfitonim nga mirëdashja e Perëndisë ose mirëdashja që ai tregon ndaj të gjithë njerëzve. Megjithatë, si adhurues të tij, përfitojmë nga dashuria e tij besnike, pra dashamirësia e tij që nuk lëkundet. (Lexo Isainë 54:10.) Sa mirënjohës jemi për këtë! Dhe ç’arsye e fuqishme është kjo që të shfaqim dashamirësi në të folur si edhe në aspekte të tjera të jetës së përditshme!

10. Pse lutja është një ndihmë tejet e çmuar për ta bërë dashamirësinë pjesë të personalitetit tonë?

10 Një ndihmë tejet e çmuar për të kultivuar dashamirësi është lutja. E themi këtë, sepse dashuria dhe mirëdashja—elemente të dashamirësisë​—janë aspekte të frytit të frymës së shenjtë të Jehovait. (Gal. 5:22) Mund ta rrënjosim dashamirësinë në zemrën tonë, duke lejuar të drejtohemi nga kjo frymë. Mënyra më e drejtpërdrejtë për të marrë frymën e shenjtë të Jehovait është ta kërkojmë me anë të lutjes. (Luka 11:13) Është me vend që vazhdimisht të lutemi për frymën e Perëndisë dhe të pranojmë drejtimin e saj. Po, meditimi dhe lutja janë thelbësorë nëse duam të kemi ligjin e dashamirësisë në gjuhën tonë.

Në gjuhën e të martuarve

11. (a) Si e dimë se Jehovai pret që burrat të tregojnë dashamirësi ndaj grave të tyre? (b) Në ç’mënyrë mund ta ndihmojë ligji i dashamirësisë një burrë që të ruajë gjuhën?

11 Apostulli Pavël u bën thirrje burrave: «Vazhdoni t’i doni gratë tuaja, ashtu si edhe Krishti e deshi kongregacionin dhe dorëzoi veten për të.» (Efes. 5:25) Gjithashtu, Pavli u kujton atyre çfarë i tha Jehovai Adamit dhe Evës. Apostulli shkruan: «Burri do të lërë babanë dhe nënën e do të lidhet ngushtë me gruan e tij, dhe të dy do të bëhen një mish i vetëm.» (Efes. 5:31) Është e qartë, Jehovai pret që burrat të ruajnë me besnikëri lidhjen e ngushtë me gratë e tyre, duke u treguar gjithmonë dashamirësi. Një burrë, gjuha e të cilit drejtohet nga dashuria besnike, nuk i vë në dukje të metat e gruas në publik ose nuk flet me përbuzje për të. Ai është i lumtur ta lëvdojë. (Prov. 31:28) Nëse për ndonjë arsye lindin fërkime në marrëdhënien e tyre, dashamirësia e nxit burrin t’i vërë fre gjuhës që të mos e poshtërojë gruan.

12. Si mund të tregojë të folurit e një gruaje se ligji i dashamirësisë drejton gjuhën e saj?

12 Ligji i dashamirësisë duhet të drejtojë edhe gjuhën e gruas. Të folurit e saj nuk duhet të ndikohet nga fryma e botës. Ngaqë ka «respekt të thellë për burrin e saj», ajo flet mirë për të në publik dhe kështu të tjerët e respektojnë edhe më shumë burrin e saj. (Efes. 5:33) Meqë nuk do që të minojë respektin e fëmijëve për babanë e tyre, ajo frenohet duke mos debatuar me të ose duke mos e vënë në dyshim mendimin e tij para tyre. I zgjidh këto çështje kur janë vetëm. Bibla thotë: «Gruaja që është vërtet e mençur, e ndërton shtëpinë e saj.» (Prov. 14:1) Shtëpia e saj është një vend i këndshëm dhe i rehatshëm për tërë familjen.

13. Ku duhet të sundojë në veçanti ligji i dashamirësisë dhe si mund të bëhet kjo?

13 Edhe kur janë vetëm në shtëpi, bashkëshortët duhet të vazhdojnë ta përdorin gjuhën në një mënyrë që tregon se kanë respekt për njëri-tjetrin. Pavli shkroi: «Flakini larg jush të gjitha këto: furinë, zemërimin, të keqen, sharjen dhe në gojën tuaj të mos ketë të folur të ndyrë.» Ai shtoi: «Vishuni me dhembshuri të butë, mirëdashje, përulësi mendjeje, butësi dhe shpirtgjerësi. . . . Vishuni me dashuri, pasi ajo është një lidhje e përsosur bashkimi.» (Kolos. 3:8, 12-14) Nëse fëmijët janë mësuar t’i shohin prindërit të tregojnë dashamirësi kur flasin në shtëpi, jo vetëm do të rriten të lumtur, por edhe do të ketë më shumë mundësi të imitojnë mënyrën si flasin ata.

14. Në ç’mënyrë mund ta përdorin gjuhën kryefamiljarët për të mbështetur ata që kanë nën kujdes?

14 Psalmisti shkroi për Jehovain: «Dashamirësia jote, o Jehova, më mbajti.» (Psal. 94:18) Një mënyrë e jashtëzakonshme se si Jehovai e mban ose e mbështet popullin e tij është duke i dhënë nxitje dhe drejtim. (Psal. 119:105) Si mund të nxjerrin dobi kryefamiljarët nga shembulli i Atit tonë qiellor dhe ta përdorin gjuhën për të mbështetur ata që kanë nën kujdes? E bëjnë këtë duke siguruar drejtimin dhe inkurajimin e duhur. Çfarë mundësie të shkëlqyer siguron mbrëmja e Adhurimit Familjar për të zbuluar thesare frymore!​—Prov. 24:4.

T’u tregojmë dashuri besnike bashkëbesimtarëve

15. Në ç’mënyrë pleqtë dhe persona të tjerë të pjekur frymësisht mund ta përdorin gjuhën për të mbrojtur të tjerët në kongregacion?

15 «Dashamirësia dhe besnikëria jote le të më ruajnë vazhdimisht»,—u lut mbreti David. (Psal. 40:11) Në ç’mënyrë pleqtë e krishterë dhe persona të tjerë të pjekur frymësisht në kongregacion mund të imitojnë Jehovain në këtë drejtim? Kur e përdorim gjuhën për të drejtuar vëmendjen te informacionet biblike, me siguri po shfaqim dashamirësi.​—Prov. 17:17.

16, 17. Cilat janë disa mënyra se si mund të tregojmë që të folurit tonë drejtohet nga ligji i dashamirësisë?

16 Çfarë duhet të bëjmë nëse shohim që një i krishterë po shkon në një drejtim që bie në kundërshtim me parimet biblike? A nuk do të na shtyjë dashamirësia ta përdorim gjuhën që të përpiqemi ta ndreqim të krishterin? (Psal. 141:5) Nëse vihemi në dijeni për një mëkat të rëndë të kryer nga një bashkëbesimtar, dashuria besnike na shtyn ta nxitim keqbërësin që «të thërrasë pranë vetes pleqtë e kongregacionit», në mënyrë që të mund «të luten për të, duke e lyer me vaj në emër të Jehovait». (Jak. 5:14) Në qoftë se keqbërësi nuk flet me pleqtë, nuk tregojmë dashamirësi po të mos ua raportojmë atyre çështjen. Disa nga ne mund të jenë të shkurajuar, të vetmuar, të munduar nga ndjenjat e pavlefshmërisë ose të mbytur nga zhgënjimet. Një mënyrë e shkëlqyer për të treguar se ligji i dashamirësisë është në gjuhën tonë, është që ‘t’u flasim në mënyrë ngushëlluese shpirtrave të dëshpëruar’.​—1 Sel. 5:14.

17 Si duhet të reagojmë kur armiqtë e Perëndisë përhapin thashetheme për bashkëbesimtarët? Në vend që të dyshojmë për besnikërinë e vëllezërve, të mos ua vëmë veshin këtyre gjërave, por të qëndrojmë në heshtje. Ose të pyesim akuzuesin, po të jetë e arsyeshme, nëse është vërtet i sigurt se ekziston një bazë për fjalët që thotë. Në rast se armiqtë e popullit të Perëndisë duan të dinë vendndodhjen e vëllezërve tanë të krishterë, me qëllim që t’u bëjnë ndonjë të keqe, dashuria besnike për vëllezërit kërkon që të mos u japim këto informacione.​—Prov. 18:24.

Njeriu që ndjek «dashamirësinë, do të gjejë jetë»

18, 19. Pse ligji i dashamirësisë nuk duhet të largohet nga gjuha jonë në marrëdhëniet me bashkadhuruesit?

18 Dashuria besnike duhet të jetë e dukshme në marrëdhëniet tona me bashkadhuruesit e Jehovait. Edhe në rrethana të vështira, ligji i dashamirësisë nuk duhet të largohet nga gjuha jonë. Kur dashamirësia e bijve të Izraelit u bë «si vesa që ikën shpejt», Jehovai u trishtua. (Hoz. 6:4, 6) Nga ana tjetër, Jehovai kënaqet kur shfaqim vazhdimisht dashamirësi. Mendo se si i bekon ata që e ndjekin dashamirësinë.

19 Proverbat 21:21 thotë: «Ai që ndjek drejtësinë dhe dashamirësinë, do të gjejë jetë, drejtësi dhe lavdi.» Ndër bekimet që do të përjetojë një person i tillë është se do të gjejë jetë​—jo një jetë të shkurtër, por pa fund. Jehovai e ndihmon atë që ‘të rrokë jetën e vërtetë’. (1 Tim. 6:12, 19) Prandaj, me çdo kusht ‘le t’i tregojmë vazhdimisht njëri-tjetrit dashamirësi’!​—Zak. 7:9.

[Shënimi]

^ par. 4 Për një shqyrtim të mëtejshëm se si ndryshon dashamirësia nga besnikëria, dashuria dhe mirëdashja ose sjellja e njerëzishme, shih Kullën e Rojës 15 maj 2002, faqet 12-13, 18-19.

A mund të shpjegosh?

• Si do ta përkufizoje dashamirësinë?

• Çfarë do të na ndihmojë të kemi ligjin e dashamirësisë në gjuhën tonë?

• Si tregojnë të martuarit dashuri besnike në të folur?

• Ç’gjë tregon se ligji i dashamirësisë është në gjuhën tonë në marrëdhëniet me bashkëbesimtarët?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 23]

Davidi e lartësoi dashamirësinë e Jehovait

[Figura në faqen 24]

A e bëni rregullisht Adhurimin Familjar?