Pse të jemi të përpiktë?
Pse të jemi të përpiktë?
TË JESH i përpiktë ose të jesh në kohë nuk është gjithnjë e lehtë. Disa nga vështirësitë që ndoshta duhet të kapërcejmë, janë largësitë e mëdha, trafiku i rënduar dhe programi i ngjeshur. Megjithatë, të jesh në kohë është e rëndësishme. Për shembull, në vendin e punës një person i përpiktë zakonisht konsiderohet i besueshëm dhe i papërtuar. Nga ana tjetër, dikush që mbërrin vonë mund të ndikojë te puna e të tjerëve dhe te cilësia e prodhimeve ose e shërbimeve që ofrojnë. Vonesa mund të bëjë që një student të humbasë disa orë mësimi dhe mund ta pengojë të bëjë përparim në shkollë. Vonesa në një takim te mjeku ose dentisti, mund të ndikojë te trajtimi që do të na bëhet.
Sidoqoftë, në disa vende përpikëria nuk konsiderohet aq e rëndësishme. Në një mjedis të tillë, vonesa mund të bëhet lehtë një zakon. Në këtë rast, është jetësore që të kultivojmë dëshirën për të qenë në kohë. Kur kuptojmë rëndësinë e përpikërisë, kjo sigurisht do të na ndihmojë të jemi të përpiktë. Cilat janë disa arsye që të jemi të përpiktë? Si mund ta përballojmë sfidën për të qenë të përpiktë? Çfarë dobish mund të kemi duke qenë në kohë?
Jehovai—Një Perëndi i përpiktë
Arsyeja kryesore pse duhet të jemi të përpiktë është se duam të imitojmë Perëndinë që adhurojmë. (Efes. 5:1) Jehovai lë një shembull të shkëlqyer rreth përpikërisë. Ai kurrë nuk vonon. I përmbahet ngushtësisht programit të tij që të përmbushë qëllimet e veta. Për shembull, kur Jehovai vendosi të shkatërronte botën e paperëndishme me një përmbytje, i tha Noesë: «Bëj një arkë druri me pemë rrëshinore.» Ndërsa koha e fundit afrohej, Jehovai i tha Noesë të hynte në arkë dhe e njoftoi: «Pas shtatë ditësh do të bëj të bjerë shi mbi tokë për dyzet ditë e dyzet net. Do të fshij nga faqja e tokës çdo gjë që ekziston dhe që kam bërë.» Pastaj, tamam në kohë, «shtatë ditë më vonë ujërat e përmbytjes u derdhën mbi tokë». (Zan. 6:14; 7:4, 10) Imagjinoni se çfarë mund t’i kishte ndodhur Noesë dhe familjes së tij po të mos kishin qenë brenda arkës në kohë. Ashtu si Perëndia që adhuronin, ata duhej të ishin të përpiktë.
Rreth 450 vjet pas Përmbytjes, Jehovai i tha patriarkut Abraham se do të bëhej me një djalë, nga i cili do të vinte Fara e premtuar. (Zan. 17:15-17) Perëndia tha se Isaku do të lindte «në kohën e caktuar, vitin që vjen». A ndodhi kështu? Shkrimet thonë: «Sara mbeti shtatzënë dhe i lindi Abrahamit një djalë në pleqërinë e tij, në kohën e caktuar që kishte thënë Perëndia.»—Zan. 17:21; 21:2.
Bibla është plot shembuj që tregojnë se Perëndia është i përpiktë. (Jer. 25:11-13; Dan. 4:20-25; 9:25) Ajo thotë që të rrimë në pritje të ditës së ardhshme të gjykimit të Jehovait. Edhe nëse duket sikur ‘vonon’ nga pikëpamja njerëzore, jemi të sigurt se «nuk do të vonojë».—Hab. 2:3.
Përpikëria është e rëndësishme në adhurim
Të gjithë meshkujt izraelitë duhej të ishin të pranishëm në kohë në vendin e caktuar për «festat periodike të Jehovait». (Lev. 23:2, 4) Gjithashtu, Perëndia përcaktoi kohën se kur duheshin paraqitur disa flijime. (Dal. 29:38, 39; Lev. 23:37, 38) A nuk tregon kjo se Perëndia do që shërbëtorët e tij të jenë të përpiktë në adhurim?
Në shekullin e parë, kur apostulli Pavël u dha udhëzime korintasve se si duheshin drejtuar mbledhjet e krishtere, i nxiti: «Çdo gjë le të ndodhë si ka hije dhe me rregull.» (1 Kor. 14:40) Kështu, mbledhjet e krishtere duhej të fillonin në kohën e caktuar. Pikëpamja e Jehovait për përpikërinë nuk ka ndryshuar. (Mal. 3:6) Atëherë, çfarë masash mund të marrim që të jemi të përpiktë në këto mbledhje të krishtere?
Të përballojmë sfidën për të qenë të përpiktë
Disa kanë parë se një gjë që i ndihmon shumë, është të bëjnë plane që më përpara. (Prov. 21:5) Për shembull, nëse duhet të bëjmë njëfarë rruge që të mbërrijmë në një orar të caktuar, a do të ishte e mençur të niseshim në një kohë kur pastaj mezi do të arrinim në orar? A nuk është më e matur të lëmë ca minuta shtesë që të mos jemi vonë, edhe nëse rrugës na ndodh ‘një ngjarje e paparashikuar’. (Ekl. 9:11) Hoseja, * një i ri i përpiktë thotë: «Diçka që mund të ndihmojë këdo që të mbërrijë në orar është të ketë një ide të qartë se sa kohë i duhet për udhëtimin.»
Për disa mund të jetë e nevojshme të marrin masa që ta lënë punën më shpejt, me qëllim që të mbërrijnë mjaft kohë përpara për mbledhjet e krishtere. Kështu bëri një Dëshmitar në Etiopi kur kuptoi se do të ishte 45 minuta me vonesë në mbledhjet e kongregacionit për shkak të ndryshimit të turnit në punë. Ai i organizoi gjërat që, në mbrëmjet kur kishte mbledhje, një koleg i turnit vijues të vinte në punë më herët. Nga ana e tij, Dëshmitari pranoi të bënte një turn shtesë prej shtatë orësh në vend të kolegut.
Nëse keni fëmijë të vegjël, mund të jetë një sfidë më vete të vini në kohë në mbledhje. Në përgjithësi, përgjegjësia për t’i bërë gati fëmijët bie te mamaja, por edhe familjarët e tjerë mund dhe duhet të ndihmojnë. Esperanca, një nënë meksikane, është kujdesur e vetme për tetë fëmijë. Ata janë të moshave nga 5 deri 23 vjeç. Esperanca shpjegon se si arrin familja e saj të jetë e përpiktë: «Vajzat më të mëdha i ndihmojnë më të vegjlit që të bëhen gati. Kjo më lejon të mbaroj punët e shtëpisë dhe të bëhem gati që të nisem për në mbledhje në kohën e caktuar.» Kjo familje ka një kohë të caktuar për t’u nisur nga shtëpia, dhe të gjithë bashkëpunojnë për të vepruar kështu.
Dobitë e përpikërisë në adhurim
Meditimi rreth bekimeve që marrim kur arrijmë në kohë në mbledhjet e krishtere, mund të na e forcojë dëshirën dhe vendosmërinë për të bërë çmos që të jemi të përpiktë. Një e re me emrin Sandra, e cila e ka zakon të shkojë në mbledhje mjaft kohë përpara, thotë: «Më pëlqen të shkoj herët sepse kam mundësi të përshëndet vëllezërit dhe motrat, të flas me ta dhe t’i njoh më mirë.» Hebr. 10:24, 25.
Kur mbërrijmë herët në Sallën e Mbretërisë, mund të nxjerrim dobi duke dëgjuar për qëndrueshmërinë dhe shërbimin besnik të të tjerëve që janë të pranishëm. Me praninë dhe me bisedat tona ndërtuese, mund të kemi edhe një ndikim të mirë te vëllezërit e motrat tona ‘duke i nxitur për dashuri dhe vepra të shkëlqyera’.—Kënga dhe lutja që hapin çdo mbledhje të krishterë janë pjesë thelbësore e adhurimit tonë. (Psal. 149:1) Këngët tona i japin lavdi Jehovait, na sjellin ndër mend cilësitë që duhet të kultivojmë dhe na nxitin të marrim pjesë me gëzim në shërbim. Ç’mund të themi për lutjen hapëse? Në kohët e lashta, Jehovai e quante tempullin e tij «shtëpi lutjeje». (Isa. 56:7) Sot ne mblidhemi për t’i ofruar lutje Perëndisë në mbledhjet tona. Në lutjen hapëse jo vetëm kërkohet drejtimi i Jehovait dhe fryma e shenjtë, por edhe përgatitim mendjen e zemrën për të marrë informacionet që do të shqyrtohen. Duhet të jemi të vendosur të arrijmë në mbledhje në kohë për këngën dhe lutjen hapëse.
Në lidhje me arsyen pse shkon herët në mbledhje, 23-vjeçarja Helën thotë: «Mendoj se është një mënyrë për t’i treguar Jehovait dashurinë time, meqë ai siguron tërë informacionet që paraqiten, përfshirë këngët dhe lutjen hapëse.» A nuk duhet ta shohim këtë gjë në të njëjtën mënyrë? Po, patjetër. Prandaj, le të përpiqemi të kultivojmë zakonin e përpikërisë në të gjitha aktivitetet tona, sidomos në ato që kanë të bëjnë me adhurimin e Perëndisë së vërtetë.
[Shënimi]
^ par. 12 Emrat janë ndryshuar.
[Figura në faqen 26]
Përgatituni mjaft kohë më përpara
[Figura në faqen 26]
Lini kohë për ‘ngjarjet e paparashikuara’
[Figurat në faqen 26]
Përfitoni nga dobitë që vijnë duke shkuar herët në mbledhje