Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si na shpëton shpërblesa?

Si na shpëton shpërblesa?

Si na shpëton shpërblesa?

«Ai që tregon besim te Biri, ka jetë të përhershme, kurse ai që nuk i bindet Birit, nuk do të shohë jetë, por zemërimi i Perëndisë mbetet mbi të.»​—GJONI 3:36.

1, 2. Cila ishte një arsye pse u botua në fillim Kulla e Rojës e Sionit?

«ASNJË studiuesi të kujdesshëm të Biblës nuk mund të mos i bëjë përshtypje theksi që vihet te vdekja e Krishtit»,—thuhej në numrin e katërt të kësaj reviste në tetor 1879. Ky artikull përfundonte me këtë vërejtje serioze: «Duhet të hedhim poshtë çfarëdo gjëje që lë të kuptohet se vdekja e Krishtit nuk është blatim dhe pajtim për mëkatin.»​—Lexo 1 Gjonit 2:1, 2.

2 Një nga arsyet pse Kulla e Rojës e Sionit u botua për herë të parë në korrik 1879, ishte për të mbrojtur mësimin biblik të shpërblesës. Faqet e saj siguronin «ushqim në kohën e duhur», sepse në fund të shekullit të 19-të, gjithnjë e më tepër të ashtuquajtur të krishterë filluan të dyshonin nëse vdekja e Jezuit mund të ishte vërtet shpërblesë për mëkatet tona. (Mat. 24:45) Në atë kohë, shumë po binin viktima të teorisë së evolucionit, një ide kjo që është në kundërshtim me faktin se njeriu ka rënë nga gjendja e tij e përsosur. Evolucionistët mësojnë se njeriu përmirësohet vetë dhe nuk ka nevojë për një shpërblesë. Prandaj, është veçanërisht e përshtatshme këshilla e apostullit Pavël drejtuar Timoteut: «Ruaje atë që të është lënë në dorëzim dhe largohu nga fjalët boshe që dhunojnë atë që është e shenjtë, e nga kontradiktat e asaj që në mënyrë të rreme quhet ‘njohuri’. Ngaqë u kapardisën me një njohuri të tillë, disa u larguan nga besimi.»​—1 Tim. 6:20, 21.

3. Cilat pyetje do të shqyrtojmë tani?

3 Pa dyshim ti je i vendosur të mos ‘largohesh nga besimi’. Për këtë qëllim, do të ishte mirë të shqyrtoje këto pyetje: pse kam nevojë për shpërblesën? Cila ishte kostoja e saj? Si mund të nxjerr dobi nga kjo masë e çmuar që mund të më shpëtojë nga zemërimi i Perëndisë?

Mund të shpëtojmë nga zemërimi i Perëndisë

4, 5. Ç’gjë e tregon se zemërimi i Perëndisë mbetet mbi sistemin e sotëm të lig?

4 Bibla dhe faktet e pamohueshme të historisë tregojnë se, që kur Adami mëkatoi, zemërimi i Perëndisë ‘ka mbetur’ mbi racën njerëzore. (Gjoni 3:36) Kjo duket qartë nga fakti se asnjë njeri nuk ka mundur t’i shpëtojë vdekjes. Sovraniteti rival i Satanait ka qenë krejtësisht i paaftë të mbrojë njerëzimin nga fatkeqësitë e vazhdueshme dhe asnjë qeveri nuk ka qenë në gjendje të plotësojë nevojat bazë të të gjithë qytetarëve të saj. (1 Gjon. 5:19) Kështu njerëzimin vazhdojnë ta mundojnë luftërat, krimet dhe varfëria.

5 Është e qartë pra, se Jehovai nuk po e bekon sistemin e sotëm të lig. Pavli tha se «zemërimi i Perëndisë po zbulohet nga qielli kundër gjithë paperëndishmërisë». (Rom. 1:18-20) Prandaj, ata që pa u penduar bëjnë një jetë të paperëndishme, nuk do t’u shpëtojnë pasojave të sjelljes së tyre. Sot zemërimi i Perëndisë po bëhet i njohur në mesazhet gjykuese që po derdhen si plagë mbi botën e Satanait dhe mesazhe të tilla dalin në shumë nga botimet tona të bazuara në Bibël.​—Zbul. 16:1.

6, 7. Në cilën vepër po prijnë të krishterët e mirosur dhe çfarë mundësie është ende e hapur për individët që janë pjesë e botës së Satanait?

6 A do të thotë kjo se është tepër vonë që individët të çlirohen nga sundimi i Satanait dhe të marrin miratimin e Perëndisë? Jo, sepse dera që çon drejt pajtimit me Jehovain është ende plotësisht e hapur. Të krishterët e mirosur, që janë «ambasadorë në vend të Krishtit», po prijnë në një shërbim publik nëpërmjet të cilit njerëzve nga të gjitha kombet po u bëhet përgjërimi: «Pajtohuni me Perëndinë.»​—2 Kor. 5:20, 21.

7 Apostulli Pavël tha se Jezui «do të na shpëtojë nga zemërimi që po vjen». (1 Sel. 1:10) Kjo shprehje përfundimtare e zemërimit të Jehovait do të çojë në shkatërrimin e përhershëm të mëkatarëve të papenduar. (2 Sel. 1:6-9) Kush do të shpëtojë? Bibla thotë: «Ai që tregon besim te Biri, ka jetë të përhershme, kurse ai që nuk i bindet Birit, nuk do të shohë jetë, por zemërimi i Perëndisë mbetet mbi të.» (Gjoni 3:36) Po, të gjithë ata që do të jenë gjallë dhe do të jenë duke treguar besim te Jezui e te shpërblesa, kur ky sistem të mbërrijë në fundin e tij, do të shpëtojnë nga pasojat e ditës përfundimtare të zemërimit të Perëndisë.

Si zbatohet shpërblesa?

8. (a) Ç’e ardhme shtrihej para Adamit dhe Evës? (b) Si tregoi Jehovai se drejtësia e tij është e përsosur?

8 Adami dhe Eva u krijuan të përsosur. Po të kishin qëndruar të bindur ndaj Perëndisë, tani toka do të ishte e mbushur me pasardhësit e tyre të lumtur që do të jetonin me ta në Parajsë. Por, mjerisht prindërit tanë të parë, me dashje shkelën urdhrin e Perëndisë. Si pasojë, u dënuan me vdekjen e përhershme dhe u dëbuan nga Parajsa. Kur Adami dhe Eva u bënë me fëmijë, mëkati e kishte infektuar njerëzimin dhe në fund burri e gruaja e parë u plakën e vdiqën. Kjo tregon se Jehovai e mban fjalën. Për më tepër drejtësia e Perëndisë është e përsosur. Jehovai e kishte paralajmëruar Adamin se po të hante nga fryti i ndaluar, do të vdiste​—dhe kështu ndodhi.

9, 10. (a) Pse vdesin pasardhësit e Adamit? (b) Si mund të shpëtojmë nga vdekja e përhershme?

9 Si pasardhës të Adamit, kemi trashëguar një trup të papërsosur që ka prirjen të mëkatojë dhe në fund të vdesë. Kur Adami mëkatoi, ishim si të thuash në ijët e tij. Prandaj dënimi me vdekje na përfshiu edhe ne. Në qoftë se Jehovai do ta kishte zhbërë procesin e vdekjes pa u paguar një shpërblesë, nuk do ta kishte mbajtur fjalën. Në fakt, Pavli foli për të gjithë ne kur tha: «Ne e dimë që Ligji është frymor, kurse unë jam mishor, i shitur që të jem skllav i mëkatit. Ç’njeri i mjerë që jam! Kush do të më çlirojë nga trupi që i nënshtrohet kësaj vdekjeje?»​—Rom. 7:14, 24.

10 Vetëm Perëndia Jehova mund të siguronte bazën ligjore nëpërmjet së cilës me të drejtë mund të na falte mëkatet dhe të na çlironte nga ndëshkimi i vdekjes së përhershme. Këtë e bëri duke dërguar Birin e tij të dashur nga qielli që të lindte si njeri i përsosur, i cili mund të jepte jetën si shpërblesë për ne. Ndryshe nga Adami, Jezui qëndroi i përsosur. Në të vërtetë, «ai nuk kreu asnjë mëkat». (1 Pjet. 2:22) Kështu Jezui kishte potencialin të bëhej ati i një race njerëzore të përsosur. Por, në vend të kësaj i lejoi armiqtë e Perëndisë ta vritnin me qëllim që të birësonte pasardhësit mëkatarë të Adamit dhe t’u bënte të mundur atyre që do të tregonin besim tek ai, të merrnin jetën e përhershme. Shkrimet shpjegojnë: «Ka një Perëndi dhe një ndërmjetës mes Perëndisë dhe njerëzve, Krishti Jezu, një njeri, i cili dha veten si një shpërblesë përkatëse për të gjithë.»​—1 Tim. 2:5, 6.

11. (a) Si mund të ilustrohen dobitë e shpërblesës? (b) Mbi cilët shtrihen dobitë e shpërblesës?

11 Mënyra si zbatohet shpërblesa mund të ilustrohet me rastin e disa njerëzve të cilëve një bankë e korruptuar ua ka marrë me mashtrim të gjitha kursimet dhe si pasojë kanë hyrë në borxh. Pronarët e bankës me të drejtë janë dënuar me disa vite burgim. Por, ç’do të bëhet me viktimat e pafajshme? Të katandisur në varfëri, ata nuk kanë rrugëdalje nga situata e tyre, por një njeri mirëdashës dhe i pasur merr kontrollin e bankës dhe ua rikthen të gjitha kursimet viktimave të mashtrimit, duke i çliruar nga borxhi. Në mënyrë të ngjashme, Perëndia Jehova dhe Biri i tij i dashur kanë blerë pasardhësit e Adamit dhe kanë fshirë borxhin e mëkatit në bazë të gjakut të derdhur të Jezuit. Ja pse Gjon Pagëzori mundi të thoshte për Jezuin: «Shihni, Qengji i Perëndisë që heq mëkatin e botës!» (Gjoni 1:29) Bota e njerëzimit, mëkatet e së cilës hiqen, nuk përfshin vetëm të gjallët, por edhe të vdekurit.

Cila ishte kostoja e shpërblesës?

12, 13. Çfarë mund të mësojmë nga ajo që ndjeu Abrahami kur u përgatit të ofronte si flijim Isakun?

12 Për ne është e pamundur të kuptojmë saktësisht se sa shumë i kushtoi shpërblesa Atit tonë qiellor dhe Birit të tij të dashur. Por Bibla tregon ngjarje që mund të na ndihmojnë të meditojmë për këtë çështje. Për shembull, imagjino si duhet të jetë ndier Abrahami teksa bënte një udhëtim treditor për në Moriah, që t’i bindej këtij urdhri të Perëndisë: «Merre birin tënd, të lutem, birin tënd të vetëm që e do kaq shumë, Isakun, dhe merr udhën për në vendin e Moriahut. Atje flijoje si një blatim të djegur në malin që do të të tregoj.»​—Zan. 22:2-4.

13 Në fund Abrahami arriti në vendin e caktuar. Mendo se sa do t’i jetë copëtuar zemra kur i lidhte duart e këmbët Isakut dhe i tha të shtrihej mbi altarin që Abrahami e kishte ndërtuar vetë. Sa e dhembshme duhet të ketë qenë për Abrahamin të ngrinte lart thikën me të cilën do të vriste të birin! Imagjino ndjenjat e Isakut ndërsa qëndronte i shtrirë mbi altar, duke pritur një dhimbje therëse që do ta çonte drejt vdekjes. Engjëlli i Jehovait e ndali Abrahamin tamam në kohë. Ajo që bënë Abrahami dhe Isaku në atë rast, na ndihmon të kuptojmë se sa duhet t’i ketë kushtuar Jehovait t’i lejonte përkrahësit e Satanait që të vritnin Birin e Tij. Bashkëpunimi i Isakut me Abrahamin ilustron mirë gatishmërinë e Jezuit për të vuajtur e për të vdekur për ne.​—Hebr. 11:17-19.

14. Cila ngjarje në jetën e Jakobit na ndihmon të kuptojmë koston e shpërblesës?

14 Kostoja e shpërblesës mund të ilustrohet edhe nga një ngjarje në jetën e Jakobit. Nga të gjithë bijtë e tij, Jakobi donte më shumë Jozefin. Mjerisht, vëllezërit e kishin smirë dhe e urrenin Jozefin. Gjithsesi, Jozefi pranoi me gatishmëri që i ati ta dërgonte për të parë se si ishin vëllezërit. Në atë kohë, ata po kullotnin kopenë e Jakobit rreth 100 kilometra në veri të shtëpisë së tyre në Hebron. Imagjino si u ndie Jakobi kur bijtë e tij u kthyen me rrobën e Jozefit të mbuluar me gjak! «Është rroba e tim biri!—thirri ai.—Jozefin do ta ketë gllabëruar ndonjë kafshë e egër! Do ta ketë shqyer!» E gjithë kjo pati mjaft ndikim te Jakobi, i cili mbajti zi për Jozefin shumë ditë. (Zan. 37:33, 34) Jehovai nuk reagon ndaj situatave tamam si njerëzit e papërsosur. Sidoqoftë, meditimi rreth kësaj ngjarjeje të jetës së Jakobit mund të na ndihmojë të kuptojmë, në njëfarë mase, se si duhet të jetë ndier Perëndia kur Birin e tij të dashur e keqtrajtuan dhe e vranë mizorisht ndërsa ishte në tokë si njeri.

Si nxjerrim dobi nga shpërblesa?

15, 16. (a) Si tregoi Jehovai se e pranoi shpërblesën? (b) Si ke nxjerrë dobi nga shpërblesa?

15 Perëndia Jehova e ringjalli Birin e tij besnik me një trup frymor të lavdishëm. (1 Pjet. 3:18) Për 40 ditë, Jezui i ringjallur iu shfaq dishepujve duke u forcuar besimin dhe duke i përgatitur për një vepër të madhe ungjillëzimi që i priste. Më pas ai u ngjit në qiell. Atje i paraqiti Perëndisë vlerën e gjakut të tij të derdhur, që të përdorej në dobi të dishepujve të tij të vërtetë të cilët tregojnë besim te vlera e flijimit shpërblyes. Perëndia Jehova tregoi se e pranoi shpërblesën e Krishtit, duke e caktuar Jezuin të derdhte frymën e shenjtë mbi dishepujt që ishin mbledhur në Jerusalem në festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s.​—Vep. 2:33.

16 Këta dishepuj të mirosur të Krishtit, menjëherë filluan t’u bënin thirrje njerëzve që të shpëtonin nga zemërimi i Perëndisë duke u pagëzuar në emër të Jezu Krishtit për faljen e mëkateve. (Lexo Veprat 2:38-40.) Që nga ajo ditë historike e deri më sot, miliona njerëz nga të gjitha kombet janë tërhequr nga Perëndia dhe kanë lidhur me të një marrëdhënie në bazë të besimit te flijimi shpërblyes i Jezuit. (Gjoni 6:44) Në këtë pikë kemi nevojë të shqyrtojmë edhe dy pyetje të tjera: a iu dha ndonjërit prej nesh shpresa e jetës së përhershme për shkak të veprave të mira? A mund ta humbim këtë shpresë të mrekullueshme pasi e kemi marrë?

17. Si duhet ta konsiderosh bekimin e mrekullueshëm që të jesh mik i Perëndisë?

17 Ne nuk e meritojmë aspak shpërblesën. Por, duke treguar besim tek ajo, miliona njerëz janë bërë miq me Perëndinë dhe kanë shpresën e jetës së përhershme në tokën parajsore. Megjithatë, të bëhemi miq të Jehovait nuk është një garanci se do të qëndrojmë në këtë marrëdhënie me të. Për t’i shpëtuar ditës së ardhshme të zemërimit të Perëndisë duhet të vazhdojmë të tregojmë mirënjohje të thellë për ‘shpërblesën që pagoi Krishti Jezu’.​—Rom. 3:24; lexo Filipianëve 2:12.

Vazhdo të tregosh besim te shpërblesa

18. Çfarë përfshin të tregosh besim te shpërblesa?

18 Shkrimi kryesor i këtij artikulli, Gjoni 3:36, e bën të qartë se të tregosh besim te Zotëria Jezu Krisht përfshin edhe t’i bindesh atij. Çmueshmëria për shpërblesën duhet të na nxitë të jetojmë në përputhje me mësimet e Jezuit, përfshirë edhe ato për normat morale. (Mar. 7:21-23) «Zemërimi i Perëndisë po vjen» mbi të gjithë ata që pa u penduar përfshihen në praktika të tilla si kurvëria, shakatë e ndyra dhe «ndyrësia e çdo lloji» e cila do të përfshinte shikimin e vazhdueshëm të pornografisë.​—Efes. 5:3-6.

19. Në cilat mënyra mund ta tregojmë besimin te shpërblesa?

19 Çmueshmëria për shpërblesën duhet të na nxitë të jemi të angazhuar në «veprime të përkushtimit hyjnor». (2 Pjet. 3:11) Le të rezervojmë mjaft kohë për lutjet e rregullta e me zjarr, studimin personal të Biblës, ndjekjen e mbledhjeve, adhurimin familjar dhe predikimin e zellshëm për Mbretërinë. Dhe, ‘të mos harrojmë të bëjmë të mira dhe të ndajmë gjërat me të tjerët, sepse Perëndia kënaqet me flijime të tilla’.​—Hebr. 13:15, 16.

20. Cilin bekim të ardhshëm mund të presin të gjithë ata që vazhdojnë të tregojnë besim te shpërblesa?

20 Kur zemërimi i Jehovait të shpërthejë mbi këtë sistem të lig, sa të lumtur do të jemi që kemi treguar besim te shpërblesa dhe mirënjohje të vazhdueshme për të! Dhe në botën e re që ka premtuar Perëndia, do të jemi përjetësisht mirënjohës për këtë masë të mrekullueshme që na shpëtoi nga zemërimi i Perëndisë.​—Lexo Gjonin 3:16; Zbulesën 7:9, 10, 13, 14.

Si do të përgjigjeshe?

• Pse kemi nevojë për shpërblesën?

• Cila ishte kostoja e shpërblesës?

• Çfarë dobish vijnë nga shpërblesa?

• Si tregojmë besim te flijimi shpërblyes i Jezuit?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 13]

Dera që çon drejt pajtimit me Jehovain është plotësisht e hapur

[Figurat në faqen 15]

Meditimi rreth këtyre ngjarjeve që lidheshin me Abrahamin, Isakun dhe Jakobin mund të na ndihmojë të kuptojmë koston e madhe të shpërblesës