Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

T’i rezistojmë presionit të opinionit

T’i rezistojmë presionit të opinionit

T’i rezistojmë presionit të opinionit

IDETË se çfarë është e përshtatshme ose e papërshtatshme dhe çfarë është e lavdërueshme ose e qortueshme, ndryshojnë nga njëri vend në tjetrin. Ato ndryshojnë edhe me kalimin e kohës. Prandaj, kur lexojmë tregime biblike për ngjarje që ndodhën në të kaluarën e largët, duhet të marrim parasysh opinionin dhe vlerat që ishin të zakonshme në kohët biblike, në vend që t’i gjykojmë në bazë të standardeve tona.

Për shembull, të marrim dy koncepte që përmenden herë pas here në Shkrimet e Krishtere Greke​—nderi dhe turpi. Që t’i kuptojmë më mirë fragmentet që flasin për nderin dhe turpin, duhet të mendojmë se si konsideroheshin nga njerëzit që jetonin në atë kohë.

Vlerat e shekullit të parë

«Grekët, romakët dhe judenjtë, i konsideronin nderin dhe turpin vlera thelbësore në kulturën e tyre,—thotë një studiues.—Njerëzit jetonin dhe vdisnin për nder, reputacion, famë, miratim dhe respekt.» Këto vlera i bënin të ndjeshëm ndaj opinionit të të tjerëve.

Statusi, pozita dhe nderi ishin gjithçka në një shoqëri ku u kushtohej shumë vëmendje rangjeve, që nga fisnikëria e deri te skllavëria. Nderi nuk nënkuptonte vetëm si e vlerësonte dikush veten, por edhe si e vlerësonin të tjerët. Të nderoje dikë, do të thoshte të pranoje publikisht se ai sillej në një mënyrë që pritej prej tij. Do të thoshte edhe të shfaqje përshtypjen për pasurinë, pozitën ose fisnikërinë e tij e si rrjedhim t’i kushtoje vëmendjen që pritej t’i jepej. Nderi mund të fitohej duke kryer bëma të virtytshme ose duke shkëlqyer mbi të tjerët. Në kontrast me këtë, turpi ose çnderimi shoqëroheshin nga poshtërimi ose talljet publike. Nuk ishte thjesht një ndjenjë personale ose reagim i ndërgjegjes së dikujt, por më tepër pasojë e dënimit nga shoqëria.

Kur Jezui foli për dikë që caktohej të ulej në një festë «në krye të vendit» ose në «vendin e fundit», sipas kulturës së asaj kohe kjo nënkuptonte nder ose turp. (Luka 14:8-10) Në të paktën dy raste, dishepujt e Jezuit debatuan se «kush nga ata dukej se ishte më i madhi». (Luka 9:46; 22:24) Kështu po shfaqnin një shqetësim që ishte shumë i madh për shoqërinë ku jetonin. Nga ana tjetër, udhëheqësit fetarë judenj që ishin krenarë dhe kishin frymën e konkurrencës, e shihnin predikimin e Jezuit si një sfidë ndaj nderit dhe autoritetit të tyre. Por përpjekjet e tyre për të qenë më lart se Jezui në debatet publike para turmave me njerëz, dështuan vazhdimisht.​—Luka 13:11-17.

Një koncept tjetër që ekzistonte në shekullin e parë në mendimin e judenjve, të grekëve dhe të romakëve, ishte turpi që «të të arrestonin e të të akuzonin publikisht për keqbërje», siç thotë studiuesi i përmendur më sipër. Për një person shihej si poshtërim ta lidhnin ose ta burgosnin. Një trajtim i tillë e fyente individin para miqve, familjes dhe komunitetit​—pavarësisht nëse ishte shpallur fajtor për një krim ose jo. Njolla që i mbetej më pas në reputacion mund t’ia dërrmonte respektin për veten e të dëmtonte marrëdhënien e tij me të tjerët. Më e turpshme se sa të të lidhnin ishte të të trajtonin me poshtërim duke të zhveshur ose duke të fshikulluar. Një trajtim i tillë ngjallte përbuzje e tallje, dhe ia hiqte nderin personit.

Ekzekutimi në një shtyllë torture ishte keqtrajtimi më poshtërues nga të gjithë. Ky ekzekutim ishte «ndëshkimi për skllevërit», thotë studiuesi Martin Hengel. «Për këtë arsye simbolizonte poshtërimin, turpin dhe torturën ekstreme.» Presioni nga shoqëria për ta mohuar një person që ishte çnderuar në këtë mënyrë, binte mbi familjen e miqtë e tij. Meqë Krishti vdiq në këtë mënyrë, të gjithë ata që donin të ishin të krishterë në shekullin e parë të e.s., duhej të përballonin sfidën e talljeve publike. Ka të ngjarë që shumica e njerëzve e konsideronin absurde të identifikoheshe si dishepull i një njeriu që e kishin vënë në shtyllë. Apostulli Pavël shkroi: «Ne predikojmë Krishtin të vënë në shtyllë, që për judenjtë është shkak pengese, kurse për kombet marrëzi.» (1 Kor. 1:23) Si e përballuan këtë sfidë të krishterët e hershëm?

Një tërësi vlerash të ndryshme

Të krishterët e shekullit të parë i bindeshin ligjit dhe përpiqeshin të shmangnin turpin që vinte nga sjellja e gabuar. Apostulli Pjetër shkroi: «Askush nga ju të mos vuajë si vrasës, a hajdut, a keqbërës, a si dikush që fut hundët në punët e të tjerëve.» (1 Pjet. 4:15) Megjithatë, Jezui paratha se dishepujt do të përndiqeshin për hir të emrit të tij. (Gjoni 15:20) Pjetri shkroi: «Nëse [dikush] vuan si i krishterë, le të mos e ketë për turp, por të vazhdojë t’i japë lavdi Perëndisë.» (1 Pjet. 4:16) Të mos kishte turp kur vuaje si dishepull i Krishtit, do të thoshte të hidhje poshtë normat shoqërore të asaj kohe.

Të krishterët nuk duhet t’i lejojnë standardet e të tjerëve t’u diktojnë sjelljen. Një Mesi i vënë në shtyllë ishte marrëzi për shoqërinë e shekullit të parë. Kjo pikëpamje mund të ketë ushtruar presion te të krishterët që të përvetësonin mënyrën e të menduarit të shumicës. Por, besimi i tyre se Jezui ishte Mesia, kërkonte që ta ndiqnin, edhe nëse të tjerët i tallnin. Jezui tha: «Nëse dikujt në këtë brez kurorëshkelës dhe mëkatar i vjen turp për mua dhe për fjalët e mia, edhe Birit të njeriut do t’i vijë turp për të, kur të mbërrijë në lavdinë e Atit të tij bashkë me engjëjt e shenjtë.»​—Mar. 8:38.

Sot mund të hasim presione që kanë si synim të na bëjnë të braktisim krishterimin. Këto mund të vijnë nga shokët e shkollës, fqinjët ose kolegët të cilët përpiqen të na përfshijnë në veprimtari imorale, të pandershme ose të diskutueshme. Individë të tillë mund të përpiqen të na bëjnë të kemi turp për qëndrimin tonë në favor të parimeve të drejta. Si duhet të reagojmë?

Të imitojmë ata që e përbuzën turpin

Për të ruajtur integritetin ndaj Jehovait, Jezui iu nënshtrua ekzekutimit më çnderues që mund t’i bëhej. «Ai duroi një shtyllë torture, [dhe] e përbuzi turpin.» (Hebr. 12:2) Armiqtë e goditën me shuplaka, e pështynë, e zhveshën, e fshikulluan, e vunë në shtyllë dhe e shanë. (Mar. 14:65; 15:29-32) Por, edhe pse ata u përpoqën ta turpëronin, Jezui e përbuzi turpin. Si? Ai nuk u dorëzua para këtij trajtimi. E dinte se nuk kishte humbur aspak dinjitetin në sytë e Jehovait dhe sigurisht nuk kërkonte lavdi nga njerëzit. Edhe pse Jezui vdiq si një skllav, Jehovai e nderoi duke e ringjallur dhe duke i dhënë vendin më të nderuar pranë Tij. Te Filipianëve 2:8-11 lexojmë: «[Krishti Jezu] e përuli veten dhe u bind madje deri në vdekje, po, vdekje në një shtyllë torture. Pikërisht për këtë arsye, Perëndia e ngriti në një pozitë më të lartë e me dashamirësi i dha emrin që është mbi çdo emër, në mënyrë që, në emër të Jezuit, të përkulet çdo gju i atyre në qiell, i atyre mbi tokë e nën tokë, dhe çdo gjuhë të pranojë hapur se Jezu Krishti është Zotëri në lavdi të Perëndisë, Atit.»

Jezui nuk ishte moskokëçarës për turpin që do të shoqëronte ekzekutimin e tij. Biri i Perëndisë ishte i shqetësuar për çnderimin që mund të vinte ndaj Atit ngaqë do të dënohej për blasfemi. Jezui i kërkoi Jehovait që t’i kursente këtë lloj poshtërimi. «Hiqe këtë kupë nga unë»,—u lut ai. Por Jezui iu nënshtrua vullnetit të Atit. (Mar. 14:36) Megjithatë, Jezui u rezistoi presioneve që iu bënë dhe e përbuzi turpin. Në fund të fundit, këtë turp do ta ndienin vetëm ata që pranonin plotësisht vlerat që ishin të zakonshme në kohën e tij. Por Jezui nuk i pranoi aspak këto vlera.

Edhe dishepujt e Jezuit i arrestuan e i rrahën. Ky trajtim i çnderoi ata në sytë e shumicës së njerëzve të cilët i shihnin me përbuzje. Gjithsesi nuk u sprapsën. Dishepujt e vërtetë i rezistuan presionit të opinionit dhe e përbuzën turpin. (Mat. 10:17; Vep. 5:40; 2 Kor. 11:23-25) E dinin se duhej ‘të merrnin ditë për ditë shtyllën e tyre të torturës dhe ta ndiqnin Jezuin vazhdimisht’.​—Luka 9:23, 26.

Ç’të themi për ne sot? Gjërat që bota i konsideron të marra, të dobëta dhe të përbuzshme, Perëndia i konsideron të mençura, të fuqishme dhe të nderuara. (1 Kor. 1:25-28) A nuk do të tregoheshim të marrë e mendjeshkurtër nëse do të ndikoheshim plotësisht nga opinioni?

Kushdo që dëshiron të nderohet, duhet t’i japë rëndësi asaj që bota mendon për të. Nga ana tjetër, ashtu si Jezui dhe dishepujt e shekullit të parë, ne dëshirojmë të kemi Jehovain si Mik. Prandaj, do të nderojmë atë që është e nderuar në sytë e tij dhe do të konsiderojmë të turpshme atë që ai konsideron të turpshme.

[Figura në faqen 4]

Jezui nuk u ndikua nga konceptet e botës për turpin