Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Fushatë speciale e suksesshme në Bullgari

Fushatë speciale e suksesshme në Bullgari

Fushatë speciale e suksesshme në Bullgari

«Të korrat janë të mëdha, por punëtorët janë pak. Prandaj lutjuni Zotërisë të të korrave, që të dërgojë punëtorë në të korrat e tij.» —MAT. 9:37, 38.

SA I shkojnë për shtat këto fjalë të Jezuit situatës në Bullgari, një vend i bukur ballkanik në juglindje të Evropës! Ekziston një nevojë reale për më shumë punëtorë që t’u çojnë lajmin e mirë më tepër se shtatë milionë banorëve. Në Bullgari ka rreth 1.700 lajmëtarë, por ata nuk janë në gjendje ta mbulojnë tërë territorin. Për këtë arsye, Trupi Udhëheqës dha miratimin që Dëshmitarë nga disa vende të Evropës, që flasin bullgarisht, të shkonin në Bullgari për të marrë pjesë në një fushatë speciale në vitin 2009. Fushata ishte programuar për shtatë javë gjatë verës dhe përfundoi me kongresin krahinor «Qëndroni vigjilentë!», që u mbajt në Sofje, në datat 14-16 gusht 2009.

Një përgjigje e jashtëzakonshme

Vëllezërit në zyrën e degës në Sofje vritnin mendjen se sa veta do t’i përgjigjeshin ftesës në Francë, Gjermani, Greqi, Itali, Poloni dhe Spanjë. Kjo do të thoshte të vinin në Bullgari me shpenzimet e tyre dhe ta kalonin periudhën e pushimeve duke predikuar. Sa emocionuese ishte që javë pas jave numri i atyre që bënin kërkesë, rritej derisa arriti në 292 veta! Me një pjesëmarrje kaq të madhe, do të ishte e mundur që këta vullnetarë të caktoheshin në tri qytete bullgare: Kazanlak, Sandanski dhe Silistër. Mbikëqyrësit qarkorë në Bullgari ftuan edhe pionierët dhe lajmëtarët vendës për të mbështetur fushatën. Në fund, 382 vullnetarë po predikonin me zell në territore që rrallë u ishte çuar lajmi i mirë.

Vëllezër nga kongregacionet fqinjë u dërguan që më përpara për të organizuar strehimin. Ata morën me qira apartamente dhe prenotuan hotele me çmime të lira. Këta vëllezër vendës punuan pa u lodhur për t’i ndihmuar vullnetarët që të sistemoheshin dhe më pas u kujdesën për nevojat e tyre. Në të tria qytetet u morën me qira vende për t’u mbledhur. U morën masa që mbledhjet e kongregacioneve të drejtoheshin nga vëllezërit vizitues. Ishte emocionuese të shihje që në vende ku nuk banonte asnjë Dëshmitar, u mblodhën 50 lajmëtarë për të lëvduar Jehovain.

Zelli i atyre që erdhën nga vende të tjera për fushatën ishte i jashtëzakonshëm. Gjatë stinës së verës, temperatura në Bullgari mund t’i kalojë 40 gradë celsius. Megjithatë, asgjë nuk mundi t’i ndalte këta vëllezër e motra të zellshëm. Në Silistër, një qytet në lumin Danub me më shumë se 50.000 banorë, u dha një dëshmi e plotë brenda tri javëve të para. Prandaj, vëllezërit bënë përpjekje të mëtejshme për të predikuar edhe në fshatrat përreth, duke shkuar madje deri në Tutrakan, 55 kilometra në perëndim të Silistrës. Zakonisht ata e fillonin shërbimin në orën 9.30. Pas pushimit të drekës, shpesh vazhdonin deri në orën 19 ose më vonë. Po kështu, për shkak të zellit të zjarrtë të këtyre vullnetarëve, fushata në Kazanlak dhe Sandanski u shtri edhe në fshatrat e qytetet fqinjë.

Çfarë u arrit?

Gjatë këtyre shtatë javëve u dha një dëshmi e jashtëzakonshme. Siç u tha në ditët e apostujve, banorët e këtyre qyteteve mund të thoshin: ‘E mbushët qytetin tonë me mësimin tuaj.’ (Vep. 5:28) Dëshmitarët që morën pjesë në fushatë lanë rreth 50.000 revista dhe filluan 482 studime biblike. Sa bukur që më 1 shtator 2009, në Silistër u formua një kongregacion dhe tani ka grupe edhe në Kazanlak e në Sandanski! Të ngrohet zemra kur sheh që individë që e dëgjuan për herë të parë lajmin e mirë gjatë kësaj fushate, po bëjnë përparim frymor të shkëlqyer.

Në javën e parë të fushatës, një pioniere speciale nga Spanja që flet bullgarisht, i predikoi Karinës, një zonje në Silistër që shiste gazeta në rrugë. Karina tregoi interes dhe shkoi në një mbledhje. Ajo pranoi menjëherë të bënte një studim biblik. Burri i saj është ateist, prandaj ajo kërkoi që studimi biblik të mbahej në një park. Në studimin biblik u përfshinë edhe dy vajzat e saj. Vajza më e madhe, Daniela, tregoi shumë çmueshmëri për të vërtetën biblike. Ajo e lexoi për një javë librin Çfarë mëson vërtet Bibla? dhe menjëherë e zbatoi urdhrin e Biblës për të mos përdorur shëmbëlltyrat në adhurim. Më pas, nisi t’u fliste për të vërtetën miqve të saj. Vetëm tri javë pasi kishte ndjekur mbledhjen e parë të kongregacionit, i tha motrës që i bënte studimin: «Ndihem si një prej jush. Çfarë duhet të bëj që të predikoj edhe unë?» Daniela vazhdon të bëjë përparim të mirë bashkë me mamanë dhe motrën më të vogël.

Në Kazanlak, një vëlla bullgar me emrin Orlin, i cili kishte ardhur nga Italia për fushatën, pas shërbimit po kthehej në këmbë te vendi ku banonte. Rrugës, Orlini i dha dëshmi dy të rinjve që po rrinin ulur në stolin e një parku. Ai u la librin Çfarë mëson vërtet Bibla? dhe ranë dakord që të kthehej për t’i rivizituar të nesërmen. Gjatë rivizitës, Orlini nisi një studim biblik me Svetomirin, që e vazhdoi ditën më pas. Për nëntë ditë, Orlini studioi me Svetomirin tetë herë. Svetomiri tha: «Dy ditë para se të të takoja, iu luta Perëndisë që të më ndihmonte ta njihja. I premtova që nëse do të më ndihmonte, do t’ia kushtoja jetën.» Pasi Orlini u kthye në Itali, vëllezërit vendës vazhduan studimin me Svetomirin dhe ai po e bën të tijën të vërtetën.

Bekime të pasura për ata që bëjnë sakrifica

Si ndihen ata që bujarisht i përdorën pushimet dhe shkuan me shpenzimet e tyre në një vend tjetër për të predikuar lajmin e mirë? Një plak që shërben në Spanjë shkroi: «Fushata i bashkoi më shumë vëllezërit e fushës bullgare në Spanjë. Ajo pati një ndikim të madh te vëllezërit që morën pjesë.» Një çift nga Italia shkroi: «Ishte muaji më i mrekullueshëm në jetën tonë!» Ata shtuan: «Fushata na e ndryshoi jetën! Tani jemi ndryshe.» Ky çift filloi të mendonte seriozisht për mundësinë që të transferohej përfundimisht në Bullgari, për të shërbyer aty ku ka më shumë nevojë. Karina, një motër beqare nga Spanja, e cila është pioniere e rregullt, mbështeti fushatën në Silistër. Pas kësaj, ajo e la punën në Spanjë dhe u transferua në Bullgari për të mbështetur kongregacionin e ri në atë qytet. Kishte kursyer mjaft para për të jetuar në Bullgari për një vit. Karina thotë për vendimin e saj: «Jam shumë e lumtur që Jehovai më lejon të shërbej në Bullgari dhe shpresoj të kem mundësi të qëndroj këtu për një kohë të gjatë. Tashmë kam pesë studime biblike dhe tri prej tyre po ndjekin mbledhjet.»

Një motër italiane donte të merrte pjesë në fushatë, por ngaqë sapo kishte filluar një punë të re, nuk kishte ditë pushimi. Pa u stepur, kërkoi një muaj leje pa pagesë dhe ishte gati ta linte punën nëse kërkesa e saj nuk do të pranohej. Për çudi, punëdhënësi i tha: «Dakord, por me një kusht: të më dërgosh një kartolinë nga Bullgaria.» Natyrisht, motra e ndjeu se Jehovai u ishte përgjigjur lutjeve të saj.

Stanislava, një motër në moshë të re nga qyteti bullgar i Varnës, e cila punonte në kohë të plotë e me një pagë të mirë, mori leje për fushatën në Silistër. Kur pa sa të lumtur ishin shumë pionierë që kishin ardhur nga aq larg për të predikuar lajmin e mirë në vendin e saj, i rrodhën lot. Filloi të mendonte se çfarë po bënte me jetën e saj, duke ndjekur një karrierë në botë. Kur u kthye në shtëpi pas dy javësh, e la punën dhe u bë pioniere e rregullt. Tani ndihet vërtet e lumtur, duke e kujtuar Krijuesin në rininë e saj.—Ekl. 12:1.

Ç’bekim është të jesh aktiv në shërbim të Jehovait! S’ka gjë më të mirë se sa t’ia kushtosh kohën dhe forcat veprës së rëndësishme të mësimdhënies dhe të predikimit të lajmit të mirë. A ka mënyra se si secili prej jush mund të marrë pjesë më shumë në këtë shërbim jetëshpëtues? Në vendin tuaj mund të ketë zona ku nevoja është më e madhe. A mund të transferoheni në një zonë të tillë? Ose mbase mund të mendoni të mësoni një gjuhë tjetër për të ndihmuar ata njerëz në vendin tuaj të cilët kanë etje për të vërtetën biblike. Jini të sigurt se çfarëdo ndryshimi që mund të bëni për të zgjeruar shërbimin, Jehovai do t’ju bekojë me bollëk.—Prov. 10:22.

[Kutia dhe figura në faqen 32]

Një ditë e paharrueshme

Shumë prej atyre që erdhën nga vendet evropiane për të mbështetur fushatën speciale në Bullgari, planifikuan të ndiqnin kongresin krahinor në Sofje: «Qëndroni vigjilentë!» Ishte shumë inkurajuese për vëllezërit dhe motrat vendës të takonin kaq shumë vizitorë nga vende të ndryshme. Sa të emocionuar ishin 2.039 të pranishmit kur vëlla Xhefri Xheksoni nga Trupi Udhëheqës, njoftoi daljen e Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re në gjuhën bullgare! Të gjithë të pranishmit atë të premte, shprehën çmueshmërinë nga zemra me një duartrokitje entuziaste dhe të gjatë. Madje shumë derdhën lot gëzimi. Ky përkthim i saktë në një gjuhë që kuptohet lehtë, do t’i ndihmojë bullgarët e sinqertë të njohin Jehovain.

[Harta në faqet 30, 31]

(Për tekstin e faqosur, shih botimin)

BULLGARIA

SOFJE

Sandanski

Silistër

Kazanlak

[Figurat në faqen 31]

Gjatë atyre shtatë javëve u dha një dëshmi e jashtëzakonshme