Kam shërbyer në një kohë rritjeje të mrekullueshme
Kam shërbyer në një kohë rritjeje të mrekullueshme
Treguar nga Harli Harisi
Ishte data 2 shtator 1950. Ndodheshim në Kenët të Misurit, SHBA. Ishim në një asamble qarkore, të rrethuar nga një turmë. Kryetari i bashkisë solli Gardën Kombëtare për të na mbrojtur nga turma që mezi mbahej nën kontroll. Ushtarët me pushkët gati dhe me bajonetat e hapura ishin rreshtuar në rrugë. Mes sharjeve, shkuam te makinat tona dhe u nisëm për në Kejp Xhirardo, Misuri, për sesionet e mbetura të asamblesë. Pikërisht atje u pagëzova në moshën 14-vjeçare. Por, më lejoni t’ju tregoj se si arrita t’i shërbeja Jehovait gjatë kësaj kohe me trazira.
NË FILLIM të viteve 30 të shekullit të 20-të, gjyshërit e mi dhe tetë fëmijët e tyre dëgjuan disa regjistrime të vëlla Radhërfordit dhe u bindën se kishin gjetur të vërtetën. Prindërit e mi, Bej dhe Mildred Harisi, u pagëzuan në vitin 1935 në kongresin që u mbajt në Uashington. Sa të lumtur ndiheshin ata që ishin pjesë e ‘shumicës së madhe’ që sapo ishte identifikuar në atë kongres!—Zbul. 7:9, 14.
Një vit më pas, linda unë dhe vitin tjetër, prindërit u transferuan në një territor të izoluar në Misisipi. Kur jetonim në atë territor, nuk kishim madje as një mbikëqyrës udhëtues që të na vizitonte. Familja ime kishte korrespondencë me Bethelin dhe ndiqte asambletë e, për njëfarë kohe, këto ishin gjithë lidhjet tona me vëllazërinë.
Qëndrojmë nën përndjekje
Gjatë Luftës II Botërore, Dëshmitarët e Jehovait hasën shumë përndjekje për shkak të qëndrimit asnjanës. Ishim transferuar në Mauntën Houm, Arkanzas. Një ditë, babai dhe unë po jepnim dëshmi në rrugë. Papritur, një burrë ia rrëmbeu revistat babait dhe i dogji në vend. Na quajti frikacakë, sepse nuk shkonim në luftë. Meqë isha vetëm pesë vjeç, fillova të qaja. Babai e vështroi me qetësi atë burrë pa thënë asnjë fjalë, derisa ai u largua.
Por kishte edhe njerëz të mirë që na mbështetnin. Në një rast, kur një turmë rrethoi makinën tonë, aty po kalonte prokurori vendës. «Ç’po ndodh këtu?»—pyeti. Një burrë u përgjigj: «Këta Dëshmitarët e Jehovait nuk duan të luftojnë për atdheun!» Sakaq, prokurori hipi mbi shkallaren e makinës sonë dhe thirri: «Unë luftova në Luftën I Botërore dhe do të luftoj edhe në këtë tjetrën! Lërini këta Vep. 27:3.
njerëz. Nuk po i bëjnë keq askujt!» Turma u shpërnda qetësisht. Sa i vlerësonim këta njerëz të mirë që u sollën njerëzisht me ne!—Kongreset na forcojnë
Kongresi i vitit 1941 në Sent-Luis, Misuri, ishte pikërisht ai që na duhej. Sipas një llogaritjeje, kongresin e ndoqën mbi 115.000 veta. U pagëzuan 3.903 veta, vërtet një numër mahnitës! E kujtoj mirë fjalimin e vëlla Radhërfordit me titull «Fëmijë të Mbretit». Ai na foli drejtpërdrejt neve të rinjve dhe të gjithë morëm një kopje të librit të bukur ngjyrë blu Fëmijët. Ky kongres më forcoi të përballoja atë që ndodhi vitin pasues, vit kur duhej të filloja shkollën fillore.
Kur nisi viti shkollor, kushërirat e mia dhe mua na dëbuan nga shkolla ngaqë nuk nderonim flamurin. Riktheheshim në shkollë çdo ditë për të parë nëse drejtorët e shkollës kishin ndërruar mendje. Për shumë mëngjese ecnim nëpër pyll për të shkuar në shkollë, por më pas na kthenin në shtëpi. Megjithatë, mendoja se kjo ishte mënyra jonë për të treguar besnikëri ndaj Mbretërisë së Perëndisë.
Megjithatë, jo shumë kohë më pas, Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara vendosi që nderimi i flamurit nuk ishte i detyrueshëm. Më në fund, mund të ndiqnim shkollën. Mësuesi ishte shumë i njerëzishëm dhe na lejoi të arrinim në mësime nxënësit e tjerë. Edhe shokët e klasës na trajtuan me respekt.
Kujtoj edhe kongresin e vitit 1942 në Klivlend, Ohajo, ku vëlla Nejthën Nori mbajti fjalimin: «Paqja: A mund të zgjatë?» Kjo analizë e kapitullit 17 të Zbulesës tregonte se pas Luftës II Botërore do të fillonte një periudhe paqeje relative. Kështu, pritej rritje e mëtejshme. Për t’u përgatitur për këtë zhvillim, në vitin 1943 u hap Shkolla e Galaadit. Nuk e dija se si do të ndikonte kjo në jetën time në të ardhmen. Pas luftës pati vërtet paqe dhe përndjekja u fashit. Mirëpo, kur në vitin 1950 filloi Lufta e Koresë, kundërshtimi ndaj predikimit tonë u ndez përsëri, siç e përshkrova në fillim.
Marr pjesë plotësisht në rritje
Në 1954-n, mbarova shkollën e mesme dhe një muaj më pas fillova shërbimin si pionier. Pasi shërbeva në Kenët të Misurit, ku një turmë na kishte rrethuar në vitin 1950, në mars të 1955-s mora ftesën për të shërbyer në Bethel. Kongregacioni ku u caktova kishte si pjesë të territorit Times Square, që gjendet në mes të qytetit të Nju-Jorkut. Çfarë ndryshimi për mua që vija nga fshati! Arrija t’ua tërhiqja vëmendjen njujorkezëve të zënë, duke hapur revistën te një artikull që të fuste në mendime dhe thosha: «A ia ke bërë ndonjëherë këtë pyetje vetes?» Shumë i pranonin revistat.
Një nga momentet e mia më të preferuara në Bethel, ishte adhurimi i mëngjesit drejtuar nga vëlla Nori. Sa i aftë ishte t’i bënte të gjalla vargjet biblike dhe t’i zbatonte për ne në një mënyrë praktike! Ai na fliste ne vëllezërve të rinj beqarë ashtu si një atë i flet të birit, duke dhënë shpesh këshilla të shkëlqyera për sjelljen me personat e seksit tjetër.
Në vitin 1960 kisha vendosur të martohesha. Dorëzova një njoftim 30 ditë përpara se të largohesha nga Betheli, por nuk mora përgjigje. Në fund të 30 ditëve, megjithëse isha shumë i ndrojtur, mora guximin të pyesja për datën e largimit. Në telefon u përgjigj vëlla Robert Uollëni dhe ai erdhi në vendin ku punoja. Më pyeti se ç’mendoja për shërbimin si pionier special ose për veprën qarkore. «Por, Bob,—i thashë,—unë jam veçse 24 vjeç dhe nuk kam përvojë.»
Vazhdoj në veprën qarkore
Atë mbrëmje, në dhomë më priste një zarf i madh. Në të kishte një kërkesë për shërbimin si pionier special dhe një tjetër për veprën qarkore. U shtanga nga habia. Kisha privilegjin e pamerituar t’u shërbeja vëllezërve në veprën
qarkore në jugperëndim të Misurit dhe në lindje të Kanzasit. Por, para se të largohesha nga Betheli, ndoqa një mbledhje për mbikëqyrësit udhëtues. Në fund, vëlla Nori tha: «Fakti që jeni mbikëqyrës qarkorë dhe krahinorë nuk do të thotë se dini më shumë se vëllezërit vendës. Disa kanë shumë më tepër përvojë se ju. Por rrethanat nuk ua lejojnë të kenë privilegjet tuaja. Mund të mësoni shumë prej tyre.»Sa e vërtetë ishte kjo! Vëlla Fred Mallëhani dhe e shoqja, bashkë me vëllanë e tij Çarlin nga Parsënzi i Kanzasit, ishin shembuj të jashtëzakonshëm. Ata e kishin njohur të vërtetën në fillim të shekullit të 20-të. Ç’kënaqësi ishte të dëgjoja përvojat që kishin pasur madje para se unë të lindja! Një vëlla tjetër ishte Xhon Ristëni, një vëlla i moshuar e mirëdashës nga Xhapllini i Misurit, që kishte shërbyer për shumë dekada. Këta vëllezër të dashur kishin respekt të thellë për rregullin teokratik. Më bënin të ndihesha i vlerësuar si mbikëqyrësi i tyre qarkor, pavarësisht nga mosha ime e re.
Në 1962-shin, u martova me Kloris Knoken, një pioniere energjike flokëkuqe. Vazhdova në veprën qarkore bashkë me Klorisin. Ngaqë rrinim me vëllezërit, arritëm t’i njihnim më mirë. Mundëm t’i nxitnim të rinjtë të nisnin shërbimin në kohë të plotë. Dy adoleshentë në qark—Xhej Këzinski dhe Xhoan Kresmëni—pritnin vetëm këtë nxitje. Duke dalë në shërbim me ta dhe duke ndarë bashkë gëzimet që vijnë nga një jetë vetëmohuese, u nxitën të vinin synime. Xhoana u bë pioniere speciale, kurse Xheji shërbeu në Bethel. Më vonë, u martuan bashkë dhe kanë rreth 30 vjet në veprën qarkore.
Shërbimi misionar
Në 1966-n, vëlla Nori na pyeti nëse ishim të interesuar për shërbimin në vende të huaja. «Jemi të lumtur këtu ku jemi,—u përgjigjëm,—por nëse ka nevojë diku tjetër, jemi në dispozicion.» Një javë më pas, u ftuam për Shkollën e Galaadit. Sa emocionuese ishte të ndodhesha përsëri në Bethel ndërsa ndiqja shkollën dhe të isha me shumë nga ata që i kisha dashur dhe respektuar! Gjithashtu, lidhëm miqësi me studentët e tjerë, të cilët po shërbejnë me besnikëri deri sot e kësaj dite.
Klorisi dhe unë u dërguam në Ekuador në Amerikën e Jugut, bashkë me Denis dhe Eduina Kristin, Ana Rodriguesin dhe Delia Sançesin. Çifti Krist shkoi në kryeqytetin Kuito. Ne, bashkë me Anën dhe Delian, u caktuam në Kuenka, qyteti i tretë në Ekuador për nga madhësia. Territori përfshinte dy provinca. Kongregacioni i parë i Kuenkës mblidhej në dhomën tonë të ndenjjes. Ishim ne të katërt dhe dy të tjerë. Pyesnim veten se si do të arrinim të predikonim tërë atë territor.
Kuenka ishte plot me kisha dhe në të ashtuquajturat ditë të shenjta, procesionet fetare mbushnin qytetin. Por banorët e Kuenkës
kishin shumë pyetje. Për shembull, herën e parë kur takova Mario Polon, një kampion në çiklizëm në Kuenkë, më befasoi me pyetjen: «Kush është prostituta që përmendet te libri i Zbulesës?»Njëherë tjetër, Mario erdhi një mbrëmje në shtëpinë tonë mjaft i shqetësuar. Një pastor evangjelist i kishte dhënë literaturë që përmbante akuza të rënda kundër Dëshmitarëve të Jehovait. Arsyetova me të se i akuzuari duhet lejuar të mbrohet. Prandaj, të nesërmen, Mario më ftoi mua dhe pastorin në shtëpinë e tij, që t’u përgjigjesha akuzave. Atë mbrëmje sugjerova të përqendroheshim te Triniteti. Kur pastori lexoi Gjonin 1:1, vetë Mario shpjegoi ndryshimin midis termave grekë «Perëndia» dhe «një perëndi». Dhe kështu bëri edhe me çdo varg tjetër biblik që u citua. Siç mund të kuptohet, pastori iku pa dhënë prova pro Trinitetit. Kjo e bindi Marion dhe gruan e tij se kishin të vërtetën dhe u bënë mbrojtës të shkëlqyer të mësimeve biblike. Ç’gëzim ishte të shihja rritjen e numrit të kongregacioneve në qytetin e Kuenkës në 33 dhe të formoheshin gjithsej 63 kongregacione në territorin e paanë të caktimit tonë të parë—vërtet një rritje e mrekullueshme!
Shoh rritje duke shërbyer në zyrën e degës
Në 1970-n, më kërkuan të shkoja në zyrën e degës në Guajakuil bashkë me Al Shullon. Të dy kujdeseshim për veprën në degë. Xho Sekëraku paketonte literaturën në kohë të pjesshme për 46 kongregacionet në mbarë vendin. Për ca kohë, Klorisi shërbeu në shërbimin në fushë, ndërsa unë punoja në Bethel. Ajo ka mundur të ndihmojë 55 veta deri në pagëzim, dhe shpesh kishte tre deri në pesë studentë që pagëzoheshin në një asamble.
Për shembull, Klorisi studioi me një grua që quhej Lukresia, burri i së cilës ishte kundërshtar. Prapëseprapë, në fund Lukresia u pagëzua dhe filloi të shërbente si pioniere e rregullt. Ajo u mësoi fëmijëve udhët e Jehovait. Dy djemtë e saj tani shërbejnë si pleq dhe njëri është pionier special, kurse vajza e saj shërben si pioniere. Mbesa u martua me një vëlla të shkëlqyer. Edhe ata shërbejnë si pionierë specialë. Kjo familje ka ndihmuar shumë veta që të mësojnë të vërtetën.
Në vitin 1980, në Ekuador kishte rreth 5.000 lajmëtarë. Zyra jonë e vogël nuk e mbante më personelin që shtohej. Një vëlla na ofroi një pronë prej rreth 32 hektarësh jashtë Guajakilit. Në vitin 1984, filluam të ndërtonim në këtë pronë një zyrë dege të re dhe një Sallë Asamblesh, të cilat u kushtuan në 1987-n.
Individë të gatshëm kontribuojnë për rritjen
Gjatë viteve ka qenë inkurajuese të shoh shumë lajmëtarë dhe pionierë nga vende të tjera, të vinin në Ekuador për të ndihmuar atje ku nevoja për predikues të Mbretërisë ishte e madhe. Një shembull që më kujtohet mirë është Endi Kid, një mësues në pension nga Kanadaja. Ai u transferua në Ekuador në 1985-n në moshën 70-vjeçare dhe shërbeu me besnikëri derisa vdiq në 2008-n në moshën 93-vjeçare. Kur e pashë për herë të parë në caktimin e tij, ishte i vetmi mbikëqyrës në një kongregacion të vogël. Edhe pse mezi fliste spanjisht, mbajti një fjalim publik e më pas drejtoi Studimin e Kullës së Rojës. Gjithashtu, drejtonte Shkollën e Shërbimit Teokratik dhe mbante shumicën e pjesëve në Mbledhjen e Shërbimit. Në atë zonë, tani ka dy kongregacione që lulëzojnë, me rreth 200 lajmëtarë dhe shumë pleq vendës.
Një vëlla tjetër, Ernesto Dias, i cili u transferua nga Shtetet e Bashkuara me familjen, tha pas tetë muajsh në Ekuador: «Tre fëmijët tanë ia kanë marrë dorën gjuhës dhe janë bërë mësues të shkëlqyer të Biblës. Si baba, kam arritur një synim që dukej i pamundur në këtë sistem—të jem pionier i rregullt e të marr
pjesë në shërbimin e plotkohor bashkë me familjen. Të gjithë bashkë po drejtojmë 25 studime biblike. E gjithë kjo ka bërë që të jemi një familje më e bashkuar dhe, mbi të gjitha, të kem një lidhje të ngushtë me Jehovain që nuk e kisha përjetuar kurrë më parë.» Sa shumë i vlerësojmë këta vëllezër e motra të çmuar!Në vitin 1994, zyra e degës u zgjerua më tej dhe godinat u dyfishuan. Në 2005-n kaluam shifrën e 50.000 lajmëtarëve dhe nevojitej një tjetër zgjerim i degës. Kjo përfshiu një Sallë Asambleje që u zgjerua, një godinë të re banimi dhe zyra përkthimi. Këto ndërtesa u kushtuan më 31 tetor 2009.
Kur më dëbuan nga shkolla në 1942-shin, në Shtetet e Bashkuara kishte rreth 60.000 Dëshmitarë. Tani janë mbi një milion. Kur erdhëm në Ekuador në 1966-n, kishte rreth 1.400 lajmëtarë të Mbretërisë. Tani ka më shumë se 68.000. Dhe është e sigurt se mjaft të tjerë do të vijnë nga 120.000 studimet biblike dhe nga më shumë se 232.000 të pranishmit në Përkujtimin e vdekjes së Krishtit më 2009-n. Vërtet, Jehovai e ka bekuar popullin e tij në një mënyrë që nuk do ta kishim imagjinuar kurrë. Sa emocionuese është të jetojmë në një kohë dhe në një vend me rritje të mrekullueshme! *
[Shënimi]
^ par. 35 Kur po përgatitej ky botim, Harli Harisi vdiq besnik ndaj Jehovait.
[Figurat në faqen 5]
Asamble në një ambient të hapur (1981) dhe Salla e Asambleve në Guajakuil (2009) në të njëjtin vend