Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Uniteti identifikon adhurimin e vërtetë

Uniteti identifikon adhurimin e vërtetë

Uniteti identifikon adhurimin e vërtetë

«Do t’i mbledh në unitet, si një kope në vathë.»—MIK. 2:12.

1. Çfarë dëshmish jep krijimi për mençurinë e Perëndisë?

NJË psalmist tha i emocionuar: «Sa të shumta janë veprat e tua, o Jehova! Që të gjitha i ke bërë me mençuri. Toka është plot me ato që ke bërë ti.» (Psal. 104:24) Mençuria e Jehovait shihet te ndërvarësia e miliona llojeve të bimëve, insekteve, kafshëve dhe baktereve në zinxhirin jashtëzakonisht të ndërlikuar të jetës në tokë. Gjithashtu, në trupin tonë mijëra mekanizma të ndryshëm, që nga organet e mëdha e deri te pjesëzat e qelizave, bashkëpunojnë për të bërë të mundur ekzistencën tonë dhe një shëndet të mirë.

2. Siç përshkruhet në faqen 13, pse uniteti midis të krishterëve të shekullit të parë duhet të jetë dukur një mrekulli?

2 Jehovai e krijoi njerëzimin që të ishte i ndërvarur. Raca njerëzore karakterizohet nga një larmi e gjerë pamjesh, personalitetesh dhe aftësish. Përveç kësaj, Perëndia i pajisi njerëzit e parë me cilësi të ngjashme me të tijat, që do t’u jepnin mundësi të bashkëpunonin me njëri-tjetrin dhe të vareshin nga njëri-tjetri. (Zan. 1:27; 2:18) Megjithatë, sot njerëzimi në përgjithësi është i ndarë nga Perëndia dhe si një i tërë, kurrë nuk ka mundur të veprojë në unitet. (1 Gjon. 5:19) Prandaj, duke pasur parasysh se kongregacioni i krishterë i shekullit të parë përbëhej nga njerëz shumë të ndryshëm, nga skllevër efesianë, gra të shquara greke, burra judenj të arsimuar dhe ish-adhurues të idhujve, uniteti i tyre duhet të jetë dukur një mrekulli.—Vep. 13:1; 17:4; 1 Sel. 1:9; 1 Tim. 6:1.

3. Si e përshkruan Bibla unitetin e të krishterëve dhe çfarë do të shqyrtojmë në këtë studim?

3 Adhurimi i vërtetë u jep mundësi njerëzve të bashkëveprojnë po aq harmonishëm sa edhe gjymtyrët e trupit. (Lexo 1 Korintasve 12:12, 13.) Disa aspekte që do të shqyrtojmë në këtë artikull janë: si i bashkon njerëzit adhurimi i vërtetë? Pse Jehovai është i vetmi që mund të bashkojë miliona njerëz nga të gjitha kombet? Cilat pengesa ndaj unitetit na ndihmon Jehovai të kapërcejmë? Dhe, si ndryshon krishterimi i vërtetë nga ai i rremë për sa i përket unitetit?

Si i bashkon njerëzit adhurimi i vërtetë?

4. Si i bashkon njerëzit adhurimi i vërtetë?

4 Njerëzit që praktikojnë adhurimin e vërtetë e pranojnë se, meqë Jehovai krijoi gjithçka, ai është Sovrani i ligjshëm i universit. (Zbul. 4:11) Prandaj, megjithëse të krishterët e vërtetë jetojnë në shoqëri dhe rrethana të ndryshme, të gjithë u binden të njëjtave ligje të Perëndisë dhe jetojnë sipas të njëjtave parime biblike. Të gjithë adhuruesit e vërtetë në mënyrë të përshtatshme i drejtohen Jehovait duke e quajtur ‘Atë’. (Isa. 64:8; Mat. 6:9) Për këtë arsye, janë të gjithë vëllezër frymorë dhe mund të gëzojnë unitetin e bukur që përshkroi psalmisti: «Ja, sa mirë dhe sa bukur është që vëllezërit të banojnë së bashku në unitet!»—Psal. 133:1.

5. Cila është ajo cilësi që kontribuon në unitetin e adhuruesve të vërtetë?

5 Ndonëse të krishterët e vërtetë janë të papërsosur, ata e adhurojnë Perëndinë në unitet sepse kanë mësuar ta duan njëri-tjetrin. Jehovai i mëson ta duan njëri-tjetrin ashtu si askush tjetër nuk mund ta bëjë. (Lexo 1 Gjonit 4:7, 8.) Në Fjalën e tij thuhet: «Vishuni me dhembshuri të butë, mirëdashje, përulësi mendjeje, butësi dhe shpirtgjerësi. Vazhdoni të duroni dhe të falni bujarisht njëri-tjetrin, edhe nëse ndokush ka shkak për t’u ankuar kundër një tjetri. Ashtu si Jehovai ju fali bujarisht, po kështu bëni edhe ju. Por, përveç të gjitha këtyre gjërave, vishuni me dashuri, pasi ajo është një lidhje e përsosur bashkimi.» (Kolos. 3:12-14) Kjo lidhje e përsosur bashkimi, pra dashuria, është cilësia kryesore që i identifikon të krishterët e vërtetë. A nuk e ke parë vetë se ky lloj uniteti është një veçori dalluese e adhurimit të vërtetë?—Gjoni 13:35.

6. Si na ndihmon shpresa e Mbretërisë që të gëzojmë unitet?

6 Adhuruesit e vërtetë janë në unitet edhe sepse e shohin Mbretërinë e Perëndisë si të vetmen shpresë për njerëzimin. E dinë se së shpejti Mbretëria e Perëndisë do t’u zërë vendin qeverive njerëzore dhe do t’i bekojë njerëzit e bindur me paqe të vërtetë e të vazhdueshme. (Isa. 11:4-9; Dan. 2:44) Prandaj, të krishterët u vënë veshin këtyre fjalëve që tha Jezui për dishepujt: «Ata nuk janë pjesë e botës, ashtu si unë nuk jam pjesë e botës.» (Gjoni 17:16) Të krishterët e vërtetë qëndrojnë asnjanës në konfliktet e botës, ja përse gëzojnë unitet edhe kur njerëzit përreth tyre janë në luftë.

Një burim i vetëm udhëzimesh frymore

7, 8. Si kontribuojnë udhëzimet biblike në unitetin tonë?

7 Të krishterët e shekullit të parë gëzonin unitet, sepse të gjithë merrnin udhëzime nga i njëjti burim. Ata pranonin se Jezui e mësonte dhe e drejtonte kongregacionin nëpërmjet një trupi udhëheqës, që përbëhej nga apostujt dhe pleqtë e Jerusalemit. Këta burra të përkushtuar i bazonin vendimet e tyre te Fjala e Perëndisë dhe, nëpërmjet mbikëqyrësve udhëtues, ua përcillnin udhëzimet kongregacioneve në vende të ndryshme. Për disa nga këta mbikëqyrës, Bibla thotë: «Nëpër qytetet ku shkonin, njoftonin dekretet e vendosura nga apostujt dhe pleqtë në Jerusalem, që ata t’i zbatonin.»—Vep. 15:6, 19-22; 16:4.

8 Në mënyrë të ngjashme edhe sot, Trupi Udhëheqës që përbëhet nga të krishterë të mirosur nga fryma, kontribuon për unitetin e kongregacionit mbarëbotëror. Trupi Udhëheqës boton në shumë gjuhë literaturë inkurajuese nga ana frymore. Ky ushqim frymor bazohet në Fjalën e Perëndisë. Prandaj, ajo që mësohet nuk vjen nga njerëzit, por nga Jehovai.—Isa. 54:13.

9. Si na ndihmon të jemi në unitet vepra që na ka dhënë Perëndia?

9 Gjithashtu, edhe mbikëqyrësit e krishterë nxitin unitetin duke marrë drejtimin në predikim. Lidhja e ngushtë midis atyre që bashkëpunojnë në shërbimin ndaj Perëndisë është ku e ku më e fortë se lidhjet që kanë njerëzit në botë, të cilët rrinë me njëri-tjetrin sa për shoqëri. Kongregacioni i krishterë nuk u themelua thjesht për të ndenjur në shoqëri me të tjerët, por për të nderuar Jehovain dhe për të kryer një vepër—predikimin e lajmit të mirë, bërjen e dishepujve dhe ndërtimin e kongregacionit. (Rom. 1:11, 12; 1 Sel. 5:11; Hebr. 10:24, 25) Ja pse apostulli Pavël priste të dëgjonte për të krishterët këto fjalë: «Po qëndroni të patundur në një mendje, duke u përpjekur krah për krah me një shpirt për besimin e lajmit të mirë.»—Filip. 1:27.

10. Cilat janë disa mënyra se si jemi në unitet si populli i Perëndisë?

10 Kështu, si popull i Jehovait jemi në unitet sepse pranojmë sovranitetin e Tij, i duam vëllezërit, shpresojmë te Mbretëria e Perëndisë dhe respektojmë ata që përdor Ai për të marrë drejtimin mes nesh. Jehovai na ndihmon të mposhtim disa qëndrime që vijnë nga papërsosmëria dhe mund të kërcënojnë unitetin.—Rom. 12:2.

Të mposhtim krenarinë dhe xhelozinë

11. Pse krenaria sjell përçarje dhe si na ndihmon Jehovai ta mposhtim atë?

11 Krenaria i ndan njerëzit. Një personi krenar i pëlqen ta konsiderojë veten më të lartë se të tjerët dhe zakonisht provon kënaqësi egoiste duke u mburrur. Por, shpesh kjo e pengon unitetin, sepse ata që e dëgjojnë të mburret, mund të bëhen xhelozë. Dishepulli Jakov e thotë troç: «Gjithë kjo krenari është e ligë.» (Jak. 4:16) Nuk tregojmë dashuri nëse i trajtojmë të tjerët si më të ulët. Vlen të përmendet se Jehovai është një shembull përulësie, pasi merret me ne që jemi njerëz të papërsosur. Davidi shkroi: «Përulësia jote [e Perëndisë] më bën të madh.» (2 Sam. 22:36) Fjala e Perëndisë na ndihmon ta mposhtim krenarinë duke na mësuar që të arsyetojmë siç duhet. Pavli u frymëzua të shkruante: «Kush të ka bërë ty që të jesh ndryshe nga një tjetër? Në të vërtetë, ç’gjë ke ti që nuk e ke marrë? Nëse në të vërtetë e ke marrë, përse mburresh sikur nuk e ke marrë?»—1 Kor. 4:7.

12, 13. (a) Pse është e lehtë të bëhemi xhelozë? (b) Çfarë vjen si rezultat kur përvetësojmë pikëpamjen e Jehovait për të tjerët?

12 Xhelozia është një pengesë tjetër e zakonshme ndaj unitetit. Për shkak të papërsosmërisë së trashëguar, të gjithë jemi ‘të prirur drejt zilisë’ e madje edhe ata që janë prej kohësh të krishterë ndonjëherë mund të bëhen xhelozë për rrethanat, zotërimet, privilegjet ose aftësitë e të tjerëve. (Jak. 4:5) Për shembull, një vëlla i martuar e me fëmijë mund të bëhet xheloz për privilegjet që ka një shërbëtor në kohë të plotë, pa e ditur që shërbëtori në kohë të plotë mund të ndihet paksa xheloz për vëllanë me fëmijë. Çfarë mund të bëjmë që një xhelozi e tillë të mos na e prishë unitetin?

13 Një gjë që mund të na ndihmojë të shmangim xhelozinë është të kujtojmë se Bibla i krahason pjesëtarët e mirosur të kongregacionit të krishterë me gjymtyrët e trupit të njeriut. (Lexo 1 Korintasve 12:14-18.) Për shembull, ndonëse syri shihet, kurse zemra jo, a nuk janë që të dy të vlefshëm? Po kështu, Jehovai i vlerëson të gjithë pjesëtarët e kongregacionit, megjithëse për njëfarë kohe disa spikatin më shumë se të tjerët. Prandaj, le të përvetësojmë pikëpamjen e Jehovait për vëllezërit. Në vend që të jemi xhelozë për të tjerët, mund të tregojmë interes personal për ta. Duke vepruar kështu, bëjmë pjesën tonë që të krishterët e vërtetë të dallohen nga ata të kishave të të ashtuquajturit krishterim.

I ashtuquajturi krishterim karakterizohet nga përçarja

14, 15. Si u përça krishterimi apostat?

14 Uniteti i të krishterëve të vërtetë është në kontrast me konfliktet që ekzistojnë midis kishave të të ashtuquajturit krishterim. Në shekullin e katërt, tashmë krishterimi apostat ishte përhapur kaq shumë, saqë madje një perandor pagan i Romës e pranoi këtë besim dhe e mori nën kontroll, duke kontribuar kështu në formimin e të ashtuquajturit krishterim. Më pas, si pasojë e ndarjeve që vijuan, shumë mbretëri u shkëputën nga Roma dhe formuan kishat e veta zyrtare.

15 Shumë nga këto mbretëri luftuan kundër njëra-tjetrës për shekuj. Gjatë shekujve të 17-të dhe të 18-të, njerëzit në Britani, Francë dhe Shtetet e Bashkuara nxitnin përkushtimin ndaj shtetit të tyre e për pasojë nacionalizmi faktikisht u bë si një fe. Gjatë shekujve të 19-të dhe të 20-të, nacionalizmi filloi të mbizotëronte mënyrën e të menduarit të shumicës së njerëzimit. Si përfundim, kishat e të ashtuquajturit krishterim u copëtuan në sekte të shumta, pjesa më e madhe e të cilave toleronte nacionalizmin. Besimtarët e kishave madje kanë luftuar kundër bashkëbesimtarëve të një kombi tjetër. Sot, i ashtuquajturi krishterim është i ndarë nga bindjet sektare dhe nga nacionalizmi.

16. Cilat çështje i ndajnë ata të të ashtuquajturit krishterim?

16 Në shekullin e 20-të, disa prej qindra sekteve të të ashtuquajturit krishterim nisën lëvizjen ekumenike, e cila kishte si qëllim të bashkonte kishat e krishtere. Por pas shumë dekadash përpjekjeje, vetëm pak kisha janë përzier në një të vetme dhe besimtarët e tyre janë ende të ndarë në lidhje me pyetje të tilla, si evolucioni, aborti, homoseksualizmi dhe emërimi i grave në poste kishtare. Në disa pjesë të të ashtuquajturit krishterim, udhëheqësit e kishës përpiqen t’i bashkojnë njerëzit e sekteve të ndryshme duke minimizuar rëndësinë e disa doktrinave të mëparshme përçarëse. Mirëpo, kjo gjë i lë njerëzit me një besim të cekët dhe sigurisht nuk i bashkon fetë e ndara të të ashtuquajturit krishterim.

Adhurimi i vërtetë qëndron mbi nacionalizmin

17. Në ç’mënyrë ishte parathënë se adhurimi i vërtetë do t’i bashkonte njerëzit «në ditët e fundit»?

17 Megjithëse tani njerëzimi është i përçarë keqas si asnjëherë tjetër, uniteti vazhdon t’i dallojë adhuruesit e vërtetë. Profeti i Perëndisë, Mikea, paratha: «Do t’i mbledh në unitet, si një kope në vathë.» (Mik. 2:12) Mikea paratha lartësimin e adhurimit të vërtetë mbi të gjitha format e tjera të adhurimit, qoftë adhurimit të perëndive të rreme, qoftë adhurimit të shtetit si perëndi. Ai shkroi: «Në ditët e fundit, mali i shtëpisë së Jehovait do të lartësohet patundshmërisht mbi majat e maleve dhe do të ngrihet më lart se kodrat. Drejt tij do të vërshojnë popujt. Sepse të gjithë popujt do të ecin secili në emër të perëndisë së vet, kurse ne do të ecim në emër të Jehovait, Perëndisë tonë.»—Mik. 4:1, 5.

18. Çfarë ndryshimesh na ka ndihmuar të bëjmë adhurimi i vërtetë?

18 Gjithashtu, Mikea përshkroi se si adhurimi i vërtetë do të bashkonte ata që më parë ishin armiq. «[Njerëz nga] shumë kombe do të shkojnë e do të thonë: ‘Ejani, le të ngjitemi në malin e Jehovait dhe në shtëpinë e Perëndisë së Jakobit. Ai do të na mësojë udhët e tij, dhe ne do të ecim në shtigjet e tij.’ . . . Ata do t’i farkëtojnë shpatat duke i kthyer në plore dhe heshtat në kiza për krasitje. Kombet nuk do ta ngrenë shpatën kundër njëri-tjetrit, dhe as do të mësojnë më të luftojnë.» (Mik. 4:2, 3) Ata që lënë adhurimin e kombeve ose të perëndive të bëra nga njeriu, që të përqafojnë adhurimin e Jehovait, gëzojnë unitet mbarëbotëror. Perëndia i mëson ata në udhët e dashurisë.

19. Për çfarë dëshmon qartë bashkimi i miliona njerëzve në adhurimin e vërtetë?

19 Uniteti mbarëbotëror i të krishterëve të vërtetë sot është unik dhe dëshmon në mënyrë të qartë se Jehovai vazhdon ta udhëheqë popullin e tij nëpërmjet frymës. Si kurrë më parë në histori, po bashkohen njerëz nga të gjitha kombet. Kjo është një përmbushje e jashtëzakonshme e asaj që përfshin Zbulesa 7:9, 14 dhe tregon se engjëjt e Perëndisë së shpejti do të lëshojnë «erërat» që do të shkatërrojnë sistemin e sotëm të lig. (Lexo Zbulesën 7:1-4, 9, 10, 14.) A nuk është një privilegj të jemi në unitet me vëllazërinë mbarëbotërore? Si mund të kontribuojë secili prej nesh për këtë unitet? Kjo do të shqyrtohet në artikullin vijues.

Si do të përgjigjeshit?

• Si i bashkon njerëzit adhurimi i vërtetë?

• Si mund ta frenojmë xhelozinë që të mos na prishë unitetin?

• Pse nacionalizmi nuk i ndan adhuruesit e vërtetë?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 13]

Të krishterët e shekullit të parë kishin prejardhje të ndryshme

[Figurat në faqen 15]

Si i kontribuon unitetit ndihma që jepni për projektet e Sallave të Mbretërisë?