Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Gjithnjë aktiv në organizatën e Jehovait

Gjithnjë aktiv në organizatën e Jehovait

Gjithnjë aktiv në organizatën e Jehovait

Treguar nga Vërnën Zubkoja

JAM rritur në një fermë pranë Stenënit, një fshat në provincën e Saskaçevanit, Kanada. Prindërit e mi, Fredi dhe Adela, punonin fort që të kujdeseshin frymësisht dhe materialisht për motrën time më të madhe, Aureljën, mua, si edhe për fëmijët e tjerë më të vegjël, Alvinin, Alegrën dhe Darilin. Edhe sot e kësaj dite, u jemi mirënjohës prindërve që na mësuan të vërtetën.

Babai, një i krishterë i mirosur, ishte ungjillëzues i patrembur. Punonte fort për të siguruar jetesën, por edhe përpiqej që çdokush ta dinte se ai ishte Dëshmitar. Fliste gjithnjë për të vërtetën. Zelli dhe guximi i tij lanë mbresë të thellë tek unë. Shpesh më thoshte: «Ji gjithnjë aktiv në organizatën e Jehovait dhe do të shmangësh shumë probleme.»

Shpesh dëshmonim në rrugë në Stenën dhe në komunitetet përreth. Për mua kjo nuk ishte gjithnjë e lehtë. Çdo qytezë kishte «të fortët» e vet që vinin te ne më të vegjlit dhe na tallnin. Njëherë, kur isha tetë vjeç, po qëndroja në këmbë në një cep rruge me revistat Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! kur më rrethoi një grup të rinjsh. Më rrëmbyen kapelën time të re dhe e vunë mbi një shtyllë pranë meje. Shyqyr që një vëlla më i madh në moshë që më vëzhgonte herë pas here, pa se ç’po ndodhte. U afrua dhe pyeti: «Vërn, ka ndonjë problem?» Djemtë u zhdukën në çast. Megjithëse kjo përvojë më trazoi disi, më mësoi se kur dëshmojmë në rrugë, duhet të jemi në lëvizje e jo të qëndrojmë si shtyllë. Kjo stërvitje gjatë viteve që rritesha, më dha edhe guximin e nevojshëm për të shkuar shtëpi më shtëpi.

Alvini dhe unë u pagëzuam në maj 1951. Isha 13 vjeç. Ende kujtoj vëlla Xhek Nejthënin që mbajti fjalimin e pagëzimit, i cili na nxiti të mos lëmë asnjë muaj pa folur për Jehovain. * Në familjen tonë, shërbimi i pionierit shihej gjithnjë si karriera më e mirë për t’u ndjekur. Prandaj, më 1958-n, pasi mbarova shkollën, u transferova në Vinipeg, Manitobë, që të shërbeja si pionier. Megjithëse babai ishte i lumtur që punonim bashkë në biznesin e familjes si lëmues druri, ai dhe mamaja më nxitnin shumë për shërbimin në kohë të plotë dhe ishin dakord që të transferohesha.

Një shtëpi e re dhe një shoqe

Më 1959-n, zyra e degës ftoi këdo që kishte mundësi, të transferohej në Kuebek ku kishte shumë nevojë për ungjillëzues. Shkova të shërbeja si pionier në Monreal. Çfarë ndryshimi! Ishte një përvojë krejt e re në jetën time, pasi po mësoja frëngjisht dhe se si të përshtatesha me një kulturë tjetër. Mbikëqyrësi ynë qarkor më tha: «Kurrë mos thuaj: ‘Kështu i bënim ne gjërat në vendin tonë.’» Ishte një këshillë e mirë.​—1 Kor. 9:22, 23.

Nuk kisha një shok shërbimi kur u transferova në Kuebek. Por një motër e re në moshë me emrin Shërli Tërkat, që e kisha takuar më parë në Vinipeg, u bë shoqja ime e përhershme kur u martuam në shkurt 1961. Edhe ajo vinte nga një familje që e donte Jehovain. Edhe pse në atë kohë nuk e kuptoja tamam, gjatë viteve ajo do të bëhej për mua një burim shumë i çmuar force dhe inkurajimi.

Një fushatë në Gaspé

Dy vjet pas martesës, u caktuam si pionierë specialë në Rimuski, Kuebek. Pranverën pasuese, zyra e degës na kërkoi të bënim një fushatë predikimi në mbarë gadishullin e Gaspesë, përgjatë bregut lindor të Kanadasë. Kishim si caktim të mbillnim sa më shumë fara të së vërtetës. (Ekl. 11:6) E ngarkuam makinën tonë me më tepër se 1.000 revista dhe rreth 400 libra, si edhe me ca ushqime e veshje, dhe u nisëm për një fushatë predikimi njëmujore. Predikuam në mënyrë sistematike të gjitha fshatrat e vogla në Gaspé. Stacioni radiofonik vendës njoftoi se po vinin Dëshmitarët dhe u tha njerëzve të mos i pranonin botimet tona. Mirëpo, shumica e banorëve e keqkuptuan njoftimin dhe menduan se po u bënte reklamë botimeve tona, prandaj e pranuan literaturën.

Në ato vite, liria për të predikuar ishte diçka relativisht e re në disa vise të Kuebekut dhe nuk ishte e pazakontë të të ndalonte policia. Na ndodhi kështu në një qytet ku po linim literaturë pothuajse në çdo derë. Një polic na kërkoi të shkonim me të në rajon dhe kështu bëmë. Zbulova se avokati i atij qyteti kishte nxjerrë një urdhër që të na ndalonte të predikonim. Meqë shefi i policisë nuk ishte atë ditë, i paraqita avokatit një letër të dokumentuar në hollësi nga zyra e degës në Toronto, që shpjegonte të drejtën tonë për të predikuar. Pasi lexoi letrën, avokati tha menjëherë: «Dëgjoni, unë nuk dua probleme. Ishte prifti që më tha t’ju ndaloja.» Meqë donim që njerëzit në territor të kuptonin se vepra jonë nuk ishte e paligjshme, menjëherë u kthyem në zonën ku na kishte ndaluar policia dhe rinisëm shërbimin.

Të nesërmen në mëngjes kur u kthyem të takonim shefin e policisë, ishte i shqetësuar pasi i kishin thënë se na kishin ndaluar. Vetëm ta kishit dëgjuar telefonatën e tij me avokatin! Shefi na tha se po të kishim ndonjë problem, mund t’i telefonim atij personalisht dhe do të merrej ai me të. Ndonëse ishim të huaj dhe frëngjishtja jonë ishte e kufizuar, gjenim njerëz të sjellshëm dhe mikpritës. Por pyetnim veten: «A do të arrijnë ndonjëherë ata të njohin të vërtetën?» E morëm përgjigjen vite më vonë kur u kthyem për të ndërtuar Salla Mbretërie në mbarë Gaspenë. Zbuluam se shumë prej atyre të cilëve u kishim predikuar, ishin bërë vëllezërit tanë. Po, Jehovai është ai që bën të rritet.​—1 Kor. 3:6, 7.

Marrim një «trashëgimi»

Në 1970-n lindi vajza jonë Lisa. Kjo trashëgimi nga Jehovai i shtoi shumë gëzim jetës sonë. Shërli dhe Lisa punuan me mua në mjaft projekte ndërtimi të Sallave të Mbretërisë. Pasi Lisa mbaroi shkollën, tha: «Mami, babi, meqë ju hoqa për ca kohë nga shërbimi në kohë të plotë, do të përpiqem ta kompensoj duke u bërë pioniere.» Kanë kaluar 20 vjet dhe Lisa ende shërben si pioniere, por tani bashkë me burrin, Silvanin. Të dy kanë pasur privilegjin të punojnë në disa projekte ndërtimi ndërkombëtare. Synimi ynë si familje është të mbajmë një jetë të thjeshtë dhe të jemi në dispozicion në shërbim të Jehovait. Kurrë nuk i kam harruar fjalët e Lisës kur filloi si pioniere. Në fakt, më nxiti të rikthehesha në shërbimin e plotkohor më 2001 dhe shërbej si pionier që nga ajo kohë. Ky shërbim vazhdon të më mësojë që të kem besim te Jehovai në gjithçka bëj dhe të kem një jetë të thjeshtë, por të kënaqshme e të lumtur.

Projektet e ndërtimit kërkojnë dashuri, besnikëri dhe besueshmëri

Jehovai më ka mësuar që, nëse jemi të gatshëm dhe pranojmë çfarëdo caktimi që na jep, do të korrim shumë bekime. Shërbimi në një Komitet Rajonal Ndërtimi dhe puna në projektet e ndërtimit bashkë me vëllezër e motra në mbarë Kuebekun e gjetkë, janë një privilegj i çmuar.

Edhe pse disa vullnetarë mund të mos mbajnë fjalime të jashtëzakonshme nga podiumi, në projektet e ndërtimit të Sallave të Mbretërisë shkëlqejnë si yje. Këta vëllezër të dashur e bëjnë punën me gjithë zemër dhe talentet e tyre duken qartë. Rezultati është gjithmonë një ndërtesë e bukur për t’u përdorur në adhurimin e Jehovait.

Më kanë bërë pyetjen: «Cilat janë cilësitë më të rëndësishme për një vullnetar në një projekt Salle Mbretërie?» Nga përvoja ime, para së gjithash, dikush duhet të dojë Jehovain dhe Birin e tij, si edhe vëllazërinë. (1 Kor. 16:14) Së dyti, nevojiten besnikëria dhe besueshmëria. Kur gjërat nuk shkojnë siç duam—e kjo do të ndodhë—një njeri besnik do të vazhdojë të ndjekë drejtimin e organizatës. Besueshmëria do ta nxitë të dalë vullnetar në projekte të ardhshme.

Mirënjohës ndaj Jehovait

Megjithëse babai vdiq më 1985-n, e kam ende të ngulitur në mendje këshillën e tij për të qenë gjithnjë aktiv në organizatën e Jehovait. Ashtu si të tjerët që kanë marrë caktimin në pjesën qiellore të organizatës së Jehovait, pa dyshim ai është aktiv. (Zbul. 14:13) Tani mamaja është 97 vjeçe. Për shkak të një hemorragjie cerebrale, nuk mund të flasë si dikur, por ende e kujton mirë Biblën. Citon shkrime në letrat e saj dhe na nxit të vazhdojmë t’i shërbejmë Jehovait me besnikëri. Sa mirënjohës jemi të gjithë ne fëmijët që kemi pasur prindër kaq të dashur!

Gjithashtu, i jam mirënjohës Jehovait për Shërlin, gruan dhe shoqen time besnike. Ajo e mban mirë parasysh këshillën e përzemërt që i dha mamaja e saj: «Vërni do të ketë shumë për të bërë për Jehovain, prandaj do të duhet të mësosh që nuk mund të rrijë gjithë kohën me ty.» Kur u martuam 49 vjet më parë, vendosëm se do t’i shërbenim bashkë Jehovait deri në pleqëri dhe nëse të dy do të mbijetonim fundin e këtij sistemi, të rinoheshim bashkë e të vazhdonim t’i shërbenim atij përgjithmonë. Po, kemi pasur «shumë për të bërë në veprën e Zotërisë». (1 Kor. 15:58) Nga ana e tij, Jehovai është kujdesur vërtet për ne dhe ka bërë të mundur që të mos na mungojë asgjë e mirë.

[Shënimi]

^ par. 6 Për jetëshkrimin e Xhek Hallidej Nejthën, shih Kullën e Rojës, 1 shtator 1990, faqet 10-14, angl.

[Figura në faqen 31]

«Synimi ynë si familje është të mbajmë një jetë të thjeshtë dhe të jemi në dispozicion në shërbim të Jehovait»