Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Justifikimet​—Si i Sheh Jehovai?

Justifikimet​—Si i Sheh Jehovai?

Justifikimet​—Si i Sheh Jehovai?

«GRUAJA që më dhe, ajo më dha nga fryti i pemës, dhe unë hëngra»,—tha burri. «Gjarpri më mashtroi, dhe unë hëngra»,—u përgjigj gruaja. Këto fjalë që prindërit tanë të parë, Adami dhe Eva, ia thanë Perëndisë, shënuan fillimin e historisë së gjatë të justifikimeve të njerëzve.—Zan. 3:12, 13.

Gjykimi i Jehovait mbi Adamin dhe Evën për mosbindjen e tyre të vullnetshme, e bëri të qartë se arsyet që dhanë nuk ishin të pranueshme për të. (Zan. 3:16-19) Atëherë, a duhet të nxjerrim përfundimin se çdo herë që i paraqitim arsye për veprimet tona, Jehovai mendon se vetëm sa po justifikohemi? Apo i pranon disa arsye si të vlefshme? Para se t’u përgjigjemi këtyre pyetjeve, le të shqyrtojmë pse dikush nxjerr justifikime.

Zakonisht, një njeri nxjerr justifikime nëse ka bërë diçka të gabuar, nuk mundi të bënte diçka që duhej ta bënte ose nuk dëshiron të bëjë diçka. Justifikimi ndryshon nga një shpjegim i vlefshëm që jepet për një dështim ose nga kërkesa e sinqertë për falje, e cila mund ta përligjë faljen. Siç ishte e vërtetë në rastin e Adamit dhe Evës, disa nxjerrin justifikime për të fshehur motivin e tyre të vërtetë. Po ashtu, ka nga ata që nxjerrin justifikime sepse duan të shmangin pasojat e këqija të veprimeve të tyre.

Sigurisht, nuk duam të nxjerrim justifikime kur bëhet fjalë për shërbimin tonë ndaj Perëndisë. Duhet të kemi kujdes të mos ‘gënjejmë veten me arsyetime të rreme’. (Jak. 1:22) Prandaj, le të shqyrtojmë disa shembuj dhe parime biblike të cilat do të na ndihmojnë që ‘të vazhdojmë të sigurohemi se çfarë është e pranueshme para Zotërisë’.—Efes. 5:10.

Çfarë pret Perëndia që të bëjmë?

Në Fjalën e Perëndisë gjejmë urdhra specifikë që si popull i Jehovait duhet t’u bindemi. Për shembull, caktimi i Krishtit që ‘të shkojmë dhe të bëjmë dishepuj njerëz nga të gjitha kombet’, është një urdhër që zbatohet ende për të gjithë dishepujt e tij të vërtetë. (Mat. 28:19, 20) Në fakt, përmbushja e këtij urdhri është aq e rëndësishme, sa apostulli Pavël tha: «Mjerë unë, po të mos e shpall lajmin e mirë!»—1 Kor. 9:16.

Megjithatë, disa që e kanë studiuar Biblën me ne prej një kohe të gjatë, prapëseprapë ngurrojnë të predikojnë lajmin e mirë për Mbretërinë e Perëndisë. (Mat. 24:14) Të tjerë që dikur merrnin pjesë në veprën e predikimit, tani e kanë ndërprerë. Çfarë arsyesh japin ndonjëherë ata që nuk marrin pjesë në veprën e predikimit? Si reagoi Jehovai në të kaluarën ndaj atyre që ngurruan t’u bindeshin urdhrave të tij specifikë?

Justifikime që nuk janë të pranueshme për Perëndinë

«Është tepër e vështirë.» Sidomos atyre që janë me natyrë të ndrojtur, mund t’u duket tepër e vështirë të marrin pjesë në veprën e predikimit. Por, të shqyrtojmë se çfarë mund të mësojmë nga shembulli i Jonait. Ai mori një caktim që iu duk tejet i vështirë—Jehovai i tha të shpallte gjykimin që kërcënonte Ninevinë. Nuk është e vështirë të kuptojmë pse Jonai kishte frikë ta kryente këtë detyrë. Ninevia ishte kryeqyteti i Asirisë dhe asirianët ishin të famshëm për mizorinë e tyre të skajshme. Jonai mund të ketë menduar: «Si do të më venë gjërat me këta njerëz? Çfarë do të më bëjnë?» S’kaloi shumë, dhe ai iku larg. Megjithatë, Jehovai nuk e pranoi justifikimin e Jonait. Përkundrazi, e caktoi përsëri t’u predikonte ninevitëve. Këtë herë, me guxim Jonai e përmbushi caktimin dhe Jehovai e bekoi.—Jon. 1:1-3; 3:3, 4, 10.

Nëse mendon se caktimi për të predikuar lajmin e mirë është tepër i vështirë për ty, kujto se «për Perëndinë gjithçka është e mundur». (Mar. 10:27) Ji i sigurt se Jehovai do të të forcojë nëse vazhdon t’i lutesh për ndihmë dhe do të të bekojë nëse merr guxim për ta kryer shërbimin.—Luka 11:9-13.

«Nuk dua.» Çfarë mund të bësh nëse nuk ke në zemër dëshirën për të kryer shërbimin e krishterë? Mbaj parasysh se Jehovai mund të veprojë brenda teje e të ndikojë te dëshirat e tua. Pavli tha: «Perëndia është ai që, në saje të pëlqimit të tij, po vepron brenda jush, me qëllim që të keni vullnet dhe të veproni.» (Filip. 2:13) Pra, mund t’i kërkosh Jehovait që të të nxitë dëshirën për të kryer vullnetin e tij. Mbreti David bëri pikërisht këtë. Ai iu përgjërua Jehovait: «Më bëj të eci në të vërtetën tënde.» (Psal. 25:4, 5) Mund të bësh të njëjtën gjë duke u përgjëruar me ngulm që Jehovai të të nxitë dëshirën për të bërë atë që i pëlqen atij.

Duhet ta pranojmë se kur jemi të lodhur ose të shkurajuar, ndonjëherë mund të na duhet ta detyrojmë veten të ndjekim një mbledhje në Sallën e Mbretërisë ose të marrim pjesë në shërbim. Nëse është kështu, a duhet të nxjerrim përfundimin se nuk e duam vërtet Jehovain? Patjetër që jo. Edhe shërbëtorëve besnikë të Perëndisë në të kaluarën iu desh të përpiqeshin fort të bënin vullnetin e Perëndisë. Për shembull, Pavli pohoi se, si të thuash, ‘e rrihte me grushte trupin e tij’, që t’u bindej urdhrave të Perëndisë. (1 Kor. 9:26, 27) Pra, edhe kur duhet ta detyrojmë veten për të kryer shërbimin, jemi të sigurt se Jehovai do të na bekojë. Pse? Sepse e detyrojmë veten të bëjmë vullnetin e Perëndisë për një arsye të përshtatshme—nga dashuria për Të. Duke vepruar kështu, i japim një përgjigje pohimit të Satanait se shërbëtorët e Perëndisë do ta mohonin Atë kur të ishin nën sprova.—Jobi 2:4.

«Jam tepër i zënë.» Nëse nuk merr pjesë në shërbim ngaqë mendon se je tepër i zënë, është shumë e rëndësishme që të rishqyrtosh përparësitë e tua. «Vazhdoni të kërkoni në radhë të parë mbretërinë»,—tha Jezui. (Mat. 6:33) Për të ndjekur këtë parim drejtues, mund të kesh nevojë të thjeshtosh mënyrën e jetesës ose të marrësh kohë nga zbavitja e ta përdorësh për shërbimin. Natyrisht, zbavitja dhe gjërat e tjera personale kanë vendin e tyre, por nuk përbëjnë një justifikim për të lënë pas dore shërbimin. Një shërbëtor i Perëndisë vë në vend të parë në jetë interesat e Mbretërisë.

«Nuk jam mjaft i aftë.» Mund të mendosh se nuk je i kualifikuar për të qenë shërbëtor i lajmit të mirë. Disa shërbëtorë të Jehovait në kohët biblike mendonin se nuk ishin mjaft të aftë për të kryer detyrat që u caktoi Jehovai. Të marrim si shembull Moisiun. Kur mori një detyrë specifike nga Jehovai, Moisiu tha: «Më fal, o Jehova, por unë nuk jam njeri i gojës. Nuk kam qenë i tillë as dje, as më parë dhe as kur i fole shërbëtorit tënd, sepse unë jam i ngathët në fjalë e në të folur.» Ndonëse Jehovai i dha siguri, Moisiu iu përgjigj: «Më fal, o Jehova, por dërgo dikë tjetër, të lutem, dërgo kë të duash.» (Dal. 4:10-13) Si reagoi Jehovai?

Jehovai nuk e përjashtoi Moisiun nga kryerja e caktimit. Megjithatë, Ai emëroi Aaronin që ta ndihmonte Moisiun të kryente detyrën. (Dal. 4:14-17) Për më tepër, në vitet që pasuan, Jehovai i qëndroi pranë Moisiut dhe i siguroi çfarëdo gjëje që i nevojitej për të përmbushur caktimet që i kishte dhënë. Sot, mund të jesh i sigurt se Jehovai do të nxitë bashkëbesimtarë me përvojë që të të ndihmojnë të kryesh shërbimin. Mbi të gjitha, Fjala e Perëndisë na siguron se ai do të na kualifikojë për veprën që ka urdhëruar të bëjmë.—2 Kor. 3:5; shih kutinë «Vitet më të lumtura të jetës sime».

«Dikush më ka lënduar.» Disa nuk dalin më në shërbim ose nuk i ndjekin më mbledhjet e kongregacionit ngaqë janë lënduar, dhe arsyetojnë se Jehovai do ta pranojë me siguri këtë justifikim për gjendjen e tyre joaktive. Edhe pse është e kuptueshme që të mërzitemi kur dikush na lëndon, a është kjo në të vërtetë një arsye e vlefshme që të mos marrim më pjesë në veprimtaritë e krishtere? Pavli dhe bashkëbesimtari i tij Barnaba mund të jenë lënduar pasi, si rezultat i një mosmarrëveshjeje mes tyre, patën «një shpërthim të madh zemërimi». (Vep. 15:39) Por, a e ndërpreu shërbimin ndonjëri prej tyre si pasojë e kësaj? Aspak!

Po kështu, kur të ka lënduar një bashkëbesimtar, mbaj parasysh se armiku yt nuk është vëllai yt i krishterë i papërsosur, por Satanai, i cili dëshiron të të gllabërojë. Sidoqoftë, Djalli nuk do t’ia dalë mbanë nëse ‘i kundërvihesh, i fortë në besim’. (1 Pjet. 5:8, 9; Gal. 5:15) Në qoftë se ke një besim të tillë, në asnjë mënyrë ‘nuk do të zhgënjehesh’.—Rom. 9:33.

Të kufizuar në atë që mund të bëjmë

Nga këta shembuj justifikimesh, bëhet e qartë se nuk ka arsye të vlefshme nga ana biblike për të mos zbatuar urdhrat specifikë të Jehovait, përfshirë caktimin për të predikuar lajmin e mirë. Gjithsesi, mund të kemi arsye të sinqerta nëse jemi të kufizuar në atë që mund të bëjmë në shërbim. Ndoshta përgjegjësitë e tjera që kemi sipas Shkrimeve, na e pakësojnë sasinë e kohës që mund të lëmë për predikimin. Gjithashtu, ndonjëherë mund të jemi vërtet tepër të lodhur ose tepër të sëmurë për të bërë aq sa do të dëshironim në shërbim të Jehovait. Megjithatë, Fjala e Perëndisë na siguron se Jehovai e di dëshirën që kemi në zemër dhe merr parasysh kufizimet tona.—Psal. 103:14; 2 Kor. 8:12.

Prandaj, duhet të tregojmë kujdes që të mos e gjykojmë ashpër veten ose të tjerët, në lidhje me këto çështje. Apostulli Pavël shkroi: «Kush je ti, që të gjykosh shërbyesin e shtëpisë së një tjetri? Nëse qëndron në këmbë apo bie, kjo i takon zotërisë së vet.» (Rom. 14:4) Në vend që ta krahasojmë situatën tonë me atë të të tjerëve, duhet të kujtojmë se «secili nga ne do t’i japë llogari Perëndisë për veten». (Rom. 14:12; Gal. 6:4, 5) Kur i afrohemi Jehovait në lutje dhe i paraqitim arsyet tona për diçka, le ta bëjmë këtë me «një ndërgjegje të pastër».—Hebr. 13:18.

Pse shërbimi ndaj Jehovait na jep gëzim?

Të gjithë mund t’i shërbejmë Jehovait me gëzim nga zemra sepse kërkesat e tij, pavarësisht nga rrethanat tona në jetë, janë gjithnjë të arsyeshme dhe të arritshme. Pse mund ta themi këtë?

Fjala e Perëndisë thotë: «Mos ua mbaj të mirën atyre që u takon, kur e ke në dorë ta bësh.» (Prov. 3:27) Çfarë vure re në këtë proverb në lidhje me kërkesat e Perëndisë? Jehovai nuk urdhëron që të përpiqesh të bësh atë që e ka në dorë ta bëjë një vëlla tjetër, por atë që ti «e ke në dorë ta bësh» në shërbimin e Tij. Po, secili prej nesh—pavarësisht se sa pak ose sa shumë mund të ketë në dorë të bëjë—mund t’i shërbejë me gjithë zemër Jehovait.—Luka 10:27; Kolos. 3:23.

[Kutia dhe figura në faqen 14]

«Vitet më të lumtura të jetës sime»

Edhe kur kemi kufizime të rënda fizike ose emocionale, nuk duhet të nxjerrim me nxitim përfundimin se këto do të na pengojnë të marrim pjesë plotësisht në shërbim. Për ta ilustruar, të shqyrtojmë se çfarë i ndodhi Ernestit, një të krishteri në Kanada.

Ernesti kishte një problem me të folurit dhe ishte shumë i ndrojtur. Pas një dëmtimi të rëndë në shpinë, iu desh të mos punonte më në punën e tij në ndërtim. Ndonëse invalid, falë rrethanave të reja mund të kalonte më shumë kohë në shërbim. Inkurajimi që u dha në mbledhjet e kongregacionit për shërbyer si pionierë ndihmës, bëri që t’i lindte një dëshirë e fortë për këtë shërbim. Mirëpo, nuk ndihej i kualifikuar.

Për t’i treguar vetes se shërbimi si pionier ndihmës ishte përtej aftësive të tij, bëri kërkesën për të shërbyer si pionier ndihmës për një muaj. Për habinë e tij arriti ta kryente me sukses këtë caktim. Atëherë mendoi: «E di që nuk do të mund ta bëj më kurrë.» Për ta vërtetuar këtë, bëri kërkesë për të shërbyer edhe një muaj tjetër—dhe përsëri e përmbushi caktimin.

Ernesti shërbeu si pionier ndihmës për një vit, por tha: «E di me siguri se nuk mund të jem kurrë pionier i rregullt.» Përsëri, që ta vërtetonte këtë, bëri kërkesën për këtë formë shërbimi. U habit me veten kur mundi të shërbente për një vit si pionier i rregullt. Vendosi ta vazhdonte dhe pati kënaqësinë të shërbente si pionier i rregullt për dy vjet, derisa vdiq si pasojë e problemeve nga dëmtimi që kishte pësuar. Megjithatë, para se të vdiste, shpesh u thoshte vizitorëve me lot në sy: «Vitet që i shërbeva Jehovait si pionier, ishin vitet më të lumtura të jetës sime.»

[Figura në faqen 13]

Mund të kapërcejmë çdo pengesë ndaj shërbimit

[Figura në faqen 15]

Jehovai kënaqet kur i shërbejmë me gjithë shpirt, duke bërë gjithçka që na lejojnë rrethanat