Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ndihmojini fëmijët që të njohin mirë organizatën e Jehovait

Ndihmojini fëmijët që të njohin mirë organizatën e Jehovait

Ndihmojini fëmijët që të njohin mirë organizatën e Jehovait

FËMIJËT duan të mësojnë. Imagjinoni pyetjet që fëmijët izraelitë në Egjipt mund të kenë bërë natën e Pashkës së parë: «Pse e therëm qengjin?» «Pse babi po vë gjak te dera?» «Ku do të shkojmë?» Që Jehovai i mirëpriste pyetje të tilla, duket qartë nga ajo që u kishte urdhëruar etërve izraelitë. Në lidhje me rastet kur do të mbahej Pashka në të ardhmen, Jehovai u tha atyre: «Kur bijtë tuaj t’ju pyesin: ‘Ç’do të thotë për ju ky shërbim?’, do t’u përgjigjeni: ‘Është flijimi i pashkës për Jehovain, që i kaloi shtëpitë e bijve të Izraelit në Egjipt, kur i goditi me plagë egjiptianët, dhe i çliroi shtëpitë tona.’» (Dal. 12:24-27) Më vonë, Jehovai u kujtoi prindërve izraelitë sa e rëndësishme ishte t’u përgjigjeshin pyetjeve të fëmijëve në lidhje me «rregullat dhe ligjet» që kishte urdhëruar Ai.—Ligj. 6:20-25.

Është e qartë se Jehovai donte që fëmijët të kishin mundësi të gjenin përgjigje të kënaqshme për pyetjet e tyre rreth adhurimit të vërtetë—përgjigje që do t’i motivonin ta donin Jehovain si Perëndinë dhe Shpëtimtarin e tyre. Sot, Jehovai dëshiron të njëjtën gjë për fëmijët tanë. Një mënyrë se si prindërit mund t’u rrënjosin fëmijëve një dashuri të përzemërt për Perëndinë dhe popullin e tij, është duke i ndihmuar të njohin mirë organizatën e Tij dhe të kuptojnë se si nxjerrin dobi nga gjithçka që bën ajo për ne. Kështu, le të shqyrtojmë disa mënyra se si mund të ndihmohen fëmijët që të mësojnë më shumë hollësi për organizatën e Perëndisë.

Kongregacioni vendës

Fëmijët kanë nevojë të njohin kongregacionin ku bën pjesë familja juaj. Për ta arritur këtë, ju si prindër duhet t’i merrni fëmijët me vete në të gjitha mbledhjet e krishtere. Në këtë mënyrë ndiqni modelin që Jehovai vendosi për izraelitët, të cilët u urdhëruan: «Mblidhni popullin me burra, gra e fëmijë . . . , që të dëgjojë e të mësojë, pasi ai duhet t’i frikësohet Jehovait, Perëndisë tuaj, dhe të përmbushë me kujdes të gjitha fjalët e këtij ligji. T’i dëgjojnë bijtë e tyre, që nuk i kanë ditur dhe të mësojnë t’i frikësohen Jehovait, Perëndisë tuaj.»—Ligj. 31:12, 13.

Që nga foshnjëria, fëmijët mund të fillojnë të mësojnë rreth Fjalës së Jehovait. Apostulli Pavël tha për Timoteun: «Që nga foshnjëria i ke njohur shkrimet e shenjta.» (2 Tim. 3:15) Në mbledhjet në Sallën e Mbretërisë, edhe fëmijët shumë të vegjël fillojnë të kuptojnë informacionet që paraqiten dhe të njohin këngët e Mbretërisë. Aty mësojnë të përdorin e të respektojnë Biblën dhe literaturën e bazuar në të. Për më tepër, në mbledhjet tona ndiejnë praninë e një cilësie që identifikon dishepujt e vërtetë të Krishtit—dashurinë e sinqertë. Jezui tha: «Po ju jap një urdhërim të ri: ta doni njëri-tjetrin. Ashtu siç ju kam dashur unë, ta doni edhe ju njëri-tjetrin. Nga kjo do ta dinë të gjithë se jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri-tjetrin.» (Gjoni 13:34, 35) Dashuria e ngrohtë dhe siguria e vërtetë që shihen qartë në Sallën e Mbretërisë, do t’i tërheqin fëmijët dhe do t’i ndihmojnë që t’i bëjnë mbledhjet e krishtere pjesë të përhershme të jetës.

Kur e bëni zakon të mbërrini herët në Sallën e Mbretërisë dhe të qëndroni ca kohë pas mbledhjes, fëmijët do të kenë mundësi të zënë miq. Në vend që t’i lini të shoqërohen vetëm me fëmijë të tjerë, pse të mos i prezantoni me vëllezër e motra të të gjitha moshave? Nëse arrijnë të njohin të moshuarit, fëmijët tuaj do të zbulojnë një rezervuar të këndshëm përvoje dhe mençurie. Ashtu si Zakaria në lashtësi pati një ndikim të shkëlqyer tek Uziahu i vogël, mbret i Judës, të cilin «e mësonte të kishte frikë nga Perëndia i vërtetë», po kështu edhe ata sot që i kanë shërbyer besnikërisht Jehovait për shumë vjet, ndikojnë për mirë te fëmijët. (2 Kron. 26:1, 4, 5) Gjithashtu, kur jeni në Sallën e Mbretërisë, mund t’u shpjegoni fëmijëve si funksionon biblioteka, për çfarë shërben tabela e informacionit dhe gjëra të tjera.

Organizata mbarëbotërore

Fëmijët kanë nevojë të kuptojnë se kongregacioni vendës është pjesë e një organizate mbarëbotërore me më shumë se 100.000 kongregacione. Shpjegojuni veçoritë e kësaj organizate, si funksionon dhe ç’rol kanë fëmijët për të mbështetur veprimtarinë e saj. Tregojuni pse mezi i pritni asambletë qarkore, kongreset krahinore dhe vizitat e mbikëqyrësit qarkor.—Shih kutinë «Tema për të shqyrtuar gjatë Adhurimit Familjar», në faqen 28.

Kur keni mundësi, ftoni në shtëpinë tuaj për një vakt mbikëqyrësit udhëtues, misionarët, pjesëtarët e familjes Bethel, si edhe shërbëtorë të tjerë në kohë të plotë. Mos mendoni se ata nuk kanë kohë për fëmijët. Këta shërbëtorë në kohë të plotë përpiqen të imitojnë Jezuin, i cili gjithmonë i mirëpriste fëmijët dhe u fliste. (Mar. 10:13-16) Duke dëgjuar këta shërbëtorë të Jehovait tek tregojnë përvoja dhe duke parë gëzimin e tyre në shërbimin e shenjtë, fëmijët tuaj mund të vënë si synim shërbimin në kohë të plotë.

Ç’gjë tjetër mund të bëni si familje për t’i ndihmuar fëmijët të njohin më mirë organizatën e Jehovait? Ja disa sugjerime: shqyrtoni si familje librin Dëshmitarët e Jehovait: Lajmëtarë të Mbretërisë së Perëndisë (angl.). Theksoni përkushtimin, përulësinë dhe besnikërinë që kanë shfaqur shërbëtorët e Jehovait. Tregoni se si i përdori Jehovai për të përhapur lajmin e mirë në mbarë tokën. Përdorni videot e prodhuara nga organizata e Jehovait për t’u mësuar fëmijëve mësime të rëndësishme nga e kaluara dhe nga e tashmja. Nëse keni mundësi, vizitoni zyrën e degës dhe shtëpinë Bethel në vendin tuaj ose ndoshta edhe në vende të tjera. Këto vizita do t’u ngulitin fëmijëve se në ç’mënyrë pjesa tokësore e organizatës së Jehovait nën drejtimin e klasës së skllavit të besueshëm, është organizuar për t’u siguruar ushqim frymor dhe drejtim vëllezërve në mbarë botën, ashtu si në shekullin e parë të e.s.—Mat. 24:45-47; Vep. 15:22-31.

Përshtatini informacionet për secilin fëmijë

Kur mësoni fëmijët, kini parasysh mënyrën si i mësonte Jezui apostujt. Njëherë ai u tha: «Kam ende shumë gjëra për t’ju thënë, por tani për tani nuk jeni në gjendje t’i kuptoni.» (Gjoni 16:12) Jezui nuk i mbyti dishepujt me informacione. Përkundrazi, pak nga pak u mësoi të vërteta të rëndësishme, me qëllim që të mund t’i përvetësonin siç duhej. Në mënyrë të ngjashme, mos i mbytni fëmijët me informacione. Duke i ushqyer me sasi të vogla, por të rregullta njohurie për organizatën, do t’u mbani të gjallë interesin, dhe për ta do të jetë e këndshme të mësojnë për kongregacionin e krishterë. Teksa nevojat e fëmijëve ndryshojnë, mund të përsëritni e të zgjeroni atë që tashmë kanë mësuar.

Kongregacioni i krishterë është burim shumë i rëndësishëm force frymore dhe fëmijët që marrin pjesë me zell në aktivitetet e tij, janë më të pajisur për t’i rezistuar ndikimit të botës së Satanait. (Rom. 12:2) Jemi të sigurt se do të provoni shumë gëzim duke i ndihmuar fëmijët të njohin mirë organizatën e Jehovait. Me bekimin e tij, urojmë të qëndrojnë të lidhur besnikërisht me organizatën dhe me Perëndinë e dashur të cilit i shërbejmë!

[Kutia dhe figura në faqen 28]

Tema për të shqyrtuar gjatë Adhurimit Familjar

Më poshtë jepen disa tema në lidhje me organizatën e Jehovait që mund t’i shqyrtoni gjatë mbrëmjes së Adhurimit Familjar.

▪ Shqyrtoni historinë e kongregacionit vendës. Kur dhe si u formua? Cilat Salla të Mbretërisë ka përdorur? Për këtë shqyrtim ndoshta mund të ftoni në shtëpi dikë që është pjesëtar i kongregacionit prej një kohe të gjatë, që t’u përgjigjet pyetjeve të fëmijëve.

▪ Shpjegoni qëllimin e mbledhjeve të kongregacionit e të mbledhjeve më të mëdha, dhe se si mund të nxjerrin dobi fëmijët prej tyre.

▪ Diskutoni për qëllimin e shkollave të ndryshme të organizatës së Jehovait. Tregoni përvoja për rezultatet e mira që kanë pasur të diplomuarit e këtyre shkollave.

▪ Ndihmojini fëmijët të kuptojnë sa e rëndësishme është të bëhen lajmëtarë të rregullt të lajmit të mirë. Tregojuni si mund të bëjnë pjesën e tyre në shërbimin që del në raportin mbarëbotëror, i cili botohet në Librin vjetor të Dëshmitarëve të Jehovait.

▪ Shqyrtoni format e ndryshme të shërbimit të plotkohor për të rinjtë në organizatën e Jehovait. Një burim i mirë informacioni për këtë është kapitulli 10 i librit Të organizuar për të bërë vullnetin e Jehovait.

▪ Ndihmojini fëmijët të kuptojnë pse ndiqen disa procedura në kongregacion. Shpjegojuni pse nuk duhet të veprojnë në mënyrë të pavarur nga organizata e Jehovait, madje edhe në gjëra të vogla. Tregojuni si mund të ndihmojnë që të ketë rregull në kongregacion duke ndjekur drejtimin e pleqve.

[Figura]

Fëmijët tuaj do të nxjerrin dobi duke bërë miq ata që shërbejnë prej shumë kohësh

[Figurat në faqen 26]

Ashtu si në Izraelin e lashtë, prindërit sot përpiqen të japin përgjigje të kënaqshme kur fëmijët u bëjnë pyetje për organizatën e Jehovait