Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Jehovai është Zotëria ynë Sovran!

Jehovai është Zotëria ynë Sovran!

Jehovai është Zotëria ynë Sovran!

«Zotërinë Sovran Jehova e kam bërë strehën time.»—PSAL. 73:28.

1. Nga sa duket, kujt po i referohej Pavli me fjalët e dokumentuara te 1 Korintasve 7:31?

«SKENA e kësaj bote po ndryshon.» Kështu tha apostulli Pavël. (1 Kor. 7:31) Nga sa duket, ai po e krahasonte botën me skenën e një drame, ku aktorët luajnë rolet e tyre pozitive ose negative derisa skena ndërrohet.

2, 3. (a) Me çfarë mund të krahasohet sfida ndaj sovranitetit të Jehovait? (b) Cilat pyetje do të shqyrtojmë?

2 Sot, po zhvillohet një dramë me rëndësi tejet të madhe: ajo të përfshin edhe ty. Lidhet në veçanti me shfajësimin e sovranitetit të Perëndisë Jehova. Kjo dramë mund të ilustrohet me situatën që mund të ekzistojë në një vend. Nga njëra anë është qeveria e ligjshme që mban rendin. Nga ana tjetër, është një organizatë kriminale që e ushtron ndikimin e saj me anë të mashtrimit, dhunës dhe vrasjeve. Kjo organizatë e paligjshme është një sfidë për sundimin sovran dhe sprovon besnikërinë e të gjithë nënshtetasve ndaj qeverisë së tyre.

3 Një situatë e ngjashme ekziston në shkallë universale. Nga njëra anë është qeveria e vendosur ligjërisht e ‘Zotërisë Sovran Jehova’. (Psal. 71:5) Por nga ana tjetër, njerëzimit i kanoset një organizatë kriminale e kryesuar nga ‘i ligu’. (1 Gjon. 5:19) Ajo përbën një sfidë për qeverinë e ligjshme të Perëndisë dhe sprovon besnikërinë e të gjithë njerëzve ndaj sundimit të tij sovran. Si u krijua kjo situatë? Pse e lejon Perëndia? Ç’mund të bëjë në këtë drejtim secili nga ne?

Elementet e dramës

4. Cilat janë dy çështjet e ndërlidhura të dramës universale që po shpaloset?

4 Kjo dramë universale që po shpaloset, përmban dy çështje të ndërlidhura: sovranitetin e Jehovait dhe integritetin e njerëzve. Në Shkrime Jehovai quhet shpesh «Zotëri Sovran». Për shembull, me besim të plotë tek ai, psalmisti këndoi: «Zotërinë Sovran Jehova e kam bërë strehën time.» (Psal. 73:28) Fjala «sovranitet» ka kuptimin epërsi për sa i përket fuqisë ose sundimit. Një sovran ushtron autoritet suprem. Ka arsye të vlefshme pse duhet ta shohim Perëndinë Jehova si Supremi ose Tejet i Larti.—Dan. 7:22.

5. Pse nxitemi ta mbështetim sovranitetin e Jehovait?

5 Si Krijuesi, Perëndia Jehova është Sovrani i tokës dhe i tërë universit. (Lexo Zbulesën 4:11.) Jehovai është edhe Gjykatësi, Ligjdhënësi dhe Mbreti ynë, sepse ka pushtet mbi të tria aspektet e qeverisjes universale: gjyqësore, legjislative dhe ekzekutive. (Isa. 33:22) Meqë ia detyrojmë jetën Perëndisë dhe varemi prej tij, duhet ta konsiderojmë si Zotërinë tonë Sovran. Do të nxitemi ta mbështetim pozitën e tij të madhërishme nëse mbajmë gjithnjë ndër mend se «Jehovai e ka vendosur patundshmërisht fronin në qiej, dhe mbretëria e tij shtrihet mbi gjithçka».—Psal. 103:19; Vep. 4:24.

6. Çfarë është integriteti?

6 Që të mbështetim sovranitetin e Jehovait, duhet të mbajmë integritetin ndaj Tij. Fjala «integritet» ka kuptimin tërësi morale ose plotësi. Një person me integritet është i paqortueshëm dhe i drejtë. Patriarku Job ishte njeri i tillë.—Jobi 1:1.

Si nisi drama?

7, 8. Si e sfidoi Satanai të drejtën e Jehovait për të qenë Sovrani?

7 Rreth 6.000 vjet më parë, një krijesë frymore sfidoi të drejtën e Jehovait për të qenë Sovrani. Në rrënjë të fjalëve dhe të veprimeve të atij rebeli, ishte dëshira egoiste që ta adhuronin. Ai e shtyu çiftin e parë njerëzor, Adamin dhe Evën, të mos qëndronin besnikë ndaj sovranitetit hyjnor dhe u orvat të njolloste emrin e Jehovait duke thënë se Ai kishte gënjyer. (Lexo Zanafillën 3:1-5.) Ai rebel u bë Armiku i madh, Satana (Kundërshtar), Djall (Shpifës), gjarpër (mashtrues) dhe dragua (gllabërues).—Zbul. 12:9.

8 Satanai e bëri veten sundimtar rival. Çfarë do të bënte Zotëria Sovran Jehova përballë kësaj sfide? A do t’i shkatërronte menjëherë të tre rebelët—Satanain, Adamin dhe Evën? Patjetër që kishte fuqinë për ta bërë këtë dhe ky veprim do të kishte zgjidhur çështjen se kush kishte epërsi në fuqi. Gjithashtu, do të kishte provuar se Jehovai kishte thënë të vërtetën për ndëshkimin që do të vinte nga shkelja e ligjit të tij. Pse atëherë nuk veproi kështu Perëndia?

9. Çfarë vuri në dyshim Satanai?

9 Duke gënjyer e duke i larguar Adamin dhe Evën nga Perëndia, Satanai vuri në dyshim të drejtën e Tij për të kërkuar bindje nga njerëzit. Për më tepër, duke e nxitur çiftin e parë njerëzor të mos i bindej Perëndisë, Satanai vuri në dyshim edhe besnikërinë e të gjitha krijesave me aftësi për të arsyetuar. Siç u zbulua në rastin e Jobit, i cili ishte besnik ndaj sovranitetit të Jehovait, Satanai pretendoi se mund t’i largonte të gjithë njerëzit nga Ai.—Jobi 2:1-5.

10. Duke mos vepruar menjëherë për ta bërë të qartë se është Sovrani, për çfarë ka lënë kohë Perëndia?

10 Duke mos vepruar menjëherë që ta bënte të qartë se është Sovrani, Jehovai i ka lënë kohë Satanait të provojë pretendimin e tij. Gjithashtu, Perëndia u ka dhënë njerëzve mundësinë të tregojnë besnikërinë e tyre ndaj sovranitetit të tij. Çfarë ka ndodhur me kalimin e shekujve? Satanai ka krijuar një organizatë kriminale të fuqishme. Në fund, Jehovai do ta shkatërrojë atë bashkë me Djallin, duke dhënë prova dërrmuese për sovranitetin e Tij të ligjshëm. Perëndia Jehova ishte kaq i sigurt se përfundimi do të ishte pozitiv, saqë e paratha kur ndodhi rebelimi në Eden.—Zan. 3:15.

11. Çfarë kanë bërë shumë njerëz në lidhje me sovranitetin e Jehovait?

11 Shumë njerëz kanë treguar besim dhe kanë mbajtur integritetin duke mbështetur sovranitetin e Jehovait dhe duke shenjtëruar emrin e tij. Ndër ta janë Abeli, Enoku, Noeja, Abrahami, Sara, Moisiu, Rutha, Davidi, Jezui, dishepujt e tij të hershëm dhe miliona njerëz të tjerë me integritet sot. Këta mbështetës të sovranitetit hyjnor kanë bërë pjesën e tyre për të treguar që Satanai është gënjeshtar dhe për të pastruar emrin e Jehovait nga sharjet që ka hedhur Djalli duke u mburrur se mund ta largojë të gjithë njerëzimin nga Ai.—Prov. 27:11.

Fundi i dramës është i qartë

12. Pse jemi të sigurt se Perëndia nuk do ta tolerojë pafundësisht ligësinë?

12 Jemi të sigurt se së shpejti Jehovai do ta bëjë të qartë sovranitetin e tij. Ai nuk do ta tolerojë pafundësisht ligësinë dhe, siç e dimë, po jetojmë në ditët e fundit. Jehovai veproi kundër të ligjve gjatë Përmbytjes. Ai shkatërroi Sodomën e Gomorrën dhe faraonin e forcat e tij. Sisera me ushtrinë e tij dhe Senakeribi me trupat e tij asiriane, nuk mundën t’i bënin ballë Më të Lartit. (Zan. 7:1, 23; 19:24, 25; Dal. 14:30, 31; Gjyk. 4:15, 16; 2 Mbret. 19:35, 36) Prandaj, jemi të sigurt se Perëndia Jehova nuk do ta tolerojë pafundësisht mungesën e respektit për emrin e tij dhe keqtrajtimin e Dëshmitarëve të tij. Për më tepër, tani shohim dëshmi të shenjës së pranisë së Jezuit dhe të përfundimit të këtij sistemi të lig.—Mat. 24:3.

13. Ç’mund të bëjmë që të mos shkatërrohemi me armiqtë e Jehovait?

13 Që të mos shkatërrohemi me armiqtë e Perëndisë, duhet të tregohemi besnikë ndaj sovranitetit të tij. Si mund ta bëjmë këtë? Duke qëndruar të ndarë nga sundimi kriminal i Satanait dhe duke mos u frikësuar nga përkrahësit e tij. (Isa. 52:11; Gjoni 17:16; Vep. 5:29) Vetëm kështu mund të mbështetim sovranitetin e Atit tonë qiellor dhe të shpresojmë të shpëtojmë kur Jehovai ta pastrojë emrin e tij nga sharjet e të tregojë se është Sovrani Universal.

14. Çfarë zbulohet në pjesë të ndryshme të Biblës?

14 Hollësi në lidhje me njerëzimin dhe sovranitetin e Jehovait paraqiten në tërë Biblën. Tre kapitujt e parë të saj flasin për krijimin dhe rënien e njeriut në mëkat, kurse tre të fundit, për rimëkëmbjen e njerëzimit. Faqet ndërmjetëse japin hollësi për hapat që ka marrë Zotëria Sovran Jehova për të përmbushur qëllimin e tij për njerëzimin, tokën dhe universin. Zanafilla tregon se si Satanai e ligësia hynë në botë dhe pjesa përmbyllëse e Zbulesës shpjegon se si do të zhduket e keqja, si do të shkatërrohet Djalli dhe si do të bëhet vullneti i Perëndisë në tokë si në qiell. Po, Bibla zbulon shkakun e mëkatit e të vdekjes dhe tregon se si do të zhduken nga skena tokësore e në vend të tyre do të ketë gëzim të pakufishëm dhe jetë të përhershme për njerëzit me integritet.

15. Çfarë duhet të bëjmë që të nxjerrim dobi personalisht kur të përfundojë drama që ka lidhje me sovranitetin?

15 Së shpejti skena e kësaj bote do të ndryshojë plotësisht. Perdet do të mbyllen përfundimisht për dramën shekullore që ka lidhje me sovranitetin. Satanai do të hiqet nga skena e do të shkojë drejt fundit dhe vullneti i Perëndisë do të triumfojë me siguri. Por, që të nxjerrim dobi nga kjo dhe të gëzojmë bekimet e shumta që parathuhen në Fjalën e Perëndisë, duhet ta mbështetim tani sovranitetin e tij. Nuk mund të qëndrojmë asnjanës. Që të arrijmë të themi «Jehovai është në krahun tim», duhet të qëndrojmë në krahun e tij.—Psal. 118:6, 7.

Ne mund ta mbajmë integritetin!

16. Pse jemi të sigurt se njerëzit mund ta mbajnë integritetin ndaj Perëndisë?

16 Ne mund ta mbështetim sovranitetin e Jehovait dhe ta mbajmë integritetin, sepse apostulli Pavël shkroi: «Asnjë tundim nuk ju ka rënë, përveç asaj që është e zakonshme për njerëzit. Por, Perëndia është i besueshëm dhe nuk do të lejojë që të tundoheni përtej asaj që mund të mbani, por bashkë me tundimin do të sigurojë edhe rrugëdaljen, që të jeni në gjendje t’i qëndroni.» (1 Kor. 10:13) Cili është burimi i tundimit që përmendi Pavli dhe si na siguron rrugëdalje Perëndia?

17-19. (a) Cilit tundim iu dorëzuan izraelitët në shkretëtirë? (b) Pse mund ta mbajmë integritetin ndaj Jehovait?

17 Siç ilustrohet nga përvojat e Izraelit në shkretëtirë, ‘tundimi’ vjen nëpërmjet rrethanave që mund të na shtyjnë të thyejmë ligjin e Perëndisë. (Lexo 1 Korintasve 10:6-10.) Izraelitët mund t’i kishin rezistuar tundimit, por dëshiruan «gjëra të dëmshme» kur Jehovai u siguroi në mënyrë të mrekullueshme shkurta për një muaj. Ndonëse populli nuk kishte ngrënë mish për ca kohë, Perëndia u kishte dhënë mjaft manë për të ngrënë. Megjithatë, i hapën udhë tundimit duke u dhënë pas lakmisë së shfrenuar kur mblodhën shkurta.—Num. 11:19, 20, 31-35.

18 Më parë, kur Moisiu po merrte Ligjin në malin Sinai, izraelitët u bënë idhujtarë, duke u përfshirë në adhurimin e viçit dhe në kënaqësitë epshore. Mungesa e udhëheqësit të tyre të dukshëm bëri që tundimi të mos mbahej në fre. (Dal. 32:1, 6) Pak para se të hynin në Tokën e Premtuar, mijëra izraelitë u joshën nga gratë moabite me të cilat kryen imoralitet. Në atë rast, mijëra izraelitë vdiqën për shkak të mëkatit të tyre. (Num. 25:1, 9) Ndonjëherë, populli i Izraelit iu dorëzua tundimit për t’u ankuar me rebelizëm e në një rast foli kundër Moisiut, si edhe kundër vetë Perëndisë. (Num. 21:5) Madje populli i Izraelit murmuriti pas shkatërrimit të të ligjve Korah, Datan, Abiram dhe të bashkëpunëtorëve të tyre, duke arsyetuar gabimisht se ekzekutimi i rebelëve ishte i padrejtë. Si pasojë 14.700 izraelitë vdiqën nga një plagë e shkaktuar nga Perëndia.—Num. 16:41, 49.

19 Asnjë prej tundimeve që sapo përmendëm nuk ishte i atillë që izraelitët nuk mund t’i rezistonin. Populli iu dorëzua tundimit ngaqë humbi besimin dhe harroi Jehovain, kujdesin e tij të dashur për ta dhe drejtësinë e udhëve të tij. Ashtu si në rastin e izraelitëve, tundimet që hasim janë të zakonshme për njeriun. Nëse bëjmë përpjekjet e duhura për t’u rezistuar tundimeve dhe mbështetemi te Perëndia për ndihmë, mund të arrijmë të mbajmë integritetin. Jemi të sigurt për këtë, sepse «Perëndia është i besueshëm» dhe nuk lejon që ‘të tundohemi përtej asaj që mund të mbajmë’. Jehovai kurrë nuk na braktis duke lejuar të gjendemi në situata që do të na e bënin të pamundur nga ana njerëzore të kryenim vullnetin e tij.—Psal. 94:14.

20, 21. Si na siguron ‘rrugëdalje’ Perëndia kur tundohemi?

20 Duke na forcuar që t’i rezistojmë tundimit, Jehovai siguron ‘rrugëdalje’. Për shembull, përndjekësit mund të na keqtrajtojnë fizikisht që të heqim dorë nga besimi. Si pasojë mund të tundohemi të bëjmë kompromis që të shpëtojmë nga rrahjet e mëtejshme, torturat a mbase vdekja. Por, në bazë të sigurisë që na japin fjalët e frymëzuara të Pavlit te 1 Korintasve 10:13, e dimë se situata tunduese është vetëm e përkohshme. Jehovai nuk do ta lejojë të zhvillohet deri në atë pikë sa të mos jemi në gjendje t’i qëndrojmë besnikë atij. Perëndia mund të na forcojë besimin dhe të na japë forcën frymore që na nevojitet për të mbajtur integritetin.

21 Jehovai na mbështet me anë të frymës së shenjtë. Gjithashtu, kjo frymë na sjell ndër mend ato mendime biblike që na nevojiten për t’i rezistuar tundimit. (Gjoni 14:26) Si rrjedhim, nuk mashtrohemi që të ndjekim një rrugë të gabuar. Për shembull, kuptojmë çështjet e ndërlidhura të sovranitetit të Jehovait dhe të integritetit të njerëzve. Me këtë njohuri dhe me ndihmën e Perëndisë, shumë kanë mundur të qëndrojnë besnikë deri në vdekje. Por për ta rrugëdalja nuk ishte vdekja. Me anë të ndihmës së Jehovait mundën të qëndronin deri në fund pa iu dorëzuar tundimit. Ai mund të bëjë të njëjtën gjë për ne. Në fakt, për dobinë tonë përdor edhe engjëjt besnikë si shërbëtorë publikë «të dërguar që t’u shërbejnë atyre që do të trashëgojnë shpëtimin». (Hebr. 1:14) Siç tregon artikulli vijues, vetëm njerëzit me integritet mund të shpresojnë të kenë privilegjin e gëzueshëm që të mbështetin sovranitetin e Perëndisë përgjithmonë. Mund të jemi mes tyre nëse qëndrojmë të lidhur me Jehovain si Zotëria ynë Sovran.

Si do të përgjigjeshit?

• Pse duhet ta pranojmë Jehovain si Zotërinë tonë Sovran?

• Çfarë do të thotë të mbajmë integritetin ndaj Perëndisë?

• Si e dimë se së shpejti Jehovai do ta bëjë të qartë sovranitetin e tij?

• Në bazë të 1 Korintasve 10:13, pse mund ta mbajmë integritetin?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 24]

Satanai i shtyu Adamin dhe Evën të mos qëndronin besnikë ndaj Jehovait

[Figura në faqen 26]

Jini të vendosur të mbështetni sovranitetin e Jehovait