Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

Jezui u tha atyre që po e dëgjonin: «Jini të përsosur, sikurse është i përsosur Ati juaj qiellor.» Si mund ‘të jenë të përsosur’ njerëzit sot?—Mat. 5:48.

Për të gjetur përgjigjen e kësaj pyetjeje, duhet të kuptojmë si përdoren në Bibël fjalët «i përsosur» dhe «përsosmëri». Jo gjithçka që Shkrimet e përshkruajnë si «të përsosur» mund të jetë e tillë në kuptimin e plotë. Natyrisht, Jehovai e zotëron një përsosmëri të tillë absolute. Njerëzit ose gjërat mund të jenë të përsosura vetëm në kuptimin relativ. Fjalët hebraike dhe greke të përkthyera «i përsosur» shpesh kanë kuptimin «i plotë», «i pjekur» ose «i patëmetë» sipas standardeve të vendosura nga një autoritet. Në të folurit e përditshëm, zakonisht kjo fjalë përdoret në kuptimin relativ, si për shembull, shprehja «kohë e përsosur».

Adami dhe Eva u krijuan të përsosur nga ana morale, frymore dhe fizike. Ishin të përsosur sipas standardit të vendosur nga Krijuesi. Për shkak të mosbindjes, nuk ishin më në lartësinë e këtij standardi e si pasojë humbën përsosmërinë për veten dhe për pasardhësit. Kështu, nëpërmjet Adamit, njerëzimit iu kaluan mëkati, papërsosmëria dhe vdekja.—Rom. 5:12.

Por, siç e bëri të qartë Jezui në Predikimin në Mal, edhe njerëzit e papërsosur mund të jenë të përsosur në kuptimin relativ. Në atë fjalim, ai vendosi standardet për dashurinë e përsosur ose të plotë. Kjo dashuri është si ajo që tregoi Perëndia ndaj njerëzimit. Jezui tha: «Vazhdoni të doni armiqtë tuaj e të luteni për ata që ju përndjekin, që të jeni bij të Atit tuaj që është në qiej, sepse ai e bën diellin e tij të ngrihet mbi të ligjtë e mbi të mirët dhe bën që të bjerë shi mbi të drejtët e mbi të padrejtët.» (Mat. 5:44, 45) Duke treguar dashuri deri në këtë pikë, dishepujt e Jezuit do të imitonin shembullin e përsosur të Perëndisë.

Sot, Dëshmitarët e Jehovait në mbarë botën përpiqen të mbajnë një standard të tillë të lartë dashurie për të tjerët. Ata dëshirojnë t’i ndihmojnë njerëzit nga çdo prejardhje, racë dhe fe, që të marrin njohuri të saktë për të vërtetën biblike. Në 236 vende, Dëshmitarët drejtojnë aktualisht më tepër se 7.000.000 studime biblike me individë të interesuar.

«Nëse doni ata që ju duan, çfarë shpërblimi keni?—pyeti Jezui.—A nuk bëjnë njësoj edhe taksambledhësit? E nëse përshëndetni vetëm vëllezërit tuaj, ç’gjë të jashtëzakonshme po bëni? A nuk bëjnë njësoj edhe njerëzit nga bota?» (Mat. 5:46, 47) Të krishterët e vërtetë nuk tregohen të anshëm ndaj njerëzve me një arsimim të caktuar ose ndaj një grupi etnik të veçantë dhe as u tregojnë dashuri vetëm atyre që mund t’i trajtojnë po njësoj. Përkundrazi, ndihmojnë si të varfrit, edhe të sëmurët; si të rinjtë, edhe të moshuarit. Në këto mënyra, të krishterët mund të imitojnë dashurinë e Jehovait dhe kështu të jenë të përsosur në kuptimin relativ.

A do të jemi ndonjëherë në gjendje të gëzojmë përsosmërinë që humbi Adami? Po, nëpërmjet besimit te flijimi shpërblyes i Jezuit, njerëzimi i bindur do të arrijë përsosmërinë gjatë Mbretërimit Mijëvjeçar të Krishtit, kur ‘Biri i Perëndisë të zhbëjë veprat e Djallit’.—1 Gjon. 3:8.