A ju kujtohet?
A ju kujtohet?
A jeni kënaqur duke lexuar numrat e fundit të Kullës së Rojës? Atëherë, provoni nëse mund t’u përgjigjeni pyetjeve vijuese:
• Pasardhësit fetarë të kujt karakterizon besimi te paracaktimi i fatit?
Kalvinizmi vë theksin te doktrina e paracaktimit të fatit. Mësimet e reformatorit Zhan Koveni (Xhon Kalvini), lulëzojnë te grupet fetare, si për shembull tek ato të reformuara, presbiteriane, kongregacionale dhe puritane.—1/9, faqet 18-21.
• Ku gjeti grua Kaini?
Gruaja e Kainit duhet të ketë qenë një pasardhëse e Evës, e cila lindi «bij e bija». (Zan. 5:4)—1/9, faqja 25.
• Cilin engjëll dërgoi Perëndia përpara Izraelit kur i nxori nga Egjipti? (Dal. 23:20, 21)
Është e arsyeshme të besojmë se engjëlli, i cili kishte ‘emrin e Jehovait në të’, ishte Biri i parëlindur i Perëndisë, që më vonë u bë Jezui.—15/9, faqja 21.
• Pse në Librin e Parë të Korintasve flitet për mishin e flijuar idhujve?
Në tempujt grekë e romakë, flijoheshin kafshë, por mishi që nuk hahej gjatë një riti, mund të shitej në pazaret publike të mishit. Të krishterët nuk merrnin pjesë në adhurimin pagan, megjithatë, mishin që përdorej në këto raste nuk kishin pse ta shihnin si të ndotur kur shitej në pazar. Apostulli Pavël shkroi: «Vazhdoni të hani çdo gjë që shitet në pazarin e mishit, pa bërë pyetje për shkak të ndërgjegjes suaj, sepse ‘Jehovait i përket toka dhe çdo gjë që është në të’.» (1 Kor. 10:25, 26)—1/10, faqja 12.
• Cilat justifikime në lidhje me adhurimin e vërtetë nuk janë të pranueshme nga Perëndia?
«Është tepër i vështirë. Nuk dua. Jam tepër i zënë. Nuk jam mjaft i aftë. Dikush më ka lënduar.» Këto nuk janë arsye të vlefshme që të mos u bindemi urdhërimeve të Perëndisë.—15/10, faqet 12-15.
• Cilat janë disa mënyra se si mund t’i bëni mbledhjet e krishtere ndërtuese për veten dhe për të tjerët?
Përgatituni që më përpara. Ndiqini rregullisht. Mbërrini në kohë. Shkoni të pajisur mirë. Shmangni shpërqendrimet. Merrni pjesë. Bëni komente të shkurtra. Përmbushini caktimet. Lavdërojini ata që kanë marrë pjesë. Shoqërohuni me të tjerët para dhe pas mbledhjeve.—15/10, faqja 22.
• Në cilin tregim biblik për një vajzë të vogël flitet për lebrën, e cila përfshin atë që tani quhet sëmundja e Hansenit?
Në kapitullin e 5-të të Librit të Dytë të Mbretërve flitet për një vajzë izraelite, e cila ishte shërbëtore e një kreu të ushtrisë siriane që quhej Naaman. Meqë ai vuante nga lebra, ajo e këshilloi të shkonte te profeti Elise që të shërohej.—1/11, faqja 22.
• Çfarë mund të mësojmë nga rasti kur Aaroni u dorëzua para presionit të të tjerëve?
Kur Moisiu nuk ishte i pranishëm, izraelitët e nxitën Aaronin t’u bënte një perëndi. Ai u dorëzua dhe veproi siç donin. Kjo tregon se nuk hasin vetëm të rinjtë presion nga moshatarët. Mund të ndikohen edhe më të rriturit që duan të bëjnë atë që është e drejtë. Duhet t’i rezistojmë presionit negativ nga moshatarët.—15/11, faqja 8.
• Cilat janë fakte dhe cilat trillime?
Satanai është person real: fakt. (2 Kor. 11:14) Pas vdekjes të gjithë shkojnë në botën frymore: trillim. (Ekl. 9:5) Engjëjt besnikë interesohen për ne: fakt. (Psal. 34:7) Jezui është i barabartë me Perëndinë: trillim. (1 Kor. 11:3)—1/12, faqet 8-9.