Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të jemi të zellshëm për adhurimin e vërtetë

Të jemi të zellshëm për adhurimin e vërtetë

Të jemi të zellshëm për adhurimin e vërtetë

«Të korrat janë të mëdha, por punëtorët janë pak.»​—MAT. 9:37.

1. Si do ta përshkruaje ndjenjën e urgjencës?

KE NJË dokument që dikush duhet ta shqyrtojë brenda ditës. Çfarë bën? E shënon: «URGJENTE!» Je duke udhëtuar për një takim të rëndësishëm, por je me vonesë. Çfarë bën? I thua shoferit: «Të lutem, nxito; është URGJENTE!» Po, kur ke një detyrë për të kryer dhe s’ke shumë kohë, ndihesh nën tension dhe në ankth. Adrenalina fillon të rrjedhë dhe ti punon sa më shpejt dhe sa më shumë të mundesh. Kjo është ndjenja e urgjencës.

2. Cila është vepra më urgjente për të krishterët e vërtetë sot?

2 Për të krishterët e vërtetë sot, asgjë nuk është më urgjente se predikimi i lajmit të mirë për Mbretërinë dhe bërja e dishepujve nga njerëz të të gjitha kombeve. (Mat. 24:14; 28:19, 20) Siç shkroi dishepulli Mark, Jezui tha se kjo vepër duhet bërë «më parë», domethënë para se të vijë fundi. (Mar. 13:10) Sigurisht, kjo është me vend. Jezui tha: «Të korrat janë të mëdha, por punëtorët janë pak.» Të korrat nuk mund të presin; duhen mbledhur para se të mbarojë stina e tyre.​—Mat. 9:37.

3. Si i janë përgjigjur disa nevojës urgjente për të predikuar?

3 Ngaqë vepra e predikimit është kaq e rëndësishme për ne, meriton t’i kushtojmë sa më shumë kohë, energji dhe vëmendje. Është për t’u lavdëruar që shumë po bëjnë pikërisht këtë. Disa i kanë thjeshtuar gjërat personale që të fillojnë shërbimin në kohë të plotë si pionierë a misionarë ose që të shërbejnë në një nga shtëpitë Bethel anembanë botës. Janë shumë të zënë në jetë. Mund të kenë bërë mjaft sakrifica dhe kanë mjaft sfida për të përballuar. Megjithatë, janë bekuar me bollëk nga Jehovai. Jemi të lumtur për ta. (Lexo Lukën 18:28-30.) Të tjerë, edhe pse nuk janë në gjendje të hyjnë në radhët e lajmëtarëve në kohë të plotë, i kushtojnë sa më shumë kohë të munden kësaj vepre jetëshpëtuese, e cila përfshin të ndihmojnë fëmijët e tyre të shpëtojnë.​—Ligj. 6:6, 7.

4. Pse disa mund të kenë prirjen të humbin ndjenjën e urgjencës?

4 Siç kemi parë, ndjenja e urgjencës zakonisht është e lidhur me një cak kohor, një afat, një fund. Jetojmë në kohën e fundit dhe ka dëshmi të bollshme​—biblike dhe historike​—që e provojnë këtë. (Mat. 24:3, 33; 2 Tim. 3:1-5) Gjithsesi, asnjë njeri nuk e di kohën e saktë kur do të vijë fundi. Kur dha hollësi të ‘shenjës’ së «përfundimit të sistemit», Jezui tha në mënyrë specifike: «Atë ditë dhe atë orë s’e di askush, as engjëjt e qiejve, as Biri, por vetëm Ati.» (Mat. 24:36) Ngaqë është kështu, disave mund t’u duket e vështirë të ruajnë ndjenjën e urgjencës vit pas viti, sidomos nëse kanë shumë kohë që po e bëjnë këtë. (Prov. 13:12) A ndihesh ndonjëherë kështu? Çfarë mund të na ndihmojë të zhvillojmë ose të ruajmë ndjenjën e urgjencës për detyrën që Perëndia Jehova dhe Jezu Krishti duan të kryejmë sot?

Të shqyrtojmë shembullin tonë, Jezuin

5. Në cilat mënyra pasqyroi Jezui ndjenjën e urgjencës për sa i përket shërbimit?

5 Nga të gjithë ata që e treguan ndjenjën e urgjencës në shërbim të Perëndisë, Jezu Krishti është me siguri shembulli kryesor. Një arsye për këtë ndjenjë urgjence ishte se, në një periudhë prej vetëm tre vjetësh e gjysmë, ai kishte shumë për të bërë. Megjithatë, Jezui bëri më tepër se kushdo tjetër për adhurimin e vërtetë. Ai shpalli emrin dhe qëllimin e Atit, predikoi lajmin e mirë për Mbretërinë, demaskoi hipokrizinë dhe mësimet e rreme të udhëheqësve fetarë, si dhe mbështeti sovranitetin e Jehovait deri në vdekje. Bëri çdo përpjekje për t’i rënë kryq e tërthor vendit​—duke i mësuar, ndihmuar dhe shëruar njerëzit. (Mat. 9:35) Askush tjetër nuk ka kryer kaq shumë gjëra në kaq pak kohë. Jezui punoi më shumë se kushdo tjetër.​—Gjoni 18:37.

6. Ku e përqendroi jetën Jezui?

6 Çfarë e shtynte Jezuin të punonte pa u lodhur në shërbim? Nga profecia e Danielit, Jezui ishte në gjendje ta dinte se në cilën pikë ishte në kohën e caktuar nga Jehovai. (Dan. 9:27) Kështu, siç ishte thënë, shërbimi i tij në tokë duhej të përfundonte «në mes të javës» ose pas tre vjetësh e gjysmë. Pak kohë pas hyrjes triumfuese në Jerusalem, në pranverën e vitit 33 të e.s., Jezui tha: «Ka ardhur ora që Biri i njeriut të marrë lavdi.» (Gjoni 12:23) Ndonëse e dinte se ishte pranë vdekjes, Jezui nuk lejoi që jeta e tij të përqendrohej te kjo gjë ose që kjo të bëhej arsyeja kryesore për të punuar fort. Përkundrazi, ai u përqendrua për të shfrytëzuar çdo rast që të bënte vullnetin e Atit dhe t’u tregonte dashuri njerëzve. Kjo dashuri e nxiti të bënte dishepuj e t’i stërviste, duke i dërguar në fushata predikimi. E bëri këtë që dishepujt të vazhdonin veprën që kishte nisur ai dhe të kryenin vepra edhe më të mëdha se të tijat.​—Lexo Gjonin 14:12.

7, 8. Si reaguan dishepujt kur Jezui pastroi tempullin? Pse veproi kështu Jezui?

7 Një ngjarje në jetën e Jezuit dha dëshmi bindëse për zellin që kishte. Ishte fillimi i shërbimit të tij, në periudhën e Pashkës së vitit 30 të e.s. Jezui dhe dishepujt erdhën në Jerusalem dhe panë në tempull «shitësit e gjedhëve, të deleve e të pëllumbave, si dhe këmbyesit e monedhave, të ulur në ndenjëset e veta». Ç’reagim pati Jezui dhe ç’përshtypje la te dishepujt?​—Lexo Gjonin 2:13-17.

8 Ajo që bëri e tha Jezui në atë rast, me të drejtë u solli në mendje dishepujve fjalët profetike të një psalmi të Davidit: «Zelli për shtëpinë tënde më ka përpirë.» (Psal. 69:9) Pse? Sepse ajo që bëri Jezui ishte shumë e rrezikshme. Në fund të fundit, pas biznesit skandaloz dhe fitimprurës që bëhej atje, fshiheshin autoritetet e tempullit​—priftërinjtë, skribët dhe të tjerë. Duke demaskuar e prishur planet e tyre, Jezui po bëhej armik i autoriteteve fetare të asaj kohe. Siç pohuan me të drejtë dishepujt, ‘zelli për shtëpinë e Perëndisë’ ose zelli për adhurimin e vërtetë, dukej qartë. Por, çfarë është zelli? A ndryshon nga ndjenja e urgjencës?

Ndjenja e urgjencës e krahasuar me zellin

9. Si mund të përshkruhet zelli?

9 Një fjalor e përkufizon «zellin» si «etje dhe interes i zjarrtë për të arritur diçka» dhe jep si sinonime fjalët pasion, vrull, zjarr dhe entuziazëm. Patjetër, shërbimi i Jezuit karakterizohej nga tërë këto cilësi. Ja pse një version e përkthen kështu këtë varg: «Përkushtimi për shtëpinë tënde, o Perëndi, digjet brenda meje si zjarr.» (Today’s English Version) Është interesante që në disa gjuhë të Lindjes, termi që përkthehet «zell» përbëhet nga dy pjesë që fjalë për fjalë do të thonë «zemër e nxehtë», sikur zemra të ishte duke u djegur. Jo më kot dishepujve u erdhën në mendje fjalët e Davidit kur panë se çfarë bëri Jezui në tempull. Por, çfarë ia ndizte zemrën Jezuit dhe e shtynte ose e nxiste të vepronte në atë mënyrë?

10. Cili është kuptimi i fjalës «zell» siç përdoret në Bibël?

10 Fjala «zell» në psalmin e Davidit rrjedh nga një fjalë hebraike që në pjesë të tjera të Biblës shpesh është përkthyer «xheloz» ose «xhelozi». Përkthimi Bota e Re ndonjëherë e përkthen «që kërkon t’i përkushtohesh vetëm . . . ». (Lexo Daljen 20:5; 34:14; Josiun 24:19.) Një fjalor biblik thotë për këtë term: «Shpesh përdoret për lidhjen martesore . . . Ashtu si xhelozia e një burri ose gruaje shpreh fuqishëm një të drejtë që i përket vetëm atij ose asaj, po kështu Perëndia pohon dhe mbron të drejtën e Tij për ata që i përkasin vetëm Atij.» Pra, zelli në kuptimin biblik është më shumë sesa vrulli ose entuziazmi për diçka, siç shfaqin shumë tifozë për sportin e tyre të preferuar. Zelli i Davidit ishte xhelozi në kuptimin pozitiv, domethënë një ndjenjë që nuk toleron rivalitet ose sharje, një nxitje e fortë për të mbrojtur një emër të mirë ose për të ndrequr një të keqe.

11. Çfarë e shtynte Jezuin të bënte përpjekje të fuqishme?

11 Dishepujt e Jezuit nuk e kishin gabim kur i lidhën fjalët e Davidit me veprimin e Jezuit që panë në tempull. Jezui nuk bënte përpjekje të fuqishme thjesht ngaqë kishte një afat që po mbaronte, por sepse ishte i zellshëm ose xheloz për emrin e Atit dhe për adhurimin e vërtetë. Kur pa se emri i Perëndisë shahej dhe blasfemohej në çdo lloj mënyre, me të drejtë tregoi zell ose xhelozi dhe veproi për ta ndrequr situatën. Kur Jezui pa se udhëheqësit fetarë i shtypnin dhe i shfrytëzonin njerëzit e përulur, zelli e nxiti t’u sillte lehtësim njerëzve, si edhe të shpallte gjykime të fuqishme kundër udhëheqësve fetarë shtypës.​—Mat. 9:36; 23:2, 4, 27, 28, 33.

Të jemi të zellshëm për adhurimin e vërtetë

12, 13. Çfarë kanë bërë udhëheqësit fetarë të të ashtuquajturit krishterim sot për sa i përket (a) emrit të Perëndisë? (b) Mbretërisë së Perëndisë?

12 Sot, situata fetare përreth nesh është e ngjashme, në mos më keq, me atë të ditëve të Jezuit. Për shembull, kujto se gjëja e parë për të cilën Jezui i mësoi dishepujt të luteshin, lidhej me emrin e Perëndisë: «U shenjtëroftë emri yt.» (Mat. 6:9) A shohim se udhëheqësit fetarë, sidomos kleri i të ashtuquajturit krishterim, i mësojnë njerëzit ta njohin Perëndinë me emër dhe ta shenjtërojnë ose ta nderojnë këtë emër? Përkundrazi, ata e kanë keqparaqitur Perëndinë me mësime të tilla të rreme si Triniteti, pavdekësia e shpirtit të njeriut dhe ferri i zjarrtë, duke bërë që Perëndia të duket i mistershëm, i pakonceptueshëm, mizor, e madje sadist. Gjithashtu, kanë sjellë sharje mbi Perëndinë me skandalet dhe hipokrizinë e tyre. (Lexo Romakëve 2:21-24.) Për më tepër, kanë bërë çmos të fshehin emrin e Perëndisë, madje duke e hequr nga përkthimet e tyre të Biblës. Kështu i pengojnë njerëzit t’i afrohen Perëndisë dhe të kultivojnë një marrëdhënie personale me të.​—Jak. 4:7, 8.

13 Po ashtu, Jezui i mësoi dishepujt të luteshin për Mbretërinë e Perëndisë: «Ardhtë mbretëria jote. U bëftë vullneti yt, si në qiell, edhe në tokë.» (Mat. 6:10) Megjithëse udhëheqësit fetarë të të ashtuquajturit krishterim e përsëritin shpesh këtë lutje, i kanë nxitur njerëzit të mbështetin institucionet politike dhe institucione të tjera njerëzore. Për më tepër, i përbuzin ata që përpiqen të predikojnë e të japin dëshmi për këtë Mbretëri. Si pasojë, shumë prej atyre që pohojnë se janë të krishterë, nuk flasin më për Mbretërinë e Perëndisë, e jo më të kenë besim tek ajo.

14. Si ia ka ulur vlerën Fjalës së Perëndisë kleri i të ashtuquajturit krishterim?

14 Në një lutje drejtuar Perëndisë, Jezui tha qartë: «Fjala jote është e vërteta.» (Gjoni 17:17) Dhe, para se të largohej nga toka, Jezui tregoi se do të emëronte ‘skllavin e besueshëm dhe të matur’ që t’i siguronte ushqim frymor popullit të Tij. (Mat. 24:45) Megjithëse kleri i të ashtuquajturit krishterim pretendon se u mëson njerëzve Fjalën e Perëndisë, a është treguar i besueshëm ndaj veprës që ka caktuar Zotëria? Jo. Ata kanë prirjen ta etiketojnë si përrallë ose mit atë që thotë Bibla. Në vend që ta ushqejë kopenë e tij me ushqim frymor, duke i sjellë kështu ngushëllim e ndriçim, kleri u ka gudulisur veshët besimtarëve me filozofi njerëzore. Përveç kësaj, ata kanë ulur standardet morale të Perëndisë për t’u bërë qejfin njerëzve që kanë të ashtuquajturin moral të ri.​—2 Tim. 4:3, 4.

15. Si ndihesh për gjithçka që ka bërë kleri në emër të Perëndisë?

15 Për shkak të të gjithë kësaj që është bërë​—gjoja në emër të Perëndisë së Biblës​—shumë njerëz të sinqertë janë zhgënjyer ose e kanë humbur fare besimin te Perëndia dhe te Bibla. Kanë rënë pre e Satanait dhe e sistemit të tij të lig. Si ndihesh kur sheh dhe dëgjon të ndodhin gjëra të tilla ditë pas dite? Si shërbëtor i Jehovait, kur sheh sa shumë shahet dhe blasfemohet emri i tij, a nuk nxitesh të bësh çmos që ta ndreqësh këtë padrejtësi? Kur sheh njerëz të sinqertë e me zemër të ndershme që po mashtrohen dhe shfrytëzohen, a nuk nxitesh t’u sjellësh ngushëllim shpirtrave të shtypur? Kur Jezui i pa njerëzit e kohës së tij që ishin «të keqtrajtuar e të hallakatur si dele pa bari», nuk u mjaftua duke ndier keqardhje. Ai «nisi t’u mësonte shumë gjëra». (Mat. 9:36; Mar. 6:34) Kemi çdo arsye që të jemi të zellshëm për adhurimin e vërtetë, siç ishte Jezui.

16, 17. (a) Çfarë duhet të na nxitë të përpiqemi fort në shërbim? (b) Çfarë do të shqyrtojmë në artikullin vijues?

16 Kur kemi këtë qëndrim për shërbimin, fjalët e apostullit Pavël që gjenden te 1 Timoteut 2:3, 4 marrin një domethënie të veçantë. (Lexoji.) Përpiqemi fort në shërbim jo vetëm sepse e dimë që jetojmë në ditët e fundit, por edhe sepse kuptojmë se ky është vullneti i Perëndisë. Ai do që njerëzit të fitojnë njohuri për të vërtetën, e kështu edhe ata të mësojnë ta adhurojnë e t’i shërbejnë dhe të bekohen. Arsyeja kryesore që na nxit të përpiqemi fort në shërbim nuk është vetëm ngaqë po mbaron koha, por sepse duam të nderojmë emrin e Perëndisë dhe t’i ndihmojmë njerëzit të arrijnë të njohin vullnetin e tij. Jemi të zellshëm për adhurimin e vërtetë.​—1 Tim. 4:16.

17 Si populli i Jehovait jemi bekuar me njohurinë e së vërtetës në lidhje me qëllimin e Tij për njerëzimin dhe tokën. Kemi mjetin për t’i ndihmuar njerëzit që të gjejnë lumturi dhe shpresë të sigurt për të ardhmen. Mund t’u tregojmë si të gjejnë mbrojtje kur të vijë shkatërrimi mbi sistemin e Satanait. (2 Sel. 1:7-9) Në vend që të ndihemi të mërzitur ose të shkurajuar ngaqë dita e Jehovait duket sikur po vonon, duhet të jemi të lumtur që kemi ende kohë për të qenë të zellshëm për adhurimin e vërtetë. (Mik. 7:7; Hab. 2:3) Si mund ta zhvillojmë këtë zell? Këtë do ta shqyrtojmë në artikullin vijues.

A mund të shpjegosh?

• Çfarë e shtynte Jezuin të punonte pa u lodhur gjatë gjithë shërbimit të tij?

• Cila është domethënia e fjalës «zell» në kuptimin biblik?

• Çfarë shohim sot, që duhet të na nxitë të jemi të zellshëm për adhurimin e vërtetë?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 8]

Jezui u përqendrua për të bërë vullnetin e Atit dhe për t’u treguar dashuri njerëzve

[Figura në faqen 10]

Kemi çdo arsye që të jemi të zellshëm për adhurimin e vërtetë