Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

‘Gjej strehë tek emri i Jehovait’

‘Gjej strehë tek emri i Jehovait’

‘Gjej strehë tek emri i Jehovait’

«Do të lë . . . një popull të përulur e të thjeshtë, që do të gjejë strehë tek emri i Jehovait.»​—SOF. 3:12.

1, 2. Cila shtrëngatë e figurshme do të godasë së shpejti njerëzimin?

A TË është dashur ndonjëherë të kërkosh strehë nën një urë për t’u mbrojtur nga një stuhi me shi ose breshër? Ura mund të të mbrojë fare mirë nga një stuhi e tillë, por ndoshta mund të mos të mbrojë nga një ciklon ose uragan.

2 Po afrohet një lloj tjetër stuhie, një stuhi që kërcënon vetë ekzistencën e racës njerëzore. Ajo është një «ditë shtrëngate» e figurshme. Kjo ‘ditë e madhe e Jehovait’ do të ndikojë tek i gjithë njerëzimi. Gjithsesi, mund të gjejmë strehën që na nevojitet. (Lexo Sofoninë 1:14-18.) Si mund ta bëjmë këtë gjatë ‘ditës së zemërimit të furishëm të Jehovait’, e cila do të fillojë së shpejti?

Ditë shtrëngatash në kohët biblike

3. Cila «shtrëngatë» erdhi kundër mbretërisë dhjetëfisëshe të Izraelit?

3 Dita e Jehovait do të fillojë me shkatërrimin e të gjithë fesë së rreme në tokë. Për të ditur se si të gjejmë strehë, mund të shqyrtojmë historinë e popullit të lashtë të Perëndisë. Isaia, i cili jetoi në shekullin e tetë p.e.s., e krahasoi gjykimin e Jehovait kundër mbretërisë dhjetëfisëshe apostate të Izraelit me «një shtrëngatë» që njerëzit nuk do të ishin në gjendje ta ndalnin. (Lexo Isainë 28:1, 2.) Kjo profeci u përmbush në vitin 740 p.e.s. kur Asiria pushtoi vendin e atyre fiseve, më i spikatshmi ndër të cilët ishte Efraimi.

4. Si e goditi Jerusalemin në vitin 607 p.e.s. ‘një ditë e madhe e Jehovait’?

4 Gjykimi kundër Izraelit të pabesë u pasua në vitin 607 p.e.s. nga ‘një ditë e madhe e Jehovait’ kundër Jerusalemit dhe mbretërisë së Judës. Ajo ngjarje ndodhi ngaqë edhe populli i Judës ishte bërë apostat. Nën udhëheqjen e Nabukodonosorit, babilonasit kërcënuan Judën dhe kryeqytetin e saj, Jerusalemin. Judenjtë ishin drejtuar për ndihmë te ‘streha e gënjeshtrës’, pra tek aleanca e tyre politike me Egjiptin. Sidoqoftë, si një stuhi shkatërrimtare me breshër, babilonasit e fshinë tej atë ‘strehë’.​—Isa. 28:14, 17.

5. Ç’do të ndodhë me popullin e Perëndisë si grup gjatë shkatërrimit të të gjithë fesë së rreme?

5 Dita e madhe e Jehovait që goditi Jerusalemin na tregon për gjykimin që do të vijë kundër krishterimit apostat në kohën tonë. Përveç tij do të shkatërrohet edhe pjesa tjetër e ‘Babilonisë së Madhe’, perandorisë botërore të fesë së rreme. Pas kësaj, elementet e mbetura të sistemit të lig të Satanait do të asgjësohen. Gjithsesi, populli i Perëndisë si grup do të mbijetojë sepse po gjen strehë te Jehovai.​—Zbul. 7:14; 18:2, 8; 19:19-21.

Strehë frymore dhe fizike

6. Si mund të gjejë strehë populli i Jehovait?

6 Si mund të gjejë strehë populli i Perëndisë edhe tani gjatë kësaj kohe të fundit? Gjejmë strehë frymore kur me nderim ‘mendojmë thellë për emrin e Perëndisë’ dhe i shërbejmë Atij me zell. (Lexo Malakinë 3:16-18.) Megjithatë, kuptohet që nuk duhet të mjaftohemi vetëm duke menduar për emrin e tij. Në Bibël lexojmë: «Kushdo që thërret emrin e Jehovait, do të shpëtojë.» (Rom. 10:13) Ka një lidhje mes thirrjes së emrit të Jehovait dhe shpëtimit që vjen prej Tij. Dhe shumë njerëz me zemër të ndershme mund të shohin ndryshimin midis atyre që nuk po i shërbejnë Perëndisë dhe të krishterëve të vërtetë, të cilët me nderim ‘mendojnë thellë për emrin e tij’ e i shërbejnë si Dëshmitarë.

7, 8. Në ç’mënyrë të krishterët e shekullit të parë shpëtuan fizikisht? Ç’paralele nxjerrim sot?

7 Prapëseprapë, kjo mundësi shpëtimi nuk ka të bëjë vetëm me gjetjen e strehës frymore. Popullit të Perëndisë i premtohet shpëtimi fizik. Këtë e tregon ajo që ndodhi në vitin 66 të e.s., pasi ushtria romake sulmoi Jerusalemin nën komandën e Cest Galit. Jezui kishte parathënë se ditët e atij shtrëngimi ‘do të shkurtoheshin’. (Mat. 24:15, 16, 21, 22) Kjo ndodhi kur forcat romake papritur hoqën dorë nga rrethimi i qytetit, duke i dhënë mundësi disa ‘mishi’, domethënë të krishterëve të vërtetë, që ‘të shpëtonin’. Ata mundën të iknin nga qyteti e nga zona përreth. Disa kaluan Jordanin dhe gjetën strehë në malet në lindje të atij lumi.

8 Mund të nxjerrim një paralele midis atyre të krishterëve dhe popullit të Perëndisë sot. Në të kaluarën, të krishterët e shekullit të parë kërkuan strehë dhe po kështu do të bëjnë shërbëtorët e sotëm të Perëndisë. Megjithatë, kësaj radhe nuk do të ikin në një vend të caktuar gjeografik, pasi të krishterët e vërtetë gjenden në mbarë globin. Sidoqoftë, si popull, ‘të zgjedhurit’ dhe shokët e tyre besnikë do të mbijetojnë fizikisht nga fundi i krishterimit apostat duke gjetur strehë te Jehovai dhe tek organizata e tij si një mal.

9. Cilët janë përpjekur të bëjnë të harrohet emri i Perëndisë? Jepni një shembull.

9 Nga ana tjetër, krishterimi apostat e meriton shkatërrimin që po vjen, sepse i ka lënë analfabetë nga ana frymore besimtarët e vet dhe shfaq urrejtje për emrin e Perëndisë. Në Mesjetë, emri i Perëndisë njihej gjerësisht në Evropë. Ky emër, që paraqitet me katër germa hebraike të quajtura Tetragrami dhe që zakonisht transliterohet JHVH, shkruhej në monedha, në fasada shtëpish, në shumë libra e Bibla dhe madje në disa kisha katolike e protestante. Mirëpo, kohët e fundit ekziston prirja për të mos e përdorur emrin e Perëndisë në përkthimet e Biblës dhe në mënyra të tjera. Për shembull, këtë e tregon letra drejtuar konferencave të peshkopëve katolikë në lidhje me ‘emrin e Perëndisë’, më datë 29 qershor 2008, nga Kongregacioni për Adhurimin Hyjnor dhe Disiplinën e Riteve Fetare. Në këtë letër Kisha Katolike njoftonte se Tetragrami, sido që të jetë shkruar, duhet zëvendësuar me fjalën «Zotëri». Vatikani udhëzonte se emri i Perëndisë nuk duhet përdorur ose shqiptuar në këngët dhe lutjet gjatë shërbesave fetare katolike. Po ashtu, edhe udhëheqësit e feve të tjera, brenda e jashtë krishterimit apostat, ua kanë fshehur identitetin e Perëndisë së vërtetë miliona e miliona adhuruesve.

Mbrojtje për ata që shenjtërojnë emrin e Perëndisë

10. Si po nderohet emri i Perëndisë sot?

10 Në kontrast me atë që po bëjnë fe të tjera, Dëshmitarët e Jehovait e nderojnë dhe e lëvdojnë emrin e Perëndisë. Ata e shenjtërojnë duke e përdorur në mënyrë dinjitoze. Jehovai gjen kënaqësi tek ata që i besojnë dhe bëhet çfarëdo që të jetë e nevojshme për të bekuar dhe mbrojtur popullin e tij. «E di se kush kërkon strehë tek ai.»​—Nau. 1:7; Vep. 15:14.

11, 12. (a) Cilët qëndruan besnikë ndaj Jehovait në Judën e lashtë? (b) Cilët kanë vepruar kështu në ditët tona?

11 Megjithëse shumica e njerëzve në Judën e lashtë ishin bërë apostatë, kishte disa që gjetën «strehë tek emri i Jehovait». (Lexo Sofoninë 3:12, 13.) Po, kur Perëndia ndëshkoi Judën e pabesë duke lejuar babilonasit të pushtonin vendin dhe të merrnin popullin rob, disa individë të tillë, si Jeremia, Baruku dhe Ebed-Meleku, shpëtuan. Ata kishin jetuar «në gjirin» e një kombi apostat. Të tjerë qëndruan besnikë ndërsa ishin në robëri. Në vitin 539 p.e.s., medët dhe persët pushtuan Babiloninë nën udhëheqjen e Kirit. Jo shumë kohë më pas, Kiri nxori një dekret që e lejonte mbetjen e judenjve të kthehej në atdheun e vet.

12 Në lidhje me ata që do të përjetonin rivendosjen e adhurimit të vërtetë, Sofonia paratha se Jehovai do t’i shpëtonte dhe do të gëzonte për ta. (Lexo Sofoninë 3:14-17.) Kjo ka dalë e vërtetë edhe në kohën tonë. Pasi Mbretëria e Perëndisë u vendos në qiell, Jehovai çliroi mbetjen besnike të të mirosurve nga robëria frymore në Babiloninë e Madhe. Dhe ai gëzon për ta gjer më sot.

13. Çfarë çlirimi po përjetojnë njerëz nga të gjitha kombet?

13 Edhe ata që kanë shpresën të jetojnë përgjithmonë në tokë, kanë dalë nga Babilonia e Madhe dhe gëzojnë çlirimin frymor nga mësimet e fesë së rreme. (Zbul. 18:4) Pra, Sofonia 2:3 e ka përmbushjen kryesore në kohën tonë: «Kërkoni Jehovain të gjithë ju zemërbutët e dheut.» Zemërbutët nga të gjitha kombet, pavarësisht nëse kanë shpresë qiellore ose tokësore, po gjejnë strehë tek emri i Jehovait.

Emri i Perëndisë nuk është një hajmali

14, 15. (a) Çfarë kanë përdorur disa si hajmali? (b) Çfarë nuk duhet përdorur si hajmali?

14 Disa izraelitë e shihnin tempullin si një hajmali që do t’i mbronte nga armiqtë. (Jer. 7:1-4) Më parë, izraelitët shihnin arkën e besëlidhjes si një hajmali që do t’i mbronte në betejë. (1 Sam. 4:3, 10, 11) Kostandini i Madh vizatoi te mburojat e ushtarëve të vet germat greke khi dhe rho, dy germat e para të titullit «Krisht» në greqisht, me shpresën se kjo do t’i mbronte ushtarët në betejë. Po kështu, mbreti i Suedisë Gustav Adolfi II, që mori pjesë në një luftë fetare të dhunshme në Evropë, mendohet se ka veshur armaturën që tregohet në faqen 7. Vër re se në qafore duket qartë emri Iehova.

15 Disa pjesëtarë të popullit të Perëndisë që janë sulmuar nga demonët, kanë gjetur strehë te Jehovai duke thirrur me zë të lartë emrin e tij. Megjithatë, një objekt me emrin e Perëndisë nuk duhet konsideruar ose përdorur si hajmali, sikur të kishte ndonjë fuqi të mbinatyrshme për të mbrojtur. Nuk është kjo mënyra si të gjejmë strehë tek emri i Jehovait.

Si të gjejmë strehë sot?

16. Si mund të gjejmë strehë në kuptimin frymor sot?

16 Sot gjejmë strehë në sigurinë frymore që gëzon populli i Perëndisë si i tërë. (Psal. 91:1) Nëpërmjet ‘skllavit të besueshëm e të matur’ dhe pleqve në kongregacion, paralajmërohemi për prirjet e botës që mund ta kërcënojnë këtë siguri. (Mat. 24:45-47; Isa. 32:1, 2) Të mendojmë sa shpesh jemi paralajmëruar për materializmin dhe se si na kanë mbrojtur këto paralajmërime nga gjëmat frymore. Ç’mund të themi pastaj për rrezikun e zhvillimit të një qëndrimi moskokëçarës, si pasojë e të cilit mund të bëhemi joaktivë në shërbimin ndaj Jehovait? Fjala e Perëndisë thotë: «Rebelimi i të papërvojëve do t’i vrasë dhe moskokëçarja e budallenjve do t’i shkatërrojë. Ai që më dëgjon, do të banojë i sigurt dhe i patrazuar nga tmerri i gjëmës.» (Prov. 1:32, 33) Edhe përpjekjet për të qëndruar të pastër moralisht na ndihmojnë të mos humbim sigurinë tonë frymore.

17, 18. Çfarë po i ndihmon sot miliona njerëz që të gjejnë strehë tek emri i Jehovait?

17 Të mendojmë edhe për inkurajimin e skllavit të besueshëm që të zbatojmë urdhrin e Jezuit për të predikuar lajmin e mirë për Mbretërinë në gjithë tokën e banuar. (Mat. 24:14; 28:19, 20) Sofonia përmendi një ndryshim që do t’i ndihmonte njerëzit të gjenin strehë tek emri i Perëndisë. Në Bibël lexojmë: «Në atë kohë do t’ua ndryshoj popujve gjuhën në një gjuhë të kulluar, që të gjithë të thërrasin emrin e Jehovait e t’i shërbejnë atij sup më sup.»​—Sof. 3:9.

18 Çfarë është kjo gjuhë e kulluar? Gjuha e kulluar është e vërteta rreth Perëndisë Jehova dhe qëllimeve të tij, e cila gjendet në Fjalën e tij të frymëzuar. Në njëfarë kuptimi, ti e përdor këtë gjuhë kur ndan me të tjerët kuptueshmërinë e saktë për Mbretërinë e Perëndisë dhe për mënyrën si do të shenjtërojë ajo emrin e tij. Gjithashtu, e përdor këtë gjuhë kur thekson shfajësimin e sovranitetit të Perëndisë dhe kur flet me gëzim për bekimet e përjetshme që do të gëzojnë njerëzit besnikë. Ngaqë shumë po flasin këtë gjuhë të figurshme, gjithnjë e më tepër njerëz ‘po thërrasin emrin e Jehovait’ dhe ‘po i shërbejnë atij sup më sup’. Po, miliona veta përreth botës po gjejnë strehë te Jehovai.​—Psal. 1:1, 3.

19, 20. Si dështoi besimi te ‘streha e gënjeshtrës’ në kohët biblike?

19 Njerëzit në botë duhet të përballojnë probleme të pakapërcyeshme në dukje. Nga dëshira e madhe për t’i zgjidhur ato, shumë u drejtohen njerëzve të papërsosur. Ose shpresojnë që institucionet politike t’u gjejnë zgjidhje, ashtu si Izraeli i lashtë herë pas here u drejtohej kombeve fqinje për ndihmë duke bërë aleanca me to. Por, siç e di, kjo nuk e ndihmoi Izraelin. Dhe, asnjë shtet sot, as Organizata e Kombeve të Bashkuara, nuk do t’i zgjidhë plotësisht problemet e njerëzimit. Atëherë, pse duhet t’i shohim si një strehë institucionet dhe aleancat politike? Në mënyrë profetike Bibla i quan ato ‘streha e gënjeshtrës’. Mund t’i konsideroni me të drejtë si të tilla, sepse të gjithë njerëzit që shpresojnë tek ato, do të zhgënjehen tej mase.​—Lexo Isainë 28:15, 17.

20 Së shpejti tokën do ta godasë shtrëngata e figurshme me breshër e ditës së Jehovait. Planet njerëzore nuk do të jenë në gjendje të sigurojnë mbrojtje e po kështu edhe strehimet bërthamore ose pasuria. Isaia 28:17 thekson: «Breshri do ta fshijë tej strehën e gënjeshtrës dhe ujërat do ta përmbytin vendin e fshehjes.»

21. Ç’dobi mund të kemi duke zbatuar shkrimin e vitit për 2011-n?

21 Si tani, ashtu edhe gjatë atyre ngjarjeve të ardhshme, populli i Perëndisë do të gjejë siguri te Perëndia i tij, Jehovai. Emri Sofonia, që do të thotë «Jehovai ka fshehur», e vë theksin te ky vend i vërtetë fshehjeje. Në mënyrë të përshtatshme, për 2011-n kemi si shkrimin e vitit këshillën e mençur: ‘Gjej strehë tek emri i Jehovait.’ (Sof. 3:12) Edhe tani mund dhe duhet të gjejmë strehë tek emri i Jehovait, duke besuar tek ai me gjithë zemër. (Psal. 9:10) Le të mbajmë ndër mend çdo ditë sigurinë që na jep ky varg i frymëzuar: «Emri i Jehovait është një kullë e fortë. Tek ai vrapon i drejti dhe gjen mbrojtje.»​—Prov. 18:10.

A të kujtohet?

• Si mund të gjejmë strehë tek emri i Jehovait tani?

• Pse nuk duhet të kemi besim te ‘streha e gënjeshtrës’?

• Çfarë strehe na sigurohet për të ardhmen?

[Pyetjet]

[Diçitura në faqen 6]

Shkrimi i vitit për 2011-n është: ‘Gjej strehë tek emri i Jehovait.’​—Sofonia 3:12.

[Burimi i figurës në faqen 7]

Thüringer Landesmuseum Heidecksburg Rudolstadt, Waffensammlung “Schwarzburger Zeughaus”