Mirënjohëse që i kam shërbyer Jehovait edhe nën sprova
Mirënjohëse që i kam shërbyer Jehovait edhe nën sprova
Treguar nga Marçe dë Jongë-van den Hovëli
JAM 98 vjeçe. Për 70 vjet kam pasur kënaqësinë t’i shërbej Jehovait, por jo pa sprova besimi. Gjatë Luftës II Botërore, përfundova në një kamp përqendrimi ku për shkak të shkurajimit mora një vendim për të cilin më vonë u ndjeva keq. Disa vjet më pas, përballova një sprovë tjetër të dhembshme. E megjithatë, i jam mirënjohëse Jehovait që kam pasur privilegjin t’i shërbej edhe nën sprova.
Jeta ime ndryshoi në tetor 1940. Jetoja në Hilversum, një qytet rreth 24 kilometra në juglindje të Amsterdamit në Holandë. Vendi ishte nën sundimin nazist. Prej pesë vjetësh isha martuar me Jap dë Jongën, një burrë i dashur, dhe kishim një vajzë të çmuar trivjeçare me emrin Vili. Jetonim ngjitur me një familje të varfër që mezi arrinte të ushqente tetë fëmijët. Prapëseprapë, i siguronin strehim dhe ushqim një mysafiri të përhershëm, një të riu. «Pse mbajnë një barrë të tillë të tepërt?»—vrisja mendjen. Njëherë, kur u dhashë ca ushqime, mora vesh se i riu ishte një pionier. Ai më foli për Mbretërinë e Perëndisë dhe për bekimet që do të sjellë ajo. Më prekën thellë ato që mësova dhe shumë shpejt pranova të vërtetën. Po atë vit, iu kushtova Jehovait dhe u pagëzova. Një vit pas pagëzimit tim, edhe bashkëshorti u pagëzua.
Megjithëse kisha pak njohuri nga Bibla, e kuptoja fare mirë se duke u bërë Dëshmitare, bëhesha pjesë e një organizate të ndaluar. Po ashtu e dija se shumë Dëshmitarë tashmë i kishin futur në burg ngaqë predikonin mesazhin për Mbretërinë. Prapëseprapë, menjëherë fillova të predikoja shtëpi më shtëpi dhe unë e im shoq e mbanim shtëpinë tonë hapur për pionierët dhe mbikëqyrësit udhëtues. Shtëpia jonë u bë edhe depo për literaturën biblike që e sillnin vëllezër e motra nga Amsterdami. Ata i ngarkonin biçikletat e rënda të transportit me libra, të cilët i mbulonin me mushama. Ç’dashuri dhe guxim që kishin ata korrierë! Rrezikonin jetën për vëllezërit.—1 Gjon. 3:16.
«A do të kthehesh shpejt mami?»
Rreth gjashtë muaj pasi u pagëzova, në derën tonë erdhën tre policë. Hynë në shtëpi dhe kontrolluan. Megjithëse nuk e gjetën qilarin e mbushur me literaturë, gjetën ca libra poshtë krevatit tonë. Menjëherë më urdhëruan të shkoja me ta në rajonin e policisë të Hilversumit. Kur e përqafova vajzën time, Vilin, për ta përshëndetur, më pyeti: «A do të kthehesh shpejt mami?» «Po, zemër,—i thashë.—Mami do të kthehet shpejt në shtëpi.» Mirëpo, do të kalonin 18 muaj të vështirë para se ta merrja sërish në krahët e mi.
Kështu, një polic më çoi me tren në Amsterdam që të më merrnin në pyetje. Ata që më bënin pyetje kërkuan të identifikoja si Dëshmitarë të Jehovait tre vëllezër nga Hilversumi. U thashë: «Nuk i njoh, përveç njërit. Ky na sjell qumështin.» Dhe kjo ishte e vërtetë: ai vëlla shiste qumësht. «Megjithatë,—u thashë,—pyesni atë nëse është Dëshmitar i Jehovait e jo mua.» Kur nuk pranova të thosha ndonjë gjë tjetër, më goditën në fytyrë dhe më mbyllën në një qeli ku më lanë për dy muaj. Kur burri mori vesh se ku isha, mundi të më sillte disa rroba dhe ushqime. Më pas, në gusht 1941 më çuan në Ravensbruk—një kamp përqendrimi famëkeq për gra, rreth 80 kilometra në veri të Berlinit, Gjermani.
«Merr zemër, e dashur!»
Kur arritëm atje, na thanë se, po të firmosnim një deklaratë ku thuhej se hiqnim dorë nga besimi ynë, mund të ktheheshim në shtëpi. Natyrisht, unë nuk e firmosa. Si pasojë, më detyruan të dorëzoja sendet personale dhe të zhvishesha lakuriq në një dhomë larjeje ku takova disa motra të krishtere nga Holanda. Na dhanë rroba kampi me një trekëndësh ngjyrë vjollcë të qepur mbi to, një pjatë, një filxhan dhe një lugë. Natën e parë na mbajtën në barakat ku linin përkohësisht të burgosurit. Atje, për herë të parë pas arrestimit, shpërtheva në lot. «Çfarë do të ndodhë? Sa do të rri këtu?»—thashë duke qarë me dënesë. Me thënë të drejtën, në atë kohë nuk kisha ende një marrëdhënie shumë të fortë me Jehovain, pasi e njihja vetëm prej pak muajsh të vërtetën. Kisha ende mjaft gjëra për të mësuar. Të nesërmen, gjatë apelit, një motër holandeze me sa duket vuri re trishtimin tim. Më tha: «Merr zemër, e dashur, merr zemër! Askush s’mund të na bëjë keq.»
Pas apelit, na çuan në baraka të tjera ku na mirëpritën qindra motra të krishtere nga Gjermania dhe Holanda. Disa prej motrave gjermane kishin mbi një vit që jetonin në ato baraka. Shoqëria e tyre më forcoi e në fakt më dha zemër. Gjithashtu, më bëri përshtypje që barakat ku rrinin motrat ishin shumë më të pastra se barakat e tjera në kamp. Përveçse të pastra, barakat tona njiheshin edhe si vende ku nuk bëhej asnjë vjedhje, nuk thuhej asnjë mallkim ose nuk zihej askush. Krejt ndryshe nga kushtet mizore të kampit, barakat tona ishin si një ishull i pastër në mes të një deti të qelbur.
Jeta e përditshme në kamp
Në kamp punonim shumë dhe hanim fare pak. Duhej të ngriheshim në pesë të mëngjesit dhe pak kohë më pas fillonte apeli. Rojat na linin jashtë rreth një orë, në shi a në kohë të mirë. Në pesë të pasdites, pas një dite pune të mundimshme, përsëritej apeli. Pastaj hanim pak bukë e supë dhe shkonim të flinim të rraskapitura.
Përveç së dielës, çdo ditë punoja në ferma ku korrja grurë me drapër, pastroja kanale, si edhe stalla derrash. Megjithëse puna ishte e rëndë dhe e pistë, arrija të punoja ditë pas dite meqë isha ende e re dhe disi e fortë. Po ashtu, forcohesha duke kënduar këngë me
përmbajtje biblike ndërsa punoja. Gjithsesi, çdo ditë digjesha nga malli për burrin dhe vajzën.Na jepnin fare pak ushqim, por të gjitha ne motrat përpiqeshim të ruanim çdo ditë një copë bukë që të kishim diçka tepër të dielave kur kishim mundësinë të mblidheshim për të biseduar për tema biblike. Nuk kishim literaturë biblike, por dëgjonim me etje motrat më të vjetra besnike gjermane teksa flitnin për gjëra frymore. Madje mbajtëm edhe Përkujtimin e vdekjes së Krishtit.
Dëshpërim, keqardhje dhe inkurajim
Hera-herës na urdhëronin të bënim ndonjë punë që mbështeste drejtpërdrejt veprimtaritë luftarake të nazistëve. Për shkak të asnjanësisë në çështjet politike, të gjitha motrat refuzonin të punonin dhe unë ndiqja shembullin e tyre të guximshëm. Si ndëshkim, nuk na jepnin ushqim për ditë të tëra dhe duhej të qëndronim në apel për shumë orë. Një herë, gjatë dimrit, na kyçën për 40 ditë në baraka pa pasur fare ngrohje.
Ne Dëshmitareve të Jehovait na thoshin vazhdimisht që, po të firmosnim deklaratën ku hiqnim dorë nga besimi, do të na lironin e mund të ktheheshim në shtëpi. Pasi kisha jetuar në Ravensbruk për më tepër se një vit, u shkurajova tej mase. Dëshira për të parë burrin dhe vajzën u bë kaq e fortë, saqë shkova te rojat, u kërkova deklaratën ku thuhej se nuk do të isha më Studente e Biblës dhe e firmosa.
Kur morën vesh ç’kisha bërë, disa motra filluan të më shmangnin. Por dy motra të moshuara gjermane, Hedviga dhe Gertruda, më kërkuan dhe më siguruan se më donin. Ndërsa punonim bashkë në stallat e derrave, më shpjeguan me dashamirësi sa e rëndësishme është të mbajmë integritetin ndaj Jehovait dhe si ta tregojmë dashurinë për Të duke mos bërë kompromise. Interesimi prej nëne dhe përzemërsia e tyre e butë më prekën thellë. * E dija se ajo që kisha bërë ishte e gabuar dhe doja të anulohej deklarata ime. Një mbrëmje, i thashë një motre se kisha vendosur të kërkoja anulimin. Një oficeri të kampit duhet t’i ketë kapur veshi bisedën tonë, sepse po atë mbrëmje papritur më liruan nga kampi dhe më kthyen me tren në Holandë. Një nga mbikëqyrëset e kampit—ende ia kujtoj fytyrën—më tha: «Ti vazhdon të jesh një Bibelforscher (Studente e Biblës) dhe do të mbetesh e tillë!» Iu përgjigja: «Po, do të mbetem në dashtë Jehovai.» Megjithatë, vazhdoja të mendoja: «Si mund ta anuloj deklaratën?»
Në një nga pikat e deklaratës thuhej: «Me anë të kësaj, garantoj se nuk do të aktivizohem më me Shoqatën Ndërkombëtare të Studentëve të Biblës.» E dija se ç’duhej të bëja. Në janar 1943, shumë shpejt pas mbërritjes në shtëpi, fillova përsëri të merrja pjesë në veprën e predikimit. Sigurisht, nëse autoritetet naziste më kapnin për herë të dytë ndërsa predikoja për Mbretërinë e Perëndisë, ndëshkimi do të ishte i ashpër.
Që t’i tregoja më tej Jehovait dëshirën e përzemërt për të qenë një shërbëtore besnike, unë dhe burri ua hapëm përsëri shtëpinë korrierëve dhe mbikëqyrësve udhëtues. Sa mirënjohëse ndihesha që kisha një mundësi tjetër për të vërtetuar dashurinë time ndaj Jehovait dhe popullit të tij!
Një sprovë e dhembshme
Pak muaj para se të mbaronte lufta, unë dhe burri hasëm një sprovë të dhembshme. Në tetor 1944, vajza jonë u sëmur papritur. Vilin e zuri difteria. Gjendja e saj u keqësua
me të shpejtë dhe vdiq tri ditë më pas. Ishte vetëm tetë vjeçe.Humbja e fëmijës tonë të vetëm ishte një goditje dërrmuese. Në fakt, sprovat që kalova në Ravensbruk nuk ishin asgjë në krahasim me dhembjen që ndjeva kur humbëm fëmijën. Megjithatë, në momente dëshpërimi, merrnim gjithnjë ngushëllim nga fjalët që gjenden te Psalmi 16:8: «E kam Jehovain gjithnjë para syve. Nuk do të lëkundem, pasi ai është në të djathtën time.» Unë dhe bashkëshorti im kishim besim të patundur te premtimi i Jehovait për ringjalljen. Ngulmuam në të vërtetën dhe ishim gjithmonë predikues të zellshëm të lajmit të mirë. Burri im, derisa vdiq më 1969, më ndihmoi vërtet t’i shërbeja Jehovait me mirënjohje.
Bekime dhe gëzime
Gjatë dekadave të kaluara, për mua ka qenë gjithnjë burim i madh gëzimi shoqëria e ngushtë me shërbëtorë në kohë të plotë. Ashtu si gjatë luftës, shtëpia jonë ishte gjithnjë hapur për mbikëqyrësit udhëtues dhe gratë e tyre kur vizitonin kongregacionin tonë. Madje, një çift që shërbente në veprën udhëtuese, Martin dhe Nela Kaptajni, jetuan në shtëpinë tonë për 13 vjet. Kur Nela u sëmur rëndë, pata mundësinë të kujdesesha për të në shtëpinë tonë për tre muaj, derisa vdiq. Shoqëria me ta dhe me vëllezërit e motrat vendëse më ka ndihmuar të gëzoj parajsën frymore ku jetojmë që tani.
Një nga momentet më emocionuese të jetës sime ishte në vitin 1995—një ftesë për të ndjekur një ngjarje përkujtimore në Ravensbruk. Atje takova motra me të cilat kisha qenë në kamp dhe që nuk i shihja prej 50 vjetësh. Takimi me to ishte një përvojë e paharrueshme dhe prekëse, si dhe një mundësi e shkëlqyer për të inkurajuar njëra-tjetrën që të prisnim me padurim ditën kur njerëzit tanë të dashur që kanë vdekur, të jetojnë përsëri.
Apostulli Pavël thotë te Romakëve 15:4 se «me anë të qëndrueshmërisë sonë dhe me anë të ngushëllimit nga Shkrimet, [mund] të kemi shpresë». E falënderoj Jehovain për këtë shpresë që na jep, e cila më ka ndihmuar t’i shërbej me mirënjohje edhe nën sprova.
[Shënimi]
^ par. 19 Gjatë asaj kohe, meqë nuk kishin kontakte me selinë qendrore, vëllezërit i trajtonin çështjet në lidhje me asnjanësinë sa më mirë të mundeshin. Për këtë arsye, ndryshonte disi mënyra se si individët e shihnin këtë çështje.
[Figura në faqen 10]
Me Japin, më 1930
[Figura në faqen 10]
Vajza jonë, Vili, në moshën tetë vjeçare
[Figura në faqen 12]
Më 1995, mora pjesë në një takim prekës. Jam në rreshtin e parë, e dyta nga e majta