Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të fuqizuar që t’i bëjmë ballë çdo sprove

Të fuqizuar që t’i bëjmë ballë çdo sprove

Të fuqizuar që t’i bëjmë ballë çdo sprove

«Për çdo gjë kam forcë falë atij që më jep fuqi.»​—FILIP. 4:13.

1. Pse shërbëtorët e Jehovait hasin shumë vështirësi?

SHËRBËTORËT e Jehovait shpesh kanë hasur vështirësi nga më të ndryshmet. Disa sprova vijnë nga papërsosmëria ose si pasojë e sistemit ku jetojmë. Të tjera për shkak të armiqësisë që ekziston mes atyre që i shërbejnë Perëndisë dhe atyre që nuk i shërbejnë. (Zan. 3:15) Që në fillim të historisë njerëzore, Perëndia i ka ndihmuar shërbëtorët e vet besnikë të përballojnë përndjekjen fetare, t’i rezistojnë presionit të dëmshëm të shoqërisë dhe të kapërcejnë çdo lloj vështirësie. Fryma e tij e shenjtë mund të na fuqizojë edhe ne që t’ia dalim.

Fryma na ndihmon të përballojmë përndjekjen fetare

2. Ç’synim kanë përndjekjet fetare dhe ç’lloj formash kanë?

2 Përndjekja fetare është ngacmimi ose dëmtimi me dashje i njerëzve për shkak të besimit ose të bindjeve të tyre. Qëllimi është t’i çrrënjosë këto bindje, të pengojë përhapjen e tyre ose të thyejë integritetin e besimtarëve. Ka forma të ndryshme përndjekjeje. Disa bëhen haptas, disa bëhen tinëzisht. Bibla tregon se Satanai sulmon edhe si luan i ri, edhe si kobër.​—Lexo Psalmin 91:13.

3. Ç’karakteristika kanë përndjekjet si të luanit dhe si të kobrës?

3 Si një luan i egër, shpesh Satanai ka sulmuar ballas, duke përdorur dhunën, burgun ose ndalimin. (Psal. 94:20) Në Librin Vjetor që flet për veprën e Dëshmitarëve të Jehovait në ditët tona, gjejmë tregime të shumta të taktikave të tilla. Turma të shfrenuara, disa prej të cilave të drejtuara nga klerikë ose fanatikë të politikës, e kanë keqtrajtuar popullin e Perëndisë në shumë vende. Nga këto sulme si të luanit, vetëm një numër i vogël nuk ka vazhduar t’i shërbejë më Jehovait. Si një kobër, Djalli godet tinëzisht nga vendet e fshehura që të helmojë mendjet e njerëzve dhe t’i mashtrojë që të bëjnë vullnetin e tij. Ky lloj sulmi është kurdisur kastile për të na dobësuar ose çorientuar frymësisht. Megjithatë, me anë të frymës së shenjtë të Perëndisë, mund t’i përballojmë të dyja këto lloj përndjekjesh.

4, 5. Cila është mënyra më e mirë që të përgatitemi për përndjekjet dhe pse? Jep një shembull.

4 Të përfytyrojmë skena përndjekjesh që mund të kemi në të ardhmen, nuk është mënyra më e mirë për t’u përgatitur. Ne thjesht s’e dimë ç’përndjekje mund të hasim, prandaj nuk ia vlen të shqetësohemi për gjëra që mund të mos ndodhin kurrë. Megjithatë, mund të bëjmë diçka. Shumë nga ata që kanë hasur përndjekje, i kanë përballuar me sukses ato ngaqë kanë medituar për jetën e shërbëtorëve të Jehovait besnikë të treguar në Shkrime e për mësimet dhe shembullin e Jezuit. Kjo i ka bërë që ta thellojnë dashurinë për Jehovain, e cila i ka ndihmuar t’i rezistojnë çfarëdolloj sprove që mund t’u ketë dalë përpara.

5 Le të mendojmë për shembullin e dy motrave tona në Malavi. Në përpjekje për t’i detyruar të blinin teserën e partisë, një turmë e dhunshme i rrahu, i zhveshi dhe i kërcënoi se do t’i përdhunonte. I gënjyen duke i thënë se edhe pjesëtarët e familjes Bethel kishin marrë tesera. Por, si u përgjigjën motrat? «Ne i shërbejmë vetëm Perëndisë Jehova dhe s’ka fare rëndësi nëse vëllezërit në zyrën e degës i kanë blerë apo jo. Nuk bëjmë asnjë kompromis edhe sikur të na vritni!» Pas këtij qëndrimi të guximshëm, turma i la të lira.

6, 7. Si i fuqizon Jehovai shërbëtorët e tij që t’i bëjnë ballë përndjekjes?

6 Apostulli Pavël vërejti se të krishterët në Selanik e kishin pranuar mesazhin e së vërtetës «mes shumë shtrëngimesh», e megjithatë «me gëzimin që vjen nga fryma e shenjtë». (1 Sel. 1:6) Në fakt, si në të kaluarën edhe sot, mjaft të krishterë, të cilët kanë hasur dhe kapërcyer përndjekje, thonë se në kulmin e sprovave kanë provuar paqe të brendshme, një aspekt i frytit të frymës së shenjtë të Perëndisë. (Gal. 5:22) Ajo paqe i ka ndihmuar të ruajnë zemrën dhe fuqitë mendore. Po, Jehovai e përdor forcën e tij aktive për të fuqizuar shërbëtorët e vet që t’u bëjnë ballë sprovave dhe të veprojnë me mençuri kur i godasin vështirësitë. *

7 Kush i ka vëzhguar shërbëtorët e Perëndisë, është mahnitur nga vendosmëria e tyre për të mbajtur integritetin edhe përballë përndjekjeve më të egra. Dukej sikur dëshmitarët ishin mbushur me një forcë mbinjerëzore, dhe në fakt ashtu ishte. Apostulli Pjetër na siguron: «Nëse po ju poshtërojnë për emrin e Krishtit, lum ju, sepse fryma e lavdisë, madje fryma e Perëndisë, po prehet mbi ju.» (1 Pjet. 4:14) Fakti që përndiqemi ngaqë mbështetim standardet e drejta, tregon se kemi miratimin e Perëndisë. (Mat. 5:10-12; Gjoni 15:20) Sa na gëzon kjo provë e bekimit të Jehovait!

Fryma na ndihmon t’i rezistojmë presionit të shoqërisë

8. (a) Pse Josiu dhe Kalebi i rezistuan presionit të shoqërisë? (b) Çfarë mund të mësojmë nga shembulli i tyre?

8 Një formë kundërshtimi më tinëzare që duhet të durojnë të krishterët është presioni negativ i shoqërisë. Mirëpo, meqenëse fryma e Jehovait është shumë më e fuqishme se fryma e botës, mund t’u bëjmë ballë njerëzve që na tallin, që përhapin gjëra të pavërteta për ne ose që orvaten të na detyrojnë të përshtatemi me standardet e tyre. Për shembull, pse Josiu dhe Kalebi nuk u pajtuan me pikëpamjen e dhjetë vëzhguesve të tjerë që u dërguan në Kanaan? Sepse fryma e shenjtë nxiti tek ata një «frymë» ose prirje mendore krejt tjetër.​—Lexo Numrat 13:30; 14:6-10, 24.

9. Pse të krishterët duhet të jenë të gatshëm të ndryshojnë nga shumica?

9 Po ashtu, fryma e shenjtë i fuqizoi apostujt e Jezuit t’i bindeshin Perëndisë dhe jo atyre që shumë veta i nderonin si mësues të fesë së vërtetë. (Vep. 4:21, 31; 5:29, 32) Pjesa më e madhe e njerëzve parapëlqejnë të shkojnë pas shumicës që të shmangin përplasjet ose konfliktet. Kurse të krishterët shpesh duhet të marrin një qëndrim kur dinë atë që është e drejtë. Megjithatë, falë fuqisë që jep forca aktive e Perëndisë, ata nuk kanë frikë të jenë të ndryshëm. (2 Tim. 1:7) Le të shqyrtojmë një fushë ku nuk duhet t’i dorëzohemi presionit të shoqërisë.

10. Para cilës dilemë mund të gjenden disa të krishterë?

10 Disa të rinj, kur marrin vesh se një shok është përfshirë në një sjellje jobiblike, mund të gjenden para një dileme. Mund të mendojnë se, po t’u kërkojnë ndihmë pleqve për shokun, do të humbasin besimin e tij, kështu që nuk flasin për shkak të një ndjenje të gabuar besnikërie. Madje, ai që ka gabuar, mund t’u bëjë presion shokëve që të mos e tregojnë mëkatin e tij. Sigurisht, ky problem nuk ekziston vetëm mes të rinjve. Edhe disa të rritur mund ta kenë të vështirë t’u afrohen pleqve të kongregacionit që t’u flasin për keqbërjen e një miku ose familjari. Por, si duhet të veprojnë të krishterët e vërtetë përballë një presioni të tillë?

11, 12. Cila është gjëja më e mirë që mund të bëjmë nëse një pjesëtar i kongregacionit na nxit të mos e tregojmë keqbërjen e tij ose të saj dhe pse?

11 Përfytyroni këtë situatë. Mendoni sikur Enea, një vëlla i ri, mëson se Ledio, një shok në kongregacion, e ka zakon të shohë pornografi. I thotë se është mjaft i shqetësuar për atë që po bën shoku i vet. Megjithatë, Ledio nuk ua vë shumë veshin fjalëve të tij. Kur Enea e nxit shokun të flasë me pleqtë, Ledio i përgjigjet se po ta kishte vërtet shok nuk do t’u tregonte. A duhet të ketë frikë Enea se mos humbet shokun? Mund të pyesë veten se kë do të besojnë pleqtë nëse Ledio mohon gjithçka. Prapëseprapë, edhe nëse Enea hesht, situata nuk do të rregullohet. Faktikisht, po të heshtë, Ledio mund të humbasë marrëdhënien me Jehovain. Enea do të bënte mirë të kujtonte se «të dridhesh para njerëzve përbën një lak, por kush beson te Jehovai, është i mbrojtur». (Prov. 29:25) Ç’gjë tjetër mund të bëjë Enea? Mund t’i afrohet përsëri me dashuri Ledios dhe të diskutojë hapur për problemin që ka. Për këtë, duhet kurajë. Ka të ngjarë që këtë radhë Ledio të dojë të hapet me të. Enea duhet ta inkurajojë sërish që të flasë me pleqtë dhe t’i thotë se, po të mos e bëjë brenda një periudhe kohe të arsyeshme, atëherë do t’u tregojë atyre.​—Lev. 5:1.

12 Nëse ndonjëherë do t’ju duhet të veproni po njësoj, në fillim shoku mund të mos i çmojë përpjekjet e tua. Por, me kalimin e kohës mund ta kuptojë se po e bën për të mirën e tij. Nëse atij që ka gabuar, i ofrohet ndihmë dhe e pranon, mund t’ju jetë përherë mirënjohës për kurajën dhe besnikërinë. Por, nëse të mban mëri, këtë lloj shoku do? Nga ana tjetër, kur kënaqim Shokun tonë më të ngushtë, Jehovain, bëjmë gjithnjë gjënë më të drejtë. Kur vëmë atë në vend të parë, ata që e duan, do të na respektojnë për besnikërinë dhe do të bëhen shokët tanë të vërtetë. Nuk duhet t’i lëmë vend Djallit të ndikojë në kongregacionin e krishterë. Po ta lejonim, do ta hidhëronim vërtet frymën e shenjtë të Jehovait. Por ne veprojmë në përputhje me të, duke u munduar që ta mbajmë pastër kongregacionin e krishterë.​—Efes. 4:27, 30.

Fryma na fuqizon të kapërcejmë çdo lloj vështirësie

13. Ç’lloj vështirësish po hasin shërbëtorët e Jehovait dhe pse këto gjëra janë kaq të zakonshme?

13 Vështirësitë mund të jenë të ndryshme: krizë ekonomike, humbje e punës, katastrofë natyrore, vdekje e një personi të dashur, problem shëndetësor e kështu me radhë. Meqenëse jetojmë në «kohë kritike», herët a vonë të gjithë ne do të hasim ndonjë nga këto sprova. (2 Tim. 3:1) Kur të na ndodhë, e rëndësishme është të mos na zërë paniku. Fryma e shenjtë mund të na fuqizojë të kapërcejmë çdo lloj vështirësie.

14. Çfarë e fuqizoi Jobin t’i kapërcente vështirësitë?

14 Jobi kaloi vështirësi njëra pas tjetrës. Humbi mjetet e jetesës, fëmijët, miqtë, shëndetin dhe e shoqja humbi besimin te Jehovai. (Jobi 1:13-19; 2:7-9) Megjithatë, Jobi pati një ngushëllues të vërtetë, Elihun. Mesazhi i tij, si dhe thelbi i mesazhit të Jehovait për Jobin, ishte: «Rri në heshtje e vëru mendjen mrekullive të Perëndisë.» (Jobi 37:14) Çfarë e ndihmoi Jobin t’i kapërcente vështirësitë? Çfarë mund të na ndihmojë edhe ne të bëjmë të njëjtën gjë? Të kujtojmë e të bluajmë në mendje rastet ku shihet veprimi i frymës së shenjtë dhe i fuqisë së Jehovait. (Jobi 38:1-41; 42:1, 2) Ndoshta na vijnë ndër mend ato momente nga jeta jonë kur kemi parë se si Perëndia është interesuar personalisht për ne. Dhe ai interesohet ende për ne.

15. Çfarë e forcoi Pavlin t’i kapërcente sprovat?

15 Për hir të besimit, apostulli Pavël hasi shumë vështirësi që i kërcënuan jetën. (2 Kor. 11:23-28) Si e ruajti ekuilibrin dhe qëndrueshmërinë emocionale në rrethana të tilla sprovuese? Duke u mbështetur te Jehovai me anë të lutjeve. Gjatë kësaj kohe me sprova, që duket se përfundoi me vdekjen e tij si martir, Pavli shkroi: «Zotëria më qëndroi pranë dhe më mbushi me fuqi, që nëpërmjet meje predikimi të kryhej plotësisht dhe të gjitha kombet ta dëgjonin. Kështu, unë shpëtova nga goja e luanit.» (2 Tim. 4:17) Ndaj, nga përvoja e vet Pavli mundi t’i siguronte bashkëbesimtarët se s’kishin pse ‘të ishin në ankth për asgjë’.​—Lexo Filipianëve 4:6, 7, 13.

16, 17. Jep një shembull që tregon se si po i fuqizon Jehovai shërbëtorët e tij që të kapërcejnë vështirësitë.

16 Roksana, një pioniere, është një nga shërbëtorët e Jehovait që e ka përjetuar vetë përkujdesjen e tij. Kur i kërkoi punëdhënësit disa ditë leje për të marrë pjesë në një nga kongreset tona, ai ia ktheu me zemërim se, nëse do të shkonte, do ta pushonte nga puna. Megjithatë, Roksana shkoi, duke u lutur me zjarr që të mos humbiste punën. Pas kësaj, ajo u ndie e qetë. Të hënën pas kongresit, shefi e pushoi nga puna, tamam siç i kishte thënë. Roksana ishte në merak. Edhe pse rroga ishte e vogël, i duhej ajo punë që të mbështeste familjen. Ajo u lut përsëri dhe arsyetoi se, Perëndia i kishte siguruar mbështetje frymore në kongres, kështu që me siguri do të kujdesej edhe për nevojat e saj fizike. Kur po kthehej në shtëpi, Roksana pa një njoftim «Ofertë pune», ku kërkoheshin punëtorë të specializuar për makina qepëse industriale, dhe aplikoi. Administratori kuptoi se nuk kishte përvojë, megjithatë e punësoi, duke i dhënë gati dyfishin e asaj që merrte. Roksana ndjeu se Jehovai i ishte përgjigjur lutjeve të saj. Sidoqoftë, bekimi më i madh ishte kur u dha dëshmi për lajmin e mirë disa kolegëve. Pesë prej tyre, përfshirë edhe administratorin, e pranuan të vërtetën dhe u pagëzuan.

17 Ndonjëherë, mund të duket sikur Perëndia nuk u përgjigjet lutjeve tona, të paktën jo menjëherë ose ashtu siç shpresonim. Në qoftë kështu, pa dyshim ka një arsye të vlefshme. Jehovai e di tashmë, por për ne mund të bëhet e qartë vetëm me kalimin e kohës. Për një gjë mund të jemi të sigurt: Perëndia nuk i braktis besnikët e tij.​—Hebr. 6:10.

Fryma na ndihmon t’i kapërcejmë sprovat dhe tundimet

18, 19. (a) Pse mund të presim sprova dhe tundime? (b) Si mund t’i përballojmë me sukses sprovat?

18 Shërbëtorët e Jehovait nuk befasohen kur hasin tundime, shkurajim, përndjekje dhe presion nga shoqëria. Bota në përgjithësi është armiqësore me ne. (Gjoni 15:17-19) Mirëpo, fryma e shenjtë mund të na ndihmojë të kapërcejmë çdo problem që mund të ndeshim ndërsa i shërbejmë Perëndisë. Jehovai nuk do të lejojë që të tundohemi përtej asaj që mund mbajmë. (1 Kor. 10:13) Ai kurrsesi nuk do të na lërë dhe nuk do të na braktisë. (Hebr. 13:5) Bindja ndaj Fjalës së tij të frymëzuar na mbron dhe na forcon. Për më tepër, fryma e Perëndisë mund t’i nxitë bashkëbesimtarët të na ndihmojnë në momentet kur kemi më shumë nevojë.

19 Le të vazhdojmë të gjithë të kërkojmë frymën e shenjtë me anë të lutjes dhe studimit të Shkrimeve. Vazhdofshim ‘të bëhemi shumë të fuqishëm nga fuqia e lavdishme [e Perëndisë], që të qëndrojmë plotësisht e të jemi shpirtgjerë me gëzim’.​—Kolos. 1:11.

[Shënimi]

^ par. 6 Për disa shembuj, shih Kullën e Rojës, 1 maj 2001, faqja 16 dhe Zgjohuni! 8 shkurt 1993, faqet 21 dhe 22, anglisht.

Si do të përgjigjeshe?

• Si mund të përgatitemi të përballojmë përndjekjen?

• Si duhet të veprojmë nëse dikush na nxit të mos e tregojmë keqbërjen e tij?

• Për çfarë mund të jemi të sigurt kur ndeshim çfarëdolloj vështirësie?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 28]

Çfarë mund të mësojmë nga Josiu dhe Kalebi?

[Figura në faqen 29]

Si mund të ndihmosh një shok që gabon?