Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A e urren paligjshmërinë?

A e urren paligjshmërinë?

A e urren paligjshmërinë?

‘Ti [Jezui] e urreve paligjshmërinë.’​—HEBR. 1:9.

1. Çfarë mësoi Jezui për dashurinë?

PËR të theksuar rëndësinë e dashurisë, Jezu Krishti u tha dishepujve: «Po ju jap një urdhërim të ri: ta doni njëri-tjetrin. Ashtu siç ju kam dashur unë, ta doni edhe ju njëri-tjetrin. Nga kjo do ta dinë të gjithë se jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri-tjetrin.» (Gjoni 13:34, 35) Jezui i urdhëroi dishepujt të tregonin dashuri vetëmohuese mes tyre. Kjo dashuri do të ishte shenja e tyre identifikuese. Gjithashtu, Jezui i nxiti: «Vazhdoni të doni armiqtë tuaj e të luteni për ata që ju përndjekin.»​—Mat. 5:44.

2. Për çfarë duhet të zhvillojnë urrejtje dishepujt e Krishtit?

2 Por, përveçse i mësoi dishepujt rreth dashurisë, Jezui i mësoi edhe se çfarë të urrenin. Për Jezuin u tha: «Ti e deshe drejtësinë dhe e urreve paligjshmërinë [ligësinë].» (Hebr. 1:9; Psal. 45:7) Kjo tregon se duhet të zhvillojmë jo vetëm dashuri për drejtësinë, por edhe urrejtje për mëkatin ose paligjshmërinë. Vlen të përmendet se apostulli Gjon tha në mënyrë specifike: «Kushdo që praktikon mëkatin, praktikon edhe paligjshmërinë, kështu pra, mëkati është paligjshmëri.»​—1 Gjon. 3:4.

3. Cilat aspekte do të shqyrtohen në këtë artikull për sa i përket urrejtjes për paligjshmërinë?

3 Si të krishterë, duhet të pyesim veten: «A e urrej paligjshmërinë?» Le të shqyrtojmë se si ta tregojmë urrejtjen për të keqen në këto katër aspekte: (1) në qëndrimin ndaj abuzimit me alkoolin, (2) në pikëpamjen për okultizmin, (3) në reagimin ndaj imoralitetit dhe (4) në mënyrën si i shohim ata që e duan paligjshmërinë.

Mos u bëj skllav i alkoolit

4. Pse Jezui kishte liri fjale kur paralajmëroi kundër pirjes me tepri?

4 Jezui pinte verë me raste, duke pranuar kështu se ajo është një dhuratë nga Perëndia. (Psal. 104:14, 15) Mirëpo, ai kurrë nuk abuzoi me këtë dhuratë duke u dhënë pas pirjes me tepri. (Prov. 23:29-33) Prandaj, Jezui kishte liri fjale kur këshilloi kundër kësaj praktike. (Lexo Lukën 21:34.) Keqpërdorimi i alkoolit mund të çojë në mëkate të tjera serioze. Ja pse apostulli Pavël shkroi: «Mos u dehni me verë, në të cilën ka shfrenim, por vazhdoni të mbusheni me frymë.» (Efes. 5:18) Gjithashtu, i këshilloi gratë e moshuara në kongregacion që të mos ishin «skllave të verës së shumtë».​—Titit 2:3.

5. Cilat pyetje mund t’i bëjnë vetes ata që zgjedhin të pinë pije alkoolike?

5 Nëse zgjedh të pish pije alkoolike, edhe ti duhet të pyesësh veten: «A kam të njëjtin qëndrim si Jezui ndaj pirjes me tepri? Nëse nevojitet të këshilloj të tjerë për këtë çështje, a kam liri fjale? A pi që të harroj hallet ose që të pakësoj stresin? Sa alkool pi çdo javë? Si reagoj kur dikush lë të nënkuptojë se ndoshta po pi tepër? A përpiqem të mbrohem ose madje fyhem? Po ta lejojmë veten të bëhemi skllevër të verës së shumtë, kjo do të ndikojë në aftësinë tonë për të arsyetuar siç duhet dhe për të marrë vendime të mençura. Dishepujt e Krishtit përpiqen të ruajnë aftësinë e tyre për të menduar.​—Prov. 3:21, 22.

Shmang okultizmin

6, 7. (a) Si veproi Jezui me Satanain dhe demonët? (b) Pse është kaq i përhapur sot okultizmi?

6 Kur ishte në tokë, Jezui iu kundërvu me vendosmëri Satanait dhe demonëve. Ai i hodhi poshtë sulmet e drejtpërdrejta të Satanait ndaj besnikërisë së tij. (Luka 4:1-13) Gjithashtu, dalloi dhe iu kundërvu përpjekjeve dinake për të ndikuar në mendimet dhe veprimet e tij. (Mat. 16:21-23) Jezui i ndihmoi ata që e meritonin, të çliroheshin nga sundimi mizor i demonëve.​—Mar. 5:2, 8, 12-15; 9:20, 25-27.

7 Pas vendosjes në fron si Mbret më 1914, Jezui pastroi qiejt nga ndikimi ndotës i Satanait dhe i demonëve. Si rrjedhim, tani më shumë se kurrë, Satanai është i vendosur ‘të mashtrojë gjithë tokën e banuar’. (Zbul. 12:9, 10) Prandaj, nuk duhet të habitemi që magjepsja pas okultizmit është kaq e përhapur dhe po shtohet. Ç’masa mund të marrim për t’u mbrojtur?

8. Cilin vetëshqyrtim duhet të bëjë secili prej nesh në lidhje me zbavitjen?

8 Bibla paralajmëron në mënyrë të qartë për rreziqet që lidhen me spiritizmin. (Lexo Ligjin e përtërirë 18:10-12.) Sot, Satanai dhe demonët ndikojnë në mendimet e njerëzve me anë të filmave, librave dhe lojërave elektronike që nxitin okultizmin. Për këtë arsye, kur zgjedh mënyrën si të zbavitet, secili prej nesh duhet të pyesë veten: «Gjatë muajve të kaluar, a kam zgjedhur të zbavitem me filma, programe televizive, lojëra elektronike, libra ose revista që flasin për gjëra të mbinatyrshme a për magjinë? A e kuptoj sa e rëndësishme është të hedh poshtë ndikimet e okultizmit apo nuk i konsideroj kaq të rrezikshme? A kam menduar madje si mund të ndihet Jehovai për mënyrën si zbavitem? Nëse ua kam hapur derën ndikimeve të tilla satanike, a do të më nxitë dashuria për Jehovain dhe parimet e tij të drejta që të veproj me vendosmëri për ta mbyllur menjëherë këtë derë?»​—Vep. 19:19, 20.

Vëri veshin paralajmërimit të Jezuit për imoralitetin

9. Si mund të ushqejë dikush dashuri për paligjshmërinë?

9 Jezui e përkrahu standardin e Jehovait për moralin seksual. Ai tha: «A nuk e keni lexuar se ai që i krijoi që nga fillimi, i bëri ata mashkull dhe femër? A nuk e keni lexuar edhe që tha: ‘Për këtë arsye, burri do të lërë babanë dhe nënën e do të lidhet ngushtë me gruan e vet, dhe të dy do të jenë një mish i vetëm.’ Kështu që nuk janë më dy, por një mish i vetëm. Prandaj, atë që Perëndia e ka bashkuar, asnjeri të mos e ndajë.» (Mat. 19:4-6) Jezui e dinte se gjërat ku i çojmë sytë, mund të ndikojnë në zemrën tonë. Ja pse gjatë Predikimit në Mal ai tha: «Ju keni dëgjuar se është thënë: ‘Mos kryej kurorëshkelje.’ Por unë po ju them se kushdo që vazhdon ta shikojë një grua aq sa ta dëshirojë, tashmë ka kryer kurorëshkelje me të në zemrën e vet.» (Mat. 5:27, 28) Ata që shpërfillin paralajmërimin e Jezuit, në të vërtetë po ushqejnë dashuri për paligjshmërinë.

10. Trego një përvojë që përshkruan se një person mund të çlirohet nga pornografia.

10 Satanai nxit imoralitetin seksual me anë të pornografisë. Sistemi i sotëm është i stërmbushur me pornografi. Ata që shohin pornografi, e kanë të vështirë të fshijnë nga mendja skenat imorale. Madje mund të bëhen të varur ndaj pornografisë. Shqyrto çfarë i ndodhi një të krishteri. Ai thotë: «Shihja pornografi fshehurazi. Në fantazinë time krijova një botë që mendoja se ishte e shkëputur nga bota ku i shërbeja Jehovait. E dija që ky zakon ishte i gabuar, por i thosha vetes se shërbimi im ishte ende i pranueshëm për Perëndinë.» Çfarë ia ndryshoi mendimin këtij vëllai? Ai thotë: «Megjithëse ishte gjëja më e vështirë që kam bërë ndonjëherë, vendosa të flitja me pleqtë për problemin tim.» Në fund, vëllai u çlirua nga ky zakon poshtërues. «Pasi e pastrova jetën nga ky mëkat,—pohon ai,—më në fund ndjeva se kisha një ndërgjegje vërtet të pastër.» Ata që urrejnë paligjshmërinë duhet të mësojnë të urrejnë pornografinë.

11, 12. Si mund të tregojmë urrejtje për paligjshmërinë kur bëhet fjalë për zgjedhjen e muzikës?

11 Muzika dhe teksti i këngëve mund të ndikojnë fuqishëm te ndjenjat tona e si rrjedhim edhe në zemrën tonë të figurshme. Muzika në vetvete është një dhuratë nga Perëndia dhe prej kohësh ka zënë një vend të rëndësishëm në adhurimin e vërtetë. (Dal. 15:20, 21; Efes. 5:19) Por, bota e ligë e Satanait nxit muzikën që lartëson imoralitetin. (1 Gjon. 5:19) Si mund ta dish nëse muzika që dëgjon po të ndot apo jo?

12 Mund të fillosh të pyesësh veten: «Mos ndoshta këngët që dëgjoj lartësojnë vrasjen, kurorëshkeljen, kurvërinë dhe blasfeminë? Nëse do t’ia lexoja dikujt tekstin e disa këngëve, a do të kishte ai përshtypjen se e urrej paligjshmërinë apo fjalët do të tregonin se zemra ime është e ndotur?» Nuk mund ta urrejmë paligjshmërinë me fjalë, ndërkohë që e lartësojmë me këngë. «Gjërat që dalin nga goja, vijnë nga zemra,—tha Jezui,—dhe këto gjëra e ndotin njeriun. Për shembull, nga zemra vijnë arsyetime të liga, vrasje, kurorëshkelje, kurvëri, vjedhje, dëshmi të rreme, blasfemi.»​—Mat. 15:18, 19; krahaso Jakovin 3:10, 11.

T’i shohim si Jezui ata që duan paligjshmërinë

13. Si i shihte Jezui ata që e kishin ngurtësuar zemrën në mëkat?

13 Jezui tha se erdhi të thërriste mëkatarët ose të paligjshmit që të pendoheshin. (Luka 5:30-32) Por, si i shihte Jezui ata që e kishin ngurtësuar zemrën në udhën e tyre mëkatare? Jezui dha paralajmërime të forta që të mos ndikohemi nga njerëz të tillë. (Mat. 23:15, 23-26) Po ashtu, tha qartë: «Jo kushdo që më thotë: ‘Zotëri, Zotëri’ do të hyjë në mbretërinë e qiejve, por do të hyjë ai që bën vullnetin e Atit tim që është në qiej. Shumë do të më thonë atë ditë [kur Perëndia të sjellë gjykimin]: ‘Zotëri, Zotëri, a nuk profetizuam në emrin tënd, a nuk dëbuam demonë në emrin tënd dhe a nuk kryem shumë vepra të fuqishme në emrin tënd?’» Megjithatë, ai do t’i hedhë poshtë ata që pa u penduar praktikojnë paligjshmëri, duke u thënë: «Largohuni nga unë!» (Mat. 7:21-23) Pse do të gjykohen kështu? Ngaqë këta individë çnderojnë Perëndinë dhe i dëmtojnë të tjerët me praktikat e tyre të paligjshme.

14. Pse mëkatarët e papenduar hiqen nga kongregacioni?

14 Fjala e Perëndisë urdhëron që mëkatarët e papenduar të hiqen nga kongregacioni. (Lexo 1 Korintasve 5:9-13.) Kjo është e nevojshme për të paktën tri arsye: (1) që të mos shahet emri i Jehovait, (2) që të mbrohet kongregacioni nga ndotja dhe (3) që mëkatari të ndihmohet të pendohet, nëse është e mundur.

15. Cilat pyetje serioze duhet t’i bëjmë vetes nëse duam të qëndrojmë besnikë ndaj Jehovait?

15 A i shohim si Jezui ata që ngulin këmbë në udhën e tyre të paligjshme? Duhet t’i bëjmë vetes këto pyetje: «A do të shoqërohesha rregullisht me dikë që është përjashtuar ose që është vetëpërjashtuar nga kongregacioni i krishterë? Po sikur ai të jetë një i afërm i ngushtë që nuk jeton më në të njëjtën shtëpi me mua?» Një situatë e tillë mund të vërë vërtet në provë dashurinë tonë për drejtësinë dhe besnikërinë ndaj Perëndisë. *

16, 17. (a) Ç’vështirësi hasi një motër e krishterë? (b) Çfarë e ndihmoi motrën të mbështeste masën e përjashtimit për keqbërësit e papenduar?

16 Shqyrto përvojën e një motre, djali i rritur i së cilës dikur e donte Jehovain. Por, pas ca kohësh, ai filloi të praktikonte paligjshmërinë pa u penduar. Për këtë arsye u përjashtua nga kongregacioni. Motra e donte Jehovain, por donte edhe djalin e saj, prandaj e kishte tejet të vështirë të zbatonte urdhrin biblik për të shmangur shoqërinë me të.

17 Ç’këshillë do t’i kishe dhënë kësaj motre? Një plak e ndihmoi të kuptonte se Jehovai e dinte si ndihej. Vëllai i tha të mendonte për dhembjen që duhet të ketë provuar Jehovai kur disa nga bijtë e tij engjëllorë u rebeluan. Plaku arsyetoi me të që, ndonëse Jehovai e di se sa e dhembshme mund të jetë një rrethanë e tillë, Ai kërkon që mëkatarët e papenduar të përjashtohen. Motra i mori për zemër përkujtuesit që i përmendi plaku dhe me besnikëri mbështeti masën e përjashtimit. * Një besnikëri e tillë ia gëzon zemrën Jehovait.​—Prov. 27:11.

18, 19. (a) Për çfarë tregojmë urrejtje kur presim lidhjen me një praktikues të paligjshmërisë? (b) Çfarë mund të vijë si rezultat kur jemi besnikë ndaj Perëndisë dhe ndaj masës që ka marrë ai?

18 Nëse has një situatë të ngjashme, të lutemi kujto që Jehovai i kupton ndjenjat e tua. Duke prerë lidhjen me të përjashtuarin ose të vetëpërjashtuarin, po tregon se urren qëndrimet dhe veprimet që çuan në këtë fund. Megjithatë, po tregon edhe se e do keqbërësin aq shumë, sa të bësh çka është më e mira për të. Besnikëria jote ndaj Jehovait mund të rritë gjasat që i disiplinuari të pendohet e të kthehet te Jehovai.

19 Një motër që ishte përjashtuar dhe që më vonë u rivendos, shkroi: «Jam e lumtur që Jehovai e do kaq shumë popullin e tij, sa kujdeset që organizata e Tij të mbahet e pastër. Ajo që mund t’u duket e ashpër atyre që nuk janë pjesë e kongregacionit, është një masë e nevojshme dhe vërtet e dashur.» Si mendon, a do të ishte ndihmuar të arrinte në këtë përfundim kjo motër, nëse pjesëtarët e kongregacionit, përfshirë edhe familja e saj, do të mbanin lidhje të rregullta me të ndërsa ishte e përjashtuar? Kur mbështetim masën biblike të përjashtimit, tregojmë se e duam drejtësinë dhe pranojmë të drejtën e Jehovait që të vendosë standardet e sjelljes.

«Urreni të keqen»

20, 21. Pse është e rëndësishme të mësojmë të urrejmë paligjshmërinë?

20 «Ruani gjykimin, jini syçelë»,—paralajmëron apostulli Pjetër. Pse? Sepse «kundërshtari juaj, Djalli, vjen rrotull si një luan që ulërin, duke kërkuar të gllabërojë dikë». (1 Pjet. 5:8) A do të jesh ti ai që do të gllabërohet? Varet shumë nga sa mirë mëson të urresh paligjshmërinë.

21 Të zhvillosh urrejtje për të keqen nuk është e lehtë. Kemi lindur në mëkat dhe jetojmë në një botë që ushqen dëshirat mishore. (1 Gjon. 2:15-17) Por, duke imituar Jezu Krishtin dhe duke zhvilluar dashuri të thellë për Perëndinë Jehova, mund të arrijmë të kultivojmë urrejtje për paligjshmërinë. Le të jemi të vendosur që ‘të urrejmë të keqen’, duke qenë plotësisht të sigurt se Jehovai ‘i ruan besnikët e tij, dhe i çliron nga dora e të ligjve’.​—Psal. 97:10.

[Shënimet]

^ par. 15 Për një trajtim të hollësishëm të kësaj teme, shih Kullën e Rojës të 15 shtatorit 1981, faqet 26-31, angl.

Si do të përgjigjeshe?

• Çfarë do të na ndihmojë të shqyrtojmë qëndrimin tonë ndaj pijeve alkoolike?

• Çfarë masash praktike mund të marrim kundër okultizmit?

• Pse pornografia është e rrezikshme?

• Si tregojmë urrejtje për paligjshmërinë kur përjashtohet dikush që e duam?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 29]

Çfarë duhet të kesh parasysh nëse zgjedh të pish pije alkoolike?

[Figura në faqen 30]

Ruhu nga ndikimi satanik në fushën e zbavitjes

[Figura në faqen 31]

Për çfarë ushqen dashuri dikush që sheh pornografi?