Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Mësojini fëmijët të jenë të respektueshëm

Mësojini fëmijët të jenë të respektueshëm

Mësojini fëmijët të jenë të respektueshëm

NJË fjalë e urtë në shqip thotë: «Guri i gdhendur hyn kudo.» Kuptimi i këtij proverbi është që njerëzit priren të jenë më dashamirës dhe të sjellshëm me ata që janë të edukuar.

Ta ka ënda të shohësh fëmijë të edukuar. Një mbikëqyrës qarkor në Honduras që predikon shtëpi më shtëpi me lajmëtarë të moshave të ndryshme thotë: «Shpesh kam parë që një fëmijë i respektueshëm dhe i mësuar mirë nga prindërit ndikon më shumë tek personi në derë sesa fjalët që them.»

Në kohën tonë, kur mungesa e respektit po bëhet një gjë e zakonshme, të dish si të sillesh me të tjerët është praktike dhe e dobishme. Veç kësaj, Shkrimet na këshillojnë ‘të sillemi në mënyrë të denjë për lajmin e mirë rreth Krishtit’. (Filip. 1:27; 2 Tim. 3:1-5) Është e rëndësishme t’i mësojmë fëmijët t’i respektojnë të tjerët. Si t’i mësojmë që të mos sillen mirë sa për sy e faqe, por të kenë vërtet respekt? *

Mësojini me anë të shembullit tuaj

Fëmijët mësojnë duke imituar shembujt që shohin. Pra, një mënyrë thelbësore me të cilën prindërit mund të rrënjosin te fëmijët mirësjelljen është të jenë vetë të mirësjellshëm. (Ligj. 6:6, 7) Të arsyetosh me fëmijën për normat e sjelljes është e rëndësishme, por kjo nuk mjafton. Përveç përkujtuesve, është i domosdoshëm edhe një shembull i mirë.

Le të shohim rastin e Paulës * që u rrit në një familje të krishtere me një prind. Respekti ndaj të gjithëve u bë pjesë e personalitetit të saj. Përse? Ajo thotë: «Falë shembullit të mirë që linte mami, ne fëmijëve na vinte natyrshëm të tregonim respekt.» Një i krishterë me emrin Uollter i mësoi djemtë të respektonin nënën e tyre që s’ishte Dëshmitare. Ai thotë: «U mundova t’i mësoja djemtë ta respektonin nënën e tyre me anë të shembullit tim, duke mos folur kurrë me përçmim për të.» Uollteri vazhdoi t’i mësonte djemtë sipas Fjalës së Perëndisë dhe lutej për ndihmën e Jehovait. Tani njëri prej tyre shërben në një zyrë dege të Dëshmitarëve të Jehovait, kurse tjetri është pionier. Ata i duan dhe i respektojnë të dy prindërit.

Bibla thotë: «Perëndia nuk është një Perëndi i çrregullimit, por i paqes.» (1 Kor. 14:33) Jehovai e bën çdo gjë me rregull. Të krishterët duhet të përpiqen të imitojnë këtë cilësi hyjnore dhe të mbajnë rregull në shtëpi. Disa prindër i kanë mësuar fëmijët të rregullojnë shtratin çdo ditë para se të nisen për në shkollë, të vënë rrobat në vendin e vet dhe të ndihmojnë me punët e shtëpisë. Nëse fëmijët vërejnë pastërti dhe rregull në ambientet e tjera të shtëpisë, ka më shumë të ngjarë të mbajnë në rregull dhomën dhe gjërat e veta.

Ç’mendim kanë fëmijët për atë që mësojnë në shkollë? A tregojnë mirënjohje për atë që bëjnë mësuesit për ta? Po ti si prind, a tregon mirënjohje? Fëmijët priren të imitojnë qëndrimin që ke ti ndaj mësimeve dhe mësuesve. A i nxit ta bëjnë shprehi që t’i falënderojnë mësuesit? Shfaqja e mirënjohjes për shërbimet që na bëhen është një mënyrë e shkëlqyer për të treguar respekt ndaj mësuesit, mjekut, shitësit apo kujtdo tjetër. (Luka 17:15, 16) Fëmijët e krishterë që spikatin mes shokëve të shkollës për edukatën dhe sjelljen e mirë meritojnë të lavdërohen.

Anëtarët e kongregacionit të krishterë duhet të lënë shembullin në lidhje me mirësjelljen. Sa bukur është të shohësh të rinj në kongregacion që kanë një sjellje të hijshme e thonë «të lutem» dhe «faleminderit»! Kur të rriturit tregojnë respekt për Jehovain duke dëgjuar me vëmendje në mbledhje, të vegjlit ndihen të nxitur që t’i imitojnë. Fëmijët mund të mësojnë të tregojnë respekt duke vërejtur ata që janë shembull për mirësjelljen në Sallën e Mbretërisë. Për shembull, Endrju 4-vjeçar ka mësuar që tani të thotë «më fal» kur kalon mes të rriturve.

Ç’mund të bëjnë tjetër prindërit për t’i ndihmuar fëmijët të mësojnë se cila është sjellja e duhur? Prindërit mund dhe duhet të kalojnë kohë me fëmijët për të parë ç’mësojnë nga shembujt e shumtë në Fjalën e Perëndisë.​—Rom. 15:4.

Mësojini me shembuj biblikë

Ka shumë të ngjarë që Samuelin ta ketë mësuar e ëma të përkulej para kryepriftit Eli. Kur e çoi në tabernakull, Samueli duhet të ketë qenë veç 3 ose 4 vjeç. (1 Sam. 1:28) A mund të provoni me të vegjlit përshëndetje të tilla si «mirëmëngjes», «mirëdita», «mirëmbrëma» apo ç’të jetë e zakonshme në vendin tuaj? Njësoj si Samueli i vogël, edhe fëmijët tuaj mund ‘të fitojnë pëlqimin e Jehovait dhe të njerëzve’.​—1 Sam. 2:26.

Mund të përdorni tregime biblike për të theksuar dallimin mes respektit dhe mosrespektit. Për shembull, kur Ahaziahu, mbreti jobesnik i Izraelit, deshi të takonte profetin Elija, dërgoi «kreun e një pesëdhjetësheje bashkë me pesëdhjetë njerëzit e tij» për ta thirrur. Oficeri i tha vrazhdë profetit të shkonte me të. Një përfaqësuesi të Perëndisë nuk mund t’i flitej në këtë mënyrë. Si u përgjigj Elija? «E pra, nëse unë jam njeri i Perëndisë, le të zbresë zjarr nga qiejt dhe të të përpijë ty bashkë me pesëdhjetë njerëzit e tu.» Tamam ashtu ndodhi. «Nga qiejt zbriti një zjarr që përpiu atë dhe pesëdhjetë njerëzit e tij.»​—2 Mbret. 1:9, 10.

Mbreti dërgoi tek Elija kreun e një pesëdhjetësheje tjetër bashkë me burrat e tij. Edhe ai e urdhëroi prerazi Elijan të shkonte me të. Nga qielli zbriti përsëri zjarr. Në fund, tek Elija shkoi një i tretë, gjithashtu kreu i pesëdhjetë burrave. Ky tregoi respekt. Ai nuk e urdhëroi Elijan, por u gjunjëzua dhe iu përgjërua: «O njeri i Perëndisë së vërtetë, të lutem, le të jetë i çmuar në sytë e tu shpirti im dhe shpirti i këtyre pesëdhjetë shërbëtorëve të tu! Ja, nga qiejt zbriti zjarr dhe përpiu dy krerët e pesëdhjetësheve që erdhën më parë bashkë me pesëdhjetë njerëzit e tyre, por le të jetë shpirti im i çmuar në sytë e tu.» A do të kërkonte profeti i Perëndisë të zbriste zjarr mbi një njeri që i foli me kaq respekt, edhe pse mund të ketë qenë i trembur? Do të ishte e pamendueshme! Në fakt, engjëlli i Jehovait i tha Elijas të shkonte me të. (2 Mbret. 1:11-15) A nuk tregon kjo sa e rëndësishme është të sillesh me respekt?

Kur ushtarët romakë e arrestuan në tempull, apostulli Pavël nuk pretendoi se kishte të drejtë të fliste. Përkundrazi, me respekt e pyeti oficerin: «A më lejohet të të them diçka?» Kështu, Pavlit i dhanë leje të mbrohej.​—Vep. 21:37-40.

Ndërsa po e gjykonin, Jezuin e qëlluan me shuplakë. Megjithatë, ai diti si të reagonte dhe tha: «Nëse fola gabim, më trego gabimin, por nëse fola drejt, pse më qëllon?» Askush nuk mundi të gjente të meta te fjalët e Jezuit.​—Gjoni 18:22, 23.

Gjithashtu, në Fjalën e Perëndisë ka shembuj që tregojnë se si të reagojmë kur na qortojnë rëndë dhe si të pranojmë me respekt ndonjë faj ose pakujdesi të së shkuarës. (Zan. 41:9-13; Vep. 8:20-24) Për shembull, Abigaila i kërkoi ndjesë Davidit për sjelljen e pacipë të të shoqit, Nabalit. Përveç kësaj, ajo i çoi Davidit ushqime me bollëk. Davidit i la kaq shumë mbresë sjellja e Abigailës, saqë pas vdekjes së Nabalit, e mori për grua.​—1 Sam. 25:23-41.

Mësojini fëmijët të jenë të respektueshëm, qoftë kur duhet vepruar me respekt në një situatë acaruese, qoftë kur thjesht duhet treguar mirësjellje. Nëse ‘lejojmë që drita jonë të ndriçojë para njerëzve’ në këtë mënyrë, ‘i japim lavdi Atit tonë që është në qiej’.​—Mat. 5:16.

[Shënimet]

^ par. 4 Sigurisht, prindërit duhet t’i ndihmojnë fëmijët të bëjnë dallimin mes respektit ndaj të rriturve dhe nënshtrimit ndaj dikujt që ka ndër mend t’u bëjë keq. Shih Zgjohuni! tetor 2007, faqet 3-11.

^ par. 7 Disa emra janë ndryshuar.