Pyetje nga lexuesit
Pyetje nga lexuesit
Pse u zemërua Moisiu me Eleazarin dhe Ithamarin, bijtë e Aaronit, pas vdekjes së vëllezërve të tyre, Nadabit dhe Abihut, dhe si u fashit zemërimi i tij?—Lev. 10:16-20.
Pak pas emërimit të priftërisë për të kryer shërbime në tabernakull, Jehovai ekzekutoi bijtë e Aaronit, Nadabin dhe Abihun, sepse paraqitën zjarr të palejueshëm para Tij. (Lev. 10:1, 2) Moisiu i urdhëroi djemtë e Aaronit që kishin mbetur gjallë të mos mbanin zi për vdekjen e të vëllezërve. Pak pas kësaj, Moisiu u indinjua me Eleazarin dhe Ithamarin, sepse nuk e kishin ngrënë cjapin e blatimit për mëkatin. (Lev. 9:3) Pse reagoi Moisiu në këtë mënyrë?
Sipas ligjeve që Jehovai i dha Moisiut, prifti që paraqiste një blatim për mëkatin duhej të hante një pjesë të tij në oborrin e tendës së takimit. Kështu do të përgjigjej për mëkatet e atyre që kishin bërë flijimin. Mirëpo, nëse një pjesë e gjakut të flijimit çohej në Vendin e Shenjtë, në ndarjen e parë të shenjtërores, blatimi s’duhej ngrënë. Përkundrazi duhej djegur.—Lev. 6:24-26, 30.
Me sa duket, pas ngjarjeve tragjike të asaj dite, Moisiu e pa të nevojshme të sigurohej se ishin ndjekur të gjitha urdhërimet e Jehovait. Kur mori vesh se cjapi i blatimit për mëkatin ishte djegur, e pyeti i indinjuar Eleazarin dhe Ithamarin pse nuk e kishin ngrënë sipas udhëzimeve, pasi gjaku i cjapit nuk ishte paraqitur para Jehovait në Vendin e Shenjtë.—Lev. 10:17, 18.
Pyetjes së Moisiut iu përgjigj Aaroni, përderisa priftërinjtë e mbetur gjallë duket se kishin vepruar ashtu me lejen e tij. Pas ekzekutimit të dy bijve të tij, Aaroni mund të ketë qenë në mëdyshje nëse ndonjëri nga priftërinjtë mund ta hante blatimin për mëkatin me ndërgjegje të pastër atë ditë. Mbase mendonte se Jehovait nuk do t’i pëlqente që ata të hanin blatimin, megjithëse s’mbanin drejtpërdrejt përgjegjësi për fajin e kryer nga Nadabi dhe Abihu.—Lev. 10:19.
Mbi të gjitha, Aaroni mund të ketë arsyetuar se ditën kur pjesëtarët e familjes së tij kryen për herë të parë detyrat priftërore, duhej të kishin treguar shumë kujdes t’i pëlqenin Perëndisë edhe në hollësitë më të vogla. Por ja që Nadabi dhe Abihu kishin përdhosur emrin e Jehovait dhe zemërimi i Tij ishte ndezur kundër tyre. Kështu, Aaroni mund të ketë menduar se pjesëtarët e një familjeje priftërore ku ishte zbuluar ky mëkat, nuk duhej të hanin nga një blatim i shenjtë.
Duket se Moisiu e pranoi përgjigjen e të vëllait, sepse tregimi përfundon: «Kur i dëgjoi këto, Moisiu mbeti i kënaqur.» (Lev. 10:20) Edhe Jehovai duhet të ketë mbetur i kënaqur nga përgjigjja e Aaronit.