Ki besim te Jehovai teksa fundi afrohet
Ki besim te Jehovai teksa fundi afrohet
«Kini gjithmonë besim te Jehovai.»—ISA. 26:4.
1. Ç’kontrast ekziston midis shërbëtorëve të Perëndisë dhe njerëzve të botës?
JETOJMË në një botë ku miliona njerëz nuk e dinë më se te kush ose te çfarë të kenë besim, ndoshta ngaqë janë lënduar a zhgënjyer shumë herë. Sa ndryshe nga shërbëtorët e Jehovait! Të udhëhequr nga mençuria hyjnore, ata e dinë mirë se nuk duhet të kenë besim te kjo botë ose te «fisnikët» e saj. (Psal. 146:3) Përkundrazi, e vënë jetën dhe të ardhmen në duart e Jehovait, duke e ditur se ai i do dhe e përmbush gjithmonë Fjalën e tij.—Rom. 3:4; 8:38, 39.
2. Çfarë tha Josiu për besueshmërinë e Perëndisë?
2 Në kohën e lashtë, Josiu foli për besueshmërinë e Perëndisë. Nga fundi i jetës, u tha bashkëkombësve izraelitë: «Ju e dini mirë me gjithë zemër e me gjithë shpirt se nuk mbeti pa u plotësuar as edhe një fjalë nga të gjitha të mirat që ju tha Jehovai, Perëndia juaj. Të gjitha dolën të vërteta. Asnjë nuk mbeti pa u plotësuar.»—Jos. 23:14.
3. Çfarë zbulon për Perëndinë emri i tij?
3 Jehovai i përmbush premtimet jo vetëm nga dashuria për shërbëtorët e vet, por sidomos për hir të emrit të tij. (Dal. 3:14; 1 Sam. ) Në parathënien e versionit të Biblës (The Emphasized Bible) nga Xhozef Rotherhami, për emrin e Perëndisë thuhet: «Ai përbën premtimin më dashamirës, tregon aftësinë e Perëndisë për t’u përshtatur me çfarëdo situate, vështirësie ose nevoje që mund të lindë . . . [Është] një premtim, . . . një zbulesë, një përmendore, një garanci. Ndaj këtij Emri, Perëndia do të jetë gjithnjë besnik; për të kurrë nuk do t’i vijë turp.» 12:22
4. (a) Për çfarë na nxit Isaia 26:4? (b) Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?
4 Pyet veten: «A e njoh aq mirë Jehovain sa të kem besim absolut tek ai? A e pres të ardhmen me siguri, duke e ditur se Perëndia i ka nën kontroll gjërat?» Isaia 26:4 thotë: «Kini gjithmonë besim te Jehovai, sepse Jah Jehovai është Shkëmbi i përjetshëm.» Patjetër, tani Perëndia nuk ndërhyn me ndonjë mrekulli në jetën e njerëzve, siç ndërhynte me raste në kohët biblike. Prapëseprapë, si «Shkëmbi i përjetshëm», tek ai mund të kemi «gjithmonë» besim. Si i ndihmon Perëndia ynë i besueshëm adhuruesit e tij besnikë sot? Le të shqyrtojmë tri mënyra: na forcon kur i kërkojmë ndihmë që t’i rezistojmë tundimit, na mbështet kur përballemi me apati ose kundërshtim të drejtpërdrejtë dhe na ngre kur ankthet e jetës na rëndojnë. Teksa shqyrtojmë këto aspekte, përpiqu të meditosh se si mund ta forcosh besimin te Jehovai.
Ki besim te Perëndia kur tundohesh të bësh të keqen
5. Cila mund të jetë një sprovë e madhe për besimin te Perëndia?
5 Një gjë është të kesh besim te Jehovai kur bëhet fjalë për premtimin e tij për Parajsën ose ringjalljen—gjëra që i dëshirojmë me zjarr. Por, mund të jetë një gjë krejt e ndryshme të kesh besim tek ai në çështjet morale, të jesh plotësisht i bindur në zemër se nënshtrimi ndaj udhëve dhe normave të tij është i drejtë dhe do të të sjellë lumturinë më të madhe. Mbreti Solomon shkroi këtë këshillë: «Beso te Jehovai me gjithë zemër dhe mos u mbështet në kuptueshmërinë tënde. Kushtoji vëmendje në të gjitha udhët e tua, dhe ai vetë do t’i drejtojë shtigjet e tua.» (Prov. 3:5, 6) Vër re se ai përmend «udhët» dhe «shtigjet» tona. Po, e tërë jeta jonë—jo vetëm shpresa e krishterë—duhet të pasqyrojë besimin tonë te Perëndia. Si mund ta tregojmë këtë besim kur lindin tundime?
6. Si mund ta forcojmë vendosmërinë për të hedhur poshtë mendimet e këqija?
6 Largimi nga e keqja fillon në mendje. (Lexo Romakëve 8:5; Efesianëve 2:3.) Atëherë, si mund ta forcosh vendosmërinë për të hedhur poshtë mendimet e këqija? Shqyrto këto pesë mënyra: 1. Kërko ndihmën e Perëndisë me anë të lutjes. (Mat. 6:9, 13) 2. Medito rreth shembujve biblikë të atyre që nuk e dëgjuan Jehovain dhe të atyre që e dëgjuan. Pastaj vër re se si përfunduan gjërat për ta. * (1 Kor. 10:8-11) 3. Medito për dëmin mendor dhe emocional që mund të të sjellë mëkati ty dhe njerëzve të tu të dashur. 4. Mendo se si duhet të ndihet Perëndia kur një nga shërbëtorët e tij kryen mëkat të rëndë. (Lexo Psalmin 78:40, 41.) 5. Përfytyro si i mbushet zemra me gëzim Jehovait kur sheh një adhurues besnik që hedh poshtë të keqen dhe bën atë që është e drejtë, qoftë në publik, qoftë kur është vetëm. (Psal. 15:1, 2; Prov. 27:11) Edhe ti mund të tregosh se ke besim te Jehovai duke bërë atë që është e drejtë.
Ki besim te Perëndia kur has apati dhe kundërshtim
7. (a) Çfarë sprovash hasi Jeremia? (b) Si ndihej ai herë pas here?
7 Shumë prej vëllezërve tanë shërbejnë në territore mjaft të vështira. Profeti Jeremia shërbente në një mjedis të tillë, në mbretërinë e Judës gjatë ditëve të saj të fundit plot trazira. Ai haste përditë sprova besimi ngaqë i bindur shpallte mesazhet e gjykimit të Perëndisë. Në njëfarë pike, edhe sekretari i tij besnik, Baruku, u ankua se ishte lodhur. (Jer. 45:2, 3) A u shkurajua Jeremia? Në një rast, u dëshpërua. «Mallkuar qoftë dita kur linda!—thirri ai.—Pse dola nga barku që të shoh mund e hidhërim, dhe që ditët e mia të marrin fund me turp?»—Jer. 20:14, 15, 18.
8, 9. Sipas Jeremisë 17:7, 8 dhe Psalmit 1:1-3, çfarë duhet të bëjmë që të vazhdojmë të japim fryt të mirë?
8 Por, Jeremia nuk u dorëzua. Ai vazhdoi të kishte besim te Jehovai. Si rezultat, ky profet besnik përjetoi përmbushjen e fjalëve të Jehovait të dokumentuara te Jeremia 17:7, 8: «Ai që ka besim te Jehovai dhe siguria e të cilit është Jehovai, është i bekuar. Ai do të bëhet si një pemë e mbjellë pranë ujërave, që i lëshon rrënjët pranë rrjedhës së ujit. Kur të vijë të nxehtët, nuk do ta ndiejë, përkundrazi do ta ketë gjethnajën të dendur. Në vitin e thatësirës nuk do ta zërë ankthi dhe as do të reshtë së dhëni fryt.»
9 Ashtu si një pemë frutore me gjethnajë të dendur që është «mbjellë pranë ujërave» ose në një kopsht të ujitur, Jeremia kurrë ‘nuk reshti së dhëni fryt’. Ai nuk pranoi të ndikohej nga tallësit e ligj që e rrethonin. Përkundrazi, qëndroi pranë Burimit të «ujit» jetëdhënës dhe mori për zemër gjithçka që i tha Jehovai. (Lexo Psalmin 1:1-3; Jer. 20:9) Ç’shembull i shkëlqyer është Jeremia për ne, sidomos për ata që i shërbejnë Perëndisë në territore të vështira! Nëse gjendesh në këtë situatë, vazhdo të mbështetesh plotësisht te Jehovai, i cili do të të japë qëndrueshmëri ndërsa ‘shpall publikisht emrin e tij’.—Hebr. 13:15.
10. Çfarë bekimesh kemi dhe ç’pyetje duhet t’i bëjmë vetes?
10 Që të na ndihmojë të përballojmë sfidat e jetës gjatë këtyre ditëve të fundit, Jehovai na ka siguruar, si të thuash, një mjedis frymor të gjelbëruar. Ndër të tjera na ka dhënë Fjalën e Tij të plotë, që tani po përkthehet saktë në gjithnjë e më shumë gjuhë. Na vë në dispozicion një bollëk me ushqim frymor në kohën e duhur nëpërmjet klasës së skllavit të besueshëm dhe të matur. Gjithashtu, na mbështet me anë të shoqërisë së shumë e shumë bashkëbesimtarëve në mbledhje dhe asamble. A po përfiton plotësisht nga këto masa? Të gjithë ata që veprojnë kështu, «do të lëshojnë britma gëzimi për gjendjen e mirë të zemrës». Gjithsesi, ata që nuk e dëgjojnë Perëndinë ‘do të bërtasin nga dhembja që do të ndiejnë në zemër dhe do të ulërijnë për shkak të frymës së dërrmuar’.—Isa. 65:13, 14.
Ki besim te Perëndia kur ke ankthe
11, 12. Cila është udha më e mençur për të ndjekur duke parë problemet e botës së sotme?
11 Siç ishte parathënë, njerëzimi po përmbytet nga mjerimet. (Mat. 24:6-8; Zbul. 12:12) Kur ndodh një përmbytje, zakonisht reagojmë duke vrapuar drejt një vendi më të ngritur ose ngjitemi në çatinë e një ndërtese, pra kudo ku është më lart. Po kështu, ndërsa problemet e botës shtohen, miliona kërkojnë strehë tek institucionet financiare, politike ose fetare, në dukje të larta, si edhe te shkenca e teknologjia. Por asnjë prej tyre nuk jep siguri të vërtetë. (Jer. 17:5, 6) Gjithsesi, shërbëtorët e Jehovait kanë një strehë të sigurt—‘Shkëmbin e përjetshëm’. (Isa. 26:4) Psalmisti tha për Jehovain: «Ai është shkëmbi dhe shpëtimi im, kalaja ime e sigurt [streha ime e lartë, Diodati i Ri].» (Lexo Psalmin 62:6-9.) Si e bëjmë këtë Shkëmb strehën tonë?
12 Kapemi fort pas Jehovait kur i vëmë veshin Fjalës së tij, e cila shpesh bie në kundërshtim me mençurinë njerëzore. (Psal. 73:23, 24) Për shembull, ata që janë ndikuar nga mençuria njerëzore mund të thonë: «Një herë rron njeriu; përfito sa më shumë nga jeta.» «Ndiq një karrierë të mirë.» «Bëj shumë para.» «Bli këtë, bli atë.» «Udhëto; shijoje botën.» Nga ana tjetër, mençuria hyjnore është në përputhje me këtë këshillë: «Ata që përdorin këtë botë, [të jenë] si ata që nuk e përdorin plotësisht, sepse skena e kësaj bote po ndryshon.» (1 Kor. 7:31) Po ashtu, Jezui na nxit të vëmë gjithnjë në vend të parë interesat e Mbretërisë dhe në këtë mënyrë do të grumbullojmë «thesare në qiell», ku do të jenë absolutisht të sigurta.—Mat. 6:19, 20.
13. Duke pasur në mendje 1 Gjonit 2:15-17, cilat pyetje duhet t’i bëjmë vetes?
13 A pasqyron besim të plotë te Perëndia qëndrimi yt ndaj «botës» dhe ndaj ‘gjërave që janë në botë’? (1 Gjon. 2:15-17) A janë për ty bekimet e Jehovait dhe privilegjet e shërbimit të Mbretërisë më të dëshirueshme dhe më të rëndësishme se gjërat që ofron bota? (Filip. 3:8) A përpiqesh fort të mbash ‘një sy të thjeshtë’? (Mat. 6:22) Natyrisht, Perëndia nuk do që të tregohesh i pamatur ose i papërgjegjshëm, sidomos nëse ke një familje për të cilën duhet të kujdesesh. (1 Tim. 5:8) Megjithatë, Perëndia pret që shërbëtorët e tij të kenë besim të plotë tek ai—jo te bota e Satanait që po vdes.—Hebr. 13:5.
14-16. Si kanë nxjerrë dobi disa duke mbajtur ‘një sy të thjeshtë’ dhe interesat e Mbretërisë në vend të parë?
14 Shqyrto shembullin e Riçardit dhe të Ruthës, prindër me tre fëmijë. «Zemra më thoshte se mund të bëja më shumë për Jehovain,—thotë Riçardi.—Bëja një jetë të rehatshme, por e ndieja se po i jepja Perëndisë vetëm tepricat, si të thuash. Pasi u lutëm për këtë çështje dhe llogaritëm koston, unë dhe Rutha ramë dakord që t’i kërkoja shefit të punoja më pak, katër ditë në javë—megjithëse vendi ishte në mes të një krize ekonomike. Kërkesa ime u miratua dhe, brenda një muaji, nisa të punoja sipas programit të ri.» Si ndihet tani Riçardi?
15 «Paguhem 20 për qind më pak,—thotë ai,—por tani kam 50 ditë më tepër në vit që të rri me familjen dhe të stërvit fëmijët. Kam mundur të dyfishoj kohën e shërbimit, të trefishoj studimet biblike dhe të marr më shumë përgjegjësi në kongregacion. Po ashtu, ngaqë kam më tepër kohë të ndihmoj fëmijët, Rutha ka arritur të shërbejë herë pas here si pioniere ndihmëse. Jam i vendosur të mbaj
këtë program sa më gjatë që të jetë e mundur.»16 Roi dhe Petina, vajza e të cilëve jeton ende me ta, mundën të pakësonin kohën e punës në botë që të merrnin pjesë në shërbimin e plotkohor. «Punoj tri ditë në javë,—thotë Roi,—kurse Petina punon dy ditë. Gjithashtu, u transferuam nga një shtëpi private e madhe në një apartament për të cilin është ku e ku më e lehtë të kujdesemi. Para se të na lindnin djali dhe vajza ishim pionierë dhe kurrë nuk e humbëm dëshirën për të shërbyer si të tillë. Prandaj, kur fëmijët u rritën, rifilluam shërbimin e plotkohor. Asnjë shumë parash nuk mund të krahasohet me bekimet që kemi marrë.»
Le të të ruajë zemrën «paqja e Perëndisë»!
17. Si të kanë ngushëlluar Shkrimet meqë jeta ka pasiguri?
17 Askush nga ne nuk e di se ç’mund të sjellë e nesërmja, pasi të gjithëve na rastis ‘të kalojmë kohë të vështira dhe të përjetojmë ngjarje të paparashikuara’. (Ekl. 9:11) Sidoqoftë, pasiguria për të nesërmen nuk ka pse të na rrëmbejë paqen mendore sot, siç u ndodh shpesh atyre që nuk e kanë sigurinë që vjen nga një marrëdhënie e ngrohtë me Perëndinë. (Mat. 6:34) Apostulli Pavël shkroi: «Mos jini në ankth për asgjë, por për çdo gjë, bëjani të njohura Perëndisë kërkesat tuaja me lutje, përgjërime dhe falënderime. Kështu paqja e Perëndisë, që kapërcen çdo mendim, do të ruajë zemrën dhe fuqitë tuaja mendore.»—Filip. 4:6, 7.
18, 19. Si na ngushëllon Perëndia? Ilustroje.
18 Shumë vëllezër e motra në situata të vështira kanë përjetuar qetësi të brendshme dhe paqe mendore nga Jehovai. Një motër thotë: «Një kirurg u përpoq herë pas here të më frikësonte që të pranoja transfuzion gjaku. ‘Ç’është kjo marrëzi që nuk do të marrësh gjak?’ ishte një nga ‘përshëndetjet’ e tij të para. Atëherë dhe në momente të tjera iu luta Jehovait e paqja e tij më pushtoi. Ndihesha e fortë si shkëmb. Edhe pse isha e dobët për shkak të numrit të ulët të rruazave të gjakut, arrita të jepja arsye të qarta biblike për qëndrimin tim.»
19 Ndonjëherë Perëndia mund të na japë mbështetjen e nevojshme me anë të një bashkëbesimtari që na ngushëllon ose nëpërmjet ushqimit frymor në kohën e duhur. Mbase ke dëgjuar një vëlla a motër të thotë: «Ky artikull ishte tamam ajo që më duhej. Ishte shkruar tamam për mua!» Po, sido që të jenë rrethanat ose nevojat tona, Jehovai do ta tregojë dashurinë ndaj nesh, nëse kemi besim tek ai. Në fund të fundit, ne jemi ‘delet’ e tij dhe ai ka vënë emrin e tij mbi ne.—Psal. 100:3; Gjoni 10:16; Vep. 15:14, 17.
20. Pse shërbëtorët e Jehovait do të banojnë të sigurt kur bota e Satanait të marrë fund?
20 Gjatë ‘ditës së zemërimit të furishëm të Jehovait’ që po afrohet me shpejtësi, çdo gjë ku ka besim bota e Satanait, do të shkatërrohet. Ari, argjendi dhe gjërat e tjera me vlerë nuk do të japin aspak siguri. (Sof. 1:18; Prov. 11:4) Streha jonë e vetme do të jetë «Shkëmbi i përjetshëm». (Isa. 26:4) Prandaj, le ta tregojmë tani besimin tonë të plotë te Jehovai duke ecur të bindur në udhët e tij të drejta, duke shpallur mesazhin e tij për Mbretërinë, megjithëse hasim apati ose kundërshtim, dhe duke i hedhur mbi Të ankthet tona. Ndërsa bëjmë këto gjëra, vërtet ‘do të banojmë të sigurt dhe të patrazuar nga tmerri i gjëmës’.—Prov. 1:33.
[Shënimi]
A mund të shpjegosh?
Si mund të kemi besim te Perëndia:
• kur tundohemi të bëjmë të keqen?
• kur hasim apati ose kundërshtim?
• kur kemi ankthe?
[Pyetjet]
[Figura në faqen 13]
Kur u përmbahemi normave të Perëndisë, jemi të lumtur
[Figura në faqen 15]
«Jehovai është Shkëmbi i përjetshëm»