Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të marrim frymën e Perëndisë e jo të botës

Të marrim frymën e Perëndisë e jo të botës

Të marrim frymën e Perëndisë e jo të botës

«Ne nuk morëm frymën e botës, por frymën që është nga Perëndia, që të njohim gjërat që Perëndia na i ka dhënë me dashamirësi.»​—1 KOR. 2:12.

1, 2. (a) Në ç’kuptim të krishterët e vërtetë janë në luftë? (b) Cilat pyetje do të shqyrtojmë?

TË KRISHTERËT e vërtetë janë në luftë. Armiku është i fuqishëm, dinak dhe i regjur me luftën. Ai ka në dispozicion një armë kaq të efektshme, saqë me anë të saj ka nënshtruar shumicën e njerëzimit. Por, nuk ka pse të ndihemi të pafuqishëm ose pa shpresë për të fituar. (Isa. 41:10) Na është siguruar një mbrojtje që është e padepërtueshme dhe e pathyeshme.

2 Lufta jonë nuk është fizike, por frymore. Armiku ynë është Satana Djalli dhe arma kryesore që përdor është ‘fryma e botës’. (1 Kor. 2:12) Mbrojtja jonë parësore kundër sulmeve të tij është fryma e Perëndisë. Që të mbijetojmë në këtë luftë dhe të qëndrojmë aktivë frymësisht, kemi nevojë t’i kërkojmë Perëndisë frymën e tij e më pas ta shfaqim frytin e saj në jetë. (Gal. 5:22, 23) Megjithatë, çfarë është fryma e botës dhe si ka arritur të ketë kaq ndikim? Si mund të përcaktojmë nëse po ndikohemi nga fryma e botës? Çfarë mund të mësojmë nga Jezui për mënyrën se si të marrim frymën e Perëndisë dhe t’i rezistojmë frymës së botës?

Pse është kaq e përhapur fryma e botës?

3. Çfarë është fryma e botës?

3 Fryma e botës buron nga Satanai, «sundimtari i kësaj bote» dhe ajo është në kundërshtim me frymën e shenjtë të Perëndisë. (Gjoni 12:31; 14:30; 1 Gjon. 5:19) Është prirja mbizotëruese e botës dhe i nxit njerëzit të veprojnë. Kjo forcë shtytëse e çon shoqërinë njerëzore në konflikt me vullnetin dhe qëllimin e Perëndisë.

4, 5. Si u përhap kaq shumë fryma që nxit Satanai?

4 Si u përhap kaq shumë fryma që nxit Satanai? Së pari, Satanai mashtroi Evën në kopshtin e Edenit. Ai e bindi se pavarësia nga Perëndia do t’ia përmirësonte jetën. (Zan. 3:13) Ç’gënjeshtar u tregua! (Gjoni 8:44) Pastaj, nëpërmjet gruas, e manipuloi Adamin që të mos i bindej Jehovait. Për shkak të zgjedhjes së Adamit, njerëzimi u shit që të ishte skllav i mëkatit, duke trashëguar kështu prirjen që të ndikohej nga fryma e mosbindjes e Satanait.​—Lexo Efesianëve 2:1-3.

5 Gjithashtu, Satanai ndikoi te një numër i konsiderueshëm engjëjsh që u bënë demonë. (Zbul. 12:3, 4) Kjo tradhti ndaj Perëndisë ndodhi ca kohë para Përmbytjes së ditëve të Noesë. Këta engjëj menduan se do të ishin më mirë po të braktisnin pozitën e caktuar në qiell e t’u jepnin dorë të lirë dëshirave të panatyrshme në tokë. (Jud. 6) Me ndihmën e këtyre demonëve, që tani nuk kanë më trupa njerëzorë, Satanai po «mashtron gjithë tokën e banuar». (Zbul. 12:9) Mjerisht, shumica e njerëzimit është në verbëri dhe nuk e vëren ndikimin demonik.​—2 Kor. 4:4.

A po ndikohesh nga fryma e botës?

6. Cila është e vetmja mënyrë se si mund të ndikojë te ne fryma e botës?

6 Shumë janë në verbëri dhe nuk e vërejnë ndikimin e Satanait, por të krishterët e vërtetë nuk ka pse të jenë në padije të taktikave të tij. (2 Kor. 2:11) Në fakt, fryma e botës s’mund të ndikojë te ne nëse nuk e lejojmë. Le të shqyrtojmë katër pyetje që do të na ndihmojnë të zbulojmë nëse po ndikohemi nga fryma e Perëndisë apo nga ajo e botës.

7. Cila është një mënyrë se si Satanai orvatet të na largojë nga Jehovai?

7 Çfarë zbulon për mua mënyra si zbavitem? (Lexo Jakovin 3:14-18.) Satanai orvatet të na largojë nga Perëndia duke ngjallur në zemrën tonë dashurinë për dhunën. Djalli e di se Jehovai urren këdo që do dhunën. (Psal. 11:5) Prandaj, që t’u bëjë thirrje dëshirave mishore, Satanai orvatet të përdorë literaturat, filmat, muzikën dhe lojërat elektronike​—disa prej të cilave i shtyjnë ata që luajnë, të përfshihen në skena me imoralitet të rëndë dhe brutalitet. Satanai nuk e vret mendjen nëse një pjesë e zemrës sonë do të mirën, për aq kohë sa një pjesë e saj do të keqen, pra atë që ai nxit.​—Psal. 97:10.

8, 9. Cilat pyetje rreth zbavitjes duhet t’i bëjmë vetes?

8 Nga ana tjetër, fryma e Perëndisë i nxit ata që e marrin, të jenë të dëlirë, paqësorë dhe plot mëshirë. Duhet të pyesim veten: «A nxit cilësi të mira tek unë zbavitja që zgjedh?» Mençuria nga lart «nuk është hipokrite». Ata që ndikohen nga fryma e Perëndisë nuk u predikojnë dëlirësinë e paqen të tjerëve dhe pastaj argëtohen duke parë në shtëpi dhunë sadiste e imoralitet.

9 Jehovai pret që t’i përkushtohemi vetëm atij. Mirëpo Satanai do të kënaqej edhe vetëm me një akt adhurimi, siç kërkoi nga Jezui. (Luka 4:7, 8) Mund të pyesim veten: «Mënyra si zbavitem, a më lejon t’i përkushtohem vetëm Perëndisë? A ma bën më të vështirë apo më të lehtë t’i rezistoj frymës së botës? A duhet të bëj ndonjë ndryshim në mënyrën si do të zbavitem në të ardhmen?»

10, 11. (a) Ç’qëndrim për gjërat materiale nxit fryma e botës? (b) Ç’qëndrim inkurajon Fjala e frymëzuar e Perëndisë?

10 Ç’qëndrim kam ndaj gjërave materiale? (Lexo Lukën 18:24-30.) Fryma e botës u jep shtysë ‘dëshirave të syve’ duke nxitur lakminë dhe materializmin. (1 Gjon. 2:16) Ajo ka ushqyer te shumë veta vendosmërinë për t’u pasuruar. (1 Tim. 6:9, 10) Kjo frymë do që të besojmë se, duke grumbulluar një mal me gjëra materiale, do të kemi siguri të përhershme. (Prov. 18:11) Sidoqoftë, nëse lejojmë që dashuria për para t’ia zërë vendin dashurisë për Perëndinë, Satanai ka fituar. Duhet të pyesim veten: «A është përqendruar jeta ime në kërkimin e komoditeteve dhe të kënaqësive?»

11 Krejt ndryshe, Fjala e frymëzuar e Perëndisë na inkurajon që të kemi një pikëpamje të ekuilibruar për paranë dhe të punojmë pa u lodhur për të siguruar nevojat materiale për veten dhe familjen. (1 Tim. 5:8) Fryma e Perëndisë i ndihmon ata që e marrin, të pasqyrojnë personalitetin bujar të Jehovait. Këta njihen si persona që japin e jo që marrin. I vlerësojnë njerëzit më shumë se gjërat dhe, kur kanë mundësi, ndajnë me gëzim atë që kanë. (Prov. 3:27, 28) Për më tepër, nuk lejojnë kurrë që paraja të bëhet më e rëndësishme se shërbimi ndaj Perëndisë.

12, 13. Krejt ndryshe nga fryma e botës, si mund të ndikojë fryma e Perëndisë për të mirën tonë?

12 Cilën frymë pasqyron personaliteti im? (Lexo Kolosianëve 3:8-10, 13.) Fryma e botës përkrah veprat e mishit. (Gal. 5:19-21) Mund ta kuptojmë vërtet se cila frymë ndikon te ne jo kur gjërat shkojnë mirë, por kur nuk shkojnë, si për shembull kur një vëlla a motër e krishterë na shpërfill, na fyen ose madje mëkaton ndaj nesh. Përveç kësaj, si sillemi në familje? Mënyra si sillemi me familjarët tregon gjithashtu se cila frymë ndikon te ne. Mbase është e nevojshme të bëjmë një vetëshqyrtim. Pyet veten: «Gjatë gjashtë muajve të fundit, a është bërë personaliteti im më i ngjashëm me atë të Krishtit apo kam rënë në disa zakone të këqija të të folurit dhe të sjelljes?»

13 Fryma e Perëndisë mund të na ndihmojë të ‘zhveshim personalitetin e vjetër me praktikat e tij’ dhe të veshim «personalitetin e ri». Kjo do të na ndihmojë të bëhemi më të dashur e më të sjellshëm. Do të jemi të prirur të falim bujarisht njëri-tjetrin, edhe nëse duket se ka një shkak të ligjshëm për t’u ankuar. Kur të mendojmë se na kanë bërë padrejtësi, nuk do të reagojmë më duke shpërthyer me «vrer shpirtlig, zemërim, furi, të bërtitur dhe sharje». Përkundrazi, do të përpiqemi të bëhemi «zemërdhembshur».​—Efes. 4:31, 32.

14. Si e konsiderojnë Fjalën e Perëndisë shumë njerëz në botë?

14 A i respektoj dhe i dua normat morale të Biblës? (Lexo Proverbat 3:5, 6.) Fryma e botës pasqyron rebelimin kundër Fjalës së Perëndisë. Ata që ndikohen nga kjo frymë shpërfillin ato pjesë të Biblës që i konsiderojnë të papërshtatshme, duke parapëlqyer traditat dhe filozofitë njerëzore. (2 Tim. 4:3, 4) Disa e shpërfillin fare të tërë Fjalën e Perëndisë. Këta njerëz vënë në pikëpyetje rëndësinë dhe autenticitetin e Biblës, duke u bërë të mençur në sytë e tyre. I ulin normat e saj të pastra lidhur me kurorëshkeljen, homoseksualizmin dhe divorcin. Mësojnë se «e mira është e keqe dhe e keqja është e mirë». (Isa. 5:20) A jemi ndikuar nga kjo frymë? Kur hasim probleme, a mbështetemi në mençurinë njerëzore, përfshirë edhe idetë tona? Apo përpiqemi fort të ndjekim këshillat e Biblës?

15. Në vend që të mbështetemi në mençurinë tonë, çfarë duhet të bëjmë?

15 Fryma e Perëndisë zhvillon te ne respektin për Biblën. Ashtu si psalmisti, e konsiderojmë fjalën e Perëndisë si një llambë për këmbën tonë dhe si një dritë për shtegun tonë. (Psal. 119:105) Në vend që të mbështetemi në mençurinë tonë, me besim mbështetemi në Fjalën e shkruar të Perëndisë që të na ndihmojë të dallojmë të drejtën nga e gabuara. Mësojmë jo vetëm të respektojmë Biblën, por edhe të duam ligjin e Perëndisë.​—Psal. 119:97.

Të mësojmë nga shembulli i Jezuit

16. Çfarë përfshin të kemi «mendjen e Krishtit»?

16 Që të marrim frymën e Perëndisë, duhet të zhvillojmë brenda vetes «mendjen e Krishtit». (1 Kor. 2:16) Që të kemi «të njëjtin qëndrim mendor që kishte Krishti Jezu», kërkohet të dimë mënyrën si mendonte e vepronte dhe ta imitojmë Atë. (Rom. 15:5; 1 Pjet. 2:21) Të shqyrtojmë disa mënyra si mund ta bëjmë këtë.

17, 18. (a) Çfarë mësojmë nga Jezui për lutjen? (b) Pse duhet ‘të vazhdojmë të kërkojmë’?

17 Të lutemi për frymën e Perëndisë. Para se të haste sprova, Jezui lutej për frymën e Perëndisë që ta ndihmonte. (Luka 22:40, 41) Edhe ne kemi nevojë t’i kërkojmë Perëndisë frymën e tij të shenjtë. Jehovai ua jep lirisht dhe bujarisht të gjithë atyre që ia kërkojnë me besim këtë frymë. (Luka 11:13) Jezui tha: «Vazhdoni të kërkoni dhe do t’ju jepet, vazhdoni të kërkoni dhe do të gjeni, vazhdoni të trokitni dhe do t’ju hapet. Sepse kush kërkon, merr, kush kërkon, gjen dhe kujt troket, do t’i hapet.»​—Mat. 7:7, 8.

18 Kur të kërkojmë frymën dhe ndihmën e Jehovait, të mos dorëzohemi tepër shpejt. Mund të nevojitet të lutemi më shpesh dhe jo nxitimthi. Ndonjëherë, para se t’u përgjigjet lutjeve, Jehovai lejon që ata që kërkojnë frymën e tij, të tregojnë se sa i thellë është interesimi i tyre dhe sa i sinqertë është besimi i tyre. *

19. (a) Çfarë bënte gjithmonë Jezui? (b) Pse duhet ta imitojmë?

19 T’i bindemi Jehovait plotësisht. Jezui bënte gjithmonë gjërat që i pëlqenin Atit. Të paktën në një rast, mënyra si Jezui donte të përballonte një situatë, ishte e ndryshme nga ajo që donte Ati. Megjithatë, me besim i tha Atit: «Le të mos bëhet vullneti im, por yti.» (Luka 22:42) Pyet veten: «A i bindem Perëndisë edhe kur kjo nuk është e lehtë?» Bindja ndaj Perëndisë është thelbësore që të jetojmë. Kemi detyrimin t’i bindemi atij në mënyrë absolute pasi ai na ka krijuar, është Burimi i jetës dhe na mban në jetë. (Psal. 95:6, 7) Asgjë nuk mund t’ia zërë vendin bindjes. Nuk mund të fitojmë miratimin e Perëndisë pa të.

20. (a) Ku përqendrohej jeta e Jezuit? (b) Si mund ta imitojmë?

20 Ta njohim mirë Biblën. Kur iu kundërvu sulmeve të drejtpërdrejta të besimit nga Satanai, Jezui citoi Shkrimet. (Luka 4:1-13) Kur u përball me kundërshtarët fetarë, ai përdori si autoritet Fjalën e Perëndisë. (Mat. 15:3-6) E gjithë jeta e Jezuit përqendrohej te njohja dhe plotësimi i ligjit të Perëndisë. (Mat. 5:17) Edhe ne duam të vazhdojmë ta ushqejmë mendjen me Fjalën besimforcuese të Perëndisë. (Filip. 4:8, 9) Gjetja e kohës për studimin personal dhe familjar mund të jetë një sfidë për disa nga ne. Por, në vend që thjesht të gjejmë kohë, mund të na duhet të marrim kohë nga aktivitetet e tjera.​—Efes. 5:15-17.

21. Cilën masë mund të shfrytëzojmë që ta njohim më mirë dhe ta zbatojmë Fjalën e Perëndisë?

21 «Skllavi i besueshëm dhe i matur» na ka ndihmuar të kemi kohë për studimin personal dhe familjar duke caktuar një mbrëmje të përjavshme për Adhurimin Familjar. (Mat. 24:45) A po e shfrytëzon me mençuri këtë masë? Që të fitosh mendjen e Krishtit, a mund të përfshish në studimin tënd një shqyrtim të rregullt të mësimeve të Jezuit rreth argumenteve që të interesojnë? Mund të përdorësh Treguesin e Botimeve Watch Tower për të gjetur informacione rreth temës që ke zgjedhur. Për shembull, nga viti 2008 deri në vitin 2010, në botimin për publikun të kësaj reviste është paraqitur një seri me 12 artikuj që kishte temën «Çfarë mësojmë nga Jezui». Mund t’i përdorësh këta artikuj si bazë për studimin. Duke filluar nga viti 2006, në revistën Zgjohuni! u botua seria «Si do të përgjigjeshe?». Ky pyetësor ishte përgatitur që të të ndihmonte të zgjeroje dhe të thelloje njohurinë për Fjalën e Perëndisë. Pse të mos përfshish herë pas here material nga seri të tilla në programin e Adhurimit Familjar?

Mund ta mundim botën

22, 23. Çfarë duhet të bëjmë që të mundim botën?

22 Që të drejtohemi nga fryma e Perëndisë, duhet t’i rezistojmë frymës së botës. Kjo nuk arrihet lehtë. Mund të jetë një sfidë dhe ndoshta duhet të luftojmë me të gjitha forcat. (Jud. 3) Por mund të fitojmë. Jezui u tha dishepujve: «Në botë keni shtrëngim, por merrni zemër! Unë e munda botën.»​—Gjoni 16:33.

23 Edhe ne mund ta mundim botën nëse i rezistojmë frymës së saj dhe bëjmë çmos të marrim frymën e Perëndisë. Vërtet, «nëse Perëndia është me ne, kush do të jetë kundër nesh»? (Rom. 8:31) Duke marrë frymën e Perëndisë dhe duke ndjekur drejtimin e saj siç tregohet në Bibël, do të gjejmë kënaqësi, paqe e lumturi dhe do të jemi të sigurt për jetën e përhershme në botën e re që është shumë afër.

[Shënimi]

A të kujtohet?

• Pse është kaq e përhapur fryma e botës?

• Cilat janë katër pyetjet që duhet t’i bëjmë vetes?

• Cilat janë tri gjërat që mësojmë nga Jezui se si të marrim frymën e Perëndisë?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 8]

Si u bënë disa engjëj demonë?

[Figura në faqen 10]

Satanai përdor frymën e botës që t’i mbajë nën kontroll njerëzit, por mund të çlirohemi nga ndikimi i saj