A gjen vërtet kënaqësi në Fjalën e Perëndisë?
A gjen vërtet kënaqësi në Fjalën e Perëndisë?
«KUR fillova të lexoja Biblën rregullisht, më shumë më dukej si një detyrë se një kënaqësi,—thotë Lorena.—E kisha të vështirë ta kuptoja, prandaj shpesh mendja më fluturonte gjetiu.»
Edhe të tjerë pranojnë se nisën ta lexonin Biblën pa ndier ndonjë kënaqësi. Megjithatë, ngulmuan sepse e dinin se është e drejtë të lexosh Shkrimet e Shenjta. Marku thotë: «Është kollaj t’i lejosh shpërqendrimet të ndërhyjnë në leximin dhe studimin personal të Biblës. M’u deshën shumë lutje dhe përpjekje që ta bëja leximin e Biblës pjesë të rutinës sime të përditshme.»
Çfarë mund të bësh që të zhvillosh më tepër çmueshmëri për Fjalën e shkruar të Perëndisë, Biblën? Si mund të kënaqesh duke e lexuar? Shqyrto sugjerimet vijuese.
Synime dhe metoda
Filloje leximin e Biblës duke u lutur dhe duke u përqendruar. Kërkoji Jehovait të të ndihmojë të kesh etje për të studiuar Fjalën e tij. Përgjëroju të të hapë mendjen dhe zemrën që të kuptosh më plotësisht mençurinë e tij. (Psal. 119:34) Nëse nuk vepron kështu, shpejt studimi i Biblës mund të bëhet një gjë mekanike dhe mund të humbësh dëshirën për ta vazhduar. Lina thotë: «Ka raste kur lexoj shumë shpejt dhe i humbas fare pikat e tjera interesante që nuk kapen menjëherë. Shpesh nuk i kap plotësisht idetë kryesore. Por lutem për vetëkontroll dhe kjo më ndihmon që të mos e lë mendjen të hallakatet.»
Vlerësoje atë që mëson. Mos harro se të kuptosh dhe të zbatosh të vërtetat biblike, do të thotë jetë për ty. Prandaj, bëj përpjekje të ndërgjegjshme për të gjetur pika praktike dhe zbatoji. «Kërkoj pika që më ndihmojnë të dalloj qëndrimet dhe motivet e gabuara te vetja,—thotë Krisi.—Ndihem mirë kur shoh se si Bibla dhe shumë nga botimet tona përmbajnë informacione që më sjellin dobi personalisht, ndonëse shkrimtarët nuk më kanë takuar kurrë.»
Vër synime të arritshme për veten. Përpiqu të mësosh diçka të re për personazhet biblike. Mund të gjesh fakte mahnitëse për shumë prej tyre duke kërkuar në Treguesin e Botimeve Watch Tower ose Të fitojmë gjykim të thellë nga Shkrimet. Teksa burrat dhe gratë e përmendura në Bibël bëhen realë, si njerëz me personalitet dhe ndjenja, do të ndikojnë më shumë te ti.
Kërko mënyra të reja për të arsyetuar nga Shkrimet. (Vep. 17:2, 3) Sofija studion duke pasur parasysh këtë. «Dëshiroj të mësoj mënyra të reja arsyetimi për t’i përdorur në shërbim dhe në raste të tjera, që të shprehem qartë për të vërtetat biblike. Kulla e Rojës është një mjet i shkëlqyer për ta bërë këtë»,—thotë ajo.—2 Tim. 2:15.
Përfytyroji tregimet biblike. «Fjala e Perëndisë është e gjallë»,—thuhet te Hebrenjve 4:12. Ndërsa lexon Shkrimet, lejo që mesazhi i Perëndisë të bëhet i gjallë në mendjen tënde duke përfytyruar se çfarë po shihnin personazhet biblike. Përpiqu të dëgjosh atë që po dëgjonin dhe të ndiesh atë që po ndienin. Lidhi përvojat e tyre me rrethana specifike të jetës sate. Mëso nga mënyra si i përballuan situatat. Kjo do të të rritë kuptueshmërinë për tregimet biblike dhe do të të ndihmojë t’i mbash mend më mirë.
Kushtoju kohë shkrimeve të vështira dhe shpjegimeve të tyre, që t’i kuptosh qartë. Lër mjaft kohë çdo herë që studion. Si rezultat mund të lindin shumë pyetje interesante që kanë nevojë për kërkime shtesë. Kërko fjalët që nuk i njeh mirë, shqyrto shtojcat në fund të Biblës dhe kontrollo referimet në mes të faqeve. Sa më shumë ta kuptosh e ta zbatosh atë që lexon, aq më tepër kënaqësi do të gjesh në Fjalën e frymëzuar të Perëndisë. Atëherë do të mund të thuash si psalmisti: «Përkujtuesit e tu [të Jehovait] janë trashëgimia ime përjetë, sepse ma ngazëllojnë zemrën.»—Psal. 119:111.
Mos e kalo materialin me nxitim. Ji i arsyeshëm për sasinë e kohës që programon për studimin personal. Ekuilibroje me kohën që i kushton përgatitjes për mbledhjet e kongregacionit. «Shumë herë ndihem kaq e tensionuar, sa nuk mund të përqendrohem,—thotë Rakela.—Vërej se periudhat e shkurtra të studimit janë dobiprurëse. Më ndihmojnë të nxjerr dobi në maksimum.» Krisi pranon: «Kur nxitoj, më bren ndërgjegjja sepse mbaj mend pak gjëra. Zakonisht materiali nuk më prek zemrën.» Prandaj, merre shtruar.
Zhvillo një dëshirë më të fortë për fjalën e Perëndisë. Apostulli Pjetër tha: «Si foshnja të porsalindura, ushqeni një dëshirë të zjarrtë për qumështin e papërzier të fjalës, që me anë të tij të rriteni drejt shpëtimit.» (1 Pjet. 2:2) Foshnjat nuk kanë pse të ushqejnë një dëshirë të zjarrtë për qumësht. Kjo ndjesi u vjen natyrshëm. Por në Shkrime thuhet se ne duhet të ushqejmë një dëshirë të zjarrtë për fjalën e Perëndisë. Nëse lexon vetëm një faqe të Biblës në ditë, kjo dëshirë do të të vijë së shpejti. Ajo që në fillim mund të të jetë dukur e vështirë, shpejt do të të bëhet e këndshme.
Medito rreth fragmenteve biblike. Mjaft dobi nxjerr edhe kur mediton rreth asaj që lexon. Kjo do të të ndihmojë të lidhësh bashkë argumentet frymore për të cilat ke bërë kërkime më parë. Shumë shpejt do të fitosh një gjerdan me perla mençurie frymore—vërtet një pasuri e këndshme.—Psal. 19:14; Prov. 3:3.
Kohë e përdorur mirë
Të ruash zakone të mira studimi kërkon përpjekje, por bekimet janë të pamasa. Do të të përmirësohet kuptueshmëria frymore. (Hebr. 5:12-14) Aftësia dalluese dhe mençuria që fiton nga Shkrimet e frymëzuara sjellin lumturi, ëndje dhe paqe. Mençuria që gjendet në Fjalën e frymëzuar të Perëndisë është «një pemë jete» për ata që e mbajnë fort dhe e zbatojnë.—Prov. 3:13-18.
Një studim i thellë i Fjalës së Perëndisë mund të krijojë te ti një zemër me kuptueshmëri. (Prov. 15:14) Kjo do të të ndihmojë të japësh këshilla të përzemërta që bazohen plotësisht në Bibël. Nëse lejon që vendimet e tua të udhëhiqen nga ajo që lexon në Shkrime e në botimet e ‘skllavit të besueshëm dhe të matur’, do të ndiesh ndikimin freskues e stabilizues të Fjalës së Perëndisë. (Mat. 24:45) Do të jesh më pozitiv e optimist dhe mendimet, fjalët e veprimet e tua do të ndikohen nga Fjala e Jehovait. Për më tepër, gjithçka që ka të bëjë me marrëdhënien me Perëndinë do të të shkojë mbarë.—Psal. 1:2, 3.
Një zemër plot dashuri për Perëndinë do të të nxitë të flasësh për besimin tënd. Edhe kjo mund të jetë shumë shpërblyese. Sofija po përpiqet të kujtojë dhe të përdorë një larmi shkrimesh, që të tërheqë vëmendjen e njerëzve dhe ta bëjë shërbimin e krishterë me efektshmëri dhe entuziazëm. «Sa gëzohem kur shoh si reagojnë njerëzit ndaj shprehjeve të Biblës!»—thotë ajo.
Megjithatë, dobia më e madhe që vjen kur gjejmë kënaqësi në Fjalën e Perëndisë është një marrëdhënie e ngushtë me Jehovain. Studimi i Biblës të ndihmon të njohësh standardet e tij dhe të kuptosh e të çmosh dashurinë, bujarinë e drejtësinë e tij. Asgjë tjetër nuk është më e rëndësishme ose më shpërblyese. Zhytu në studimin e Fjalës së Perëndisë. Kjo është vërtet një kohë e përdorur mirë.—Psal. 19:7-11.
[Kutia dhe figurat në faqen 5]
SYNIME DHE METODA PËR TË LEXUAR FJALËN E PERËNDISË
▪ Filloje leximin e Biblës duke u lutur dhe duke u përqendruar.
▪ Vlerësoje atë që mëson.
▪ Vër synime të arritshme për veten.
▪ Kërko mënyra të reja për të arsyetuar nga Shkrimet.
▪ Përfytyroji tregimet biblike.
▪ Kushtoju kohë shkrimeve të vështira dhe shpjegimeve të tyre, që t’i kuptosh qartë.
▪ Mos e kalo materialin me nxitim.
▪ Zhvillo një dëshirë më të fortë për fjalën e Perëndisë.
▪ Medito rreth fragmenteve biblike.
[Figura në faqen 4]
Kur lexon një tregim biblik, përfytyroje veten në një situatë të ngjashme