Besimi i plotë te Jehovai na jep siguri
Besimi i plotë te Jehovai na jep siguri
«Jehovai do të më dëgjojë kur t’i thërras.»—PSAL. 4:3.
1, 2. (a) Ç’situatë të rrezikshme hasi Davidi? (b) Cilat psalme do të shqyrtojmë?
MBRETI DAVID ka sunduar në Izrael për disa kohë, por tani ndodhet në një situatë të rrezikshme. I biri, Absalomi, ka komplotuar kundër tij dhe është vetëshpallur mbret. Si pasojë Davidi është detyruar të ikë nga Jerusalemi. Gjithashtu, një mik i besueshëm e ka tradhtuar, dhe tani, vetëm me disa besnikë, Davidi ecën nëpër Malin e Ullinjve duke qarë e këmbëzbathur. E më pas Shimei, një burrë nga ata të shtëpisë së Saulit, hedh gurë e pluhur kundër Davidit ndërsa e mallkon.—2 Sam. 15:30, 31; 16:5-14.
2 A do ta çojë kjo sprovë e rëndë Davidin me pikëllim e turp në Sheol? Jo, sepse ai ka besim te Jehovai. Kjo duket qartë në Psalmin e 3-të që Davidi e kompozoi për ikjen e tij nga Absalomi. Po ashtu, ai shkroi edhe Psalmin e 4-t. Në të dyja këto kompozime shprehet bindja se Perëndia i dëgjon dhe u përgjigjet lutjeve. (Psal. 3:4; 4:3) Këto psalme na sigurojnë se Jehovai është me shërbëtorët e tij besnikë ditë e natë dhe i bekon duke i mbështetur e duke u dhënë paqe e ndjenjë sigurie. (Psal. 3:5; 4:8) Kështu, le të shqyrtojmë këto psalme dhe të shohim se si na japin siguri e na nxitin të kemi besim te Perëndia.
Kur shumë ‘dalin kundër nesh’
3. Në cilën situatë ishte Davidi, siç tregohet nga Psalmi 3:1, 2?
3 «Zemra e njerëzve të Izraelit është me Absalomin»,—thotë një lajmëtar. (2 Sam. 15:13) Duke vrarë mendjen si ka mundur Absalomi të mobilizojë kaq njerëz, Davidi pyet: «O Jehova, pse kam kaq shumë armiq? Pse dalin kundër meje gjithë këta? Shumë njerëz thonë për mua: ‘Perëndia nuk do ta shpëtojë.’» (Psal. 3:1, 2) Shumë izraelitë mendojnë se Jehovai nuk do ta çlirojë Davidin nga gjëma që po i sjellin Absalomi dhe përkrahësit e tij.
4, 5. (a) Për çfarë ishte i sigurt Davidi? (b) Ç’domethënie kanë fjalët «Ai që më bën ta ngre kokën lart»?
4 Por Davidi ndihet i sigurt sepse ka besim absolut te Perëndia. Ai këndon: «Por ti, o Jehova, je si mburojë rreth meje, je lavdia ime dhe Ai që më bën ta ngre kokën lart.» (Psal. 3:3) Davidi është i sigurt se Jehovai do ta mbrojë, ashtu si mburoja mbron ushtarin. Po, mbreti i moshuar po ikën me kokën të mbuluar dhe i kërrusur nga poshtërimi. Por, Më i Larti do ta shndërrojë në lavdi gjendjen e Davidit. Jehovai do ta ndihmojë të qëndrojë drejt, të ngrejë kokën dhe ta mbajë përsëri lart. Davidi thërret me sigurinë se Perëndia do t’i përgjigjet. A tregoni besim të tillë te Jehovai?
5 Duke thënë «Ai që më bën ta ngre kokën lart», Davidi po thotë se Jehovai do t’i japë ndihmën që pret. Në një përkthim tjetër thuhet: «Por ti, O ZOT, je gjithmonë mburoja ime nga rreziku; ti më jep fitoren dhe më përtërin guximin.» (Today’s English Version) Në lidhje me shprehjen «Ai që më bën ta ngre kokën lart», një vepër referimi thotë: «Kur Perëndia e bën dikë të ngrejë . . . ‘kokën’ lart, e mbush me shpresë dhe siguri.» Davidi ka arsye që ndihet i dëshpëruar, pasi e kanë hequr me forcë nga froni i Izraelit. Megjithatë, kur Perëndia ‘t’i ngrejë kokën lart’, do t’i
përtërihet guximi, siguria dhe besimi i plotë tek Ai.‘Jehovai do të përgjigjet’
6. Pse Davidi tha se lutja e tij do të merrte përgjigje nga mali i shenjtë i Jehovait?
6 Duke besuar te Jehovai dhe plot siguri, Davidi vazhdon: «Me zërin tim do t’i thërras Jehovait, dhe ai do të më përgjigjet nga mali i tij i shenjtë.» (Psal. 3:4) Sipas urdhrave të Davidit, arka e besëlidhjes, e cila simbolizon praninë e Perëndisë, është çuar në malin Sion. (Lexo 2 Samuelit 15:23-25.) Prandaj, me të drejtë Davidi thotë se lutja e tij do të marrë përgjigje nga mali i shenjtë i Jehovait.
7. Pse nuk ndihej i tmerruar Davidi?
7 I sigurt se lutja drejtuar Perëndisë nuk do të shkojë kot, Davidi s’ndihet i tmerruar. Përkundrazi, këndon: «Do të bie të fle, dhe do të zgjohem, sepse Jehovai më mbështet.» (Psal. 3:5) Edhe natën, kur rreziku që ta sulmojnë në befasi është më i madh, Davidi nuk ka frikë të flejë. Nuk dyshon nëse do të zgjohet, pasi përvojat e tij të së shkuarës i kanë dhënë siguri absolute se mund të ketë besim që Perëndia do ta mbështetë se s’bën. Edhe ne mund të ndihemi po njësoj, nëse u përmbahemi ‘udhëve të Jehovait’ dhe kurrë nuk largohemi prej tij.—Lexo 2 Samuelit 22:21, 22.
8. Si tregohet te Psalmi 27:1-4 se Davidi kishte besim te Perëndia?
8 Siguria dhe besimi i plotë i Davidit te Perëndia shihen qartë në një psalm tjetër të tij, që përmban këto fjalë të frymëzuara: «Jehovai është drita dhe shpëtimi im. Nga kush do të kem frikë? Jehovai është kalaja e jetës sime. Kush do të më kallë tmerrin? . . . Edhe sikur një ushtri e tërë të dilte kundër meje, zemra ime nuk do të frikej. . . . Një gjë i kam kërkuar Jehovait dhe atë i kërkoj prapë: të banoj në shtëpinë e Jehovait gjatë gjithë jetës sime, që të shoh hijeshinë e Jehovait dhe të sodit me ëndje tempullin e tij.» (Psal. 27:1-4) Nëse keni edhe ju këto ndjenja e rrethanat jua lejojnë, do të mblidheni rregullisht me bashkadhuruesit e Jehovait.—Hebr. 10:23-25.
9, 10. Pavarësisht nga fjalët e Psalmit 3:6, 7, pse do të thoshit se Davidi nuk kishte frymën e hakmarrjes?
9 Ndonëse gjendet përballë një situate ku Absalomi e ka tradhtuar dhe shumë të tjerë janë treguar të pabesë, Davidi këndon: «Nuk do të kem frikë nga dhjetëra mijë njerëz, nga kundërshtarët që më kanë rrethuar nga çdo anë. Ngrihu, o Jehova! Më shpëto, o Perëndi! Thyejua nofullat tërë armiqve të mi! Thyejua dhëmbët të ligjve!»—10 Davidi nuk ka frymën e hakmarrjes. Nëse armiqtë e meritojnë ‘t’u thyhen nofullat’, këtë do ta bëjë Perëndia. Mbreti David ka shkruar vetë një kopje të Ligjit dhe e di se aty Jehovai deklaron: «Hakmarrja më përket mua, edhe shpagimi.» (Ligj. 17:14, 15, 18; 32:35) Po ashtu, i takon Perëndisë ‘t’ua thyejë dhëmbët të ligjve’. Thyerja e dhëmbëve të tyre nënkupton se do të bëhen të pafuqishëm për t’i dëmtuar të tjerët. Jehovai e di cilët janë të ligjtë, sepse ai «sheh zemrën». (1 Sam. 16:7) Sa mirënjohës jemi që Perëndia na jep besim e forcë për të qëndruar të patundur kundër të ligut më të madh, Satanait, i cili së shpejti do të mbyllet në humnerë si një luan që ulërin, por që s’ka dhëmbë dhe meriton vetëm të zhduket!—1 Pjet. 5:8, 9; Zbul. 20:1, 2, 7-10.
«Shpëtimi i takon Jehovait»
11. Pse duhet të lutemi për bashkëbesimtarët?
11 Davidi e kupton se vetëm Jehovai mund t’i sjellë çlirimin që i nevojitet tmerrësisht. Por psalmisti nuk po mendon vetëm për veten. Ç’mund të thuhet për popullin e miratuar të Jehovait si një i tërë? Me të drejtë, Davidi e përfundon kompozimin e tij të frymëzuar me fjalët: «Shpëtimi i takon Jehovait. Ti e bekon gjithnjë popullin tënd.» (Psal. 3:8) Vërtet, Davidi ka probleme të stërmëdha, por ai mendon për popullin e Jehovait në përgjithësi dhe është i sigurt se Perëndia do ta bekojë popullin. A nuk duhet të mendojmë edhe ne për bashkëbesimtarët? Le t’i kujtojmë në lutjet tona, duke i kërkuar Jehovait që t’u japë frymën e tij të shenjtë me qëllim që të marrin guxim dhe të kenë siguri kur shpallin lajmin e mirë.—Efes. 6:17-20.
12, 13. Çfarë i ndodhi Absalomit dhe si reagoi Davidi?
12 Jeta e Absalomit merr fund me turp dhe ky është një paralajmërim për të gjithë ata që u bëjnë keq të tjerëve, sidomos të mirosurve të Perëndisë, siç ishte Davidi. (Lexo Proverbat 3:31-35.) Bëhet një betejë, dhe forcat ushtarake të Absalomit munden. Vetë Absalomi ikën hipur një mushke, por flokët e dendur i ngecin nën degët e pleksura të një peme të madhe. Aty ngel i varur—gjallë, por i pambrojtur—derisa Joabi e vret duke i ngulur tri shtiza në zemër.—2 Sam. 18:6-17.
13 A gëzohet Davidi kur merr vesh se çfarë i ka ndodhur të birit? Jo. Përkundrazi, sillet lart e poshtë, qan dhe thërret: «Biri im Absalom, biri im, biri im Absalom! Ah, sikur të kisha vdekur unë në vendin tënd, o Absalom, biri im, biri im!» (2 Sam. 18:24-33) Vetëm fjalët e Joabit e sjellin në vete Davidin nga pikëllimi mbytës. Ç’fund tragjik për Absalomin që ambicia e verbër e shtyu të luftonte kundër të atit, të mirosurit të Jehovait, me pasoja shkatërrimtare për veten!—2 Sam. 19:1-8; Prov. 12:21; 24:21, 22.
Davidi shpreh sërish besimin te Perëndia
14. Ç’mund të themi për kompozimin e Psalmit të 4-t?
14 Ashtu si Psalmi i 3-të, edhe i 4-ti është një lutje e zjarrtë e Davidit që dëshmon për besimin e plotë te Jehovai. (Psal. 3:4; 4:3) Ndoshta Davidi e kompozoi këtë këngë që të shprehte lehtësimin e tij dhe mirënjohjen ndaj Perëndisë, pas dështimit të grushtit të shtetit që organizoi Absalomi. Ose mund të jetë shkruar duke pasur në mendje këngëtarët levitë. Sido që të ketë qenë, meditimi rreth kësaj kënge mund të na e forcojë besimin te Jehovai.
15. Pse mund t’i lutemi të sigurt Jehovait nëpërmjet Birit të tij?
15 Davidi shfaq përsëri besim të plotë te Perëndia dhe siguri se Ai i dëgjon e u përgjigjet lutjeve të tij. Davidi këndon: «Kur të thërras, përgjigjmu, o Perëndia im i drejtë! Kur të kem vuajtje, hapma rrugën e çlirimit! Më jep hir dhe dëgjoma lutjen!» (Psal. 4:1) Edhe ne mund të kemi siguri të ngjashme nëse veprojmë me drejtësi. Të vetëdijshëm se Jehovai, ‘Perëndia i drejtë’, e bekon popullin e tij të drejtë, mund t’i lutemi të sigurt nëpërmjet Birit të tij duke pasur besim te flijimi shpërblyes i Jezuit. (Gjoni 3:16, 36) Ç’paqe na jep kjo!
16. Pse mund të jetë shkurajuar Davidi?
16 Ndonjëherë mund të hasim situata shkurajuese që na e heqin sigurinë. Kështu mund t’i ketë ndodhur përkohësisht Davidit, sepse këndon: «Deri kur, o bij të njerëzve, do të fyhet lavdia ime, përderisa doni gjëra të kota dhe kërkoni të gjeni diçka të gënjeshtërt?» (Psal. 4:2) Shprehja «bij të njerëzve» me sa duket i referohet njerëzimit në një kuptim të pafavorshëm. Armiqtë e Davidit ‘donin gjëra të kota’. Një version e përkthen kështu këtë varg: «Për sa kohë do t’i doni zhgënjimet dhe do të kërkoni perënditë e rreme?» (New International Version) Edhe nëse shkurajohemi për shkak të asaj që bëjnë të tjerët, le të vazhdojmë të lutemi me zjarr dhe të shfaqim besim të plotë te Perëndia i vetëm i vërtetë.
17. Shpjegoni si mund të veprojmë në përputhje me Psalmin 4:3.
17 Besimi i Davidit te Perëndia shihet qartë në fjalët: «Por dijeni se Jehovai do ta heqë mënjanë besnikun e tij për ta nderuar, Jehovai do të më dëgjojë kur t’i thërras.» (Psal. 4:3) Kërkohen guxim dhe besim i plotë te Jehovai që të qëndrojmë besnikë ndaj tij. Për shembull, këto cilësi nevojiten për një familje të krishterë kur një i afërm i papenduar përjashtohet. Perëndia i nderon ata që janë besnikë ndaj tij dhe ndaj udhëve të tij. Nga ana e tyre, besnikëria dhe besimi i plotë te Jehovai nxitin gëzimin mes popullit të tij.—Psal. 84:11, 12.
18. Në përputhje me Psalmin 4:4, ç’duhet të bëjmë në rast se ndaj nesh kanë folur ose vepruar në mënyrë të pakëndshme?
18 Po sikur dikush të thotë ose të bëjë gjëra që na mërzitin? Mund të ruajmë gëzimin nëse bëjmë siç thotë Davidi: «Kur të jeni të trazuar, mos mëkatoni. Flitini zemrës në shtratin tuaj dhe heshtni.» (Psal. 4:4) Në rast se ndaj nesh kanë folur ose vepruar në mënyrë të pakëndshme, le të mos mëkatojmë duke e kthyer të keqen me të keqe. (Rom. 12:17-19) Mund t’i flasim zemrës sonë kur jemi në shtrat. Në qoftë se lutemi për këtë çështje, mund ta shohim nën një dritë tjetër dhe të nxitemi të falim nga dashuria. (1 Pjet. 4:8) Në këtë drejtim vlen të përmendet këshilla e apostullit Pavël, që me sa duket bazohet te Psalmi 4:4: «Zemërohuni, por mos mëkatoni. Perëndimi i diellit të mos ju gjejë të acaruar, as mos i lini vend Djallit.»—Efes. 4:26, 27.
19. Si mund të na ndihmojë Psalmi 4:5 për sa u përket flijimeve frymore?
19 Duke theksuar nevojën që të kemi besim te Perëndia, Davidi këndon: «Bëni flijimet e drejtësisë dhe kini besim te Jehovai.» (Psal. 4:5) Flijimet që paraqitnin izraelitët kishin vlerë vetëm nëse i bënin me motive të mira. (Isa. 1:11-17) Që flijimet tona frymore të jenë të pranueshme për Perëndinë, edhe ne duhet t’i bëjmë me motive të mira dhe të besojmë plotësisht tek ai.—Lexo Proverbat 3:5, 6; Hebrenjve 13:15, 16.
20. Çfarë nënkupton shprehja ‘drita e fytyrës së Jehovait’?
20 Davidi vazhdon: «Ka shumë njerëz që thonë: ‘Kush do të na bëjë të shohim të mira?’ O Jehova, le të shndritë mbi ne drita e fytyrës sate!» (Psal. 4:6) ‘Drita e fytyrës së Jehovait’ nënkupton miratimin e tij. (Psal. 89:15) Prandaj, kur Davidi lutet «le të shndritë mbi ne drita e fytyrës sate», po thotë ‘na jep miratimin tënd’. Ngaqë kemi besim te Jehovai, kemi miratimin e tij dhe gëzim të madh teksa bëjmë të sigurt vullnetin e tij.
21. Çfarë sigurie na jepet nëse marrim pjesë plotësisht në veprën e sotme të korrjes frymore?
21 Duke mbajtur sytë te gëzimet që jep Perëndia, të cilat i tejkalojnë ato të kohës së korrjes, Davidi i këndon atij: «Në zemër do të më japësh gëzim më të madh se gëzimi i tyre, kur kanë drithë e verë të re me bollëk.» (Psal. 4:7) S’kemi dyshim se do të përjetojmë gëzim nga zemra nëse marrim pjesë plotësisht në veprën e sotme të korrjes frymore. (Luka 10:2) Me ‘kombin e shumtë në numër’, pra me të mirosurit që po marrin drejtimin, tani gëzojmë ndërsa numri i ‘punëtorëve në të korrat’ vazhdon të rritet. (Isa. 9:3) A merrni pjesë në mënyrë të kënaqshme në këtë korrje të gëzueshme?
Të vazhdojmë të sigurt përpara me besim të plotë te Perëndia
22. Sipas Psalmit 4:8, si ndiheshin izraelitët kur zbatonin Ligjin e Perëndisë?
22 Davidi e përfundon këtë psalm me fjalët: «Në paqe do të bie të fle, sepse vetëm ti, o Jehova, më jep siguri.» (Psal. 4:8) Kur izraelitët zbatonin Ligjin e Jehovait, ishin në paqe me të dhe ndiheshin të sigurt. Për shembull, gjatë mbretërimit të Solomonit, «Juda dhe Izraeli banonin të sigurt». (1 Mbret. 4:25) Ata që kishin besim te Perëndia gëzonin paqe edhe kur kombet fqinje ishin armiqësore. Ashtu si Davidi, ne flemë në paqe sepse Perëndia na bën të ndihemi të sigurt.
23. Çfarë do të përjetojmë nëse kemi besim të plotë te Perëndia?
23 Le të vazhdojmë përpara të sigurt në shërbim të Jehovait. Gjithashtu, le të lutemi me besim dhe kështu të përjetojmë ‘paqen e Perëndisë, që kapërcen çdo mendim’. (Filip. 4:6, 7) Ç’gëzim na sjell kjo! Dhe patjetër, mund ta presim të ardhmen të sigurt nëse vazhdojmë të kemi besim të plotë te Jehovai.
Si do të përgjigjeshit?
• Çfarë problemesh hasi Davidi për shkak të Absalomit?
• Si na jep siguri Psalmi i 3-të?
• Në cilat mënyra mund të na forcojë besimin te Jehovai Psalmi i 4-t?
• Si mund të nxjerrim dobi duke pasur besim të plotë te Perëndia?
[Pyetjet]
[Figura në faqen 29]
Edhe kur iku për shkak të Absalomit, Davidi kishte siguri te Jehovai
[Figurat në faqen 32]
A keni besim të plotë te Jehovai?