Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Kush është personi më i rëndësishëm në jetën tënde?

Kush është personi më i rëndësishëm në jetën tënde?

Kush është personi më i rëndësishëm në jetën tënde?

«Vetëm ti . . . je Më i Larti në tërë dheun.»​—PSAL. 83:18.

1, 2. Pse nuk mjafton vetëm të dimë emrin Jehova që të shpëtojmë?

NDOSHTA emrin Jehova e lexove për herë të parë kur dikush të tregoi Psalmin 83:18. Mund të jesh habitur nga këto fjalë: «Që ta dinë se vetëm ti, që e ke emrin Jehova, je Më i Larti në tërë dheun.» Pa dyshim, që nga ajo kohë e ke përdorur këtë shkrim për t’i ndihmuar të tjerët të njohin Perëndinë tonë të dashur, Jehovain.​—Rom. 10:12, 13.

2 Megjithëse është e rëndësishme që njerëzit të njohin emrin Jehova, kjo në vetvete nuk mjafton. Vër re se si psalmisti thekson një tjetër të vërtetë thelbësore për shpëtimin tonë, kur thotë: «Vetëm ti . . . je Më i Larti në tërë dheun.» Po, Jehovai është Personi më i rëndësishëm në mbarë universin. Si Krijuesi i gjithçkaje, ai ka të drejtën të presë nënshtrim të plotë nga të gjitha krijesat e veta. (Zbul. 4:11) Prandaj, me të drejtë duhet të pyesim veten: «Kush është personi më i rëndësishëm në jetën time?» Është jetësore të analizojmë me kujdes përgjigjen e kësaj pyetjeje.

Çështja në kopshtin e Edenit

3, 4. Si arriti Satanai ta mashtronte Evën dhe me ç’pasojë?

3 Serioziteti i kësaj pyetjeje mund të shihet qartë në ngjarjet që u zhvilluan në të kaluarën në kopshtin e Edenit. Atje, engjëlli rebel që më vonë u bë i njohur si Satana Djalli, e joshi gruan e parë, Evën, që t’i vinte dëshirat e saj para urdhrit të Jehovait për të mos ngrënë frytin e një peme të caktuar. (Zan. 2:17; 2 Kor. 11:3) Ajo u dorëzua para kësaj joshjeje dhe kështu tregoi mungesë respekti për sovranitetin e Jehovait. Eva nuk e pranoi Jehovain si Personi më i rëndësishëm në jetën e saj. Por, si arriti Satanai ta mashtronte Evën?

4 Satanai përdori disa taktika tinëzare kur foli me Evën. (Lexo Zanafillën 3:1-5.) Së pari, ai nuk përdori emrin personal të Perëndisë, Jehova. Tha vetëm «Perëndia». Krejt ndryshe, shkrimtari i Zanafillës përdori emrin Jehova në vargun e parë të këtij kapitulli. Së dyti, në vend që të fliste për ‘urdhrin’ e Perëndisë, Satanai thjesht pyeti se çfarë kishte «thënë» Perëndia. (Zan. 2:16) Me këtë mënyrë tinëzare, Satanai mund të jetë orvatur të minimizojë rëndësinë e atij urdhri. Së treti, ndonëse po fliste vetëm me Evën, ai iu drejtua asaj në vetën e dytë shumës. Ndoshta u përpoq t’i ngjallte ndjenjën e krenarisë duke e bërë të ndihej e rëndësishme​—sikur ajo të ishte e autorizuar të fliste edhe në emër të burrit. Cila qe pasoja? Duket se Eva mori përsipër të fliste në emër të të dyve duke i thënë gjarprit: «Nga fryti i pemëve të kopshtit mund të hamë.»

5. (a) Ku arriti Satanai t’ia përqendronte vëmendjen Evës? (b) Çfarë tregoi Eva duke ngrënë frytin e ndaluar?

5 Gjithashtu, Satanai shtrembëroi faktet. Ai la të kuptohej se Perëndia po tregohej i padrejtë duke kërkuar që Adami dhe Eva ‘të mos hanin nga çdo pemë e kopshtit’. Më pas, Satanai e shtyu Evën të mendonte për veten dhe gjoja se si të përmirësonte jetën e saj, duke u bërë «si Perëndi». Në fund, arriti t’ia përqendronte vëmendjen te pema dhe te fryti i saj, e jo te marrëdhënia me Atë që i kishte dhënë gjithçka. (Lexo Zanafillën 3:6.) Mjerisht, duke ngrënë frytin, Eva tregoi se Jehovai nuk ishte Personi më i rëndësishëm në jetën e saj.

Çështja në ditët e Jobit

6. Si e sfidoi Satanai integritetin e Jobit dhe ç’mundësi i dha kjo Jobit?

6 Shekuj më vonë, besniku Job pati një mundësi të tregonte se kush ishte personi më i rëndësishëm në jetën e tij. Kur Jehovai vuri para Satanait fakte që flitnin për integritetin e Jobit ndër vite, ky ia ktheu: «Vallë, më kot ka frikë Jobi nga Perëndia?!» (Lexo Jobin 1:7-10.) Satanai nuk e mohoi se Jobi ishte i bindur ndaj Perëndisë. Përkundrazi, vuri në dyshim motivet e tij. Me dinakëri e akuzoi Jobin se nuk i shërbente Jehovait nga dashuria, por për interesa egoiste. Vetëm Jobi mund t’i përgjigjej kësaj akuze, dhe atij iu dha mundësia që ta bënte këtë.

7, 8. Cilat sprova u desh të përballonte Jobi dhe çfarë tregoi me qëndrueshmërinë e tij?

7 Jehovai e lejoi Satanain të sillte kundër Jobit një sërë katastrofash njëra pas tjetrës. (Jobi 1:12-19) Si reagoi Jobi ndaj kësaj përmbysjeje të situatës? Në Shkrime thuhet se ai «nuk mëkatoi dhe nuk fajësoi në asnjë mënyrë Perëndinë». (Jobi 1:22) Por, Satanait nuk i ishte mbyllur ende goja. Më tej, hodhi akuzën: «Lëkurë për lëkurë, dhe njeriu jep gjithë ç’ka për shpirtin e tij.» * (Jobi 2:4) Sipas asaj që tha Satanai, nëse Jobi do të vuante vetë, nuk do ta shihte më Jehovain si Personi më i rëndësishëm në jetën e tij.

8 Jobi u shfytyrua nga një sëmundje e neveritshme dhe më pas gruaja i bëri presion që të mallkonte Perëndinë e të vdiste. Më vonë, tre ngushëllues të rremë e akuzuan për sjellje të keqe. (Jobi 2:11-13; 8:2-6; 22:2, 3) Sidoqoftë, gjatë gjithë këtyre vuajtjeve, Jobi nuk pranoi të hiqte dorë nga integriteti. (Lexo Jobin 2:9, 10.) Me qëndrueshmërinë e tij tregoi se për të Jehovai ishte Personi më i rëndësishëm në jetë. Gjithashtu, Jobi tregoi se është e mundur për një njeri të papërsosur që t’u përgjigjet, ndonëse në mënyrë të kufizuar, akuzave të rreme të Djallit.​—Krahaso Proverbat 27:11.

Përgjigjja e përsosur e Jezuit

9. (a) Si u orvat Satanai ta tundonte Jezuin duke përdorur nevojën e tij për të ngrënë? (b) Si reagoi Jezui ndaj këtij tundimi?

9 Menjëherë pas pagëzimit, Satanai u orvat ta nxiste Jezuin që të jepej pas dëshirave egoiste, në vend që ta konsideronte Jehovain Personin më të rëndësishëm në jetën e tij. Djalli e tundoi Jezuin tri herë. Së pari, u përpoq të përdorte nevojën për të ngrënë të Jezuit, duke e tunduar që t’i kthente gurët në bukë. (Mat. 4:2, 3) Jezui kishte agjëruar për 40 ditë dhe ishte shumë i uritur. Kështu, Djalli e nxiti të keqpërdorte fuqitë e tij të mrekullueshme që të shuante urinë. Si reagoi Jezui? Ndryshe nga Eva që nuk i dëgjoi fjalët e Jehovait, ai u përqendrua te Fjala e Jehovait dhe e hodhi menjëherë poshtë tundimin.​—Lexo Mateun 4:4.

10. Pse Satanai e sfidoi Jezuin të hidhej nga bedenat e tempullit?

10 Gjithashtu, Satanai u përpoq ta shtynte Jezuin të reagonte me egoizëm. Ai e sfidoi të hidhej nga bedenat e tempullit. (Mat. 4:5, 6) Çfarë shpresonte të arrinte Satanai? Ai pohoi që, nëse Jezui nuk do të lëndohej nga rënia, do të tregonte se ishte «bir i Perëndisë». Natyrisht, Djalli donte që Jezui të shqetësohej tepër për reputacionin e vet, madje deri aty sa të bënte një shfaqje spektakolare. Satanai e dinte se një njeri mund të pranojë një sfidë të rrezikshme, i nxitur nga krenaria dhe dëshira për të mos bërë figurë të keqe para të tjerëve. Satanai e keqzbatoi një shkrim, por Jezui tregoi se e kuptonte plotësisht Fjalën e Jehovait. (Lexo Mateun 4:7.) Duke refuzuar këtë sfidë, Jezui tregoi sërish se Jehovai ishte Personi më i rëndësishëm në jetën e tij.

11. Pse Jezui e refuzoi ofertën e Djallit për t’i dhënë të gjitha mbretëritë e botës?

11 Në orvatjen e tij të fundit të dëshpëruar, Satanai i ofroi Jezuit të gjitha mbretëritë e botës. (Mat. 4:8, 9) Jezui e refuzoi menjëherë këtë ofertë. Ai e kuptoi se po ta pranonte, do të ishte njësoj sikur të hidhte poshtë sovranitetin e Jehovait​—vetë të drejtën e Perëndisë për të sunduar si Më i Larti. (Lexo Mateun 4:10.) Në çdo rast, Jezui iu përgjigj Satanait duke cituar shkrime që përmbajnë emrin personal të Perëndisë, Jehova.

12. (a) Përballë cilit vendim të vështirë u gjend Jezui teksa afrohej fundi i jetës së tij në tokë? (b) Çfarë mësojmë nga mënyra si reagoi ai përballë këtij vendimi?

12 Teksa afrohej fundi i jetës së tij në tokë, Jezui u gjend përballë një vendimi shumë të vështirë. Gjatë gjithë shërbimit, kishte shprehur gatishmërinë për të dhënë jetën si flijim. (Mat. 20:17-19, 28; Luka 12:50; Gjoni 16:28) Megjithatë, Jezui e dinte se do ta akuzonin në mënyrë të rreme dhe do ta dënonin me vdekje si blasfemues, sipas sistemit ligjor judaik. Këto rrethana në të cilat do të vdiste, e hidhëruan thellë në shpirt. Ai u lut: «Ati im, nëse është e mundur, të hiqet nga unë kjo kupë.» Por vazhdoi: «Megjithatë, jo si dëshiroj unë, por si dëshiron ti.» (Mat. 26:39) Po, besnikëria e Jezuit deri në vdekje tregoi përtej çdo dyshimi se kush ishte Personi më i rëndësishëm në jetën e tij.

Përgjigjja jonë ndaj kësaj pyetjeje

13. Çfarë mësimesh kemi nxjerrë deri tani nga shembujt e Evës, Jobit dhe Jezu Krishtit?

13 Çfarë kemi mësuar deri tani? Nga rasti i Evës, mësojmë se ata që dorëzohen para dëshirave egoiste ose ndjenjave të rëndësisë së tepruar për veten, tregojnë se Jehovai nuk është Personi më i rëndësishëm në jetën e tyre. Në të kundërt, nga integriteti që tregoi Jobi gjatë gjithë jetës, mësojmë se edhe njerëzit e papërsosur mund të tregojnë që e vënë në vend të parë Jehovain duke duruar me besnikëri vështirësitë​—madje edhe kur nuk e kuptojnë plotësisht shkakun e këtyre problemeve. (Jak. 5:11) Së fundi, shembulli i Jezuit na mëson që të jemi të gatshëm të durojmë turpin dhe të mos i japim rëndësi të tepruar reputacionit tonë. (Hebr. 12:2) Por, si mund t’i zbatojmë këto mësime?

14, 15. Si ndryshon reagimi i Jezuit nga ai i Evës dhe si mund ta imitojmë Jezuin? (Komentoni rreth ilustrimit në faqen 18.)

14 Kurrë të mos lejojmë që, për shkak të tundimeve, të harrojmë Jehovain. Eva e përqendroi vëmendjen te tundimi që iu paraqit mu para syve. Ajo pa se fryti «ishte i mirë si ushqim dhe i lakmueshëm për sytë, po, fryti i pemës ishte i dëshirueshëm për t’u parë». (Zan. 3:6) Sa ndryshe nga reagimi i Jezuit ndaj tri tundimeve! Çdo herë, ai pa përtej tundimit të çastit dhe mendoi për pasojat e veprimeve të tij. U mbështet te Fjala e Perëndisë dhe përdori gjithashtu emrin Jehova.

15 Ku e përqendrojmë vëmendjen kur hasim tundime për të bërë gjëra që nuk i pëlqejnë Jehovait? Sa më shumë të përqendrohemi te tundimi, aq më e fortë do të bëhet dëshira e gabuar. (Jak. 1:14, 15) Duhet të ndërmarrim veprim të shpejtë që ta çrrënjosim dëshirën, ndonëse veprimi mund të duket po aq drastik sa edhe prerja e një pjese të trupit. (Mat. 5:29, 30) Ashtu si Jezui, duhet të përqendrohemi te pasojat e veprimeve tona, pra si do të ndikojnë te marrëdhënia jonë me Jehovain. Duhet të kujtojmë çfarë thotë Fjala e tij, Bibla. Vetëm në këtë mënyrë mund të tregojmë se Jehovai është Personi më i rëndësishëm në jetën tonë.

16-18. (a) Pse mund të na lëshojë zemra? (b) Çfarë do të na ndihmojë të përballojmë rrethanat shqetësuese?

16 Kurrë të mos lejojmë që, për shkak të tragjedive personale, të zemërohemi me Jehovain. (Prov. 19:3) Ndërsa i afrohemi gjithnjë e më tepër fundit të kësaj bote të ligë, gjithmonë e më shumë shërbëtorë të Jehovait preken nga katastrofa dhe tragjedi. Nuk presim mbrojtje të mrekullueshme në këtë kohë. Prapëseprapë, ashtu si Jobi, mund të na lëshojë zemra kur humbim njerëzit tanë të dashur ose vuajmë nga vështirësi personale.

17 Jobi nuk e kuptonte pse Jehovai lejonte të ndodhnin disa gjëra, dhe nganjëherë edhe ne mund të mos kuptojmë pse ndodhin gjëra të këqija. Mbase kemi dëgjuar për disa vëllezër besnikë që kanë vdekur nga tërmete, si për shembull në Haiti, ose nga ndonjë tjetër katastrofë natyrore. Ose ndoshta dimë që ndonjë vëlla me integritet ka rënë viktimë e dhunës a ka vdekur në një aksident të tmerrshëm. Po ashtu, edhe ne vetë mund të vuajmë nga ndonjë rrethanë shqetësuese ose nga ndonjë padrejtësi e supozuar. Zemra jonë e brengosur mund të thërrasë: «Pse o Jehova? Pse mua? Ç’gjë të gabuar kam bërë?» (Hab. 1:2, 3) Çfarë do të na ndihmojë të përballojmë periudha të tilla?

18 Duhet të tregojmë kujdes që të mos pandehim se këto ndodhí tregojnë se nuk kemi miratimin e Jehovait. Jezui e theksoi këtë fakt kur iu referua dy tragjedive që ndodhën në kohën e tij. (Lexo Lukën 13:1-5.) Shumë fatkeqësi janë pasojë e ‘kohëve të vështira dhe e ngjarjeve të paparashikuara’. (Ekl. 9:11) Por, pavarësisht nga shkaku i problemit, mund ta përballojmë nëse i drejtohemi për ndihmë ‘Perëndisë së çdo ngushëllimi’. Ai do të na japë forcën e nevojshme që të vazhdojmë me besnikëri.​—2 Kor. 1:3-6.

19, 20. Çfarë e ndihmoi Jezuin të duronte situata poshtëruese dhe ç’mund të na ndihmojë neve të veprojmë po njësoj?

19 Kurrë të mos lejojmë që krenaria ose frika se mos turpërohemi, të bëhet gjëja kryesore për ne. Ngaqë ishte i përulur, Jezui mundi ‘të zbrazte veten dhe të merrte formë skllavi’. (Filip. 2:5-8) Ai arriti të duronte shumë situata poshtëruese sepse u mbështet te Jehovai. (1 Pjet. 2:23, 24) Duke vepruar kështu, Jezui vuri në vend të parë vullnetin e Jehovait dhe si rezultat Ai e ngriti në një pozitë më të lartë. (Filip. 2:9) Jezui u rekomandoi dishepujve të njëjtën mënyrë jetese.​—Mat. 23:11, 12; Luka 9:26.

20 Ndonjëherë, disa sprova besimi mund të na vënë në siklet. Gjithsesi, duhet të kemi atë siguri që kishte apostulli Pavël, i cili tha: «Pikërisht për këtë arsye po i vuaj këto gjëra, por nuk më vjen turp. Sepse e njoh atë, të cilit i kam besuar dhe jam i sigurt se ai është në gjendje ta ruajë atë që i kam lënë në dorëzim deri në atë ditë.»​—2 Tim. 1:12.

21. Çfarë je i vendosur të bësh pavarësisht nga qëndrimi egoist i botës?

21 Bibla paratha se gjatë kohës sonë njerëzit do të ishin «të dashuruar me veten». (2 Tim. 3:2) Ja pse jemi të rrethuar nga një brez që mendon vetëm për veten. Kurrë të mos njollosemi nga një qëndrim i tillë egoist! Përkundrazi, edhe nëse hasim tundim, na bien tragjedi ose përballemi me orvatje për të na turpëruar, secili prej nesh le të jetë i vendosur të tregojë se Jehovai është vërtet Personi më i rëndësishëm në jetë!

[Shënimi]

^ par. 7 Disa studiues biblikë mendojnë se shprehja «lëkurë për lëkurë» mund të nënkuptojë se, nga egoizmi, Jobi do të ishte i gatshëm t’i linte fëmijët dhe kafshët të humbnin lëkurën ose jetën e tyre, vetëm e vetëm që të shpëtonte lëkurën ose jetën e vet. Të tjerë mendojnë se kjo shprehje thekson që një njeri do të ishte i gatshëm të humbte një pjesë të lëkurës, që të shpëtonte jetën e vet. Për shembull, dikush mund të mbajë ngritur krahun që të shmangë një goditje në kokë, duke humbur kështu një pjesë të lëkurës për të shpëtuar lëkurën ose jetën. Çfarëdo kuptimi të kishte kjo idiomë, patjetër nënkuptonte se Jobi do të jepte me gatishmëri gjithçka, vetëm e vetëm që të shpëtonte jetën e vet.

Çfarë mund të mësojmë . . .

• nga mënyra si e mashtroi Satanai Evën?

• nga reagimi i Jobit ndaj tragjedive personale?

• nga ajo që ishte më e rëndësishme për Jezuin?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 17]

Eva nuk u përqendrua te marrëdhënia e saj me Jehovain

[Figura në faqen 18]

Jezui i hodhi poshtë tundimet e Satanait dhe u përqendrua te vullneti i Jehovait

[Figurat në faqen 20]

Dëshmi tendë më tendë pas tërmetit në Haiti

Kur kemi vuajtje, mund t’i drejtohemi për ndihmë ‘Perëndisë së çdo ngushëllimi’